Gjon Marku: Nuk dua të jem si hije

Tregim nga Gjon
Marku
Roja e institucionit nuk ndodhej aty. Nuk e
di se ku kishte shkuar, por m'u desh vetëm një çast për të ngjitur njëra pas
tjetrës shkallët dhe për të mbërritur te dera e zyrës së saj, në katin e dytë,
djathtas.
Zakonisht ajo më priste në këmbë, pranë derës. Sapo hyja brenda, më
hidhej në qafë dhe niste të më puthte, shpesh duke lënë të kuqin e buzëve në
jakat e këmishave të mia të bardha, ose duke u dhënë buzëve të mia një shkëlqim
e një butësi të pazakontë të
njw tw buzëputhuri. Ndonjëherë, pa
e kuptuar, harroja e me gjuhë
lëpija embëlsinë e puthjes.
Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe.
Kisha ardhur pa e lajmëruar. Ndoshta prania ime e papritur e kishte
habitur. Ajo rrinte ulur pas tavolinës, mbi të cilën, shtruar mbi një gazetë,
kishte hapur një pako të vogël me bukë, sallam, vezë të skuqura, djathë e
ullinj. Në vend që të ngrihej e të gëzohej, ashtu, me gojën ende plot, më hodhi
një vështrim të çuditshëm.
Prej disa ditësh kisha dashur të flisja me të në telefon, por ose më
ishte përgjigjur ftohtë, ose ma kishte mbyllur telefonin pa më kthyer më
përgjigje.
Sytë e saj kishin një vështrim të huaj, të pakuptueshëm, ndoshta edhe të
dhimbshëm.
- Ti nuk duhet të kishe ardhur. Dhe nuk duhet të vish më.
Nuk iu përgjigja. Nuk po kuptoja asgjë.
Ajo heshti për një çast, pastaj tha:
- Nuk dua të rri e strukur në qoshen e zemrës tënde. Nuk dua të fshihem
nga frika e fjalëve të botës. Nuk dua të jem si hije pas bebëzave të syve të tu.
M'u lidhën fjalët nyje në gojë. Nuk po u besoja veshëve.
- Ti ikën nga ajo derë që nuk bëzanë, ndërsa unë dridhem si flakë
kandili me vaj. Këtu ka njerëz. Shikojnë. Flasin.
- Unë erdha vetëm të të përshëndes.
- Ti nuk duhet të kishe ardhur. Tani dil!
Shenja e saj me dorë nuk la më asnjë mëdyshje.
U nisa drejt derës.
Ajo më ktheu shpinën dhe hodhi vështrimin nga dritarja. Ndoshta nuk
donte që unë ta shihja të përlotur. Ndoshta prania ime ishte vërtet bërë e
tepërt. Ose ndoshta pas asaj sjelljeje fshihej diçka që unë ende nuk e dija.
Në sytë e saj kishin filluar të mblidheshin lotët.
***
Përpara godinës shiu binte curril. Dola nga streha dhe një pikë e madhe
shiu m'u përplas në faqe. M'u duk si një lot i saj. Ndoshta për këtë arsye m'u
duk e ngrohtë.
U drejtova në zyrën time, që ndodhej në anën tjetër të sheshit.
Vetmia strukej në vrimat e zemrës sime dhe lypte ngrohtësi. Në ballin
tim të rrudhur nga dhimbja dukej, si një ylber pas furtunës, trishtimi i
brendshëm.
Kur hyra në zyrë, sekretarja më pa dhe më pyeti:
- Çfarë ke? Pse je kaq i zymtë, si kjo kohë?
Nuk iu përgjigja.
Pa dashur të takoja askënd, qëndrova vetëm në zyrë deri në muzg, i
mbështjellë nga vjeshta gri.
E krejt atëherë kur dita do të shkojë kisha dalë prej zyre.
Dridhej nëpër muzg mungesa e saj.
- Ndoshta do të më strehojë në një pikë loti - mërmërita.
Biseda jonë në zyrën e saj kishte qenë si një puthje e lënë përgjysmë.
***
Në kujtesën time u kthye dita e parë kur ishim këmbyer në rrugë. Më
kishte tronditur bukuria e saj. Ishte një mbrëmje me shi. Atë natë kisha mundur
të shkundja ngurrimin dhe, pa e ditur mirë se ku po na çonte ajo rrugë, ishim
futur në hotelin luksoz përballë selisë së Parlamentit.
Pas pak ajo ishte larë dhe kishte dalë nga dushi me flokët e lagur, të
lëshuar mbi supe. Qëndrova para saj i magjepsur. Pastaj, pa shumë fjalë, të dy
iu dhamë përkëdheljeve të një nate që dridhej nga epshi dhe pagjumësia.
Ajo ishte si një yll nga një qiell i largët.
Tani doja edhe një herë të më zinte gjumi pranë saj, pranë asaj gruaje
që për mua ishte bërë njëkohësisht dashuri, mëkat dhe ëndërr.Por dukej se e
kisha humbur.
Nuk e dija ende pse ishte tjetërsuar ,
ishte bërë tjetër njeri. Vetëm
pak kohë më parë gjenim rastin t'i fshiheshim gjithkujt dhe përfundonim
gjithmonë aty, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin krevat, duke luajtur të
njëjtën lojë, nga e para e përsëri nga e para.
Sa herë gjendeshim lakuriq para njëri-tjetrit, humbisnim në një botë
magjish dhe ëndrrash. Harronim kush ishim. Harronim edhe se bota ekzistonte
përtej asaj dere e nuk donim
t'ia dinim për kënd tjetër.
Tani ajo derë ishte mbyllur.
Nata e sotme mban me vete një takim të harruar, të lagur në shi. Ndoshta
nuk isha më unë, ishte hija ime që më mashtronte. Ditë e natë, natë e ditë ajo
do të shëtiste pa mua. Ulërinte vetmia në damarët e mi. Trishtohej era mbi
shkëmb. Në rrënjët e zemrës sime të prishur, kishte zënë vend mungesa e saj.
***
...Isha në studimet pasuniversitare kur nisëm të ktheheshim bashkë me
tren. Ajo ulej përballë meje dhe unë e vështroja ngultas. Hamendësoja për
dobësinë që mund t'i krijonte pamja ime një gruaje, por, pse ta fshihja, ajo
kishte kohë që i kishte turbulluar mendimet dhe ndjenjat e mia.
Kështu e kishim nisur, si një lojë nga e cila nuk kishim mundur të
largoheshim.
Donim ta luanim përsëri e përsëri, derisa tani, që nuk ishim më bashkë,
po e vuanim deri në pikën e fundit.
Ajo dinte të dashuronte në mënyrën e saj.
Të dy ishim të martuar me të tjerë kwnd kur ishim njohur. Por që pas asaj dite ne ia njihnim ëndrrat
dhe dëshirat njëri-tjetrit.
Asnjëri prej nesh nuk ishte martuar me detyrim. Por jeta, ndonjëherë, i
vendos njerëzit në rrugë nga të cilat nuk dinë më të kthehen. Të dy duket se kishim probleme në familjet
tona, nuk është se ishim martuar me zor me ata që jetonim, por ja që jeta i ka
këto.
Natyrisht, ajo kishte një shkak të fortë, që ishte dhënë aq fortë pas
meje
Një ditë, pasi kishim kaluar një natë të gjatë në hotelin përballë
Parlamentit, kur po bëheshim gati të largoheshim drejt qytetit tonë të vogël,
kishim parë të shoqin e saj duke dalë nga hoteli bashkë me sekretaren e tij.
Ishin të përqafuar dhe qeshnin.Pastaj ai e kishte puthur sekretaren në
buzë.
Ajo kishte nxjerrë telefonin dhe e kishte filmuar gjithçka.
- Kthehemi - kishte thënë. Dhe ishim kthyer përsëri në atë dhomë.
Atëherë, për një çast, nuk pyetëm më për asgjë. U strehuam në krahët e njëri-tjetrit,
ndoshta edhe për inat të burrit të saj që e tradhtonte me sekretaren. Gjithë
bota dukej sikur ishte zhdukur.
Ime shoqe ishte shtatzënë, por edhe kjo sikur ishte fshirë nga kujtesa
ime.
Kishim porositur pije dhe drekë në dhomë. Kushedi sa kishim pirë.
Kushedi sa herë ishim përqafuar e dashuruar. Derisa kishte ardhur mbrëmja
tjetër dhe ne kishim kaluar edhe natën e dytë në atë dhomë të mirëmbajtur, të
mobiluar me një luks që atëherë na dukej sikur ishte krijuar vetëm për ne.
Të nesërmen paradite, kishim lënë hotelin dhe ishim kthyer drejt qytetit
tonë.
Nuk e dinim mirë çfarë kishim bërë. Sidomos ajo natë e dytë kishte
mbetur si një boshllëk në kujtesën e të dyve.
Ajo u kthye në shtëpinë e saj. Atje plasi hataja. Sherri me të shoqin u
bë aq i madh, sa secili përfundoi në një dhomë tjetër. Ajo i kujtonte puthjen
me sekretaren dhe nuk e linte të shpëtonte nga ajo pamje. Fotografinë e kishte
printuar dhe ia tundte para syve.
Ai nuk mund ta akuzonte për asgjë. Nuk e kishte pasur mendjen te e
shoqja, por kishte hyrë në arat e huaja dhe kishte harruar arën e vet, të cilën
po ia punonin të tjerët.
Kaloi një muaj.
Ata grindeshin çdo natë. Flinin në dhoma të ndryshme dhe nuk i thoshin
më asnjë fjalë të mirë njëri-tjetrit.
Kaloi edhe gjysma e muajit tjetër.
Ajo kishte filluar të villte herë pas here. Stomaku nuk i pranonte
asgjë. U drejtua në farmaci dhe bëri një test. Rezultati ishte i qartë. Ishte
shtatzënë. E përsëriti testin pas dy ditësh. E njëjta gjë. Pastaj shkoi në
spital. Ekoja konfirmoi shtatzëninë, por mjeku i tha se ishte ende herët për të
përcaktuar gjininë e fëmijës.
Ajo nuk dinte çfarë të bënte. Kishte dy muaj që nuk kishte fjetur me
burrin e saj.Nëpër qytet kishin nisur të qarkullonin zëra për lidhjen tonë,
ndonëse i shoqi i saj ende nuk dinte asgjë.
Sa herë ai i prekte fundbarkun, ajo kujtonte netët tona në hotelin përballë
Parlamentit.
Çfarë të bënte?
Ta hiqte fëmijën?
Por si mund të bëhej vrasëse?
Kështu fëmija erdhi në jetë me një të vërtetë të tmerrshme mbi supe:
kishte dy baballarë.
Njërin ligjor, që në të vërtetë nuk ishte babai biologjik, por që nuk e
mohoi kurrë, as para gjyqit. Dhe tjetrin, babain e vërtetë, atë biologjik, që
nuk e pranoi kurrë.
***
Ndoshta ajo kishte ardhur deri te ajo pikë ku nuk mund të jetonte më si
hije.
Ndoshta fëmija e kishte detyruar të zgjidhte mes gënjeshtrës dhe së
vërtetës.
Ndoshta prandaj, atë ditë, kur hyra në zyrën e saj, ajo më tha:
- Ti nuk duhet të kishe ardhur.
Dhe kur dola në shi, ajo kishte mbetur pas dritares, me lotët në sy.
Tani e kuptoja se nuk kishte qenë prania ime që e kishte frikësuar.
Ishte e vërteta. Një e vërtetë që kishte nisur shumë kohë më parë, në
një dhomë hoteli, mes shiut dhe dëshirës, dhe që tani kërkonte të dilte nga
hija.
Unë vazhdova të ecja nëpër shi.
Për herë të parë më lindi një pyetje nga e cila nuk mund të ikja më:
Nëse ai fëmijë ishte imi, a kisha të drejtë
të vazhdoja të jetoja si një hije?


