Luan Tashi: Portreti i Skenderbeut në Galerinë Uffizi të Firencës dhe problemi i atribuimit Gentile Bellinit
Portreti i Skenderbeut në Galerinë Uffizi të Firencës dhe problemi i atribuimit Gentile Bellinit

Për Gjergj
Kastrioti Skenderbeun (1405-1468) nuk ka asnjë portret i dokumentuar në mënyrë
të padiskutueshme si vepër e realizuar gjatë jetës së tij. Pikërisht kjo
mungesë ka bërë që çdo paraqitje figurative e tij të bëhet objekt debatesh,
atribuimesh dhe interpretimesh të ndryshme. Ndër portretet më të njohura të
Skenderbeut, është ai që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi” në Firence. Kjo
vepër bën pjesë në koleksionin e famshëm të portreteve historike që rrjedh nga
muzeu i mjekut, historianit dhe biografit italian nga qyteti Como, Paolo Giovio
(1483-1552).
Portreti në Uffizi
është realizuar në vitin 1553 nga Cristofano di Papi dell’Altissimo
(1525-1605), me porosi të Dukës së Firencës, Cosimo de’ Medici I (1519-1574), i
cili kishte vendosur të kopjonte sistematikisht koleksionin e Giovios për ta
ruajtur në Firence.
Dell’Altissimo
ishte piktor italian i periudhës së Manerizmit i lindur në Firence. [Manerizmi
u zhvillua nga viti 1520 deri më 1600, ndërmjet Renesansës së Vonë dhe
Barokut]. Dokumenti më i hershëm që e përmend daton në vitin 1552, kur ai
paraqitet tashmë si një artist i formuar, i ngarkuar nga Duka i Toskanës,
Cosimo I de’ Medici, për të udhëtuar në Como me qëllim kopjimin e portreteve të
famshme të koleksionit të Paolo Giovios.
Sipas dëshmisë së
historianit të artit, Giorgio Vasari (1511-1574), poashtu piktor dhe arkitekt
italian i Rilindjes, i cili e njohu personalisht, Cristofano kishte realizuar
një numër të konsiderueshëm portretesh. Veprimtaria e Cristofanos u kushtëzua
pothuajse tërësisht nga projekti i kopjimit të portreteve. Cristofano kishte
studiuar pranë piktorit dhe portretistit italian të Manerizmit, të shkollës
Fiorentine, Jacopo Pontormo (1494-1557). Stili i tij karakterizohet nga forma
të qarta dhe kompakte, sipërfaqe të lëmuara dhe një trajtim rigoroz i figurës,
tipare që e afrojnë me piktorët maneristë të gjysmës së dytë të shekullit XVI.
Portreti i Gjergj
Kastrioti Skenderbeut në Uffizi është bërë objekt debati të gjatë
historiografik, pasi Friedrich von Kenner (1834-1922), ka sugjeruar se ai mund
të jetë kopje e një origjinali të humbur të Gentile Bellinit (1429-1507). Bellini
ishte një nga piktorët më të rëndësishëm të Rilindjes veneciane. I lindur në
familjen e famshme Bellini, ai u bë piktori zyrtar i Republikës së Venecias dhe
realizoi disa nga veprat më të rëndësishme të artit venecian të shekullit XV.
Në vitin 1479 u dërgua në Kostandinopol me mision diplomatik për realizimin e
portretit të famshëm të Sulltan Mehmetit II (1432-1481), i cili sot ruhet në
“National Gallery” në Londër dhe konsiderohet një nga kryeveprat e portretit
rilindas.
Austriaku Kenner,
nuk ishte historian arti i specializuar në pikturën e Rilindjes italiane.
Ekspertiza e tij kryesore ishte numizmatika dhe arkeologjia, jo analiza
stilistike e pikturës. Kenner mendonte se Bellini kishte realizuar një portret
të Skenderbeut, i cili më pas kishte humbur dhe ishte ruajtur vetëm nëpërmjet
kopjes së dell’ Altissimos. Kjo teori mbështetet kryesisht në afërsinë
kronologjike ndërmjet Bellinit dhe epokës së Skenderbeut, si dhe në disa
ngjashmëri ikonografike ndërmjet portretit të Sulltan Mehmetit II dhe portretit
të Skenderbeut në Uffizi. Megjithatë, kur veprat analizohen nga këndvështrimi i
historisë të artit, lindin një sërë problemesh që e bëjnë këtë teori të
vështirë për t’u pranuar.
Dallimi i parë dhe
më i rëndësishëm lidhet me vetë natyrën e dy portreteve. Bellini është i
interesuar për karakterin psikologjik të subjektit. Ai nuk e idealizon figurën,
por përpiqet të kapë individualitetin e saj. Tiparet anatomike të sulltanit
paraqiten me realizëm: hunda është e theksuar, faqet modelohen gradualisht
përmes dritës dhe hijes, ndërsa syri integrohet natyrshëm në strukturën e
fytyrës. Portreti krijon ndjesinë e pranisë së një individi konkret.
Ndryshe ndodh me
portretin e Skenderbeut në Uffizi. Kjo vepër nuk paraqet karakteristikat e një
portreti të realizuar nga natyra. Ajo ka natyrën e një portreti historik dhe
ikonografik. Figura nuk paraqitet si individ, por si hero. Tiparet janë
idealizuar për të mishëruar virtyte si urtësia, trimëria dhe autoriteti.
Mjekra e gjatë dhe e bardhë, profili i pastër dhe vështrimi i vendosur
funksionojnë si simbole të heroizmit dhe jo si përshkrime të një personi
konkret.
Një nga argumentet
më të forta kundër atribuimit Bellinit është trajtimi i mjekrës. Në portretin e
Mehmetit II, Bellini ndërton mjekrën përmes masave tonale. Shikuesi nuk dallon
qime individuale, por një vëllim të vetëm të modeluar me dritë dhe hije.
Në portretin e
Skenderbeut, përkundrazi, mjekra është ndërtuar përmes kaçurrelave individuale,
secila e trajtuar me kujdes dekorativ. Kjo mënyrë pune është karakteristike për
pikturën maniriste të shekullit XVI dhe jo për realizmin venecian të Bellinit.
Po aq domethënës është trajtimi i dritës. Bellini përdor një ndriçim gradual
dhe atmosferik. Kalimi nga drita në hije është i butë dhe pothuajse i
padukshëm. Në portretin e Skenderbeut kontrastet janë shumë më të forta.
Fytyra, mjekra dhe kapela (bonnetto) theksohen nga ndriçimi në mënyrë
dramatike, duke krijuar një efekt monumental që i shërben idealizimit të
figurës.
Edhe paleta
koloristike e dy veprave ndryshon ndjeshëm. Bellini përdor ngjyra të
harmonizuara dhe të kontrolluara, me dominim të ngjyrës okër, kafe të ngrohtë
dhe të kuqe të errët. Në portretin e Skenderbeut shfaqen tone më intensive,
veçanërisht vjollce, pembe dhe e bardhë, të cilat reflektojnë kulturën
koloristike të Toskanës të shekullit XVI dhe jo atë të Venecias të shekullit
XV.
Një tjetër element
i rëndësishëm është trajtimi i syrit. Bellini nuk e përdor syrin si mjet
dramatizimi. Syri i Mehmetit II është i vogël, i qetë dhe pjesë organike e
fytyrës. Në portretin e Skenderbeut syri bëhet qendra e vëmendjes. Kontrasti
ndërmjet iridës dhe pjesës së bardhë është më i fortë, ndërsa vështrimi fiton
një karakter heroik dhe simbolik. Kjo qasje i përket një tradite të ndryshme
artistike.
Nga këndvështrimi
ikonografik, ngjashmëritë ndërmjet dy portreteve janë të pamohueshme. Të dy
figurat paraqiten në profil dhe ndajnë disa tipare të përgjithshme.
Megjithatë, historia e artit dallon qartë ndërmjet ngjashmërisë ikonografike
dhe identitetit stilistik. Dy vepra mund të paraqesin figura të ngjashme pa
qenë krijuar nga i njëjti artist. Në këtë rast, ngjashmëritë janë kryesisht
ikonografike, ndërsa dallimet stilistike janë të thella.
Një problem i
zakonshëm në historinë e artit të Rilindjes është humbja e veprave origjinale
dhe ekzistenca e kopjeve të mëvonshme. Shumë piktura të shekullit XV njihen sot
vetëm përmes riprodhimeve ose kopjeve të shekujve të mëvonshëm.
Megjithatë, dhe
kur një origjinal humbet, kopjet zakonisht ruajnë disa elemente të stilit të
artistit: strukturën e dritës, kompozicionin, tipologjinë e fytyrës, trajtim
tonal, etj. Në rastin e portretit të Skenderbeut, pyetja kryesore është nëse
këto elemente janë të pranishme në një masë të mjaftueshme për të justifikuar
lidhjen me Bellinin.
Problem serioz për
teorinë e Friedrich von Kenner është mungesa e dokumentacionit që dëshmon
ekzistencën e një portreti të Skenderbeut të realizuar nga Gentile Bellini.
Deri më sot nuk është zbuluar asnjë burim arkivor venecian, osman apo italian
që të vërtetojë se Bellini ka pikturuar ndonjëherë Gjergj Kastrioti
Skenderbeun. Hipoteza mbështetet kryesisht në analogji vizuale dhe jo në prova
dokumentare.
Analiza e
ndërtimit anatomik, trajtimit të dritës, përdorimit të ngjyrës, lëvizjet e
brushës,
karakterit
psikologjik të figurës dhe kontekstit historik, tregon qartë se portreti i
Skenderbeut në “Galleria Uffizi” dhe portreti i Mehmetit II nga Gentile Bellini
nuk janë vepra të së njëjtës dorë artistike dhe as produkte të së njëjtës
periudhë kulturore. Midis tyre ekziston një diferencë prej afro shtatë dekadash
zhvillimi artistik, e cila reflektohet në çdo aspekt të gjuhës së pikturës.
Ngjashmëritë që
vërehen janë kryesisht ikonografike dhe kompozicionale, ndërsa dallimet stilistike
dhe teknike janë aq të thella, sa e bëjnë të vështirë pranimin e tezës se
portreti i Uffizit është një kopje e drejtpërdrejtë e një origjinali të humbur
të Gentile Bellinit.
Përkundrazi, gjithçka
tregon se kemi të bëjmë me dy vepra të krijuara në kontekste të ndryshme
artistike, nga piktorë me formim, qëllime dhe gjuhë estetike krejtësisht të
ndryshme.
Në të njëjtën
kohë, duhet të kemi parasysh natyrën e punës së Cristofano
dell’Altissimos, ai nuk ishte një piktor
krijues në kuptimin e Bellinit, por një kopjues profesionist shumë i përpiktë,
i ngarkuar me riprodhimin e portreteve të koleksionit të Paolo Giovios. Për
këtë arsye, teoria e Friedrich von Kenner mbetet vetëm një hipotezë
historiografike, por jo një përfundim i mbështetur nga provat stilistike dhe
dokumentare.
Si përfundim, unë
si autori i këtij studimi, njohës i mirë i historisë së artit, profesor i
arteve figurative dhe portretist me një përvojë shumëvjeçare në bregdetet e
Sllovenisë, Greqisë dhe Turqisë, gjatë së cilës kam realizuar mbi tre mijë
portrete nga natyra, konsideroj të arsyeshme të shprehë rezervat e mija
profesionale ndaj hipotezës së atribuimit të portretit të Skenderbeut në
Galerinë Uffizi në stilin e piktorik të Gentile Bellinit.
Nga këndvështrimi
i praktikës së portretit dhe i analizës stilistike, kjo vepër e Cristofano
dell’Altissimos paraqet karakteristika formale, teknike dhe estetike që
dallohen ndjeshëm nga gjuha artistike e Bellinit, çka e bën të vështirë
pranimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë autorësore ose stilistike ndërmjet
tyre.

(Në
të majtë) Portreti i Gjergj Kastrioti
Skenderbeut i vitit 1553, i realizuar nga piktori manerist nga Firenca,
Cristofano di Papi dell’Altissimo (1525-1605). Në qytetin italian Como,
Altissimo bëri kopjet e 24 portreteve deri në maj të vitit 1553, lista e këtyre
pikturave është botuar më 1844 “Nuova Raccolta di Lettere sulla Pittura,
Scultura ed Architettura, Vol. I.” nga Michelangelo di Romano Gualandi (1756-1824).
Në fillim piktura u vendos në “Palazzo Vecchio” në Firencë (residenca e
familjes Medici), ndërsa më 1587 në “Galleria degli Uffizi” të krijuar nga Duka
i Firences, Cosimo I de’ Medici (1519-1574), ku ndodhet edhe në ditët e sotme.
Ngjyra vaji në dërrasë, përmasat: 45 x 60 cm.
(Në të djathtë) Portreti i Sulltan Mehmetit II, i datuar më 25 nëntor 1480, përbën një nga veprat më të rëndësishme të piktorit venecian Gentile Bellini (1429-1507), përfaqësues i Rilindjes së Hershme Italiane të Shkollës Veneciane. Realizimi i kësaj vepre lidhet me marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Venecias dhe Sulltanit pas nënshkrimit të paqes. Në vitin 1479, Bellini u dërgua në Kostandinopol nga autoritetet veneciane, me kërkesë të vetë Sulltan Mehmetit II. Sot, kjo pikturë ruhet në koleksionin e “Victoria & Albert Museum”, në bashkëpunim me “The National Gallery” në Londër. Ngjyra vaji në pëlhurë, përmasa: 52 x 70 cm.
Prof.
MA Luan Tashi
1
korrik 2026, Prishtinë





