Gani Pllana: Akademik Hajredin Kumbaro – themelues i metalurgjisë shqiptare dhe pedagog i shquar
AKADEMIK HAJREDIN KUMBARO-THEMELUES I METALURGJISË SHQIPTARE DHE PEDAGOG I SHQUAR NË AUDITORET E TIRANËS E TË PRISHTINËS

Akademik profesor Hajredin Kumbaro lindi në maj 1920 në
Libohovë. Kreu Gjimnazin e Shtetit në Shkodër me rezultate të shkëlqyera.
Studimet e larta i filloi në Universitetin Politeknik të Torinos, Itali, për
inxhinieri në vitin 1939), por i ndërpreu dhe bashkë me shumë studentë të tjerë
u kthye në atdhe. Më pas, në vitin 1945 vijoi studimet e larta në Institutin e
Metaleve me ngjyra dhe Arit “M. I. Kalinin” në Moskë (i themeluar në
vitin 1930), ku u diplomua në vitin 1951 si inxhinier metalurg.
Në Universitetin Shtetëror të Tiranës ka ligjëruar lëndën
e Metalurgjisë.
Gjatë viteve 1965-1966 ka marrë pjesë në projektimin dhe
ka drejtuar ndërtimin e Uzinës së shkrirjes së bakrit në Rexhepaj të Kukësit.
Nga Komisioni i Lartë i Atestimit, Vendimi nr. 16, më 27
prill 1970, i jepet titulli shkencor “Profesor”.

Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Me themelimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së
Shqipërisë, me Dekretin
nr. 4993 të datës 10 tetor 1972, të Presidiumit të Kuvendit Popullor të
atëhershëm, profesor Hajredin Kumbaro dekretohet si anëtar i
saj.
Në përbërjen e parë të Asamblesë së Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë (25 janar 1973) ka qenë edhe profesor Hajredin Kumbaro
dhe u emërua anëtar i saj.


Anëtarët e Asamblesë së parë e Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë
(themeluar më 25 janar 1973)
Pozitat udhëheqëse në Ministri dhe Industrinë shqiptare
Akademik profesor Hajredin Kumbaro ka qenë në mesin e
inxhinierëve të parë shqiptarë të specializuar në fushën e Metalurgjisë pas
vitit 1945 dhe ka kryer detyra shumë të rëndësishme për zhvillimin e industrisë
së metalurgjisë dhe themelimin e dhjetëra Instituteve Shkencore në vend.
Në vitet 1951-1954 ka punuar si kryeinxhinier i Uzinës së
bakrit në Rubik, ku vuri në zbatim dhe studimin e tij temën e diplomës të
përgatitur dhe mbrojtur në Institutin e Metaleve me ngjyra dhe Arit në Moskë,
çka çoi në dyfishimin e prodhimit.
Në vitin 1959 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Minierave
në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
Në vitin 1960 emërohet Drejtor i Drejtorisë së
Investimeve dhe Metalurgjisë në Ministrinë e Minierave dhe Gjeologjisë
(ish-Ministria e Industrisë dhe Minierave).
Në periudhën 1966-1971 ka qenë drejtor i Drejtorisë së
Minierave, e më pas i Drejtorisë së Metalurgjisë në Ministrinë e Industrisë dhe
të Minierave, si edhe drejtor i Institutit të Studimeve e Projektimeve të
Gjeologjisë e Minierave.
Gjatë viteve 1960–1990 si projektues, studiues, kërkues
shkencor dhe drejtues ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme për zhvillimin e
industrisë metalurgjike të bakrit, hekurit, nikel-kobaltit dhe ferro-kromit me
studimet e projektet e tij të kërkimeve shkencore në këto fusha.
Akademik profesor Hajredin Kumbaro ka qenë gjithashtu
autor i idesë dhe studimeve për përpunimin e karbonatit bazik të nikelit.
Me ngritjen e Institutit të Metalurgjisë në Kombinatin
Metalurgjik të Elbasanit, ai emërohet Drejtor i Institutit, ku punoi në vitet
1976-1989, derisa doli në pension.
Pedagog në Universitetin e Prishtinës
Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të
Universitetit të Tiranës (i themeluar në vitin 1957) dhe Universitetit të Prishtinës
(i themeluar më 15 shkurt 1970), bazuar në shkresën e rektorit të USHT prof.
Kareman Yllit, që i kishte dërguar rektorit të UP prof. dr. Dervish Rozhajës të
datës 30 qershor 1970, dy delegacionet e universiteteve në Prishtinë nënshkruan
Protokollin e bashkëpunimit në mes dy universiteteve, më 29 korrik 1970. Sipas
marrëveshjes së arritur në Prishtinë, në korrik 1970, bisedimet për bashkëpunim
mësimor-shkencor midis delegacioneve të UP dhe USHT vazhduan punën në Tiranë në
tetor 1970. Pas përfundimit me sukses të bisedimeve, më 27 tetor 1970 në Tiranë
u nënshkrua marrëveshja e parë e bashkëpunimit ndërmejt UP dhe USHT.
Bashkëpunimi u realizua me shumë sukses në mes dy universiteteve (1970-1981).
Gjatë kësaj periudhe nga USHT ligjëruan në UP njëqind e shtatëdhjetë pedagogë
(disa dhjetëra pedagogë tjerë kanë mbajtur nga disa cikle ligjërata), ku në
mesin e tyre ishte edhe akademik Hajredin Kumbaro (1972-1975) “Profesor i
ftuar” në Universitetin e Prishtinës në lëndën “Metalurgjia me ngjyra” në
Fakultetin e Teknologjisë dhe Xehetaro-Metalurgjisë (në Mitrovicë).
Njohës i gjuhëve të huaja: rusishte, italishte, frëngjishte dhe gjermanishte.

Tekste universitare:
1. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me ngjyra”,
232 f., Botues: SHBLU, Tiranë, 1979.
2. Kumbaro, S.; Kumbaro, H.; Maluka, N.: “Teknologji
kimike 4”, 224 f., Botues: SHBLU, Tiranë, 1989.
Tekste për shkollën e mesme:
1. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me ngjyra”: për
specialitetin metalurgjia e zezë të shkollës së mesme industrial, 111 f.,
Botues: SHBLU, Tiranë, 1979;
2. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me ngjyra”, V. 1, 231 f.,
Botues: SHBLU, Tiranë, 1979;
3. Kumbaro, H.: “Teknologjia kimike 4”: shtojcë për shkollën e
mesme teknologjike-teknologji kimike: Dispensë, 120 f., Botues: SHBLSH, Tiranë,
1983;
4. Kumbaro, S.; Kumbaro, H.; Maluka, N.: “Teknologjia
kimike 4”, Botues: SHBLSH, Tiranë, 1989.
Bashkautor i një zëri në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Urdhra dhe medalje
Gjatë veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike Akademik
profesor Hajredin Kumbaro është dekoruar me urdhra dhe medalje, si në vijim:
1. Nga Presidiumi i Kuvendit popullor me disa Medalje dhe
Urdhra pune.
2. Në vitin 1964 është laureuar me Çmimin e Republikës të
Klasit të I-rë, për projektin teknologjik të Uzinës së bakrit në Kukës.
3. Në vitin 1980 dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë me titullin “Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”.

4. Në vitin 2000, Akademik profesor Hajredin Kumbaros i
është dhënë nga Bashkia e Elbasanit titulli “Qytetar i nderuar” për
kontributin e veçantë shkencor me mbi 40 vjet me ballafaqimin, zhvillimin dhe
drejtimin teknik të shkencës metalurgjike shqiptare dhe sidomos për zhvillimin
e metalurgjisë në qytetin e Elbasanit”.

Përfundim
Akademik profesor Hajredin Kumbaro ka dhënë gjithashtu
një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrit të ri në degën e
metalurgjisë, pranë Universitetit të Tiranës, si lektor i lëndës “Metalurgji”
dhe në Universitetin e Prishtinës, në degën e Metalurgjisë si lektor i lëndës “Metalurgjia
me ngjyra”. Me përvojën e tij shumëvjeçare në fushën e shkencës,
veçanërisht në zhvillimin e Metalurgjisë së zezë në Shqipëri, punoi me cilësi
shumë të larta e vullnet të çeliktë, si specialist i viteve të para të
industrisë së metalurgjisë në përgatitjen e kuadrit të ri. Ai ka punuar në
sektorë të ndryshëm të industrisë minerare, në metalurgji dhe në drejtimin e
sektorëve të rëndësishëm në Ministrinë e Minierave dhe Gjeologjisë (ish-Ministria
e Industrisë dhe Minierave) dhe të Instituteve kërkimore të fushës.
Akademik profesor Hajredin Kumbaro gjatë veprimtarisë së
tij si projektues, studiues, kërkues shkencor dhe drejtues, në periudhën
1960–1990 ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme për zhvillimin e industrisë
metalurgjike të bakrit, hekurit, nikel-kobaltit dhe ferro-kromit me studimet e
projektet e tij.
Akademik profesor Hajredin Kumbaro ka dhënë një kontribut
të rëndësishëm në Katedrën e Metalurgjisë (u krijua në 1972)
në USHT, ku ka qenë ndër profesorët e parë në fushën e metalurgjisë dhe në krijimin in
stitucional të fushës së metalurgjisë universitare në Shqipëri.
Bibliografia
1. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e
metaleve me ngjyra”, Botues: SHBLSH, Tiranë, 1979.
2. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me
ngjyra” : për
specialitetin metalurgjia e zezë të shkollës së mesme industriale, Botues:
SHBLSH, Tiranë, 1979.
3. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me ngjyra”: për
specialitetin metalurgjia e zezë të shkollës së mesme industrial, 111 f.,
Botues: SHBLU, Tiranë, 1979;
4. Kumbaro, H.: “Metalurgjia e metaleve me ngjyra”, V. 1, 231 f.,
Botues: SHBLU, Tiranë, 1979.


