Milazim Zeqiraj: Hafiz Gagica, veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare

Hafiz Gagica, veprimtar i palodhshëm i çeshtjës kombëtare
„Liria
është e shenjtë. Për të duhet punuar çdo ditë me urtësi, durim dhe përkushtim."
— Ibrahim Rugova

Me
pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare,
z. Hafiz Gagica.
Hafiz
Gagica ishte një burrë i urtë, atdhetar i palodhur dhe veprimtar i devotshëm, i
cili me përkushtim të jashtëzakonshëm i shërbeu çështjes kombëtare dhe idealeve
të lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Kontributi i tij në Lidhjen Demokratike
të Kosovës (LDK), si dhe në organizimin e veprimtarisë kombëtare për lirinë,
pavarësinë dhe krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, ishte i çmuar
dhe i paharrueshëm.
Ai
qëndroi gjithmonë besnik vizionit politik të Presidentit Ibrahim Rugova, duke
mbështetur rrugën e urtësisë, demokracisë, paqes dhe shtetndërtimit.
Hafiz
Gagica i takonte gjeneratës së artë të veprimtarëve kombëtarë në mërgatë. Në
cilësinë e koordinatorit të degëve të LDK-së në diasporë, ai dha një kontribut
të jashtëzakonshëm në organizimin dhe fuqizimin e veprimtarisë kombëtare, duke
bashkuar shqiptarët rreth idealeve të lirisë dhe pavarësisë.
Me
angazhimin e tij të sinqertë dhe të pandërprerë, ai la gjurmë të pashlyeshme në
jetën politike dhe kombëtare, si në mërgatë ashtu edhe në Kosovë. Së bashku me
heroin e Kosovës, Sali Çekaj, si dhe me veprimtarë të shquar të LDK si
znj.Donika Gërvalla, z.Shaban Bobaj, z.Idriz Zeqiraj dhe shumë të tjerë, ai
ishte kudo ku organizohej veprimtaria kombëtare gjatë viteve '90.
Për
shumë prej nesh në mërgatë, Hafiz Gagica dhe heroi Sali Çekaj ishin dritarja
jonë drejt Kosovës dhe zëri i shpresës për lirinë e saj. Në tubimet e shumta,
ata përcillnin besim, kurajë dhe shpresë, edhe në kohët më të vështira, kur
rruga drejt lirisë dukej e largët dhe e mbushur me sakrifica.
Hafiz
Gagica do të kujtohet gjithmonë si një njeri i ndershëm, i urtë, i afërt me
bashkatdhetarët dhe besnik ndaj idealeve kombëtare. Vepra dhe kontributi i tij
do të mbeten pjesë e çmuar e historisë sonë më të re.
Në
këto çaste dhimbjeje, familjes Gagica, miqve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë
atyre që e njohën e bashkëpunuan me të, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Qoftë
i përjetshëm kujtimi për Hafiz Gagicën.









