Albert Zholi: Ilirjan Dhima - Jam habitur me rritjen e punëtorëve të huaj
Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës "Shqipëria" në Athinë:
-
Jam habitur me rritjen e punëtorëve të huaj, filipinezë, egjiptianë, indianë,
pakistanezë në shërbime, bujqësi, blegtori, ndërtim etj, në Labëri
-
Shqipëria, nga një vend që për dekada eksportoi emigrantë, duket se po kthehet
gradualisht në një vend që importon fuqi punëtore, ndaj po plaket me shpejtësi
-
Nga njëra anë kemi një numër të madh të rinjsh shqiptarë që largohen jashtë
vendit, nga ana tjetër bizneset vendase po kërkojnë gjithnjë e më shumë
punëtorë të huaj
-
Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, po përdoret si një rrugë
tranziti nga emigrantë të parregullt që synojnë të arrijnë vendet e Bashkimit
Evropian
-
Trafikantët u premtojnë kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shumave të
konsiderueshme, ndërsa emigrantët shpesh përballen me rrezik, mashtrim dhe
kushte të vështira.
-Shqipëria
ka nevojë për më shumë organizim, bashkëpunim dhe dialog qeveritar-qytetar
-Qeveritë
shqiptare i nënvleftësojnë emigrantët dhe kujtohen vetëm për votime dhe pse ata
janë pjesa më aktive e ekonomisë shqiptare
-
Në Shqipëri çmimet në shumë raste ndryshojnë shumë shpejt, madje duket sikur
ndryshojnë edhe sipas orarit, fluksit apo vendit ku ndodhesh

Ilirjan
Dhima është një nga zërat aktivë të komunitetit shqiptar në Greqi. Në drejtimin
e Shoqatës "Shqipëria" në Athinë, ai ka ndjekur nga afër
problematikat e emigrantëve shqiptarë, lidhjet e tyre me vendlindjen, lëvizjet
sezonale drejt Shqipërisë, si dhe zhvillimet shoqërore e politike në vend. Në
këtë intervistë për "Telegraf", ai flet për verën e këtij
viti, situatën në Dukat, aktivitetin e shoqatës, lëvizjet mes Greqisë dhe
Shqipërisë, rënien e numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe protestën që
prej muajsh zhvillohet në Tiranë.
–
Si ju duk kjo verë në Shqipëri, veçanërisht në Dukat, nga jeni ju? A pati më
shumë lëvizje të emigrantëve dhe pushuesve?
– Shqipëria
kishte njerëz, kishte lëvizje dhe padyshim që edhe këtë verë pati shumë
shqiptarë që u kthyen për pushime. Por, po ta krahasojmë me vitet e mëparshme,
mendoj se lëvizja nuk ishte në të njëjtin nivel. Dukati, si një zonë me bukuri
të jashtëzakonshme dhe me lidhje të forta me emigracionin, pati vizitorë, por
përballoi edhe probleme që përsëriten pothuajse çdo vit. Një prej tyre
është problemi i ujit, ndërsa një tjetër është qarkullimi
rrugor, sidomos në periudhat e fluksit. Por këtë vit problemi më i madh dhe
më shqetësues ishin zjarret. Ne u dogjëm. Dukati përballet çdo vit
me rrezikun e zjarreve dhe kjo nuk mund të trajtohet më si një dukuri e zakonshme
e verës. Duhet një strategji e qëndrueshme për parandalimin dhe përballimin e
tyre. Nuk mjafton të ndërhyjmë vetëm kur zjarri ka marrë përmasa të mëdha.
–
Çfarë aktivitetesh zhvilloi Shoqata "Shqipëria" gjatë qëndrimit tuaj
në vend?
– Ne e
shfrytëzuam këtë periudhë për të zhvilluar një sërë takimesh. Morëm kontakt dhe
u takuam me të gjitha degët e shoqatës, ku bëmë një bilanc të punës
së deritanishme, por edhe diskutuam për objektivat që kemi për të ardhmen. Më
pas zhvilluam takime në Piqeras, Gjirokastër dhe Vlorë, ku kemi një
pjesë shumë aktive të strukturave dhe të anëtarësisë sonë. Për ne, shoqata nuk
është vetëm një strukturë që organizon aktivitete. Ajo duhet të jetë një urë
lidhëse mes emigrantëve dhe Shqipërisë. Ne duam që shqiptarët që jetojnë jashtë
vendit të mos shkëputen nga vendi i tyre, por të kontribuojnë me mundësitë që
kanë.
–
Si ishte lëvizja nga Athina drejt Vlorës dhe anasjelltas gjatë kësaj vere?
– Kishte shumë
lëvizje. Në periudhat e fluksit rrugët dhe pikat e kalimit kufitar përballojnë
një numër të madh njerëzish. Por duhet thënë edhe një gjë: kur ka
fluks, pala greke nuk e rrit sa duhet numrin e sporteleve në funksion. Kjo
krijon radhë dhe pritje të gjata, duke e bërë udhëtimin më të lodhshëm për
qytetarët. Mendoj se duhet më shumë koordinim mes institucioneve shqiptare dhe
greke, sidomos në periudhat e verës dhe festave, kur lëvizja e emigrantëve
është shumë më e madhe.
–
A mendoni se këtë vit kanë ardhur më pak emigrantë shqiptarë nga Greqia për
pushime në Shqipëri?
– Mendoj se nuk
kanë ardhur më shumë se vitin e kaluar dhe një nga arsyet kryesore janë çmimet.
Në Greqi çmimet janë relativisht më të stabilizuara. Atje bizneset e njohin
tregun dhe, mbi të gjitha, njohin shijen dhe mundësitë e klientëve dhe turistëve.
Në Shqipëri kemi një problem tjetër. Çmimet në shumë raste ndryshojnë
shumë shpejt, madje duket sikur ndryshojnë edhe sipas orarit, fluksit apo
vendit ku ndodhesh. Kjo krijon dyshime dhe pasiguri te konsumatori.
Shqiptari i emigracionit nuk është më ai i viteve të para. Ai udhëton, krahason
dhe e di se çfarë ofrohet në vende të tjera. Prandaj Shqipëria duhet të ketë më
shumë seriozitet në raportin çmim–shërbim–cilësi.
–
A është zvogëluar numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi?
– Po, numri po ulet
çdo vit. Është një realitet që duhet parë me shumë vëmendje. Një pjesë e
shqiptarëve largohen nga Greqia për të kërkuar një jetë më të mirë në vende të
tjera të Bashkimit Evropian. Të tjerë shkojnë edhe në Shtetet e Bashkuara apo
Kanada. Ndërsa një pjesë shumë e vogël, kryesisht për shkak të moshës, kthehet
në Shqipëri. Pra, komuniteti shqiptar në Greqi po ndryshon. Brezi i parë i
emigrantëve po plaket, ndërsa brezi i ri është më i lëvizshëm dhe kërkon
mundësi aty ku mendon se ka perspektivë më të mirë. Kjo duhet të jetë një
kambanë alarmi edhe për Shqipërinë. Nëse duam që shqiptarët të kthehen dhe të
investojnë këtu, duhet të krijojmë më shumë siguri, më shumë mundësi
dhe më shumë besim te institucionet.
–
Si do ta cilësonit protestën shqiptare në Tiranë, e cila tashmë po mbush tre
muaj?
– Unë jam pro
çdo proteste paqësore. Protestat janë një instrument i demokracisë dhe, kur
zhvillohen në mënyrë paqësore, janë një mënyrë që qytetarët t'u kërkojnë
llogari qeverive. Protestat bëjnë që qeveritë të reflektojnë dhe t'i vënë
gishtin kokës. Në një demokraci, asgjë nuk duhet të bëhet pa dëgjuar zërin e
qytetarëve. Megjithatë, duhet të them se fryma e kësaj proteste më
duket e dobët. Organizimi ka rënë dhe duket se mungon një drejtim i qartë.
–
Çfarë mendoni se i mungon kësaj proteste?
– Mendoj se
problemi kryesor është se nuk ka një drejtim të unifikuar. Ka disa
grupime shoqatash, individë të ndryshëm dhe interesa të ndryshme. Ka edhe
perceptime se disa prej tyre mund të jenë të nxitura nga faktorë të jashtëm apo
nga parti politike. Unë nuk mund të them se kush qëndron pas njërit apo tjetrit
grupim, por ajo që shoh është se nuk po gjendet një emërues i
përbashkët. Nëse një protestë kërkon të jetë e fuqishme dhe të ndikojë
realisht në vendimmarrje, duhet të ketë disa kërkesa të qarta, një platformë të
kuptueshme dhe një organizim që t'i bashkojë njerëzit. Përndryshe rrezikohet që
një kauzë e drejtë të dobësohet nga përçarjet.
–
Pra, sipas jush, çfarë duhet të bëjë opozita sociale dhe qytetare?
– Duhet të
bashkohet rreth problemeve reale të njerëzve. Nuk mund të ketë sukses një
lëvizje që flet me shumë zëra dhe kërkon shumë gjëra njëherësh. Duhet një platformë
qytetare, ku të përfshihen pensionistët, emigrantët, të rinjtë, bizneset e
vogla, intelektualët dhe të gjithë ata që kanë shqetësime konkrete. Unë besoj
te dialogu, por besoj edhe te protesta paqësore. Të dyja janë pjesë e
demokracisë. Shqiptarët jashtë vendit nuk janë vetëm njerëz që sjellin para në
Shqipëri gjatë verës. Ata janë një kapital njerëzor, profesional dhe
intelektual. Shoqatat duhet të shërbejnë si ura lidhëse. Ne duhet të
komunikojmë me Shqipërinë, të japim mendimet tona, të evidentojmë problemet
dhe, kur kemi mundësi, të kontribuojmë edhe konkretisht. Në fund të fundit,
pavarësisht se ku jetojmë, Shqipëria mbetet vendi ynë.
–
Çfarë mesazhi do t'u jepnit shqiptarëve të Greqisë dhe atyre që jetojnë jashtë
Shqipërisë?
– Të mos e
harrojnë vendin e tyre. Por njëkohësisht Shqipëria duhet t'i mirëpresë ata me
respekt dhe jo t'i shohë vetëm si konsumatorë gjatë muajve të verës. Emigranti
ka nevojë për një Shqipëri ku të ndihet i respektuar, ku çmimet të jenë të
arsyeshme, shërbimet të jenë cilësore dhe ku të ketë siguri për të investuar.
Ne duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të re mes Shqipërisë dhe diasporës, jo
vetëm mbi nostalgjinë, por mbi bashkëpunimin, respektin dhe interesin e
përbashkët.
-
Shumë shqiptarë në Greqi tashmë janë bërë pronarë lokalesh, ndërmarrjesh
ndërtimi, punishte dhe biznesesh të ndryshme. Pse ka ndodhur kjo?
– Është një
ndryshim shumë i madh që ka ndodhur gjatë viteve të fundit dhe që tregon edhe
integrimin ekonomik të shqiptarëve në shoqërinë greke. Arsyeja kryesore është
se në shumë zona të thella, por edhe në disa qendra kryesore, të rinjtë
grekë preferojnë punë më të lehta, me më pak vështirësi fizike dhe, në shumë
raste, punë që ofrojnë të ardhura të mira. Një pjesë e të rinjve grekë që
janë më aktivë dhe më të arsimuar zgjedhin gjithashtu të largohen për
emigracion, veçanërisht nga zonat rurale. Si rezultat, në disa prej këtyre zonave
ka krijuar një boshllëk të madh në tregun e punës. Në disa fshatra dhe zona
rurale, madje, shqiptarët janë tashmë komuniteti më i pranishëm dhe më
aktiv ekonomikisht. Shqiptarët nuk janë më vetëm punëtorë. Sot ata po
kalojnë gjithnjë e më shumë nga pozicioni i punëmarrësit në atë të sipërmarrësit
dhe punëdhënësit. I gjen në krye të ndërmarrjeve të ndërtimit, në
përpunimin e produkteve të bulmetit, në peshkim, në lokale, punishte dhe
aktivitete të tjera ekonomike.
-Z.
Ilirjan, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje këto ditë në Shqipëri dhe,
konkretisht, në Labëri?
Po vihet re një
dukuri e re: rritja e numrit të punëtorëve të huaj në shërbime, bujqësi,
blegtori, ndërtim etj. Filipinezë, egjiptianë, indianë, pakistanezë e shtetas
të vendeve të tjera po shihen gjithnjë e më shumë në jug të vendit. Pra,
Shqipëria, nga një vend që për dekada eksportoi emigrantë, duket se po kthehet
gradualisht në një vend që importon fuqi punëtore. Ndërkohë, të rinjtë
shqiptarë po largohen, po kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të Evropës dhe,
në të njëjtën kohë, po plaket Shqipëria. Pra shihet një ndryshim! Është një nga
ndryshimet më të dukshme dhe më domethënëse të Shqipërisë së viteve të fundit.
Ajo që më ka bërë përshtypje veçanërisht në Labëri është kontrasti mes dy realiteteve:
nga njëra anë kemi një numër të madh të rinjsh shqiptarë që vazhdojnë të
largohen jashtë vendit, ndërsa nga ana tjetër bizneset vendase po kërkojnë
gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj për të plotësuar vendet e punës që mbeten
bosh. Kjo dukuri është e dukshme në turizëm, në restorante e hotele, në
ndërtim, në bujqësi, blegtori dhe në sektorë të tjerë ku kërkohet punë fizike
dhe e vazhdueshme. Në shumë zona të jugut, sidomos gjatë sezonit turistik,
tashmë shikon punëtorë nga vende të ndryshme të botës. Kjo nuk duhet parë vetëm
si një fenomen ekonomik, por edhe si një sinjal i fortë demografik e shoqëror.
Shqipëria për shumë vite ishte një vend që eksportonte fuqi punëtore. Sot po
shfaqet një paradoks: ne vazhdojmë të eksportojmë të rinjtë tanë, ndërkohë që
importojmë punëtorë për të mbajtur gjallë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Kjo do të thotë se kemi një problem serioz me raportin midis tregut të punës,
pagave, kushteve të punës dhe perspektivës që u ofrojmë të rinjve. Nëse një i
ri shqiptar nuk e sheh të ardhmen e tij në vendin e vet, ndërsa një biznes
shqiptar detyrohet të kërkojë punëtorë në Filipine, Indi, Pakistan, Egjipt apo
vende të tjera, atëherë duhet të pyesim veten se çfarë po ndodh me modelin tonë
ekonomik dhe social. Më shqetësues është fakti se kjo ndodh në një kohë kur
Shqipëria ka nevojë pikërisht për rininë e saj. Të rinjtë nuk janë vetëm fuqi
punëtore; ata janë familjet e së nesërmes, prindërit e ardhshëm,
profesionistët, sipërmarrësit dhe kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e vendit.
Kur ata largohen në masë, pasojat nuk maten vetëm me numrin e vendeve të punës
që mbeten bosh. Ato maten me plakjen e popullsisë, me tkurrjen e komuniteteve
dhe me dobësimin e perspektivës demografike.
-Një
tjetër dukuri që vihet re është ardhja në Shqipëri e emigrantëve të parregullt,
sidomos përmes Greqisë. Nga Turqia, emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Azia
kalojnë drejt Greqisë dhe më pas tentojnë të hyjnë në Shqipëri, me synim
vazhdimin e rrugës drejt vendeve të Bashkimit Evropian. A jeni njohur me këtë
fenomen?
Po, është një
fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe që duhet trajtuar me shumë
seriozitet. Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, mund të
përdoret si një rrugë tranziti nga emigrantë të parregullt që synojnë të arrijnë
vendet e Bashkimit Evropian. Në disa raste bëhet fjalë për persona që vijnë nga
vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë, kalojnë nëpër Turqi, më pas në Greqi dhe
kërkojnë rrugë të tjera për të vazhduar drejt Evropës Perëndimore. Kjo krijon
një problem jo vetëm humanitar, por edhe një problem të sigurisë kufitare dhe
të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo që është edhe më
shqetësuese është se rreth këtyre lëvizjeve mund të krijohen rrjete kriminale
që përfitojnë financiarisht nga dëshpërimi i emigrantëve. Trafikantët u
premtojnë kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shumave të konsiderueshme,
ndërsa emigrantët shpesh përballen me rrezik, mashtrim dhe kushte të vështira.
Për këtë arsye, duhet bërë një dallim i qartë mes emigrantit që kërkon një jetë
më të mirë dhe trafikantit që përfiton nga ky fenomen. Emigranti nuk është
domosdoshmërisht problem; problemi është rrjeti kriminal që e shfrytëzon atë.
Shqipëria duhet të ruajë një qasje njerëzore ndaj emigrantëve, duke respektuar
ligjin dhe të drejtat themelore të njeriut. Lufta kundër trafikimit nuk duhet
të kthehet në luftë kundër njerëzve që ndodhen në një situatë të dëshpëruar.
Synimi duhet të jetë goditja e organizatorëve dhe trafikantëve, jo viktimizimi
i viktimave të tyre. Në fund të fundit, të dyja dukuritë që përmendëm – largimi
i të rinjve shqiptarë dhe ardhja e fuqisë punëtore të huaj – janë pjesë e të
njëjtit problem më të madh: Shqipëria po ndryshon me shpejtësi
strukturën e saj demografike dhe të tregut të punës. Dhe ky është një
realitet që kërkon një debat serioz kombëtar, jo thjesht statistika apo
deklarata politike.


