Ndue Dedaj: E drejta me fol dhe e drejta me hesht

1h më parë

E DREJTA ME FOL DHE E DREJTA ME HESHT

NGA NDUE DEDAJ

Aq shumë është shkruar e thënë për fjalën, që nga shprehja biblike “Fjala është e para”. “Fjala gdhend gurin”. “Fjala asht ma e randë se plumbi”. Nuk ka një përkufizim të fjalës. Ka vetëm muzë, simbolikë dhe interpretim të saj. Te fjala lidhet e zgjidhet bota (lutjet, bisedat, tubimet, kushtetutat, librat, gazetat, televizionet etj.) Fjala bluan si mulliri dhe bluhet, endet dhe sh’endet përjetësisht. Fjala nuk ka kuptim pas kuvendit. Sa herë e kemi dëgjuar: “Goja lidh e goja zgjidh”, në kuptimin që gjëja duhet thënë në kohën dhe në vendin e duhur. Fjala ka hyrë në urtinë popullore dhe në filozofi. “Nuk i bie fjala në tokë”, dëgjon. Fjala ka masën e saj. Thuhet dhe “gjysmë fjale”. Nuk ka qenë e nevojshme me qenë shkrimtar për ta ditur masën e fjalës. Malësori shqiptar kishte kultin e saj. Ajo kishte rend në oda e kudo. Edhe një tungjatjeta e një cigare duhan kishte domethënie. Për malësorin më përpara luanin themelet e kullës se fjala e dhënë. Por dhe eshtrat e varrit! Ishte dhe kuptimi qortues: “I foli goja para mendjes”, “i shkau goja” etj. Nuk ka një “antologji” më të përkryer se ajo e fjalës.

Pa fjalën artistike nuk ka letërsi, dialogje dramatike, psikologji të karaktereve. Është emocionuese të dëgjosh se çfarë kanë thënë të mëdhenjtë për fjalën. Rumi, poeti e dijetari i shquar pers i shekullit XIII, thoshte mjafton ta thuash fjalën pa e ngritur zërin, pasi është shiu që e rrit bimën dhe jo bubullima. Kaq shumë vepra letrare e kanë fshikulluar madhështinë e rreme të njeriut, sa do të mjaftonte qoftë dhe vetëm “Don Kishoti” i Servantesit. Por jo, “mullinjtë e erës” vërtitën dhe sot e kësaj dite më marrëzisht se asnjëherë. Ndërsa “akademikët” popullorë zënë podiumet e nuk i lëshojnë pa filluar të lëvizin karriget e sallës, një profesor i njohur i Prishtinës që kishte dhënë mësim në disa universitete të Europës, në një konferencë ia le kujdesin të birit, duke i thënë: më bëj shenj nga salla, nëse zgjatem, e teproj, i mërzis njerëzit. I zoti i fjalës, oratori e di se kur duhet ta lërë fjalën, qysh para se ta nisë ligjëratën.

Po nëse profesori mbi të 80-at matet të flasë për fushën e tij, letërsinë dhe historinë e saj, njerëz pa kurrëfarë identiteti kulturor dhe formimi për historinë, mbushin rrjetin me “dijet” e tyre rreth historisë krahinore të kësaj apo asaj treve, ndezin “polemika” boshe me sivëllezërit e tyre që iu kanë hyrë në hise, lëvdojnë krahinën e tyre dhe ulin atë fqinje. E gjithë kjo shpurë “historianësh” e nis me sulmet ndaj korrifenjve të disiplinave të historisë, për të cilët Aleks Buda nuk ka shkruar libra (si këta), por vetëm 2-3 artikuj!? Nuk kanë hyrë kurrë në arkiva, nuk e dinë nga është dera e bibliotekave shkencore, por kanë Uikipedian dhe u mjafton!? Këput copa andej e hidh këndej dhe ja u bë... historia, apo mjerimi i saj në rrjetet sociale.

Ky është një qendrim denigrues ndaj fjalës, dijes, komunikimit publik.

“Mos të vdektë fjala!”

Me të vdekë fjala, tue qenë gjallë, kjo ishte humbja më e madhe e njeriut. Mund të humbte pasuria dhe e vije përsëri. Por nuk mund ta “ngjallje” më fjalën e vdekur. Bash për këtë dikur thuhej “Mos të vdektë fjala!” Fjala nuk ka më peshë aty ku duhej të ishte më e vlefshme se kudo tjetër, në Kuvendin e Shqipërisë, këshillat bashkiake, forumet politike etj. Sa nuk pëlcet shqipja e Kastriotit e Bogdanit, Frashërit e Fishtës, Podrimjes e Kadaresë nga maskarada gjuhësore parlamentare, fejsbukiste dhe jo vetëm. Publiku duhet t’ua ndalojë deputetëve ta bastardhojnë gjuhën. Është në të drejtën e tij të mos lejojë askënd të ndotë shqipen, duke minuar njëherësh ngrehinën historike të saj. Ky është keqkuptim i demokracisë dhe i lirisë së shprehjes.

Keqkuptim tjetër është teknologjia. Shekuj pas shekujsh teknologjia e ngriti fjalën aty ku nuk mund të imagjinohej. Papiruset. Shtypshkonjat. Radiofonia. Edhe interneti u shpik për ta lartësuar fjalën, për t’i dhënë zërin e vet dhe njeriut më të thjeshtë, që fjala të mos mbetej monopol vetëm i një pjese njerëzish, sado e ndritur të ishte ajo, por pikërisht kjo vlerë u nëpërkëmb jo pak. Renden të gjithë sipërfaqësorët të tregonin sa të “thellë” ishin në punët e diturisë, a thua se kjo vinte pa lexuar libra. Shpejt u krijua një kategori që ia zuri frymën fjalës, ose duke lavdëruar pa fund shoqi-shoqin, ose duke e sharë “pa frikë e me shkronja të mëdha” cilindo që ishte ndryshe. Kështu fjala doli nga binarët dhe nisi të rrokullisej...

Sa shumë zhurmë për... vetveten

Shumë zhurmë për asgjë, pati shkruar Shekspiri, duke fshikulluar asgjënë e kohës së tij, por dhe duke parashikuar kotësinë që do të zgjatej me shekuj. Dhe kotësia më e madhe do të ishte të marrurit e njeriut me përkëdheljen fëminore të vetvetes. Rrahagjokësit e kanë bërë tashmë “gropë” gjoksin e tyre. I vetmi përemër që lakojnë është “unë”. Unë e di, unë e thashë, unë e bëra, falë meje ka ndryshuar dhe ajri! Prindërit dikur merrnin thuprën po të dëgjonin fëmijët e tyre të thoshin unë jam më i mirë se shokët, por tash sociologëve iu është thyer “thupra”. Nuk ndodhte kështu në të shkuarën, se populli i kishte dalë përpara krenisë: “Mos të hyftë vetja në qejf!”, “Mat shtatë herë e pre njëherë!” Fliste vetëm ai që kishte diçka për të thënë, që dinte me kuvendue. Për etikë e modesti thuhej “siç ka thënë filani” dhe jo siç kam them unë. Ishte turp i madh me u lëvdue burri në publik!...

Tani që janë bërë të gjithë kinse gazetarë, fotografë, videobërës ka një mani për të krijuar “lajme”, “skupe”, “fake njuz” kudo e për çdo gjë, dhe aty ku nuk ka, vetëm për të tërhequr vëmendjen kah... vetja. Lajmërohet në rrjetet sociale për gjera të vogla, rastësore, të rëndomta, të papërfillshme, pa asnjë interes për miqtë dhe mjedisin publik. Ngrihet stuhi në opinion, edhe pse askush nuk i merr seriozisht. Do të kishim shpëtuar nga kjo flamë nëse nuk do të ishin rrjetet sociale, që nga ana tjetër janë aq të nevojshme. Shumë shpifës, llomotitës, linçues, denigrues do të kishin shkuar “dëm”.

E ka një shpjegim dhe kjo, njerëzit tash nuk merren më me tokën, bimët, bereqetin, pemët, bletët, por kanë zgjedhur të “punojnë” në Facebook. Pse jo? Dje ishim gojëkyçur, sot jemi të gjithë gojështhurur. Kemi gjithë kohën nëpër duar pajisjet elektronike të fundit: telefonët, smartphone-t, ipad-et, laptopët, portalet e ndryshme që na mbushin me informacione gjithëfarësh dhe s’është e ndershme t’i shpërdorojmë. Vërtet rrena i ka këmbët e shkurtëra, por në kohën e sotme ajo ka shumë “gojë” që e mbajnë gjallë. Deri sa të merret vesh e vërteta, shpifja ndaj dikujt e ka bërë të sajin, ia ka dëmtuar tashmë imazhin. Ende më keq, kur nga individë të paaftë, ndonëse përfaqësues të komunitetit, bëhen shpjegime të pathemelta gjer për trevën, njerëzit etj., siç qëlloi para do kohësh të dëgjonim në një qytet të Kosovës.

Ç’do të thotë me e cokatë trurin para se me fol e shkrue

Thoshte një i moshuar, mote më parë, jam tue ardhë me pi kafe me ty në mëngjes e me e cokatë pak trurin. Dihet që kosa nuk e pret barin po nuk iu cokat tehu me çekiç mbi kudhër, herë pas e here. Mprehja e veglave prerëse me grihër është një proces i domosdoshëm, ndaj prej tij ka dalë dhe kjo metafora e “cokatjes” së mendjes, që bëhet përmes dëgjimit të tjetrit, por dhe leximit të librave, shkollimit, navigimit në internet etj. Ky nuk është moralizim, por përvoja e shekujve, që i shkon përshtat edhe kohës moderne, në mos më shumë kësaj, pasi njeriu falë teknologjisë së lartë mund të dalë nga vetja. Deliri ishte aty me njeriun, por në kohën e sotme ka shpërthyer duke bërë të shfaqet për herë e më shumë tipi që flet për gjithçka, edhe pse me dije të cekta. Ky as që e shkon ndërmend se duhet me e “cokatë” fort trurin para se me fol për një gjë. E më shumë se vetë tipat e papërmbajtur për të qenë persona publikë, non - stop, përgjegjësia është e mediave televizive që ftojnë tash e parë të njëjtët individë për të mbushur emisionet dhe programet. Ka plot që mund të flasin më mirë se ata, por moderatorët gjejnë rrugën më të shkurtër, iu telefonojnë të përhershmëve, që janë të gatshëm për të kërcyer nga ekrani në ekran.

Por kryesorja në këtë histori dështimi janë “mediat” vetjake, rrjetet sociale, që e kanë shtuar zhurmimin e njeriut rreth vetes, për veten, me veten. Has gjithandej “diturakë” me thinja e pa thinja që flasin për galaktikat dhe ufot, gjeopolitikën e kibernetikën, sportin e qeverisjen etj. Të rinj pa ndonjë prerje, gjuhë e kulturë për ekranin që pozojnë si “ikona” televizive, a thua se shoubizi, modelingu, moderimi, shfaqja publike është “Big Brother”. Politikanë mediokër që imitojnë shefat politikë edhe në fjalor, edhe në gjeste, edhe në veshje, edhe në ecje. Po kthehet në modë përherë e më shumë, që persona anonimë pa kurrëfarë roli dhe ndikimi publik, vendosin kameran para fytyrës së vet, njëlloj si Kryeministri (nga duket se dhe e kanë marrë këtë ngasje) dhe kumtojnë si të jenë VIP-a, thonë e ç’nuk thonë për mëhallën, dietat, politikën, Kievin, Hormuzin, gurkishën e Vushtrisë. Është e dhimbshme t’i shohësh duke shfaqur ditë për ditë “filmin” e vetvetes.

Vërtetë liria e fjalës është për të gjithë, por po aq e shenjtë është dhe liria e heshtjes për gjerat që nuk di dhe të mungojnë aftësitë për to. Faik Konica i qe lutur fort Zotit, që t’i mbyllte gojët që nuk kishin asgjë për të thënë, veç megallomanisë së vetes.