Ndue Dedaj: Rjolli dhe Zvërneci, dy anë të së njëjtës medalje

34m më parë

RRJOLLI E ZVËRNECI, DY ANË TË SË NJËJTËS MEDALJE

NGA NDUE DEDAJ

Fjalët kyçe. Bregdeti shqiptar, në fillim të sezonit turistik veror. Rrjolli dhe Zvërneci, dy nga më perlat natyrore të Shqipërisë. Përplasje të forta të banorëve për pronën e tyre, me privatët (ndërtuesit), me policinë e shtetit dhe atë private. Njëra në Veri e tjetra në Jug. Në Shkodër e Vlorë. I njëjti vit - 2026.

Është normale që një kantier ndërtimi të rrethohet me njësoj gardhi, por pse ai duhet rrethuar me tel me gjemba, si dikur burgu i Spaçit? Nga kush ruhen ndërtuesit? Tela me gjemba në kulmin e negociatave për në BE, për çka Kryeministri flet përditë, herë me gëzim e herë me inat. Në cilën rregullore kantieri parashikohet krijimi një “burgu” të tillë?...

Në krah të protestuesve vetëm mediat. As mazhoranca, as opozita nuk kanë shkuar në “vendngjarjen”, që përsëritet me ditë, me javë e me muaj, përpos ndonjë deputeti opozitar të vetmuar. Policia, dmth shteti, nuk mban anën e banorëve, që po iu rrëmbehet prona me pahir.

Aq dramatike është bërë situata sa kanë dalë dhe gratë në protestë, me fëmijë në krah, duke u përbetuar se nuk e lëshojnë pronën, pasi është amaneti i gjyshërve të atyre fëmijëve. Ato kanë kërcyer dhe mbi fadroma, çka nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk duan të jenë “Shota” e as të bëjnë heroinën e kësaj kohe, por e ndiejnë si detyrim moral të jenë krah burrave në betejë me paligjshmërinë.

Rrjolli nuk shërbeu si mësim për Zvërnecin, përkundrazi, këtu njerëzit u morën zvarrë në sytë e policisë së shtetit. Si është e mundur? Në asnjë vend të BE-së nuk ndodh kështu. Po ne a po kërkojmë të hyjmë në Europë? Apo oligarkët, me lejekalimin e pushtetarëve, po nxitojnë t’i hedhin themelet e ngrehinave të tyre në pronat e xana para se të bjerë sipari i antarësimit?

Nuk është se nuk janë grabitur prona në këto vite të tranzicionit. Sa të duash! Janë mbivendosur, tjetërsuar etj., për çka ka pasur konflike pa fund, gjer vrasje. Problemi ka plasur pasi kjo e sotmja është një grabitje masive tokash.

A ka zgjidhje? Po. Kur të mos protestojë vetëm Rrjolli për Rrjollin e Zvërneci për Zvernecin, por thënë në mënyrë të figurshme, bregdeti i Shkodrës të protestojë për atë të Vlorës dhe ndërsjelltas.... Përndryshe, nuk kemi parë gjë akoma. Sapo ka filluar përplasja e banorëve për pronën e tyre “pa letra”. Tashti për tashti arena është bregdeti, nesër janë malet, jo se nuk ka pasur dhe atje raste për moslejimin e hidrocentraleve etj.