Gjon Marku: Bik Ndoja midis traditës dhe kujtesës kulturore

Bik Ndoja midis traditës dhe kujtesës kulturore

Në universin e muzikës popullore shqiptare, rrallë hasen zëra që
kapërcejnë kufijtë e interpretimit dhe shndërrohen në kujtesë kolektive. Bik
Ndoja është një ndër ta dhe përbën një nga ato nyje ku kuptimi përqendrohet dhe
rrezaton njëkohësisht, duke i dhënë shpirt këngës qytetare shkodrane dhe duke
mbetur gjithmonë pranë popullit të tij. Në një lexim kritik të muzikës
popullore shqiptare, Bik Ndoja mund të konceptohet si një formë e gjallë e
kujtesës kulturore, si një "tekst i gjallë", në kuptimin që i jep
Roland Barthes këtij termi: një hapësirë ku kuptimet nuk janë të mbyllura, por
prodhohen vazhdimisht në aktin e interpretimit. Zëri i tij nuk është thjesht
bartës i këngës dhe nuk funksionon vetëm si mjet interpretimi, por si hapësirë
ku kënga rishkruhet dhe riaktualizohet në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë
kuptim, ai i afrohet nocionit barthesian të "tekstit", si një
strukturë e hapur ku kuptimi prodhohet në aktin e interpretimit.
Lodovik Ndoja (Gjergji), i
njohur nga publiku shkodran si Bik Ndoja, i lindur në Shkodër më 13 gusht 1925,
në një familje me origjinë nga Mirdita, përfaqëson një ndërthurje të dy
regjistrave kulturorë që në zërin e tij bashkëjetojnë në mënyrë organike. Kjo
polifoni e brendshme mund të lexohet në dritën e dialogjizmit të Bakhtin-it, ku
identiteti artistik formohet përmes bashkëjetesës së zërave të ndryshëm
kulturorë. Në vitin 1969, pas një karriere të gjatë artistike, iu dha titulli
"Artist i Merituar" dhe më vonë edhe titulli "Artist i
Popullit", por vlerësimi më i madh për të ishte dashuria e njerëzve që e
dëgjonin. Në çdo këngë të tij ndihej Shkodra, ndihej Mirdita, ndihej vetë jeta
shqiptare.
***
"Së pari, siç është
shprehur Bik Ndoja në një intervistë të Gjon Markut për librin 'Antologji e
mendimit të sotëm për Mirditën', duhet të pohoj se origjina ime është prej
Mirditës. Gjyshi im, Gjergj Mirdita, ishte i shtati nga shtatë vëllezër,
gjashtë prej të cilëve vdiqën në luftë me turqit. Në këtë kohë, dashamirës të
familjes sonë, për të mos u shuar si familje, u interesuan tek një shtëpi e
fortë në Gjakovë, e cila ishte e njohur me ngjarjet e familjes sonë, dhe e mori
në besë gjyshin, i cili jetoi aty për shumë kohë. Pasi u sigurua nga pleqtë për
gjakësinë, gjyshi im u kthye në Mirditë, pra në vendlindje. Martohet dhe i
lindin tre djem dhe një vajzë. Një djalë i vdes dhe kështu familja mbetet me
gjyshin (Gjergjin), gjyshen (Dilën), Markun, Ndueun dhe Marien. Gjyshi merr
guximin dhe vjen në Shkodër. Pra, ne jemi prej gjaku dhe prej gjinie nga
Mirdita.
Unë, qysh i
vogël, kam pasur vazhdimisht takime të shumta me mirditas, sidomos në dyqanin e
Ndue Kaftallës ose Ndue Gjergjit, pra babait tim, ku vinin të blinin shumë
mirditas. Babai i priste dhe shpesh i merrte në shtëpi, sidomos ata që vinin
nga Kashnjeti. Kështu më ka rastisur të rri gjatë me mirditas, shumë prej të
cilëve këndonin me çifteli, sharki, lahutë dhe i binin fyellit. Ishin krijues
dhe interpretues të mrekullueshëm dhe u këndonte shpirti. I këndonin trimërisë,
besës, burrërisë, urtisë dhe mençurisë popullore, fjalës së dhënë. Gjatë
bisedave të të rriturve, këto histori rrëfeheshin të detajuara dhe unë i ndiqja
me kërshëri. Më pas, pasi iknin miqtë, unë i pyesja gjyshin dhe nënën për ta
dhe ata m'i ritregonin.
Në këtë
mjedis unë u njoha me këngët e bukura dhe të vjetra të Mirditës, të cilat
interpretoheshin në mënyrë mahnitëse dhe shoqëroheshin me çifteli, sharki,
lahutë, fyell apo edhe me gjethe. Aty më lindi dëshira e parë që edhe unë të
këndoja. Në fillim me ndrojtje, pastaj mezi prisja të vinin vizitorë para të
cilëve këndoja. "Të këndoftë zemra, more djalë", më thoshin, dhe mua
më ndizhej shpirti prush. Kështu u lidha me këngën dhe pikënisja është aty, në
rrënjët e mia, te kënga popullore mirditore. Kështu unë mbeta mirditas deri sot
që jam plak."
Formimi i tij jashtë
institucioneve akademike e vendos atë në traditën që Ëalter Ong do ta quante
kulturë orale, ku dija nuk arkivohet në tekst, por në kujtesë dhe performancë,
ku kënga ekziston si akt dhe jo si objekt. Për pasojë, çdo interpretim i tij
është një ngjarje e vetme, një rikthim i kujtesës në të tashmen. Kjo e largon
atë dhe zëri i tij i shmanget asaj që Theodor Adorno do ta kritikonte si
standardizim të artit. Pra, ai në interpretimin e tij ka një autenticitet që
buron nga përvoja e jetuar. Kënga e tij qëndron jashtë logjikës së konsumit dhe
vendoset në një raport më të thellë me dëgjuesin: si përjetim, jo si produkt,
duke krijuar një lidhje autentike me përvojën njerëzore.
Në këtë perspektivë, Bik
Ndoja realizon një "bashkim horizontesh", ku horizonti i traditës dhe
ai i dëgjuesit bashkohen në aktin e interpretimit, duke e bërë atë të
komunikueshme në çdo kohë. Ndërkohë, vlera e tij nuk qëndron aq në titujt
institucionalë, sesa në kapitalin simbolik që buron nga pranimi i gjerë i
publikut.
Si përfundim, Bik Ndoja
mbetet një figurë paradigmatike e muzikës shqiptare: një zë që nuk ruan vetëm
traditën, por e rikrijon atë. Ai nuk është thjesht pjesë e historisë së
muzikës, por një prani aktive në kujtesën kulturore, që vazhdon të jetojë në
çdo akt dëgjimi. Në këtë kuptim, ai mishëron atë që kultura popullore ka më
thelbësore: aftësinë për të mbijetuar duke u ndryshuar, dhe për të mbetur e
njëjtë duke u rishpikur.
Prania e tij, edhe pas
vdekjes në vitin 2015, nuk është thjesht kujtim, por funksion. Ai vazhdon të
ekzistojë sa herë që kënga këndohet, sa herë që një zë kërkon të lidhet me
traditën. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij: jo vetëm si artist, por si
strukturë e gjallë e kujtesës kulturore shqiptare.





