Nikoleta Kovaçi: Roberti jonë si thelb i ksaj shoqërie!
Roberti jonë si thelb i ksaj shoqërie!

Edhe
mue më pëlqen komizmi në filma që mbart Robert Ndrenika, ndonëse unë nuk i kam
pa e as nuk i shoh filmat e lujtun në komunizëm! Për pasojë, në brezin tem mund
të jem e vetmja që nuk citoi asgja nga ato filma! Por nji frazë më ka mbet në
mendje nga Roberti te nji serial me drogë e sende kriminale që asht në rolin e
babës në nji palë fëmijë që i'a rrëmben krimi, ku në bisedë me shokun e vet, ky
i fundit i thotë: S'pate fat hiç me këto fëmijë!, e Roberti i'a kthen: Jo unë
s'jam pa fat, po e kam të zi!
Roberti,
sod 84 vjeç, u ba protagonist i nji skenë që asht kthye në dukuri rrënuese për
shoqërinë tonë! Pra Roberti nuk bani asgja ma shumë se sa asht thelbi i
pranimit të kësaj shoqërie me u kthye në zvarranikë! I vetmi problem me aktin e
tij, që e bani edhe më të zhurmshëm asht mospritshmëria se nji aktor i madh
mundet me ra aq poshtë! Por kujdes; ajo që i ndodhi Robertit mund t'i ndodh
shumëkujt në këtë vend, e kjo s'ka të bëjë as me mirënjohje e as me borxh: ka
të bajë me lojën sunduese të një regjimi të frikshëm nan të cilin jena prej
kohësh!
Unë
e kam fort të vështirë me e pranue që nji artist, aq ma tepër nji aktor, të
jetë kaq përjashtues i së keqes që mbart nji njeri që me pushtetin e tij ka
lanë fëmijë, pleq e familje pa shpi; iu ka msye policinë natën tue i terrorizue
e tue i nxjerr zvarrë nga shpia edhe nana me fëmijë për gjiu, duke i lanë në
shi e madje me banditët e vet ua ka shkatërrue edhe ç'a kanë pas mrena, pra pa
iu dhanë mundësinë me marr as copën e bukës që t'a hanë fëmijët në ndonjë strehë
pallati në ndërtim e sipër! Unë kurrë s'mundem me e besue as pranua që Roberti
nuk ka qa si unë për Ardit Gjoklajn, ndoshta jo sa unë, por nëse asht sall pak
njeri nuk ka mujt me i mbajt lotët e për pasojë nuk mundet me harrue lotët e
veta kur asht përballë me Erjonin kryetar bashkie! Por me moshën mbase edhe ka
harrue, e s'duhet me e xan për t'madhe, thonë shqiptarët!
Edhe
pse akti i tij mue s'më ban hiç përshtypje, pasi kam pa shumë mizerje në këtë
vend, ajo që më tremb (lavdi Zotit jo te vetja) asht dukuria që kërcënon ata që
nuk janë pjesë e teatrit të madh të shit-blerjes së qenies!
Roberti
thjesht u vu në radhë me aktorë të tjerë, me artistë, prokurorë, gjyqtarë,
biznesmenë dhe pse jo, edhe shkrimtarë e poetë, sepse Veliaj kishte në duar nji
makineri përbindëshe propagande, që mjerisht po në formë kaq të përbindshme
pati nan sundimin e tij edhe mediat! Ai mbolli terrorin psiqik se në Tiranë,
pra që nga Tapiza e deri në kufi me Elbasanin gjithçka asht e tija dhe nën
menaxhimin e tij, horizontalisht dhe vertikalisht!

Kapja
dhe tjetërsimi i shumicës ka ndodh pikërisht në format brutale të dhënies së
nji kocke dhe mbajtjen në grykë të saj, ku marrësit nuk janë ma të zotët as t'a
kalojnë dhe as t'a përshtyjnë! Përdorimi i robertrave asht forma ma e mirë me
kërcënue ata që mund edhe të mendojnë me devijue! E Roberti s'asht vetëm! E në
sajë robertërash kena përfundue në cak rrënimi ekzistencial!
Por
akti i Robertit nuk duhet harrue, kryesisht prej atyne pak njerëzish që hala
s'janë infektue prej virusit vdekjeprurës të dinjitetit njerëzor që del nga
propaganda politike, ekonomike dhe kriminale e llojit Erion Veliaj!


