Frank Shkreli: Amerika në 250-vjetorin e saj — aleate historike e shqiptarëve
AMERIKA NË 250-VJETORIN E SAJ: NJË ALEATE HISTORIKE E SHQIPTARËVE

Anë e mbanë Shteteve të
Bashkuara të Amerikës po organizohen aktivitete madhështore për të
shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së vendit, një jubile historik që po bashkon
qytetarë, komunitete dhe institucione në frymën e patriotizmit dhe krenarisë
kombëtare. Festimet përfshijnë parada, koncerte, ekspozita historike,
aktivitete kulturore, programe edukative dhe ceremoni përkujtimore që nderojnë
rrugëtimin 250-vjeçar të Amerikës, si simbol i lirisë dhe demokracisë në botë. Në qytete të mëdha si Uashingtoni, Nju Jorku,
Filadelfia dhe në shumë shtete të tjera të
Amerikës, institucionet federale dhe vendore kanë nisur një kalendar të gjerë
aktivitetesh që do të kulmojnë me festimet zyrtare të vitit 4 Korrikut, 2026.
Veçanërisht, Filadelphia -- qyteti ku u
shpall pavarësia amerikane më 1776 — mbetet në qendër të shumë ceremonive
historike dhe kulturore.
Besoj se dhe komuniteti shqiptaro-amerikan do bëhet pjesë
aktive e këtyre kremtimeve, duke organizuar aktivitete kulturore, artistike dhe
patriotike që theksojnë kontributin e shqiptarëve në jetën amerikane dhe
miqësinë e fortë ndërmjet dy kombeve tona. Për shumë shqiptarë në Amerikë, ky
përvjetor është jo vetëm një festë kombëtare amerikane, por edhe një moment
mirënjohjeje për -- vendin tonë të adaptuar, Amerikën tonë të të dashur -- që na
ka dhënë mundësi, liri dhe të ardhme brezave të emigrantëve shqiptarë. 250-vjetori i Amerikës po shërben gjithashtu
si një moment reflektimi mbi historinë, sakrificat dhe vlerat mbi të cilat u
ndërtua shteti amerikan — liria, demokracia, barazia dhe mundësia për të gjithë.
Në këtë përvjetor të madh –
250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
– mirënjohja, jo vetëm e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe e shqiptarëve
nga Shqipëria, Kosova dhe anë e mbanë trojeve shqiptare vjen e
thellë, e sinqertë dhe shpresojmë, e përhershme. Në rrjedhën e historisë
moderne shqiptare, roli i Shteteve të Bashkuara ka qenë vendimtar në momente
kyçe për fatin, lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Nga mbështetja për pavarësinë
e Shqipërisë në fillimshekullin XX, te përkrahja e palëkundur në fund-shekullin
XX, për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Ballkan, Amerika ka qenë një zë
i fuqishëm në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, në mbështetje të
shqiptarëve.
Në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, komuniteti shqiptaro-amerikan ka një arsye të veçantë
për të kremtuar këtë jubile historik. Për shqiptarët në Amerikë, ky nuk është
vetëm një përvjetor kombëtar amerikan, por edhe një dëshmi e lidhjes së fortë
ndërmjet idealeve amerikane të lirisë dhe rrugëtimit të shqiptarëve drejt
dinjitetit, demokracisë dhe suksesit. Për
më shumë se një shekull, shqiptarët kanë gjetur në Amerikë një vend mundësish, hapësirë
lirie dhe mbrojtjeje. Secili prej nesh ka një histori dhe lidhje të veçant me
Amerikën. Frank
Shkreli: Thank you, America! Mbi gjysëm shekulli në Amerikë – një falenderim |
Gazeta Telegraf Emigrantët e parë shqiptarë, që mbërritën në fillim të
shekullit XX, sollën me vete dashurinë për atdheun dhe besimin tek vlerat
demokratike amerikane. Në qytete si Boston,
New York City dhe Detroit, ata ndërtuan komunitete, hapën shkolla,
qendra fetare e biznese dhe krijuan organizata patriotike që luajtën rol të
rëndësishëm edhe për çështjen kombëtare shqiptare.
Ndër figurat më të shquara të kësaj historie mbetet Fan S. Noli, i cili jo vetëm kontribuoi në jetën
shpirtërore e politike të shqiptarëve, por mishëroi frymën amerikane të lirisë
dhe përfaqësimit demokratik. Po ashtu, Faik
Konica dhe me qindra patriotë të tjerë shqiptaro-amerikanë punuan për
forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për njohjen e të drejtave të
shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Në
dekadat moderne, komuniteti shqiptaro-amerikan është bërë pjesë aktive e jetës
amerikane — në biznes, arsim, kulturë, ushtri, politikë dhe media. Shqiptarët
kanë shërbyer me krenari në forcat e armatosura amerikane, kanë ndërtuar
kompani të suksesshme dhe kanë kontribuar në pasurimin e mozaikut kulturor
amerikan. 250-vjetori i Amerikës është një moment reflektimi për vlerat që
bashkojnë popullin amerikan dhe komunitetin shqiptaro-amerikan: liria, puna,
besimi tek demokracia dhe respekti për dinjitetin njerëzor, pa dallim.
Shqiptarët në Amerikë janë sot pjesë e historisë amerikane dhe krenarë që
kontribuojnë në të ardhmen e këtij vendi. Por ky jubile i madh kombëtar amerikan është
edhe një rast për të nderuar trashëgiminë e brezave të emigrantëve shqiptarë,
të cilët me punë dhe përkushtim ndërtuan një urë të fuqishme miqësie ndërmjet Kombit
shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por mbështetja historike e Amerikës për shqiptarët mbetet
një nga kapitujt më të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve. Nga
roli i Woodrow Wilson në mbrojtjen e
kufijve të Shqipërisë pas Luftës së Parë
Botërore, deri te përkrahja e Kosovës
gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, Amerika ka qenë dhe embetet një
aleate vendimtare për shqiptarët. Historia
e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është e mbushur me kapituj mirënjohjeje. Që
në fillim të shekullit XX, kur ekzistenca e Shqipëria
rrezikohej nga copëtimi, ishte presidenti amerikan Woodrow Wilson ai që ngriti zërin fuqishëm në
mbrojtje të shtetit shqiptar. Në Konferenca e
Paqes në Paris, Wilson kundërshtoi planet për ndarjen e Shqipërisë
ndërmjet fqinjëve dhe mbrojti parimin e vetëvendosjes së kombeve. Për
shqiptarët, ky qëndrim mbetet një nga aktet më të mëdha diplomatike në
historinë moderne të kombit. Më pas, gjatë dekadave të vështira të izolimit
komunist në Shqipëri, Amerika mbeti simbol i lirisë dhe demokracisë për
shqiptarët. Pas rënies së komunizmit, Shtetet e
Bashkuara të Amerikës luajtën rol vendimtar në mbështetjen e
tranzicionit demokratik, forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe
integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 ishte një moment historik, i
mbështetur fuqishëm nga Amerika dhe partnerët perëndimorë.
Ndihma amerikane për shqiptarët u bë edhe më jetike gjatë
luftës në Kosovë. Në fund të viteve 1990,
bota pa spastrimin etnik, masakrat dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga regjimi
terrorist serb i Slobodan Millosheviç. Në
ato ditë të errëta, Amerika u bë zëri më i fuqishëm në mbrojtje të popullit
shqiptar të Kosovës. Presidenti amerikan
Bill Clinton, së bashku me administratën
amerikane dhe aleatët e NATO, udhëhoqi
ndërhyrjen ushtarake kundër forcave serbe në vitin 1999. Fushata ajrore e
NATO-s ndali spastrimin etnik dhe hapi rrugën për çlirimin e Kosovës. Për shumë
shqiptarë, ndërhyrja amerikane konsiderohet si shpëtim historik i një populli
nga zhdukja dhe dëbimi. Pas luftës,
Amerika vazhdoi mbështetjen për ndërtimin e institucioneve demokratike të
Kosovës, për sigurinë, ekonominë dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit më të ri
në Evropë. Pavarësia e Kosovës në vitin 2008 u përkrah fuqishëm nga Administrata
e Presidentit Xhorxh Bush (i ri), ndërsa Shtetet
e Bashkuara të Amerikës, mbeten edhe sot mbështetësja kryesore e shtetit
të Kosovës, në arenën ndërkombëtare. Por ndihma amerikane nuk ka qenë vetëm
politike apo ushtarake, sado të rëndësishme që ishin e janë ato. Për dekada,
Amerika ka investuar gjithashtu në arsim, shëndetësi, kulturë, zhvillim
ekonomik dhe forcim të demokracisë në hapësirën shqiptare. Mijëra studentë
shqiptarë kanë studiuar në universitete amerikane; organizata dhe fondacione amerikane
kanë ndihmuar zhvillimin e shoqërisë civile dhe mediave të lira; ndërsa
diaspora shqiptaro-amerikane ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy kombeve.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut,
Malin e Zi dhe Serbi, ku jetojnë shqiptarë autoktonë në trojet
e tyre etnike, Amerika ka mbështetur vazhdimisht, respektimin e të drejtave të
shqiptarëve, përfaqësimin e tyre politik, barazinë dhe stabilitetin rajonal.
Politika amerikane në Ballkan ka synuar ruajtjen e paqës dhe garantimin e të
drejtave demokratike për të gjithë popujt, përfshirë shqiptarët në trojet e
tyre iliro-arbërore. Në këtë 250-vjetor
të Amerikës, shqiptarët kujtojnë me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata
udhëheqës amerikanë, diplomatë, ushtarë dhe qytetarë që kontribuan për lirinë
dhe mbrojtjen e kombit shqiptar. Nga Woodrow
Wilson te Bill Clinton, Xhorxh Bush
e nga ushtarët amerikanë të NATO-s te
diaspora shqiptaro-amerikane, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane
mbetet një histori besimi, aleance dhe miqësie të pathyeshme. 250-vjetori i Amerikës është, për shqiptarët,
jo vetëm festë e një kombi mik, por edhe një moment reflektimi për rrugën e
përbashkët drejt lirisë, demokracisë. Shqiptarët në të gjitha trojet
iliro-arbërore dhe në diasporë e konsiderojnë Amerikën një shtyllë të rëndësishme
të mbështetjes së tyre historike dhe kombëtare.
Në këtë 250-vjetor të Amerikës, nga bashkëpunimi politik e ushtarak, te
zhvillimi ekonomik dhe shkëmbimet kulturore, miqësia e ngusht mes dy popujve
tanë -- pas shembjes së komunizmit -- është forcuar brez pas brezi. Prandaj, në
këtë jubile historik, shqiptarët kudo që janë – në diaspiorë, në Shqipëri,
Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan – përkulen me respekt dhe
mirënjohje të thellë ndaj popullit amerikan. Është një falënderim që nuk i
përket vetëm së kaluarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes, si një dëshmi e
lidhjes së qëndrueshme mes kombeve tona në dekadat që vijnë.

Nga nënshkrimi i rivendosjes së
marrëdhënieve shqiptaro-amerikane pas gjysëm shekulli ndërprejeje nga regjimi
komunist i Enver Hoxhës –Uashington, 15 mars, 1991


“Mjaft është mjaft, Kosova është e Pavaraur” Presidenti George W Bush tregon
edhe njëherë vërtetësinë e asaj thënjes së vjetër amerikane: Once a friend,
always a friend.” Miku i vjetër, gjithmonë mbetet mik!
Roli historik i Zërit të Amerikës në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane


Foto përkujtimore në 70-vjetorin e Zërit të Amerikës në shqip -- Maj, 2013










