Idriz Zeqiraj: Abdixhiku zotohët për reforma, parësi debati dhe vota e fshehtë
ABDIXHIKU ZOTOHET PËR REFORMA, PARËSI DEBATI DHE VOTA E FSHEHTË
(Vazhdim
nga: "Mëkatet e Lidershipit paraprak, barrë e sotme e LDK-së)
Rrëfimi
i kryetar Lumir Abdixhikut, në një emision televiziv, ka qenë i sinqertë, deri
në qoshet e shpirtit të tij.
-
Moderatori: "Bashkëpunëtorët e tu të afërt në Kuvend ju tradhtuan?"
-
Abdixhiku: "Jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij", duke
aluduar për kallauzin e lukunisë klanore Isa Mustafën.
Ajo
që bëri përshtypje dhe ngjallë shpresën e ringritjes të LDK-së, kryetar Lumiri
tha se do ta aktivizojë debatin dhe votimin e fshehtë, për të gjitha nivelet e
strukturave të partisë, që nga baza: Aktivat, Nëndegët, Degët e deri në
Kryesinë e LDK-së. Partia Demokratike e Shqipërisë, për 36 vjet radhazi këtë
model e ka praktikuar.
Po
të nisemi nga kriteri i përmendur më lartë, për "të bëmat" e
anëtarëve të Kryesisë, pjesë e mëkateve të bollshme, kjo Kryesi është:
"Mjerë Selmani i nënës-o, çfarë të qajë më parë!"
Megjithatë,
kryetar Lumiri ka bërë thirrje për pajtim të palëve në kundërshti dhe
kundërthënie. Dhe kjo i duhet, aktualisht, LDK-së. Fatmirësisht, zgjedhjet e
pritshme të LDK-së shtrihen në harkun kohor tej një viti. Komisioni për zgjedhjet
në bazë, duhet të përzgjidhet me kujdes, duke mos i përfshirë
"mëkatarët", në këtë aksion të shenjtë. Por, edhe duke mos ua mohuar
të drejtën për t`u zgjedhur, gjithnjë me debatin e lirë demokratik dhe votën e
fshehtë shenjtërore.
Pra,
ky është vendim i zorit, me afat të kufizuar, me qëllim që të ruhet uniteti,
sepse brenda LDK-së janë filtruar elementë të PAN-it, të SHIK-ut. Dhe, janë
gatshëm për ta ndarë dhe rrënuar LDK-në.
"Ndër
këto troje është përzier gjithëfarë ujemi", - shkruan shkrimtari rugovas,
Azem Shkreli, në romanin Karvani i Bardhë!
Mendoj se nuk ka pasur shumë mundësi, hapësirë për
të vepruar ndryshe, pra, për t`i përfshirë shumësinë e gardës së vjetër, në dëm
të brezit të ri, që meritonte të përfaqësohet më denjësisht.
Edhe
për hatërimin e atyre, që kanë mbetur jashtë Kryesisë, duhet pasur mirëkuptim.
Sepse kur janë strehuar në Kryesi kaq shumë mëkatarë, "pse të mos jem edhe
unë, që jam më pak mëkatarër",- mendojnë ata. Por, kompensime mund të
bëhen në struktura tjera partiake. Fundja, askush nuk e ka "me tapi"
vendin në Kryesi apo deputet.
Disa
lavdërohen, duke i numëruar disa mandate radhazi si deputet! Ky është një
uzurpim, disi i dhunshëm, që demoralizon të rinjtë, bollshëm të shkolluar dhe
me vullnetin e mirë, për të kontribuar për Kosovën, mendoj, më parësi nga
"veteranet". Nga kjo sindromë vuajnë edhe subjektet tjera politike në
Kosovë.
LDK-ja
dhe LVV nuk kanë deputetë më afera kriminale, siç i ka PAN-i. Ka ndodhur që për
disa legjislatura kanë qenë në Kryesinë e Kuvendit persekutori dhe viktima. Dhe
pamja ballore e çdoditshme ishte e sikletshme, rrastë provokuese edhe për
deputetët në sallë dhe opinionin gjithë shqiptar, të cilët i njihnin, "si
paren e kuqe" fytyrat duar përgjakura.
Emërimet
paushalle, pa i fituar në votimin e fshehtë demokratik, bartin dyshimin e
bazuar, varësisht në çfarë përmase mund ta kuptojë elektorati. Nëse ka një
angazhim të sinqertë, pa bërrylime të palëve të bashkuara në Kryesinë e
partisë, shanset për ngritje janë. Në të kundërtën, nëse u jepet hapësirë dostave
të PAN-it, në veçanti, të PDK-së brenda strukturave të LDK-së, dështimi i
radhës është i parathënë.
Humbjen
e thellë të 28 dhjetorit 2025, Lidershipi i LDK-së e ka kërkuar "me qiri e pishë". Ata që e
katapultuan Isa Mustafën në krye të LDK-së, Hashim Thaçi, me SHIK-un se tij, po
ata përmes argatëve të tyre në LDK-e, penguan, me saktë, nuk lejuan koalicionin
me LVV.
Albin
Kurti veproi mençurisht dhe parimisht, kur nuk pranoi në bashkëqeverisje
subjektet politike: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, me arsyetimin
logjik, se "janë të kontaminuara dhe nuk dua ta helmoj Qeverinë time të
pastër si loti". Dhe, parimi etik u vlerësua shumë dhe bindi shqiptarët se
Kurti ka vendosur --qeverisje me duar të pastra-.
LVV
zgjodhi për bashkëqeverisje LDK-në, si motër të pa kriminalizuar, në afera
vrastare e hajnore. Por, kolegët në strukturat vendimmarrëse, kryesisht, në
Kryesi, komplotuan dhe bojkotuan, qëllimshëm, për ta thelluar humbjen e partisë
dhe shkarkimin e kryetar Lumirit. Dhe kjo sjellje është më shumë se fajësi,
është krim, sepse kundërshtarët e Lumirit donin ta kthenin krimin në pushtet,
përkatësisht, "komandantët" kriminelë!
Prandaj,
Kryesia konglomerate, do të jetë shumë problematike, tepër e rëndë për
kryetarin aktual të LDK-së, për të bashkëpunuar me puçistët tradhtarë!
Demokracia
nuk është emërtesë boshe. Përkundër, ajo bartë në vetvete vlerë sublime, fjalën
e lirë. Njerëz të edukuar dhe të shkolluar bollshëm, në demokracitë më të
zhvilluara të botës, siç është Amerika e Faton Bislimit apo Franca e Valon
Murtezaj, kanë shprehur, publikisht, mendimet e tyre, për daljen nga kriza të
LDK-së. Kjo i ka lënduar shefat e LDK-së dhe kanë vendosur të mos i kenë brenda
Kryesisë. Ndoshta, edhe nuk janë të gatshëm të jenë pjesë e kësaj katrahure të
rrëmujshme, "ku nuk e njeh qeni të zotin", - siç shprehet populli.
Përmenda
vetëm dy emra, fort të respektuar nga shqiptarët në Kosovë dhe Mërgatë.
Përndryshe, intelektualë të shquar dhe rugovistë të rreshkur, të cilët janë
shpërfillur dhe anashkaluar janë numerikë.
Ndonëse
u lakua emri im, në vitin 2004, shoku i im i rinisë dhe i klasës, Dr. Rugova,
më ofroi postin e zëvendësministrit të Arsimit. Sqaroi edhe kushtet: "Keni
pagë mujore 600 marka, veturë dhe shofer në dispozicion. Nuk keni banesë të
siguruar në Prishtinë".
E
falënderova për përkujdesjen, duke thënë se me angazhimin në Mërgatë në LDK-e
dhe fondet për mbijetesën e Kosovës, si dhe në Emergjencën e luftës, ndjehem i
përmbushur. Fatmirësisht, Kosova ka kuadrin e mjaftueshëm, madje me përgatitje
solide.
Kryetari
i komunës dhe i Degës të LDK-së, me ekipin e tij, më ofroi kandidaturën për
deputet. Falënderova, me arsyetimin se brezit të ri duhet dhënë hapësirë edhe
në politikë-bërje. Përgjigje të ngjashme dhashë edhe kur ishte fjala për
ambasador.
Mërgata
nuk është përfshirë në këtë kontingjent të Kryesisë të LDK-së! Mendoj se prania
e tyre në këtë strukturë eprore, do të ishte vlerë shtesë, me përvojën dhe
frymën emancipuese evropiane.
Kryetari
Dr. Ibrahim Rugova, kishte mendimin se "kryetari i komunës duhet të
mjaftohet, duke qëndruar në zyrën komunale dhe jo të ngarkohet me punë në
Kryesinë e LDK-së". Madje, nuk është e thënë të jetë as kryetar i Degës të
LDK-së të komunës. Sepse ai është kryetar i të gjithë komunitetit komunal,
pavarësisht përkatësive partiake. Dhe qytetari kur hynë në zyrën e kryetarit të
komunës, për halle të veta, duhet të ndjehet se është edhe kryetari i tij dhe
jo kryetari i një partie rivale me partinë e tij. Ai duhet të angazhohet në
fushatën e zgjedhjeve komunale dhe jo në zgjedhjet partiake. Praktikën aktuale
e kanë stimuluar shefat partiakë qendror, për t`ia dërguar delegatët e gatshëm
për votë.
LDK-ja
dikur i kishte 15 anëtarë Kryesie, më vonë u bënë 17 dhe tani 34, me tendencë
rritjeje, njësoj si AAK, thonë se i ka nja 70 anëtarë kryesie dhe po kaq
këshilltarë, edhe pse Ramushi i dinë të gjitha vet dhe nuk pyet askënd!
Kryetarët e komunave mund t`i përkasin Kryesisë të Zgjeruar, në takime të
veçanta 3 ose 4 herë në vit. Kohë e digjitalizimit dhe mund të mbahen mbledhje
elektronike. Janë bjerrje kohe koti dhe shpenzime të panevojshme.
LDK-ja
konsiderohet Parti Akademike dhe duhet të jetë shkollë për partitë e tjera në
Kosovë dhe Shqiptari. Reforma si këto që përmenda më sipër, duhet marrë
seriozisht. Të thirresh në emrin dhe trashëgiminë e Presidentit Rugova dhe në
njëjtën kohë të veprosh kundër mësimeve dhe frymës rugoviane, është hipokrizi
me yll! Në bisedat e shpeshta me mikun tim të mençur dhe të nderuar, Fadil
Ferati, të cilin e vlerësonte shumë Dr. Rugova, më rrëfente shumë porosi të
Presidentit urtak, të cilat, pothuaj se, janë harruar edhe nga ata, me të cilët
ka bashkëpunuar.
Gjithsekush
e njeh mallin e vetë. Andaj, kandidimi klasik, deputetë nga zonat, komunat dhe
një votues - një votë, është më serioze, më reale, se sa përzgjedhja e 10
deputetëve, madje një super ngarkesë burokratike numëruese. Është dëshmuar se
Kosova me një zonë zgjedhore, kanë "fituar" deputetë, të cilët me
votimet, në nivel komune, nuk e kanë arritur kuotën e fituesit. Stili i
mbledhjes të votave kudo në Kosovë, është abuziv. Kësaj praktike duhet dhënë
fund.
Numërimi
i votave duhet të bëhet në njësinë votuese, menjëherë pas përfundimit të
votimit. Kjo mënyrë do ta shmangte burokracinë dhe hajninë - njëherësh. Pas
këtij numërimi të saktë, me praninë e komisionarëve të subjekteve politike, i
dorëzohen KQZ, për ta bërë verifikimin, nëse ka gabime, lëshime. Kështu
kursehet në kohë dhe në buxhet.
Renditja
emërore e kandidatëve për deputetë, jo alfabetike, me parësi Kryesinë e partisë
dhe ish-deputetët, është e padrejtë dhe skajshëm diskriminuese. Renditja
alfabetike është më etike, e drejtë dhe
njerëzore. Votuesit e sotëm, pothuaj se, të gjithë janë shkollarë, kush
më shumë dhe kush më pak, mjaftueshëm për aq sa kërkohet për votim. Zakonisht,
me politizimin e shoqërisë kosovare, votuesi është i përcaktuar, paraprakisht,
se ke do të votojë. Dhe emrin e gjejnë, lehtësisht, mbi bazën e germave
alfabetike.
Në
kuadrin e riorganizimit të LDK-së, Lidershipi duhet të këtë përkujdesje të
shtuar, për reforma të thella dhe gjithëpërfshirëse. Kryetari i LDK-së, Dr.
Lumir Abdixhiku, në një studio televizive, pas Kuvendit vazhdues të mandatit të
tij, ka shpalosur qartë rrugëtimin rugovian të partisë.
Shtrirja
organizative e Aktivave, në tërë territorin e Kosovës dhe në Mërgatë,
llogaritet të jetë shpresëdhënëse, për ngritjen e shpejtë të partisë. Kthimi i
munguar i debatit demokratik dhe i votës së fshehtë shenjtërore, është premtimi
i madh i kryetar Lumirit. Duke i dhënë fund aklamacionit, votimit të hapur
ultra-komunist, i cili ka mundësuar riciklimin e Lidershipit klanor, përfshirë
kryetarin, kryesinë, deputetët, të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për
degradimin, degjenerimin, deri në prag të shuarjes të partisë-Lëvizje, LDK-së,
dikur krenare, krijesë hyjnore e Dr. Ibrahim Rugovës.













