Florim Zeqa: Së pari Kosova, pastaj LDK!
Së
pari Kosova, pastaj LDK!
Nga
Florim Zeqa
Disa muaj para zgjedhjeve të fundit
lokale ndodhesha në Kosovë. Erdhën në shtëpinë time në Bokshiq dy zyrtarë të
Degës së LDK-së në Klinë, të cilët m'u luten në këtë mënyrë, po citoj: "A
pranon të futesh në listë për asambleist, ti na i sjellë votat, ne e caktojmë
më pas dikë dikë tjetër për Asamblenë Komunale"! Përgjigja ishte e
shkurtër dhe e prerë, jo nuk ua bëjë një lojë të tillë qytetarëve të komunës
sime!
Nuk
ribëhet LDK-ja me Isa Mustafën kryetar nderi
Pas një shkrimi autorial të disa
ditëve më parë, një mik imi reagoj në këtë mënyrë, po citoj: "Lumiri është
atdhetar i devotshëm"! Fillova t'i besoj dhe vërtetë më erdhi mirë. I
parashtrova pyetjen vetës, vallë a e ka këtë fat të mirë LDK-ja që më në fund
ta ketë për liderë një atdhetar!?
Mirëpo mbështetësi i kryetarit
aktual të LDK-së nuk u mjaftua më kaq, për të vazhduar tutje, po citoj:
"Abdixhiku, vite më parë ka bërë një gabim, kur e ka shpallur Isa Mustafën
kryetar nderi, në vend se ta shpallte kryetar turpi"!
Unë ia ktheva në këtë mënyrë:
"Qenka e lehtë kjo punë, le t'ia heqë Lumiri titullin e nderit e le t'ia
vë atë të turpit Isa Mustafës dhe kështu ndahet 'shapi nga sheqeri', në të
kundërtën nuk do t'i hiqet kurrën e kurrës barra e turpit Abdixhikut"!
Kjo jo vetëm që nuk ka gjasa të
ndodhë, mund të ndodhë e kundërta e saj, që Lumiri ta propozon për president të
shtetit idhullin dhe padronin e tij politik!
Këtë që e themë e mbështes në
faktin se, të paktën deri më sot nuk e kam dëgjuar të jetë penduar Lumiri për
gabimin historik, të kthyer tashmë në dëm fatal për LDK-në!
Turneu
i mashtrimit vazhdon...
Pas humbjes katastrofale të
zgjedhjeve në të gjitha komunat e Kosovës, kryetari i LDK-së po vazhdon me
"Turneun e falenderimit"! Nuk e di a po ju thotë qytetarëve
'faleminderit që më mashtruat' apo 'faleminderit që ju mashtrova'!
Nga ajo që po shohim takimet e
Lumirit me qytetarë, ato po zhvillohen nëpër lokale të natës me të rinjët e
relaksuar pas Iftarit. Sadoqë kryetari humbës po mundohet t'ua futë në kokë të
rinjve interesin partiak para atij shtetërorë, ata më së paku mendjen e kanë
tek LDK-ja!
"Së pari LDK! Sepse me LDK dhe
Kosova!", ky është sllogani më i shëmtuar i një kryetari humbës në
zgjedhje!
Do të ishte fat i mirë për LDK-në,
sikur e gjitha të përfundoj me ketë sllogan të shëmtuar!
Fundin e lojës mashtruese politike
ndaj elektoratit të LDK-së e vulosi kryetari i Pejës, ish kandidat me votat e
fituara për deputet, Gazmend Muhaxheri: "Do të jem kryetar i Pejës, dua të
vazhdoj këtu, me deputet i kam kry punët moti ".
Kështu janë mësuar të luajnë 'qoke'
sistemin elektoral në Kosovë!
Me qytetarët lehtë e kanë, as që
brengosen për ta!
Kësaj situate i shkon për shtati
kënga; "Qysh e don shoqnia flakë le të kallet shpia"! Vërtetë
shoqëria kosovare po e don dhe po e pranon këtë realitet të shëmtuar politik.
Së pari Kosova o Lumir, pastaj LDK!
Ne që nuk kemi Atdhe tjetër përpos Kosovës nuk mund të pajtohemi me konstatimin
tuaj absurd, "Së pari LDK, pastaj Kosova"!















