Frank Shkreli: Një apel për politikën shqiptare që të shohë veten në pasqyrën e demokracisë
NË PASQYRËN E DEMOKRACISË: RAMA-4, KURTI-4 DHE PYETJA QË POLITIKA SHQIPTARE NUK DUHET T’I SHMANGET
Një
apel për politikën shqiptare që të shohë veten në pasqyrën e demokracisë

Këto ditë, New Yorku bëhet qendra
diplomatike e botës. Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara (OKB) do të
mblidhen liderë nga të gjitha kontinentet për të folur për luftërat, paqën,
demokracinë, zhvillimin dhe të ardhmen. Mes tyre do të jenë edhe dy
kryeministrat shqiptarë: Edi Rama dhe Albin Kurti. Këtë herë, ata
mbërrijnë në New York me një veçanti që tërheq vëmendjen se të dy janë në
mandatin e katërt qeverisës. Rama e mori mandatin e katërt në vitin 2025,
ndërsa Kurti u zgjodh për herë të katërt kryeministër vetëm pak ditë më parë,
më 13 shtator 2026. Lindë pyetja, natyrisht, se sa kryeministra në sallat e
OKB-së do të ulen në karrigat e tyre, javën që vjen, me një mandat të katërt
qeverisës pas vetes?
Por kjo ngre një pyetje më të madhe se
emrat e dy kryeministrave shqiptarë e që është sa e zakonshme është kjo në
demokracitë e botës? Nuk është vetë mandati i katërt ai që duhet të
shqetësojë shqiptarët. Në një demokraci, qytetarët mund ta votojnë të njëjtin
kryeministër disa herë dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Por, a janë të
vetdijshëm zotërinjt Rama e Kurti se mandati i katërt sjell një përgjegjësi
edhe më të madhe. Të sigurohet që pushteti të mos bëhet më i fortë se
institucionet e vendit. Pikërisht, këtu klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet
të shohi veten në pasqyrë. Prania e dy kryeministrave shqiptarë në Asamblenë e
Përgjithshme të OKB-së është një mundësi për të folur për Kosovën
dhe shqiptarët në botë. Por është edhe një mundësi për të folur për
demokracinë. Ndërsa në atë sallë do të flitet për demokracinë botërore,
shqiptarët duhet të pyesin veten: sa e fortë është demokracia e tyre? Sa të
pavarura janë institucionet e dy shteteve shqiptare? Sa e barabartë është gara
politike? Sa e fortë është opozita? Sa të lira janë zgjedhjet? Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit:
Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për
ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! | Gazeta Telegraf.
Sa e lirë është media? Frank Shkreli: Mbrojtja e lirisë së
shtypit dhe medias, mbron drejtësinë dhe demokracinë! | Gazeta Telegraf. Sa e mbrojtur është administrate publike nga ndikimi partiak?
Dhe, mbi të gjitha, a është pushteti i gatshëm të pranojë një ditë se mund të
mos jetë më në pushtet? Kjo është pyetja që mandati i katërt e bën më të
rëndësishme atë. Prandaj Rama-4 dhe Kurti-4 nuk do duhej të shihen vetëm si
histori mandatesh, por edhe si provë e pjekurisë demokratike të politikës
shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë. Ndërsa dy kryeministrat shqiptarë
do të jenë në New York, do të ishte mirë që edhe politika shqiptare, në
përgjithsi, të bënte një ndalesë të shkurtër duke u larguar nga propaganda e
ditës, triumfalizmi i shfrenuar dhe lufta e përditshme politike, për të parë
veten në pasqyrë. Sepse një vend demokratik nuk matet vetëm nga sa herë fiton
një kryeministër, por edhe nga sa të forta mbeten institucionet kur ai fiton
për të katërtën herë. "Demokracia nuk pret" me një promovim në Tiranë .
Ku tjetër në botë, në një hapësirë kaq
të vogël politike, shohim njëkohësisht, dy shtete shqiptare -- Shqipërinë me
Rama-4 dhe Kosovën me Kurti-4? Siç thashë edhe më lartë, nuk është numri
katër ai që përbën problemin. Por këto janë pyetje që nuk i drejtohen vetëm Edi
Ramës. Nuk i drejtohen vetëm Albin Kurtit. Dhe nuk duhet të përdoren si armë
nga njëra palë kundër tjetrës. Ato i drejtohen gjithë politikës
shqiptare. Sepse një demokraci e shëndetshme nuk provohet vetëm kur
opozita fiton. Provohet sidomos kur një shumicë është shumë e fortë dhe ka
qëndruar gjatë në pushtet. Në këtë kuptim, Rama-4 dhe Kurti-4 janë më
shumë se dy numra politikë. Janë një moment historik për reflektim dhe për të
shikuar veten në pasqyrë. Ndërkohë që në Shqipëri vëzhguesit
ndërkombëtarë kanë ngritur, prej vitesh, shqetësime për barazinë e garës
politike, përdorimin e burimeve publike, për presionet mbi administratën
publike dhe probleme të tjera që lidhen me standardet demokratike dhe me të
drejtat dhe liritë e qytetarëve. Nga Frank Shkreli – Kur historia
trokiti në derë: "Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?" | Gazeta
Telegraf. Ndërsa në Kosovë, mandati i ri
i Kurtit vjen pas një periudhe të pazakontë paqëndrueshmërie politike dhe
institucionale, me zgjedhje të përsëritura dhe një krizë që ende nuk është
zgjidhur plotësisht. Frank Shkreli: Bekim Sejdiu për
President, a po i kthehet Kosova profilit institucional? | Gazeta Telegraf. Prandaj, edhe njëherë, kjo është arsyeja pse politika
shqiptare duhet të ndalet për një çast dhe të shohë veten në pasqyrë. Jo për të
parë kush është më i fortë. Jo për të numëruar mandatet. Jo për të shpallur
fitues dhe humbës. Por, për të parë sa të forta janë institucionet që
duhet të qëndrojnë edhe atëherë kur politikanët që sot i drejtojnë ato, nuk do
të jenë më në pushtet.
Sepse pushtetet ndryshojnë.
Kryeministrat ndryshojnë. Partitë ndryshojnë. Por institucionet duhet të
mbeten. Dhe kjo është prova e vërtetë. Nëse Rama-4 dhe Kurti-4 duhet të
shqetësojnë shqiptarët për diçka, ajo nuk është vetë ekzistenca e mandatit të
katërt. Por është pyetja nëse mandati i katërt e forcon apo e dobëson demokracinë
dhe vlerat e saj, në dy shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo
është pasqyra ku politika shqiptare -–pozita dhe opozita -- duhet të shikojnë
veten. Dhe kjo pasqyrë nuk duhet të mbahet vetëm përballë qeverive. Duhet
mbajtur përballë të gjithë atyre që janë të angazhuar në politikë. Këto nuk
janë fjalë që duhen përdorur për të delegjitimuar një qeveri të zgjedhur. Por
janë probleme që duhet të shqetësojnë çdo shqiqptar që beson në demokracinë e
vërtetë, pavarësisht, se në cilën anë të spektrit politik ndodhet. Sepse
shteti nuk është pronë e shumicës së radhës. Administrata publike nuk është
pronë e partisë në pushtet. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një zgjatim i
ekzekutivit. Dhe demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në pyetjen: "Kush
i fitoi zgjedhjet?" Pyetja më e rëndësishme është: A janë institucionet aq
të forta sa t'i rezistojnë edhe fituesit të zgjedhjeve? Kjo vlen për
Shqipërinë. Por vlen edhe për Kosovën. Ndonëse në Kosovë, situata ka
specifikat e veta. Zgjedhjet dhe institucionet e saj nuk mund të maten me të
njëjtin standard mekanik si në Shqipëri. Por edhe atje, mandati i katërt i një
qeverisjeje duhet të jetë një moment reflektimi për marrëdhënien ndërmjet
shumicës politike dhe institucioneve. Një demokraci e shëndetshme nuk ka frikë
nga një opozitë e fortë.
Përkundrazi, ka nevojë për të. Nuk ka
frikë nga media kritike. Ka nevojë për të. Nuk ka frikë nga institucionet
e pavarura. Ka nevojë për to. Dhe nuk ka frikë nga mundësia që nesër
pushteti të kalojë në duart e kundërshtarit. Kjo është prova e vërtetë e
demokracisë. Prandaj "Rama-4" dhe "Kurti-4" nuk duhet të
shihen vetëm si dy histori suksesesh elektorale. Duhet të shihen edhe si një
moment përgjegjësie. Sa më gjatë të qëndrojë një forcë politike në pushtet, aq
më e madhe është përgjegjësia e saj për të mos lejuar që shteti dhe partia të
ngatërrohen. Sa më e fortë të jetë shumica, aq më të forta duhet të jenë
institucionet që e kontrollojnë atë. Sa më e dobët të duket opozita, aq
më shumë duhet të mbrohet hapësira e saj për të vepruar. Kjo nuk është
kërkesë kundër një qeverie. Është kërkesë në favor të demokracisë. Sepse
demokracia nuk është vetëm pushteti i shumicës. Është edhe mbrojtja e
pakicës, e opozitës, e gazetarit, e qytetarit që mendon ndryshe dhe e institucionit
që duhet të thotë "jo" kur pushteti e tejkalon kufirin.
Shqipëria është ende një demokraci me zgjedhje konkurruese, por vlerësimet
ndërkombëtare vazhdojnë të evidentojnë probleme serioze me barazinë e garës,
burimet publike, korrupsionin, transparencën dhe pavarësinë e medias. (OSCE ODIHR?) Kosova,
nga ana tjetër, përshkruhet si vend me zgjedhje përgjithësisht të besueshme,
por me probleme të rëndësishme në funksionimin institucional dhe luftën kundër
korrupsionit. (Freedom House?)
Prandaj, në vend që politika shqiptare të merret ose të mburret vetëm me atë se
kush është më i fortë, kush ka më shumë mandate apo kush mund ta mundë
kundërshtarin, ndoshta ka ardhur koha që klasa politike shqiptare të bëjë një
pyetje më të vështirë: Çfarë lloj demokracie po ndërtojnë politikanët
shqiptarë? Një demokraci ku fituesi zgjedhor respekton institucionet edhe kur
ato e kufizojnë, apo një demokraci ku institucionet, gradualisht, përshtaten me
pushtetin? Këtu qëndron dallimi. Dhe këtu duhet të vendoset pasqyra. Jo vetëm
për Edi Ramën. Jo vetëm për Albin Kurtin. Jo vetëm për opozitat, por për të
gjithë politikën shqiptare, pa dallim.
Frank Shkreli
*Linqet e
shkrimeve të më hershme mund të duken ndoshta pak si tepëruara, por janë,
njëkohësisht, edhe burime për artikulimin e këti shkrimi, që e bëjnë të qartë
se tema e demokracisë ndër shqiptarët ka qenë dhe është një vijë e vazhdueshme
në shkrimet e mia gjatë viteve e deri në ditët dhe javët e fundit: Frank Shkreli: Nga paralajmërimi "Demokracia
nuk pret", te zgjimi qytetar dhe alarmi: Demokracia në rrezik!|
Gazeta Telegraf


