Gjon Keka: Harta e rrallë e Arbërisë – Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)

38m më parë

Harta e rrallë e Arbërisë – Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)

Nga Gjon Keka

Gjatë hulumtimeve të mia e gjeta edhe këtë hartë të rrallë (H.h. Atlas, P.G.D., 1886), ku në brendësi të saj figuron emri i Gjergj Kastriotit. Krahas saj, në përshkrimin përkatës, tregohet për mbretërimin e Gjergj Kastriotit dhe udhëheqjen e shtetit të tij të Arbërit deri në vdekje.

Siç dihet mirë, Perandoria Osmane e konsideronte Arbërinë pjesë të saj. Sa herë që ndiente se po i rrezikohej pushteti, ajo përdorte si „mashë" bashibozukët, jeniçerët dhe renegatët shqiptarë që ishin kthyer në ideologjinë islame. Këta të fundit nuk e konsideronin më veten shqiptarë; sipas sulltanëve, ata ishin "osmanli". Kjo nënkuptonte humbje të identitetit, gjuhës, kujtesës së djepit të tyre dhe atdheut që i lindi e i rriti, duke u kthyer kështu kundër vëllezërve të tyre që refuzonin t'i nënshtroheshin Perandorisë.

Ndarja e mëvonshme në „vilajete" e në „milet" tregoi qartë se kjo Perandori i shihte trojet arbërore si rezervat të apetiteve të saj. Nëse cenoheshin themelet e saj, ajo ishte e gatshme t'i fuste në tregti trojet iliro-arbërore.

Ndërkaq, vezirët, renegatët e tradhtarët shqiptarë që ishin bërë „osmanli" dhe shërbëtorë të kësaj Perandorie gjakatare, persekutonin shqiptarët e krishterë. Këta të fundit nuk pranonin ta ndërronin besimin e tyre as me shpatë, as me pozita e as me oferta nga sulltani. Ata e dinin se vendi ku lindën ishte vendi i tyre autokton, i paraardhësve iliro-arbërorë – pra i etërve të tyre – dhe i besimit që trashëgonin, ndaj nuk donin ta braktisnin për asnjë çmim. Për pasojë, ata që nuk u nënshtruan ose u masakruan dhe iu morën pronat, ose u dëbuan duke u privuar nga të gjitha pasuritë e trashëguara brez pas brezi. Në anën tjetër, ata që pranuan kushtet e sulltanit, ndërruan besimin, u bënë shërbëtorë të tij dhe paguan haraç e ngarkesa të papërballueshme taksash, ndonëse jetonin në trojet e veta e të paraardhësve të tyre.

Për shembull, në kohën kur Komisioni i Rregullimit të Kufijve të kësaj Perandorie po kryente misionin e ndarjes në rajonet e banuara me shqiptarë, banorët deklaronin me këmbëngulje se ishin dhe donin të mbeteshin shqiptarë, e jo "osmanli", dhe se dëshironin të qëndronin brenda kufijve të tyre të natyrshëm. Por përgjigja e sulltanit dhe e Perandorisë Osmane ishte e prerë: ajo tashmë u kishte dhënë disa nga trojet tona vendeve fqinje sipas marrëveshjeve të saj. Në anën tjetër, kishte nisur sekuestrimin e të gjitha tokave shqiptare dhe nuk ishte e gatshme t'ua linte ato shqiptarëve. Për këtë arsye, pronarët e këtyre tokave, për të ruajtur zotërimet e tyre, duhej të deklaroheshin dhe të vepronin si osmanli e nënshtetas të Perandorisë. Megjithatë, shumica nuk hezituan të deklaronin se nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë as nga tokat, as nga identiteti i tyre si arbërorë, e as nga emri Arbëri që ua kishte lënë me krenari Gjergj Kastrioti.

Duhet ditur, bazuar në dokumente historike, se pas vdekjes fizike të Engjëllit mbrojtës të Arbërisë dhe Europës, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), Sulltan Mehmeti II i pushtoi egërsisht trojet tona iliro-arbërore. Pas kësaj, ai urdhëroi ushtarët, agjentët dhe renegatët që ta gjenin trupin e Gjergj Kastriotit, sepse ende nuk besonte se ai kishte vdekur, pasi shpesh ishte kthyer nga ato troje i zhgënjyer dhe me humbje të mëdha.

Pasi e kishin gjetur me ndihmën e disa renegatëve dhe tradhtarëve që ishin bërë „masha të sulltanit", ai urdhëroi nxjerrjen e trupit të kryetrimit arbëror që ta shihte me sytë e tij. Mirëpo, thuhet se sapo panë trupin e tij, para tyre u shfaq madhështia e këtij engjëlli mbrojtës, e këtij heroi të madh të Arbërisë dhe Europës, që kishte qenë tmerri i osmanëve, tradhtarëve dhe ballabanëve. Jo rastësisht tregohet se ushtarët, duke e ditur forcën e madhe që Zoti i kishte dhënë këtij arbërori të madh, ranë në gjunjë dhe morën pjesë nga eshtrat e tij si „hajmali" për t'u mbrojtur nga rreziqet nëpër beteja.

Sot, kur po shkruaj këto rreshta në mesin e trojeve tona, ka dalë në pah një pjesë e fjetur e mbetjeve osmane. Në sipërfaqe thonë se janë shqiptarë, por në brendësi e në gjak dolën të jenë nga fara që la pushtuesi. Janë po këta që sot deklarojnë se „Perandoria osmane na shpëtoi dhe turqit i kemi vëllezër". Pikërisht këta njerëz deri dje flisnin, hanin e pinin në një tryezë me shqiptarët e vërtetë që e ruajtën Besën dhe Testamentin e Gjergj Kastriotit.

Por, pasi u çliruan me ndihmën e botës së qytetëruar dhe të krishterë – SHBA-së, NATO-s dhe vendeve mike europiane – ata sot kanë nxjerrë maskën e tyre të ballabanizmit, haxhifazllizmit (haxhiqamilizmit), renegatizmit dhe mbetjeve të vjetra. Jo vetëm që njollosin çdo ditë figurat kombëtare dhe shqiptarët atdhetarë që duan një komb e shtet ashtu siç e deshi Gjergj Kastrioti – arbëror dhe europian – por ata sulmojnë, njollosin e mohojnë traditën, kulturën burimore dhe çdo gjë të krishterë, arbërore e europiane. Ata kanë shkuar aq larg në mosmirënjohjen, injorancën e çmendurinë e tyre, saqë flasin keq edhe kundër SHBA-së, Izraelit dhe vendeve mike europiane që na ndihmuan të fitojmë lirinë e të bëhemi shtet.

Nisur nga gjithë kjo, sot si kurrë më parë është tejet urgjente që nga mesi i popullit tonë të dalë një figurë që e ka në gjak lirinë e vërtetë. Një figurë që ka Gjergj Kastriotin si frymëzim të trimërisë, urtësisë dhe njohjes së rrënjëve të lashta iliro-arbërore; Nënë Terezën si simbol të humanizmit; Anton Çettën si simbol të pajtimit; Ibrahim Rugovën si simbol të durimit dhe vizionit të qartë europian; si dhe Ukshin Hotin si simbol të filozofit e mendimtarit të madh të kombit.

Kjo figurë duhet t'i bashkojë këto simbole në një vizion të vetëm. Me ndihmën e Zotit, të bijve besnikë të Gjergj Kastriotit, të Dardano-Arbërisë dhe të miqve tanë amerikanë e europianë, duhet ta shpëtojmë atdheun tonë të dashur, Kosovën. Kombi ynë nuk duhet të bjerë në gropën e Ballabanit dhe të Haxhi Qamilit, por duhet të bëhet pjesë e familjes së natyrshme europiane – aty ku e ka vendin që nga zanafilla, në rrënjët e tij të vërteta kombëtare europiane.