Frank Shkreli: 15 vjet, një zemër, një bashkëpunim - Mirënjohje për 'Zemrën Shqiptare"

20.09.2026, 06:56 PM (GMT+1)

15 vjet, një zemër, një bashkëpunim: Mirënjohje për 'Zemrën Shqiptare"

I nderuar Z. Gëzim Marku — Drejtor dhe Botues i "Zemra Shqiptare":

Ka bashkpunime që zgjasin për një kohë dhe ka të tilla që me kalimin e viteve, shndërrohen në pjesë të një rrugëtimi profesional. I tillë ka qenë për mua bashkëpunimi me portalin "Zemra Shqiptare" në Londër, një bashkëpunim publicistik që tashmë shënon rreth 15 vjet.

Për një gazetar, pesëmbëdhjetë vjet nuk janë pak. Janë qindra shkrime (rreth 1600-1700), tema, ngjarje, kujtime dhe qëndrime të përcjella te lexuesi. Por, mbi të gjitha, janë pesëmbëdhjetë vjet besimi të ndërsjellë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, "Zemra Shqiptare" ka botuar pa ndërprerje shkrimet e mia, duke u bërë një nga hapësirat ku kam mundur të shpreh mendimet dhe shqetësimet e mia për historinë, kulturën, identitetin kombëtar, demokracinë dhe fatet e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, trojet shqiptare dhe në diasporë.

E vlerësoj veçanërisht faktin se ky bashkëpunim është ndërtuar mbi një parim që për mua ka qenë gjithmonë themelor në gazetari: respekti për faktin, përgjegjësia ndaj lirisë së fjalës së shkruar dhe respekti për lexuesin.

Në rrugëtimin tim shumëvjeçar në gazetari, nga shtypi i diasporës e deri te puna prej tri dekadash në Zërin e Amerikës, kam pasur privilegjin të bashkëpunoj me shumë njerëz dhe institucione mediatike. Secili bashkëpunim ka historinë e vet. Por "Zemra Shqiptare" zë një vend të veçantë, sepse për 15 vjet ka qenë një derë e hapur për shkrimet e mia dhe një urë komunikimi me lexuesin shqiptar.

Prandaj, sot nuk dua thjesht të shënoj një përvjetor. Dua të shpreh mirënjohjen time. Mirënjohje për drejtuesin Gëzim Marku dhe bashkëpunëtorët e "Zemrës Shqiptare" në Londër, për besimin e treguar ndër vite dhe për hapësirën që i kanë dhënë fjalës sime. Falënderimet e mia gjithashtu edhe për 5 intervistat e Gëzim Markut me mua — një përmbledhje e jetës dhe veprimtarisë time, që disa kolegë të respektuar më kanë sugjeruar që t'i botoj në një libër të posaçëm.

Pesëmbëdhjetë vjet janë një histori më vete. Një histori e shkruar me shumë artikuj, por mbi të gjitha me besim, respekt dhe përkushtim ndaj gazetarisë shqiptare.

Uroj që "Zemra Shqiptare" të vazhdojë të jetë një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në mërgim dhe kudo ku jeton e punon shqiptari.

Faleminderit "Zemra Shqiptare" për këto 15 vite bashkëpunimi. Mirënjohja ime është po aq e sinqertë sa edhe respekti për punën tuaj.

Me nderime,

Frank Shkreli