Florim Zeqa: Fushatë e nxehtë në pranverën e acartë!
Fushatë e nxehtë në pranverën e acartë!

Ashtu siq janë bërë politikanët për
popullin, ka ndryshuar edhe moti! Sa më shumë bien temperaturat atmosferike, aq
më të nxehta po bëhen fushatat e liderëve partiakë! Akuza dhe kundërakuza të
ndësjella, gjuhë rrugaçërie me fyerje dhe linçime mes kandidatëve potencial për
kreun e institucioneve shtetërore!
Abuzim me qytetarët për llogari
elektorale
Kjo klasë e pandërgjegjshme politike,
paraprakisht po e elektrizojnë elektoratin, për t'iu kërkuar pastaj pa fije
turpi besimin e tyre me premtime mashtruese dhe të parealizueshme, me
gënjeshtra dhe manipulime të llojeve të ndryshme!
Nëse
i referohemi maksimës popullore "dita shihet në mëngjes", atëherë
fushata e filluar keq nuk mund të ketë përfundim të mirë!
Elektrizimi
i situatës nga krerët e partive politike për qëllim e ka zhvendosjen e
vëmendjes së popullatës nga mungesa e programeve konkrete në incidente, të
cilat do të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor!
Nëse
vazhdohet kështu, fillimi në kohë të rregullt i fushatës do të prodhojë situata
të paparashikuara me gjuhë akoma më të ashpër dhe ofenduese, me veprime fizike
që mund ta rrezikojnë tërë procesin zgjedhor!
Përderisa
në të kaluarën e afërt, Kosova ishte shëmbull në rajon për rend demokratik dhe
mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore, ku zgjedhjet ishin ne nivelin e lartë
demokratik, krijimi i institucioneve arrihej më lehtë, zgjedhjet e 7 qershorit,
të filluara mbrapsht dhe me incidente, me gjuhë përçarëse dhe linçuese,
ekziston rreziku i përshkallzimit të incideneteve gjatë fushatës 10 ditore të
partive politike si produkt i gjuhës së urrejtjes përgjatë këtyre ditëve të
parafushatës zgjedhore!
Manipulimi
i elektoratit të partive e ka arritur kulminacionin! Nuk ka ku shkon më keq se
kaq, kur militantët partiak dalin haptas me thirrjet "Partia mbi të
gjitha", duke harruar qëllimshëm se shteti dhe kombi janë mbi të gjitha
partitë dhe filozofitë politike!
Nëse
vazhdohet kështu, gjuha e urrejtjes mund të kulmoj me shpërthim të
pakontrolluar në mes elektoratit të partive politike deri në vëllavrasje për
pak pushtet në gjysëm shtet!
Pushteti po ua çierrë maskat dhe po ua
nxjerrë të palarat në shesh politikanëve të papërgjegjshëm ndaj shtetit dhe
qytetarëve. Politikanët karrierist nga lakmia për pushtet dhe pasurim të
shpejtë po e humbin logjikën e veprimit deri në nivelin e rrezikimit të
ekzistencës së shtetit nesër!


