Feti Tunuzliu: Refleksionet e normave bazike të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
REFLEKSIONET E NORMAVE BAZIKE TË KODIT PENAL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Hyrje
Kuvendi I Republikës së Kosovës miratoi
Kodin penal më 9 prill 2008 i cili hyri në fuqi pas tre muaj vokatio legis, më
14 prill 2019 dhe vazhdon ende së qenuni në fuqi (KPK). I noveluar
(plotësuar dhe ndryshuar), u publikua më 23 nëntor 2023 dhe hyri në
fuqi pas 15 ditësh.
Qasja jonë këtu konsiston në ofrimin e
kontributit modest. Pra, jo në mënyrë shteruese as në thellësinë vërtikale as
në gjërësinë horizontale të temës juridike. Por, vetëm në trajtimin sa për
lexuesin medial kureshtar të fushës së drejtësisë penale.
Përndryshe, kodifikimi i së drejtës
penale materiale është kryer në Republikën e Kosovës në vitin 2012 kur
legjislatura e katërt miratoi të plotë Kodin penal i cili hyri në fuqi më 1
janar 2013. Ky Kod ishte pasues i Kodit pararendës penal të Kosovës (UNMIK Reg.
2003/05) që hyri në fuqi më 6 prill.
Bashk me ndryshimet dhe plotësimet,
Kodi pararendës (2013), shërbeu bazë për hartimin e KPK (2019), i cili
cilësohet si një Kod modern dhe produkt i ekspertëve të fushës penale jo vetëm
të Kosovës. KPK, njëherit paraqet edhe një dokument të rëndësishëm në drejtim
të përafrimit të legjislacionit kosovar me konventat, direktivat dhe
standardet e BE.
1)
Struktura dhe përmbajtja e KPK
Kur flitet për sistematikën,
përkatësisht strukturën e KPK, miratuar nga legjislatura e gjashtë, duhet
theksuar se me dispozitat e XXXIV kapitujve, përkatësisht 434
neneve të KPK rregullohet materja e pjesës së parë të KPK, titulluar "Pjesa
e përgjithshme" ku renditen kapitujtë prej I-XIII, përkatësisht nenet prej
1-113. KPK poashtu rregullon edhe materjen e pjesës së dytë të KPK, titulluar
"Pjesa e posaçme", ku renditen kapitujtë prej XIV-XXXIV, përkatësisht
nenet prej 114-434.
Dispozitat (normat) e sapocituara
penale të Pjesës së përgjithshme të KPK (XIII kapitujtë, përkatësisht 113
nenet) rregullojnë një korpus të tërë nocionesh themelore dhe institutesh
juridike penale-materiale në kuadër të këtyre kapitujve: Dispozitat e përgjithshme
(I); Veprat penale, përgjegjësia penale (II); Dënimet (III); Vërejtja gjyqësore
(IV); Masat e trajtimit të detyrueshëm (V); Dispozitat e përgjithshme për
ekzekutimin e dënimeve dhe lirimi me kusht (VI); Konfiskimi i
instrumentalitetit dhe dobisë pasurore të veprave penale (VII); Pasojat
juridike të dënimit (VIII); Rehabilitimi dhe zbulimi i të dhënave nga dosja
penale (IX); Parashkrimi (X); Amnistia dhe falja (XI); Zbatimi i
legjislacionit penal të Republikës së Kosovës sipas vendit të kryerjes së
veprës penale (XII) Domethënia e shprehjeve në Kodin Penal (XIII).
Ndërkaq, me dispozitat e Pjesës
së veçantë të KPK (kapitujtë XIV-XXXIV, përkatësisht nenet 114-434)
inkriminohen veprat e ndryshme penale, sistemohen sipas objektit të përbashkët
të mbrojtjes penalo-juridike dhe përcaktohen sanksionet penale të cilat mund
t'iu shqiptohen kryesëve të veprave penale.
Përndryshe, parë në aspektin puro
përmbajtësor, kryekapitulli i KPK reflekton parime (principe) juridike
penalo-materiale. S'do mend se këto kanë rëndësi jo vetëm për teorinë juridike
por edhe për praktikën juridike. Të cilësuara me atributin "të
përgjithshme", dispozitat e këtilla janë të shpërndara në kuadër të
gjashtë neneve sa i numron gjithsej Kapitulli I i KPK. Vërejmë se dispozitat
e këtilla të drejtësisë penale kosovare, në fakt, shpërfaqin disa
qëndrime ideore, pikëpamje të përgjithshme politike. E këto qëndrime,
përkatësisht pikëpamje kanë në fokus mbrojtjen penalo-juridike të interesave të
përbashkëta dhe individuale në kuadër të shoqërisë kosovare. E kjo mbrojtje
realizohet efektivisht jo vetëm përmes penalizimit të veprimeve shoqërisht të
rrezikshme që posedojnë tipare të figurave të veprave penale, por edhe përmes
shqiptimit të sanksioneve penale, masave të trajtimit të detyrueshëm si dhe
ekzekutimit të tyre. Së këndejmi, logjikisht, janë të pritshme reperkusionet
ligjore që i bartin autorët e veprave të tilla penale e që pasqyrohen në trajtë
të privimit apo kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Por,
assesi në formë të dëbimit të tyre nga shoqëria jonë bashkëkohore demokratike.
2)
Relacioni mes Kapitullit I dhe disa kapitujve të Pjesës së
posaçme të KPK
Kapitulli I i KPK, përmes Dispozitave
të përgjithshme, vendosur në kuadër të Pjesës së përgjithshme të KPK, përgjithësisht
prek një sërë vlerash esenciale, vlera thelbësore të shoqërisë kosovare. Mbi
këto vlera të veçanta ngriten një varg parimesh vitale në KPK, që përbëjnë
vlera të cilat janë kushtetuuar në nenin 7 të aktit juridik sipëror të
Republikës së Kosovës, ku thuhet shprehimisht:
"Rendi kushtetues i Republikës së
Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqës, demokracisë, barazisë respektimit
të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimi,
të drejtës së pronës, mbrojtjes së mjedisit, drejtësisë sociale, plauralizmit
ndarjes shtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut".
Kapitulli I të KPK, përgjithësisht
qartëson ligjshmërinë e inkriminimit të veprave penale, parashikimin e
sanksioneve penale dhe të masave të trajtimit të detyrueshëm, si princip vital
i legjislacionit tonë penal.
Tutje, në Kapitullin i të KPK është
lehtësisht i kuptueshëm principi i kushtëzimit të kryesit të veprës penale me
përgjegjësinë penale. Në aspektin juridik penalo-material kjo nënkupton se
bazë për ndëshkim nuk është vetëm kryerja e veprës penale (kuptimi
objektiv), por njëkohësisht edhe vetëdija e kryesit ndaj veprës i cili e di se
ç'do dhe ç'bën (kuptimi subjektiv).
Parimi vijues është shqiptimi i
sanksioneve penale ndaj kryesit në përpjestim me peshën e pasojave
dhe me personalitetin e kryesit. Prandaj, Pjesa e përgjithshme e KPK ka
paraparë një gamë rregullash të përgjithshme për matjen korrekte të dënimit, si
sanksion penal, që të realizohet individualizimi i tij.
Përndryshe, nëpërmjet vlerësimit të kujdesshëm
të Pjesës së përgjithshme të KPK, vërejmë se janë parashikuar mundësi që, veç
tjerash, i atribuuohen: zbutjes së dënimit; ashpërsimit të dënimit
(rrethanat rënduese dhe lehtësuese); zëvendësimit të dënimit (me
sanksion më të butë); lirimit nga dënimi penal.
Pjesa e përgjithshme, parasheh një varg
rregulla edhe përkitazi me: dënimin për veprat penale në vazhdim; bashkimin e
dënimeve në një të vetëm; llogaritjen e dënimit të personave të dënuar dhe së
fundmi edhe për llogaritjen e paraburgimit dhe dënimeve të mbajtura në
juridiksione të tjera.
Parimi i sjelljes njerëzore ndaj
kryesit të veprës penale shpërfaq dimensionin e besimit ndaj përmirësimit të
tij përmes ndikimit edukativ e human dhe avancimit të përgjegjësisë shoqërore.
Ndonëse përmes sanksioneve penale
kufizohen liritë dhe të drejtat njerëzore, megjithatë nuk humbet dot
dinjiteti njerëzor ngase sanksionet penale të parapara në KPK nuk
paraqesin masa dhune e as sjellje çnjerëzore ndaj kryesit të veprës penale.
Ç'është e vërteta, ato paraqesin ndihmesë në formë të masave të dyfishta: e
para - për evitimin e kriminalitetit si fenomen i rrezikshëm shoqëror dhe e
dyta - sfidë komplekse me synim të kthimit të kryesit në jetën e lirë për të
gëzuar barabarësinë me të tjerë anëtarë të shoqërisë kosovare.
Në jurisprudencën tonë penale është
ngritur edhe parimi i solidaritetit ndërkombëtarë anipse Kosova nuk është
anëtare e OKB, por që aspiron për anëtarësim në këtë organizatë, KE, BE, NATO,
etj.
Në këtë kontekst, në Kapitullin I të
Kushtetutës sonë, janë paraparë specifikisht katër aspekte jetike të karakterit
ndërkombëtarë përkitazi me Republikën e Kosovës: i pari, ndërlidhet me
marrëveshje ndërkombëtare (neni 17); i dyti, ndërlidhet me ratifikimin e
marrëveshjeve (neni 18); i treti, ndërlidhet me zbatimin e së drejtës
ndërkombëtare (neni 19); i katërti ndërlidhet me bartjen e sovranitetit (neni
20).
KPK, tutje, ka penalizuar disa dukuri
negative duke ua mvesh karakterin e veprave penale të cilat janë
të ndaluara dhe të ndëshkuara edhe në të drejtën penale ndërkombëtare.
Kësisoj, Kosova shpreh solidaritetin me bashkësinë ndërkombëtare në
luftimin dhe ndëshkimin e veprimtarive me të cilat tangohen të drejtat
themelore njerëzore, rrezikohet paqja në botë apo cenohen vlerat tjera të rëndësishme
të pranuara dhe të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë
kontekst, Pjesa e përgjithshme e KPK, në Kapitullin XV, përfshinë veprat penale
të cilat janë të drejtuara njëkohësisht kundër njerëzimit si dhe kundër
vlerave të mbrojtura me norma penale juridike të së drejtës ndërkombëtare.
Përndryshe, veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të
drejtën ndërkombëtare cenojnë: jetën e njeriut, integritetin trupor të tij,
liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, dinjitetin e personalitetit
njerëzor, etj. Tiparet ligjore të këtyre veprave janë marrë nga konventat
ndërkombëtare. Më pas janë plotësuar e precizuar nga legjislacioni penal
kosovar. Pesha e veprave penale të këtij kapitulli (XIV) shihet përmes shkallës
së përgjithshme të rrezikshmërisë shoqërore.
Referuar Kapitullit I të KPK, del se
objekt i përgjithshëm i mbrojtjes penalo-juridike janë liritë dhe të drejtat e
njeriut por edhe të drejta të tjera si dhe ato vlera shoqërore të cilat gëzojnë
mbrojtje me Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Ndërkaq, kur i
hedhim një sy kapitujve të Pjesës së posaçme të KPK del se objekt
grupor i mbrojtjes penale juridike janë: rendi kushtetues dhe siguria e vendit,
jeta dhe trupi i njeriut, shëndeti publik, etj.
3)
Kapitulli I i KPK dhe reflektimet e tij në shoqërinë kosovare
Dispozitat e përgjithshme të
inkorporuara në Kapitullin I të KPK, tani e përtej shtatë vitesh, përkojnë me
zhvillimet e përgjithshme shoqërore në vendin tonë.
Kapitulli I i KPK shpreh qëndrime
ideore dhe politike dhe mund të shërbejë në të ardhmën për disanjimin e
legjislacionit juridik penalo-material. Në këtë vazhdë, këto dispozita
inkurajojnë politikën kriminale ndaj një spektri çështjesh, siç janë: luftimi i
kriminalitetit; aplikimi i metodave represive e mekanizmave për mbrojtjen e
vlerave të shoqërisë; njeriu tek i cili zbatohen masat represive
dhe olitikën përkitazi me mbrojtjen e të drejtave themelore të tij,
përkatësisht respektimin e personalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.
Rrjedhimisht, përmes politikës kriminale shteti kosovar lufton
kriminalitetin duke sajuar metoda represive të mbrojtjes së shoqërisë të
cilat mbështeten në parimet (postulatet) e demokracisë dhe
gjithpërfshierjen e metodave konstruktive për mbrojtjen penalo-juridike të
interesave të shtetit të Kosovës - nga njera anë dhe të drejtave e lirive
themelore të njeriut - nga tjetra anë, gjithmonë në përputhje me
praktikat më t'mira europiane dhe ndërkombëtare.
Natyrisht se inkriminimi i veprave
penale në Pjesën e posaçme të KPK sjell deri te privimi apo kufizimi i të
drejtave të njeriut, por assesi nuk sjell dëbimin e qytetarëve nga shoqëria
kosovare.
Kapitulli I i KPK, paraqet themelin,
fundamentin mbi të cilin ndërtohet dhe avancohet e drejta penale si degë e së
drejtës në sistemin juridik kosovar.
Pos karakterit demokratik të tyre,
Kapitulli I i KPK, shpreh edhe karakterin progresiv të tij. Në këtë përfundim
arrihet për faktin se Dispozitat e përgjithshme përkojnë me rrugëtimin e
proceseve zhvillimore në shoqërinë kosovare lidhur me depenalizimin e disa
veprimeve që nuk përbëjnë ndonjë rrezik shoqëror dhe kriminalizimin e disa
veprimeve tjera të cilat cenojnë jetën, sigurinë dhe dinjitetin e
qytetarëve tanë.
Dspozitat e tilla të Kapitullit I
përkojnë poashtu me konceptet përparimtare të artikuluara edhe jashtë
teorisë së të drejtës penale, pra me konceptet e doktrinave të tjera shoqërore.
Këto koncepte të ndërthurura mes veti, përveç rëndësisë së tyre teorike,
s'do mend se kanë edhe vlerë të veçantë pragmatike dhe akademike sidomos për
gjyqtarë, prokurorë, studiues, etj. pëgjatë jetës së tyre kërkimore,
profesionale, intelektuale, etj.
Tutje, Kapitulli I, KPK, reflekton jo
vetëm orientim të qëndrueshëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës por
edhe qëndrime politike të shtetit ndaj legjislacionit penal të Republikës së
Kosovës, që ndërlidhen me një varg çështjesh të Pjesës së përgjithshme të KPK:
funksionin mbrojtës të legjislacionit penal, mbrojtjen e shoqërisë dhe njeriut,
domosdoshmërinë e sanksioneve penale (dhunën penalo-juridike) dhe të
masave të trajtimit të detyrueshëm ndaj kryesit të veprave shoqërisht të
rrezikshme.
Tani, do i shpalosim titujtë e XII
kapitujve pasues tekstet e të cilëve mbushin Pjesën e posaçme të KPK që janë:
Veprat penale dhe përgjegjësia penale (II); Dënimet (III); Vërejtja
gjyqësore (IV); Masat e trajtimit të detyrueshëm (V); Dispozitat e përgjithshme
për ekzekutimin e dënimeve dhe lirimin me kusht (VI); Konfiskimi i
instrumentalitetit dhe dobisë pasurore të veprës penale (VII); Pasojat juridike
të dënimit (VII); Rehabilitimi dhe zbulimi i të dhënave nga dosja penale (IX);
Parashkrimi (X); Amnistia dhe falja (XI); Zbatimi i legjislacionit penal
kosovar sipas vendit të kryesjes së veprës penale (XII) dhe së fundmi
Domethënia e shprehjeve në Kodin Penal (XIII).
4)
Shqyrtimi i çështjes tematike
Vëmendje të veçantë këtu do t'i
kushtojmë Kapitullit I të KPK, titulluar: "Dispozitat e
përgjithshme". Do të vendosim theks të veçantë në përmbajtjen e tyre të
cilat janë të shtrira në gjashtë nene, ku promovohet një sistem prej gjashtë
parimesh penale-materiale me këtë renditje në kuadër të Kapitulit I të KPK:
1. Bazat dhe kufijtë
e sanksioneve penale (neni 1);
2. Parimi i
ligjshmërisë (neni 2);
3. Zbatimi i ligjit
më të favorshëm (neni 3);
4. Sanksionet penale
dhe masat e trajtimit të detyrueshëm (neni 4);
5. Kufizimet në
ekzekutimin e sanksioneve penale dhe të masave të trajtimit të detyrueshëm
(neni 5) dhe
6. Zbatimi i Pjesës
së përgjithshme të këtij Kodi (neni 6).
4)1. Bazat dhe kufijtë e sanksioneve
penale
I kompozuar në dy paragrafe
brendapërbrenda nenit 1 të KPK, ky parim është bartë tekstualisht nga neni 1 i
Kodit paraprak penal të Kosovës (nr. 04/L-082).
Nga përmbajtja e paragr. 1. del qartë
se veprat penale, sanksionet penale dhe masat e trajtimit të detyrueshëm
I dedikohen këtyre dy kategorive të mbrojtjes penale juridike. Në kategorinë e
parë përfshihen sjelljet të cilat cenojnë apo dëmtojnë liritë dhe të drejtat e
njeriut dhe të drejtat tjera. Çuditërishtë, ligjdhënësi nuk ka cilësuar liritë
dhe të drejtat në fjalë me atributin "themelore". E për dallim nga
KPK, kur bën fjalë për të drejtat dhe liritë, Kushtetuta e Republikës së
Kosovës përdor rregullisht atributin "themelore", madje duke filluar
që nga titulli i Kapitullit II i saj për të vazhduar përgjatë tekstit të
nenit 21. Kështu, emërtimi i plotë i Kapitullit II të Kushtetutës sonë është
formuluar kësisoj: "Të Drejtat dhe Liritë Themelore", ndërsa në 4
paragrafet, sa përmban neni 21 i saj, përsëritet formulimi: "Të drejtat
dhe liritë themelore të ..." par. (1); "garanton të drejtat dhe
liritë themelore ..." (2); "të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
të ..." (par.3); "Të drejtat dhe liritë themelore të ..." (par.
4).
Pretendojmë se atributi
"themelore", nuk varet se në cilin akt janë paraparë të drejtat dhe
liritë, sepse kjo varet nga rëndësia e tyre dhe nga vlerësimi i
mbrojtjes së tyre penale-juridike.
Përndryshe, garantimi efektiv i
të drejtave dhe lirive nuk ka të bëjë vetëm me njeriun. Ka të bëj edhe me
qytetarin, mendojmë tek shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi (apatridë).
Kategoria e dytë e mbrojtjes penale
juridike në përgjithësi përfshinë vlerat shoqërore të cilat garantohen dhe
mbrohen me Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Mirëpo, mbrojtja e këtyre dy kategorive
të mësipërme dështon së realizuari nëse mungon sistemi i sanksioneve penale dhe
i masave të trajtimit të detyrueshëm të cilat mbahen gjallë duke iu shqiptuar
sanksione kryesit të veprave penale prore në përputhje me kushtet ligjore për
arritjen e qëllimit të dënimit.
Nga përmbajtja e parag. 2 të nenit 1 të
KPK, del se inkriminimi i veprave penale dhe parashikimi i sanksioneve penale e
i masave të trajtimit të detyrueshëm, masa të posaçme sui generis për luftimin
e veprimeve shoqërisht të rrezikshme, mbështeten në dy kritere: i pari -
domosdoja e shqiptimit të sanksionit penal dhe masave të trajtimit të
detyrueshëm dhe i dyti - proporcionaliteti i sanksionit penal me shkallën e
rrezikshmërisë dhe natyrën e shkeljes së lirive, të drejtave të njeriut dhe
vlerave shoqërore.
4)2.
Parimi i ligjshmërisë
Kushtetuta jonë me dispozitën e nenit
33 proklamon parimin e ligjshmërisë (legalitetit). Krahasuar përmbajtjen e saj
me atë të KPK rezulton se versioni kushtetues shkon përtej atij të KPK
sepse dispozita e aktit juridik suprem përmend edhe përjashtimin e këtij
parimi sipas të drejtës ndërkombëtare e ky mungon në këtë dispozitë të KPK.
Përkitazi me këtë përjashtim, në veprën
"Kushtetuta e Republikës së Kosovës & Komentar, Botimi I, 2013, fq.
113, bashkautorët Enver Hasani dhe Ivan Çukalloviq, duke interpretuar
çështjen e përjashtimit sipas normës kushtetuese shprehen: "Parimi i
legalitetit nuk mund të zbatohet vetëm për ato vepra, të cilat në periudhën kur
janë kryer, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, janë konsideruar si gjenocid,
krim lufte apo krim kundër njerëzimit".
Në këtë sens, del se KPK në
Kapitullit I, pikërisht me dispozitën e nenit 2.2. reflekton (pjesërisht)
standardet e jurisprudencës kushtetuese kësisoj: "Askujt nuk mund
t'i shqiptohet sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm për një
vepër nëse para kryerjes së saj nuk është përcaktuar me ligj si
vepër penale dhe nuk është paraparë sanksioni penal ose masa e trajtimit të
detyrueshëm për atë vepër"
Duket qartë se, ligjvënësi kosovar
nëpërmjet kësaj dispozite, duke përcaktuar sundimin e ligjit si parim
bazë, njëkohësisht riafirmon këtë parim të rëndësishëm. Thënë përmbledhazi, ky
parim shpërfaq tri elemente: i pari – vepra penale mund të inkriminohet vetëm
me akt ligjor; i dyti - sanksioni penal dhe masa e trajtimit të detyrueshëm,
mund të parashihen vetëm me ligj dhe, i treti – për shqiptimin e sanksionit
penal përkatësisht masës së trajtimit të detyrueshëm, vepra penale duhet
të ketë qenë e inkriminuar para se ajo të jetë kryer.
"Për shkak të rëndësisë së
shumëfishtë për të drejtat, liritë dhe sigurinë juridike të qytetarëve, në
sistemin tonë juridik, parimi i legalitetit është ngritur në rang të normës
kushtetuese dhe është përvetësuar në kushtetutë", rikujton prof. dr. Ismet
Salihu (Leksikon i së drejtës penale, botuar më 2022, fq. 567), duke u
ndërlidhur me nenin 33 të Kushtetutës sonë (Parimi i legalitetit dhe
proporcionalitetit në rastet penale). Përndryshe, parimi i ligjshmërisë i
përgjigjet fjalës së urtë latine Nullum crimen nulla poena sine lege.
Siç po shihet, si nocion, parimi i
ligjshmërisë është vetëm njëri ndër parimet mbi të cilat mbështetet e drejta
jonë moderne penale. I pranuar edhe nga e drejta penale ndërkombëtare, ky
nocion në mënyrë të vijueshme shpërfaqet në trajtë të një standardi juridik
ndërkombëtar në shtetet demokratike të botës.
Le të theksojmë kalimthi se nga
këndvështrimi historik ky parim e ka gjenezën që nga Magna Charta
Libertatum (1215). Le t'i përmendim kalimthi edhe këta tituj dokumentesh të
karakterit ndërkombëtarë në të cilat është përfshirë historikisht parimi i
ligjshmërisë: Karta e OKB (1945), Deklarata Universale për të Drejtat e
njeriut (1948), Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe
politike (1966).
Sipas përmbajtjes së dispozitës penale
të nenit 3.3 të KPK del se ligjvënësi ka sanksionuar parimin
e moslejimit të interpretimit sipas analogjisë. Rrjedhimisht, asnji
organ shtetëror nuk ka të drejtë interpretimi sipas analogjisë ligjore.
Nuk lejohet inkriminimi i veprave penale sipas ngjshmërisë me tiparet e veprave
tjera penale nga KPK. Përtej kësaj, asnji organ shtetëror nuk ka të drejtë
interpretimi as sipas analogjisë juridike sepse,nuk lejohet të inkriminoi vepra
as duke iu atribuuar parimeve juridike, përkatësisht parimeve të sistemit
juridik.
E në situatën kur ekziston pasaktësi,
përkatësisht paqartësi në definimin e një vepre konkrete penale, KPK parashikon
interpretimin në favor të personit kundër të cilit rrjedh procesi penal.
4)3.
Parimi i zbatimit të ligjit më të favorshëm
Me nenin 33.4 të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës proklamon qëndrimin parimor për vlefshmërinë kohore të
dënimeve. Sipas kësaj dispozite, dënimet shqiptohen sipas ligjit i cili ka qenë
në fuqi në kohën kur është kryer vepra. Pra, nuk parashihet veprimi retroaktiv,
përkatësisht efekti prapaveprues i ligjit.
Gjykoj se dispozita e sipërcituar
kushtetuese ka qenë bazë për nenin 3 të KPK i cili rregullon çështjen e
zbatimit të ligjit më të favorshëm, çështje kjo e cila është pjesë integrale e
Kapitullit I të KPK, për shkak të rëndësisë së tij politike dhe juridike.
Me që neni 3 i KPK parashikon që ndaj
kryesit të veprës penale të aplikohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e
kryerjes së saj, duhet patur parasysh pikërisht dispozitën e nenit 9 të KPK.
Kjo dispozitë ofron dy alternativa lidhur me kohën e kryerjes së veprës
penale: e para - kohë e kryerjes së veprës penale konsiderohet koha kur kyesi
ka vepruar apo, e dyta – kohë e kryerjes së veprës penale konsiderohet koha kur
kryesi ka qenë i detyruar të veprojë. Është fare irelevante koha kur është
shkaktuar pasoja.
Nga sa u parashtrua më sipër,
arrihet në përfundimin se KPK ka tumirë "teorinë e veprimit". Sipas
kësaj teorie, kohë e kryerjes së veprës penale konkretisht "te veprat
penale me veprim" merret koha kur kryesi ka realizuar veprimin e caktuar
të veprës penale, ndërsa te veprat penale me mosveprim, kohë e
kryerjes së veprës penale merret koha kur kryesi ka qenë i obliguar të
veprojë pa marrë parasysh kur është shkaktuar pasoja e ndaluar. Këtej, mund të
themi se nuk bëhet fjalë për dispozitë konfuze penale që mundëson efekt
retroaktiv (prapaveprues) të KPK, madje as kur bëhen interpretime të pa qarta
dhe veprime arbitrare të organeve të drejtësisë.
"Lidhur me këtë në procesin e
demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë në përgjithësi dhe të së drejtës
sonë penale në veçanti, në të ardhmën duhet të krijohen mundësi që gjyqet
kushtetuese t'i shpallin të paqena (inekzistente) ato ligje apo dispozita të
ligjeve penale që nuk janë sa duhet të qarta dhe precize", pretendon
eksperti i drejtësisë penale, prof. dr. Ismet Salihu (Leksikon i së drejtës
penale, 2022, fq. 568).
Por, nga leximi i dispozitave të
nenit 3 të KPK, shihet fare qartë se ligjvënësi ka paraparë ca përjashtime ndaj
kryesit të veprës penale që t'mos aplikohet ligji i cili ka qenë në fuqi kur
ajo është kryer.
Kështu, sipas parag. 2. të dispozitës
materiale të sipërcituar, nëqoftë se ligji në fuqi ndryshon para se të
shqiptohet vendimi i formës së prerë zbatohet ligji që është më i favorshëm
prej atyre dy ligjeve (parag. 2). Pastaj, sipas parag. 3. të nenit 3, kur ligji
i ri nuk ka penalizuar veprën por kryesi është dënuar me aktgjykim të formës së
prerë sanksioni penal nuk fillon së ekzekutuari apo ndërpritet gjatë
ekzekutimit. Dhe së fundmi, sipas parag. 4. në qoftë se ligji ka qenë në
fuqi përkohësisht kur është kryer vepra penale dhe më nuk është në fuqi, ka për
tu zbatuar i njejti.
Se cili ligj penal duhet zbatuar për
veprën penale varet nga fillimi dhe mbarimi kohor i ligjt në fuqi.
E kur bëhet fjalë për fillimin e
zbatimit, përkatësisht hyrjen në fuqi të KPK, i njejti ka hyrë në fuqi tre muaj
pas publikimit në "Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës", nr. 2/14,
datë 14 janar 2019. Pretendojmë se do t'ishte më e sigurtë sikundër do të
thuhej: "KPK hyn në fuqi më 14 prill 2019". Pra, të precizohet data e
saktë kalendarike e hyrjes së KPK në fuqi në vend se të thuhet "hyn në
fuqi tre (3) muaj pas publikimit." Përndryshe, periudha kohore tre
mujore e vocatio legis, ka qenë në funksion të transparencës, që t'u
mundësohet qytetarëve njohja me përmbajtjen e KPK për t'ardhmën (pro
futuro), me inkriminime të veprave penale dhe me përcaktimin e
sanksioneve penale (llojin dhe minimumin e maksimumin) që të arrihet siguri sa
më e madhe.
Përndryshe, në praktikën legjislative
aktet e ndryshme juridike hynë në fuqi në disa mënyra: p.sh. në ditën e
publikimit; para publikimit në "Gazeta zyrtare", etj.
Edhe sipas literaturës juridike dhe
praktikës legjislative duhet shmangur numrin e ditëve të caktuara (8, 15, etj.)
nga dita e publikimit që një akt juridik të hyjë në fuqi. Fundja, literatura
dhe praktika në fjalë rekomandojnë që të saktësohet dita e hyrjes në fuqi duke
iu referuar datave kalendarike.
E sa i përket mbarimit të vlefshmërisë
së KPK, kjo çështje nuk është rregulluar me Kushtetutën tonë. Ndërkohë që edhe
për mbarimin e vlefshmërisë së aktit juridik, literatura juridike dhe
praktika legjislative njeh disa mënyra se si pushon së qenuni i vlefshëm akti
konkret juridik. Njëra prej këtyre mënyrave është shfuqizimi (lënia jashtë
fuqie e ligjit) përmes ligjit pasues, ligjit të ri. Kjo mënyrë përkon
plotësisht me rregullën latine lex posterior derogat priori (Ligji i
mëvonshëm derogon ligjin e më parshëm).
Për t'iu shmangur ligjit të
disfavorshëm letërsia e së drejtës penale, ofron një vistër rregullash si
ndihmesë për identifikimin e ligjit më të favorshëm, më të butë. Këto rregulla
orientojnë tek: ligji i cili parashikon mosndëshkim për veprën e kryer; ligji
që parashikon lirim nga dënimi; ligji që parashikon përjashtimin e
kundërligjshmërisë së veprës së kryer apo fajësinë; ligji që parashikon llojin
e butë apo lartësinë e dënimit; ligji që parashikon zbatimin edhe të
normave tjera që merren parasysh me rastin e përzgjedhjes së llojit dhe
lartësisë së dënimeve apo sanksioneve penale. E thënë përfundimisht, më i butë
quhet ai ligj i cili e sjell kryesin e veprës në pozitë më të mirë.
4)4.
Sanksionet penale dhe masat e trajtimit të detyrueshëm
Në kuadër të Kapitullit I, pikërisht në
nenin 4, KPK ka renditur sanksionet penale dhe masat e trajtimit të detyrueshëm
të cilat mund t'i shqiptohen kryesit të veprës penale gjatë vendimmarrjes
penale në një rast specifik. Pluralitetin e këtyre sanksioneve penale përbëjnë:
1) Dënimet kryesore; 2) Dënimet alternative; 3) Dënimet plotësuese dhe 4)
Vërejtja gjyqësore.
Secili prej këtyre grupimeve të
sanksioneve penale, të cilat do i zbërthejmë në vija të trasha, përmban
lloje të caktuara sanksionesh që mund t'i shqiptohen kryesit të veprës
penale.
Ndaj, paraqitet domosdoja që dispozita
e sanksioneve penale (neni 4) të lidhet me dispozitat tjera të KPK,
specifikisht me: llojin e dënimeve (neni 39); vërejtjen gjyqësore (neni 82) dhe
masat e trajtimit të detyrueshëm (neni 84). Sa i përket pluralitetit të masave
të trajtimit të detyrueshëm lidhet me: 1) Trajtimin e detyrueshëm
psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor; 2)
Trajtimin e detyrueshëm psikiatrik në liri dhe 3) Trajtimin e rehabilitimit të
detyrueshëm të personave të varur nga droga ose alkooli.
Kur ndërlidhen kësisoj normat juridike
të jurisprudencës penale materiale që kanë të bëjnë me llojin dhe klasifikimin
e sanksioneve penale, atëherë mund të flitet për një sistem të plotë
sanksionesh penale dhe masash të trajtimit të detyrueshëm. E sanksionet e
tilla penale qoftë si grupim në vete, qoftë si sanksion konkret penal kanë
rëndësi politiko-kriminale. Këto juridikisht mëtojnë arritjen e efektit të
caktuar pozitiv, përkatësisht arritjen e qëllimit të caktuar shoqëror.
KPK nuk përmban dispozita unike
dedikuar enkas qëllimit të sanksioneve penale në përgjithësi. Ç'është e
vërteta, KPK përmban dispozita të ndara – në një anë dedikuar vetëm qëllimit të
dënimit (neni 38), në tjetrën anë dispozita dedikuar vetëm qëllimit të
vërejtjes gjyqësore (neni 81).
Derisa për dënime KPK specifikon
gjithsej katër qëllime, për Vërejtjen gjyqësore, si sanksion parapenal,
parasheh vetëm një qëllim. Kështu, katër qëllimet që i atribuuohen dënimit
janë: 1) parandalimi i kryesit të veprës penale për t'ardhmën që t'mos kryjë
vepra penale; 2) parandalimi i të tjerëve që t'mos kryjnë vepra penale;
3) kompenzimi i humbjeve ose dëmeve që kanë pësuar viktimat, përkatësisht
komunitetet prej veprave penale dhe 4) gjykimi i shoqërisë për veprën e kryer
penale dhe ngritja e moralit e forcimi i detyrimit për t'respektuar ligjin.
Ndërkaq, i vetmi qëllim që i atribuuohet vërejtjes gjyqësore del të jetë
qortimi i kryesit të veprës në rastin kur është i mjaftueshëm për t'u arritur
qëllimi i dënimit.
4)5.
Kufizimet në ekzekutimin e sanksioneve penale dhe të masave të trajtimit
detyrueshëm
Kushtetuta jonë, duke garantuar të
drejta dhe liri themelore, parasheh edhe mundësinë e kufizimit të tyre, por
vetëm me anë ligji dhe vetëm aq sa duhet që të përmbushet qëllimi konkret. Pra,
jo të përmbushet ndonjë qëllim tjetër eventual që mund të shkaktoi mungesën e
sigurisë juridike për qytetarë dhe për pasojë të mos kenë akses të barabartë në
drejtësi.
Pos këtyre mundësive kufizuese përmes
ligjit, Kushtetuta jonë parashikon edhe detyrimin për organet shtetërore, me
theks të posaçëm për gjykatat, që të përkujdesen për një spektër rrethanash të
cilat ndërlidhen me çështjen e kufizimit: të "esencës së të drejtës që
kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të
kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe
të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të
vogël." (neni 55.4 i Kushtetutës sonë). Në dritën e këtyre
kufizimeve Kapitulli I, me nenin 5 të KPK, ka përfshirë kufizimet specifikisht
në ekzekutimin e sanksioneve penale dhe masave të trajtimit të detyrueshëm.
Përndryshe, kjo dispozitë sikundër
rezulton edhe nga vet emërtimi i referohet dy çështjeve të veçanta: e para -
ekzekutimit të sanksioneve penale dhe e dyta - ekzekutimit të masave të
trajtimit të detyrueshëm të kryesve të veprave penale.
Si pjesë integrale e Kapitullit I të
KPK, kjo dispozitë e përgjithshme ka ngel e vetme në nenin 5 për faktin se
materja e ekzekutimit të sanksioneve penale dhe masave të trajtimit të
detyrueshëm rregullohen në detaje me legjislacionin penitenciar e nuk është e
nevojshme të rregullohet më gjërësisht me KPK.
Megjithë këtë, teoria e së drejtës
penale nuk ka qëndrim unik nëse kjo degë e së drejtës duhet apo jo të përmbajë
zgjidhje, qofshin edhe parimore, nga domeni i të drejtës penale ekzekutive
(penologjia) si degë e veçantë e legjislacionit penal dhe si degë e
shkencës.
Gjykuar sipas dispozitës së nenit 5 të
KPK, parashihet vetëm mundësia që kryesit të veprës penale t'i kufizohen të
drejtat gjatë ekzekutimit të sanksioneve penale. Ky kufizimi i të drejtave
reflektohet kumulativisht në dy aspekte: 1) në aspektin e masës (vëllimit), kur
të drejtat kufizohen deri në masën që i përgjigjet natyrës apo
përmbajtjes së sanksionit, përkatësisht masës dhe 2) në aspektin e mënyrës, kur
të drejtat kufizohen aq sa sigurojnë respektin e dinjitetit njerëzor.
Së këndejmi, thënë shkoqur, përmes
kufizimeve të mësipërme në ekzekutimin e sanksioneve penale dhe masave të
trajtimit të detyrueshëm, KPK paraqet një dëshmi parimore për qasjen e
legjislacionit tonë penal ndaj individit në kuptim të mbrojtjes së
lirive njerëzore, personalitetit të tij dhe dinjitetit njerëzor, gjithnjë në
pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
4)6. Zbatimi i
pjesës së përgjithshme të KPK
Nga përmbajtja e dispozitës së fundit,
nenit 6 I cili përmbyll Kapitullin I, të KPK, rezulton se dispozitat e Pjesës
së përgjithshme, (Kapitulli I – XIII) zbatohen ndaj të gjitha veprave
penale të inkriminuara me ligjet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu
legjislacionin kryesor penal (KPK dhe Kodi i Drejtësisë për të Mitur) dhe atë
sekondar (të posaçëm).
Përndryshe, Pjesa e përgjithshme e KPK,
e cila hapet me Kapitullin I, titulluar "Dispozitat e përgjithshme",
paraqet platformën, fundamentin mbi të cilën është ndërtuar i tërë
legjislacioni juridik pozitiv penal i Republikës së Kosovës. Për rrjedhojë, të
gjitha dispozitat tjera duhet të përkojnë në plotëni me ato të Pjesës së
përgjithshme të KPK.
Përmbyllja
Dispozitat e përgjithshme, siç
emërtohet Kapitulli I i Pjesës së përgjithshme të KPK janë shkoqitur dhe
zbërthyer në kuadër të gjashtë neneve (1-6). Duke iu referuar titujve të këtyre
neneve del se ato duke reflektuar përmbajtjen e dispozitave veç e veç janë
inkorporuar në kapitull të veçantë, madje në Kapitullin e parë të KPK,
gjë që nuk ndodh edhe në vende tjera.
Duke qenë me karakter të përgjithshëm,
na thotë mendja se, këto dispozitat e Kapitullit I të KPK nga brendia,
përkatësisht nga përmbajtja e tyre, paraqesin parime (themelore) apo principe
(themelore) penalo-materiale.
Fare në fund të themi se, si të tilla,
dispozitat e përgjithshme nga Kapitulli I i KPK, kanë rëndësi të veçantë
sidomos kur lypsen zgjidhje ligjore për çështje konkrete teoriko-praktike të
ndërlidhura me institute juridike penale materiale.


