Ilir Çumani: Zvërneci, Rrjolli dhe kriza e besimit publik
ZVËRNECI, RRJOLLI DHE KRIZA E BESIMIT PUBLIK

Debati
i fundit për Zvërnecin dhe Rrjollin nuk është thjesht një debat për dy hapësira
bregdetare. Në thelb, ai po shndërrohet në një provë të madhe për mënyrën se si
Shqipëria e koncepton zhvillimin, raportin me territorin dhe vetë kuptimin e
interesit publik.
Në
dukje, konflikti lidhet me projekte konkrete, me investime, me ekonomi turizmi
apo me përdorimin e vijës bregdetare. Por në shtresën më të thellë, pyetja
është shumë më e madhe:
A
mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm në një shoqëri ku qytetarët ndihen të
neglizhuar dhe të përjashtuar nga vendimet që ndryshojnë përgjithmonë hapësirat
ku ata jetojnë?
Ky
është thelbi i krizës shqiptare të tranzicionit: jo mungesa e projekteve, por
mungesa e besimit.
Në
shumë vende europiane, debatet për territorin konsiderohen normale dhe të
domosdoshme, sepse toka, pyjet, lagunat, brigjet dhe pasuritë natyrore nuk
trajtohen thjesht si sipërfaqe ekonomike, por si pjesë e identitetit kombëtar,
memories kolektive dhe sigurisë afatgjatë të një vendi.
Ndërsa
në Shqipëri, për dekada me radhë, modeli i zhvillimit ka krijuar shpesh
perceptimin se qytetari njoftohet për një procedurë (post factum), vetëm pasi
vendimet janë marrë. Kjo ka prodhuar një hendek të rrezikshëm midis
institucioneve dhe publikut.
Sa
herë që mungon transparenca, lind edhe dyshimi. Sa herë që mungon dialogu, lind
konflikti social. Dhe sa herë që mungon besimi, edhe projekti më i mirë
rrezikon të perceptohet si kërcënim.
Në
këtë kuptim, çështja e Zvërnecit dhe Rrjollit nuk mund të reduktohet vetëm në
“pro” ose “kundër” investimeve. Një demokraci serioze nuk vlerësohet nga
aftësia për të heshtur me pyetjet që duhen bërë, por nga aftësia për t’u
përgjigjur atyre në mënyrë shterruese dhe transparente.
Qytetarët
sot nuk kërkojnë vetëm informacion teknik, por garanci morale dhe
institucionale:
Kush
fiton? Kush humbet? Çfarë mbetet për komunitetin? Çfarë humbet natyra? Çfarë
trashëgojnë brezat e ardhshëm?
Zhvillimi
nuk është vetëm çështje kapitali, por edhe çështje legjitimiteti publik.
Një
investim mund të ndërtojë rrugë, resorte apo marina, por nëse ndërtohet mbi
mungesën e besimit qytetar, ai prodhon polarizim,
pasiguri
dhe konflikte politike dhe sociale. Historia moderne europiane ka treguar se
konfliktet më të forta nuk lindin vetëm nga varfëria ekonomike, por edhe nga
ndjesia e përjashtimit dhe mungesës së zërit që duhet dëgjuar.
Pikërisht
për këtë arsye, demokracitë moderne kanë ndërtuar tipologji, modalitete dhe
standarde të reja të qeverisjes, ku konsultimi publik nuk shihet si pengesë për
zhvillimin, por si kusht thelbësor i transparencës për stabilitetin afatgjatë
të tij.
Në
rastin shqiptar, kjo bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të historisë së
gjatë të plagëve urbane dhe mjedisore: brigje të betonizuara pa kriter, zona të
mbingarkuara nga ndërtimet, pasuri natyrore të dëmtuara, hapësira publike të
humbura, komunitete lokale të përjashtuara nga përfitimet reale.
Kjo
eksperiencë kolektive ka krijuar një kujtesë mosbesimi që shoqëria shqiptare e
mbart ende sot.
Prandaj
reagimet publike nuk duhen parë automatikisht si refuzim ndaj zhvillimit.
Shpesh ato janë reagime legjitime ndaj frikës se mos përsëritet i njëjti model
ku interesi publik mbetet i paqartë dhe qytetari ndihet i pafuqishëm përballë
vendimmarrjes.
Në
vendet demokratike, institucionet nuk kanë frikë nga pyetjet publike.
Përkundrazi, ato i konsiderojnë pyetjet si mekanizëm korrigjues që forcon
shtetin dhe ul tensionet sociale.
Një
shtet modern nuk çmohet si i tillë vetëm nga numri i projekteve që realizon,
por edhe nga niveli i besimit që arrin të ndërtojë me qytetarët e vet.
Sepse
territori nuk është vetëm gjeografi, por më së shumti është ekonomi, histori,
identitet, kujtesë dhe siguri kombëtare.
Mënyra
se si një vend sillet me territorin e vet, tregon në fund të fundit mënyrën se
si ai sillet me vetë qytetarët e tij.
Tiranë, e shtunë - 6
qershor, 2026








