Frank Shkreli: Gjuha shqipe, studentët dhe konfliktet e përçarjet politike shqiptare në rajon

GJUHA SHQIPE, STUDENTËT DHE KONFLIKTET E PËRÇARJET POLITIKE SHQIPTARE NË RAJON

Në
një kohë kur në rajon po rikthehen narrativa të vjetra nacionaliste dhe
memorandume që vënë në pikëpyetje identitetin, historinë dhe të drejtat e
shqiptarëve në Ballkan, kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e plotë
dhe të barabartë të gjuhës shqipe në institucionet publike nuk janë thjesht
kërkesa administrative. Ato përfaqësojnë një betejë më të thellë për dinjitet,
barazi dhe njohje politike. Sot, në
trojet shqiptare, ekziston një paradoks i madh historik: shqiptarët kanë më
shumë shtete, institucione dhe përfaqësim politik se kurrë më parë, por njëkohësisht
duken më të fragmentuar politikisht, më të përçarë se kurrë në vizion kombëtar
dhe më të dobët në bashkrendim strategjik të interesave të përbashkëta
afatgjata kombëtare.
35-vjet
tranzicion “post-komunist”, Shqipëria e polarizuar dhe e konfliktuar,
politikisht – për fat të keq të vetin dhe të tjerëve për rreth, vazhdon të jetë pa projekt dhe bashkrendim
kombëtar. Në Tiranë, politika shqiptare
vazhdon të mbetet e mbërthyer në një konflikt që duket i përhershëm, mes
mazhorancës dhe opozitës, sidomos ndërmjet dy partive kryesore politike.
Diskursi i përditshëm politik public, në media dhe në parliament, dominohet nga
akuza për korrupsion, kontroll institucional, aautoritarizëm dhe luftë për
pushtet, ndërsa çështjet kombëtare nuk trajtohen fare, ose trajtohen shpesh
vetëm në nivel retorik, sa për sy e faqe.
Klasa politike shqiptare, pavarësisht deklarimeve patriotike, me ndonjë
rast kur i përshtatet interesave partiake, nuk ka arritur të ndërtojë një
platformë të qëndrueshme kombëtare për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë,
përveç ndonjë vizite “folklorike” sa për dukje, gjatë viteve nga kryeminstrat
ose presidentët e Shqipërisë. Në vend që Tirana zyrtare të jetë një qendër
koordinimi kulturor, arsimor dhe diplomatik për shqiptarët në rajon, ajo shpesh
shfaqet e fokusuar vetëm në kapjen dhe ruajtjen e pushtetit dhe në krizën e saj
të brendshme politike. Kjo dobësi
pasqyrohet edhe në mungesën e reagimeve të forta institucionale ndaj sfidave me
të cilat janë përballur e përballen çdo ditë e gjithnjë shqiptarët në
Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës apo Mal të Zi.
Ndërkaq,
ndonëse kujtimet e luftës dhe krimet e Serbisë në atë vend gjatë luftës së
fundit, dhe megjith mbështjetjen e fortë ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e
Bashkuara, Kosova vazhdon me një shtetësi të
papërfunduar dhe me tensione të vazhdueshme politike edhe ata për
pushtet e karrige – diçka që është shumë e vështirë të kuptohet, duke marrë
parasyshë sakrificat nepërt të cilat ka kaluar ai popull. Por diçka që i bën
sfidat e Prishtinës, edhe më komplekse. Kosova vazhdon të përballet me presion
të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe me tensione të përhershme me Serbinë, që
vështirson gjëndjen politike të konfliktuar të udhëheqjes shqiptare atje, (por
nuk e justifikon). Këtë e provon edhe
publikimi i ditëve të fundit i një memorandumi të studentëve serbë për
Kosovën që tregon se ideologjia shoviniste e mospranimit të realitetit të
shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës vazhdon të ekzistojë në segmente të
rëndësishme të shoqërisë serbe, madje e dhe në brezin e ri, siç përfqësohet në
studentët serbë dhe memeorandumit e tzyre të fundit mbi Kosovën. Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues
në Serbi me “Memorandumin” për Kosovën? (Radio Evropa e Lirë)
Në
këtë kontekst, kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup për përdorimin e gjuhës
shqipe marrin një dimension edhe më të ndjeshëm dhe më urgjent sepse ato lidhen
drejtpërdrejt me mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe me të drejtën për të
ekzistuar si komunitet i barabartë.
Megjithatë dhe për fat të keq, ashtu si në Tiranë, edhe politika
shqiptare në Kosovë mbetet e polarizuar. Konflikti i vazhdueshëm mes pushtetit
dhe opozitës, tensionet me aleatët ndërkombëtarë dhe mungesa e një konsensusi
të gjerë strategjik, kontribojnë ndjeshëm në dobësimin e pozicionit mbarë-shqiptar në rajon në fillim
të shekullit XXI, që dikur ishte deklaruar me pompozitet, si “shekulli i
shqiptarëve”. Kosova shpesh është e
detyruar të reagojë ndaj krizave ditore dhe akuzave absurde nga Beogradi, duke
humbur mundësinë për të ndërtuar politika afatgjata kombëtare në bashkrendim me
Tiranën ngurruese zyrtare dhe me
shqiptarët në rajon.
Ja
rasti konkret i kohëve të fundit. Në Shkup, çështja e gjuhës shqipe vazhdon të
mbetet testi më i madh i barazisë ndëretnike në atë vend, por jo vetëm. Edhe
pse shqiptarët janë popull shtetformues dhe Marrëveshja e Ohrit garantoi të
drejta të rëndësishme pas konfliktit të vitit 2001, zbatimi praktik i barazisë
vazhdon të hasë pengesa zyrtare të autoritetve, duke shkaktuar, me të drejtë,
reagime dhe protesta e studentëve shqiptarë.
Kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe -- gjuhën
e Nënës -- nuk janë aspak radikale. Ato
janë kërkesa minimale demokratike në një shtet multietnik, që pretendon të jetë
demokratik, anëtar i NATO-s dhe me aspirata për antarësim në Bashkimin
Evropian. Reagimet negative të autoriteteve zyrtare shtetërore të Maqedonisë së
Veriut ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë, tregojnë se -- ashtu si edhe në
Serbi – edhe në Maqedonië e Veriut, ende ekzistojnë struktura politike dhe shoqërore
me mendësi që e shohin gjuhën shqipe si kërcënim, e jo si pasuri të përbashkët
shtetërore. E çfarë të themi për klasën
politike shqiptare në atë vend!?
Pothuaj
ashtu si në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, partitë shqiptare në Maqedoninë e
Veriut shpesh janë konsumuar nga rivalitetet për pushtet dhe pjesëmarrje në
qeveri, duke humbur besueshmërinë tek një pjesë e madhe rinisë shqiptare. Me
protestat e tyre, studentët shqiptarë atje po e artikulojnë gjithnjë e më shumë
vetë dhe me mjete paqësore, frustrimin e tyre, jashtë kontrollit tradicional
partiak.
Unë
jam i mendimit se shpresa e Kombit shqiptar, mund të jetë dhe duhet të tjetë,
rinia shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare, me një vizion të ri e të
përbashkët për veprim në të ardhmen.
Sepse është e qartë se – në mungesë të një strategjie të përbashkët --
midis Tiranës, Prishtinës e Shkupit -- një element i përbashkët i rinisë
shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare, është zhgënjimi i madh i rinisë ndaj
elitave politike aktuale. Studentët shqiptarë sot nuk kërkojnë vetëm të drejta
gjuhësore. Ata kërkojnë respekt,
meritokraci, përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme që nuk i detyron ata të
largohen nga trojet e të parëve të tyre.
Kështuqë, një BRAVO e madhe rinisë shqiptare për aktivizimin e saj! Ndërkohë
që politika shqiptare gjithandej vazhdon të mbetet e përçarë, rinia po
artikulon nevojën për një vetëdije të re kombëtare, më moderne, më demokratike
dhe më të koordinuar. Gjuha shqipe në këtë betejë nuk është vetëm mjet
komunikimi. Ajo është simbol i identitetit, kujtesës historike dhe i të drejtës
për të qenë të barabartë në vendin dhe trollin e të stërgjyshërve.
Në
përmbledhje të këytre mendimeve, dua të them se trojet shqiptare sot ndodhen
përballë një sfide të dyfishtë: nga njëra anë presionet dhe narrativat
nacionaliste serbo-maqedonase që rikthehen në rajon dhe nga ana tjetër,
fragmentimi dhe konfliktet e vetë politikës shqiptare. Ashtuqë, uroj dhe shpresoj që nëse Tirana,
Prishtina dhe Shkupi vazhdojnë të funksionojnë pa bashkrendim strategjik dhe pa
një vizion të përbashkët kulturor e kombëtar, atëherë boshllëkun do ta mbushin
krizat, konfliktet dhe frustrimi shoqëror.
Ndonëse në një botë normale, do të dëshironim që studentët kudo, të
ishin në klasat e mësimit dhe jo në protestat e rrugës, studentët shqiptarë po
japin një sinjal të qartë se të drejtat kombëtare, identiteti, gjuha dhe
dinjiteti nuk mund të mbeten peng i kalkulimeve të klasës politike aktuale
shqiptare. Dhe ndoshta pikërisht nga kjo gjeneratë mund të lindë një qasje e re
shqiptare -- më e bashkuar, më e vetëdijshme dhe më larg konflikteve të vjetra
e të reja partiake, siç po ndodhë me klasën aktuale politike shqiptare anë e
mbanë trojeve.
“Një
komb, një gjuhë, një flamur! Ka momente
në historinë e një kombi kur heshtja bëhet padrejtësi. Sot, shqiptarët kudo që
jetojnë -- në trojet e tyre etnike apo në diasporë -- kanë detyrimin moral dhe
kombëtar të ngrihen në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët po
kërkojnë asgjë më shumë, as më pak, se një të drejtë themelore njerëzore:
përdorimin e gjuhës së tyre amtare, e garantuar edhe nga konventat
ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.











