Organizata Shqiptaria: Komuna e Prishtinës po legalizon diskriminimin fetar në kryeqytet

2h më parë

Organizata Shqiptaria dënon ashpër vendimin skandaloz dhe diskriminues të Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike për ndalimin e aktivitetit të Bashkësisë së Popullit të Zotit me arsyetimin absurd se “aktivitetet me përmbajtje fetare duhet të mbahen vetëm brenda objekteve fetare”.

Ky nuk është vendim administrativ. Ky është akt i pastër diskriminimi, hipokrizie institucionale dhe standard i dyfishtë ndaj komuniteteve fetare që nuk i përkasin strukturave të privilegjuara nga pushteti lokal.

Shtrohet pyetja publike për Komunën e Prishtinës:

Kur ndryshohet orari mësimor gjatë Ramazanit, a nuk është kjo përshtatje publike për praktikë fetare?

Kur stoliset kryeqyteti me simbole fetare për Ramazan, a nuk është kjo dalje e fesë në hapësirë publike?

Kur uzurpohen trotuare, rrugë dhe sheshe për falje jashtë objekteve fetare, pse atëherë nuk zbatohet i njëjti “rregullore”?

Kur qytetarët zgjohen në mëngjes e në mbrëmje nga autoperlantët me thirrje fetare nëpër lagje, duke shqetësuar fëmijë, të moshuar dhe familje të tëra, pse Komuna hesht?

E vërteta është e thjeshtë: Komuna e Prishtinës nuk ka problem me aktivitetet fetare në hapësira publike. Ka problem vetëm kur ato organizohen nga komunitete që nuk i trajton si “të preferuara”.

Ky është mentalitet diskriminues, sektar dhe i rrezikshëm për një shoqëri demokratike.

Institucionet publike nuk janë pronë e një komuniteti fetar dhe as vegël ideologjike e zyrtarëve të papërgjegjshëm. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton barazi për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë fetare, jo privilegje për disa dhe ndalim për të tjerët.

Organizata Shqiptaria kërkon tërheqjen urgjente të këtij vendimi diskriminues dhe përgjegjësi institucionale për zyrtarët që po e përdorin administratën publike për trajtim selektiv të komuniteteve fetare.

Prishtina nuk mund të quhet kryeqytet europian duke vepruar me logjikë diskriminuese primitive ndaj lirive themelore qytetare.