Dorian Koçi: Disa konsiderata historike rreth betejës së Torviollit

Disa konsiderata historike rreth betejës së Torviollit

Më
29 qershor 1444, në fushën e Dibrës së Poshtme, u zhvillua një prej betejave më
të rëndësishme në historinë e hershme të rezistencës arbëre kundër Perandorisë Osmane – Beteja e
Torviollit. E udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kjo përballje
ushtarake nuk ishte thjesht një fitore taktike ndaj trupave osmane të komanduar
nga Ali Pasha, por një sinjal i qartë i ripërtëritjes së një identiteti të
bashkuar arbëror dhe fillimi i një epoke të re të qëndresës së organizuar në
Ballkan.
Pas
dekadash të përparimit të pandalshëm osman në Ballkan, me rënien e Serbisë dhe
Bosnjës, Arbëria mbeti ndër të paktat territore që u shfaqën të afta për
rezistencë të koordinuar. Rilindja politike e Gjergj Kastriotit në nëntor të
vitit 1443, kur ai mori kontrollin e Krujës dhe shpalli rebelimin e tij kundër
Sulltanit, përkoi me zhvillimet në skenën ndërkombëtare, ku Papati dhe
mbretëritë katolike po kërkonin aleatë për të ndalur vërshimin osman.
Formimi
i Besëlidhjes së Lezhës më 2 mars 1444 ishte një moment kyç që parapriu Betejën
e Torviollit. Ajo e transformoi çështjen arbërore nga një rebelim lokal në një projekt
panarbëror me rezonancë ndërkombëtare. Princat shqiptarë, nga Dukagjinët te
Muzakajt dhe Arianitasit, u bënë bashkë për të luftuar nën një flamur të
përbashkët.
Përgatitja
e betejës ishte një përpjekje e shkëlqyer. . Në një terren që njihej mirë nga
vendasit dhe i favorizonte mbrojtësit, Skënderbeu vendosi të përdorë taktikën e
pritës. Ai ndau forcat në tri krahë dhe vendosi 3000 ushtarë në fshehtësi në
pyjet përreth, me urdhrin që të dilnin në momentin kur forcat kryesore të
armikut të ishin angazhuar. Kjo është një strategji klasike e ndarjes dhe
përqendrimit të forcave, që rezultoi vendimtare për fitoren.
Ai
ruajti rezervat dhe përgatiti një vijë të tretë, me një formacion harkor që i
siguronte fleksibilitet dhe mbështetje taktike. Për më tepër, Skënderbeu tregoi
disiplinë të lartë komandimi, duke pritur që forcat osmane të futeshin thellë
në fushë përpara se të jepte urdhrin për sulm. Kjo metodologji e betejës, për
kohën, ishte e avancuar dhe e krahasueshme me taktikat perëndimore të
komandantëve europianë, por e mbështetur dhe në taktikat e luftëra e arbërore
të përshtatura për terrene malore.
Një nga pyetjet që
shoqëron historinë e kësaj beteje është se ku u zhvillua?
Vendndodhja
e saktë e Betejës së Torviollit mbetet ende objekt debati mes historianëve.
Sipas përshkrimeve të Barletit dhe analizave të mëvonshme të studiuesve si
Kristo Frashëri, vendi më i mundshëm është fusha mes Peshkopisë dhe zonës së
Ujmishtit, pranë rrjedhës së Drinit të Zi. Toponimi “Torvioll” nuk përmendet më
në hartat e sotme, çka lë të kuptohet se ka qenë një emër lokal i zhdukur me
kohën, por ndoshta i lidhur me luginën mes dy kodrinave që ofronte kushte
ideale për pritë dhe për manovrim ushtarak.
Pas
një nate të gjatë provokimesh dhe talljesh nga osmanët, të cilët e panë
heshtjen shqiptare si dobësi, në agim, Skënderbeu dha urdhrin për sulm. Forcat
shqiptare shpërthyen me furinë e akumuluar dhe sulmi nga pas i pritës i çoi
osmanët në panik dhe shpartallim. Ali Pasha u rrethua dhe për pak sa nuk u vra
në betejë, ndërsa një pjesë e mirë e trupave osmane u dorëzuan ose u masakruan.
Raportet e kohës flasin për rreth 22,000 të vrarë nga pala osmane, ndërsa
humbjet shqiptare ishin simbolike – vetëm 120 të vrarë, sigurusht numra të
egzagjeruar nëvkontekstin e panegjerikëve që shkruheshin gjatë Rilindjes
Europiane.
Kjo
fitore në pak orë jo vetëm ngriti moralin shqiptar, por i dha Skënderbeut emrin
e një komandanti të pamposhtur, që e ndoqi në të gjithë karrierën e tij
ushtarake. Lajmi i Betejës së Torviollit
u përhap shpejt në kancelaritë perëndimore. Ajo interpretohej si një fitore e
krishterimit kundër "rrezikut turk", në një kohë kur Europa ishte
ende e lënduar nga përsparimi i shpejtë osman dhe kërkonte shembuj frymëzues të
qëndresës. Papa Eugjeni IV dhe më pas Nikolla V e përshëndetën Skënderbeun,
ndërsa vendet si Napoli, Venediku dhe Ragusa filluan të kërkonin aleanca të
drejtpërdrejta me të.
Figura
e Skënderbeut, pas kësaj fitoreje, filloi të krahasohej me heronjtë legjendarë
të Perëndimit nga Papati. Kjo jehonë
kontribuoi në ndërtimin e një identiteti europian për Arbërinë, e cila ndonëse
territorialisht jashtë Perëndimit latin, tashmë pozicionohej moralisht dhe
politikisht brenda kampit të rezistencës europiane.
Fitorja e Torviollit nuk ishte vetëm një ngjarje ushtarake, por edhe një model politik bashkimi dhe vetëdije identitare. Ajo formësoi për herë të parë në historinë mesjetare shqiptare idenë se, përballë një rreziku të përbashkët, feudalët dhe krahinat mund të bashkëpunojnë për një qëllim më të madh – mbrojtjen e atdheut dhe të identitetit të tyre. Ky model do të frymëzojë më vonë jo vetëm kronikanët e Rilindjes, por edhe ndërgjegjen kombëtare moderne.
Ja si e përshkruan Marin
Barleti betejën që hapi siparin e epopesë skënderbejane në veprën e tij madhore
“Historia e Skënderbeut” (1510):
"Në
perëndim të diellit, Skënderbeu ngriti çadrat në Dibër të Poshtme, 80000 hapa
larg Krujës, pranë një kodrine të mbuluar me ferra ose, më drejt, pranë një
pylli plot me drunj shumë të dendur. Këtu, para së gjithash, gjeti një vend të
përshtatshëm për të ngritur prita, për arsye sidomos sepse merrte vesh që
armiku po vinte me forca shumë të mëdha, pastaj, pasi i ra anembanë tërë vendit
me kalë dhe e hetoi me kujdesin më të madh me qëllim që t'ia arrinte fitores me
një gjakderdhje sa më të vogël nga ana e vet, vendosi atje Gjin Muzakën dhe
Hamzën bashkë me 3000 veta, duke e porositur që të mos luanin vendit para se të
shikonin se ai bashkë me ushtrinë ishte përleshur me armikun dhe se po vlonte
gjaku nga të dyja anët. Atëherë, duke shpërthyer në çastin e duhur kundër
armikut dhe duke iu lëshuar me vrull e papritmas nga prapa, ta vdiste nga frika
e ta bënte copë-copë, duke e vënë në mes dy zjarresh.
Me
t'u rregulluar këta, s'vonuan shumë dhe ia mbërritën fluturimthi barbarët, të
cilët i ngulën çadrat e zunë vend jo larg forcave të Kastriotit, pa ditur gjë
fare nga të gjitha këto. Tanët morën urdhër që t'i shuanin menjëherë zjarret
dhe një pjesë të binin të flinin e një pjesë të bënin rojë. Kjo u dha edhe më
tepër zemër turqve, prandaj këta, pasi i ndezën vetë zjarret gjithkund, po
talleshin me tanët, që rrinin në errësirë, duke ua quajtur këtë një turp dhe
frikë të heshtur. Dhe, ndërsa bënin zhurmë pothuajse mu rrëzë pahisores, duke
shfryrë mërinë e tyre me fjalë dhe me vepra njëkohësisht, u vërsuleshin gjatë
gjithë natës portave, lëshonin të shara dhe me zor u përmbajtën pa sulmuar e pa
rrethuar kampin. Por skënderbegasit s'bënin fare zë, s'u kthenin asnjë
përgjigje, rnegjithëqë kishin se ç't'u përgjigjeshin me plot të drejtë; ata
kishin një dëshirë të flaktë: të dilnin dhe të shpërthenin me sulm kundër
armikut, ngaqë s'mund t'i duronin më gjithë ato fyerje dhe sharje të tij, por,
sipas urdhrit të kapedanit, ata qëndronin brenda në kamp pa nxjerrë zë dhe
kështu barbarëve, gjersa Epiroti s'u jepte rast për t'u përleshur, u shtohej
tërbimi.
Kur
tashmë po agonte, Skënderbeu u dha urdhër të vetve që të kujdeseshin para së
gjithash për trupin e vet, me qëllim që, në rast se ndonjë fat i keq i luftës,
kundër shpresës së tij, e zgjaste, si për qesëndi, më tepër betejën, ushtria, e
pangrënë, e dërrmuar nga uria, që natyra njerëzore nuk mund ta mposhtë, të mos
e vazhdonte më me pak vrull luftën për fitore. Dhe kështu hëngrën në qetësi.
Pas kësaj ai i nxori nga kampi të gëzuar, me shpirt e me trup që u fluturonte,
dhe plot shpresë e mëri, duke i ndezur edhe vetë fort për ngadhënjim para se të
fillonin nga puna. Pastaj, me qëllim që t'i merrte vesh mirë fuqitë e armikut,
para se të ndeshej përfundimisht me të, bëri disa prova me ndeshje të lehta, më
shpesh të kalorësisë se të këmbësorisë. Kështu po gatitej për betejën e
vërtetë.
Në
krahun e majtë ai vuri Tanushin me 1500 kalorës dhe me po aq këmbësorë, por
kalorësinë, duke shpërndarë nëpër të disa këmbësorë shigjetarë, ai e vendosi në
ballë, me qëllim që t'ia nisnin betejës të parët kalorësit dhe që kjo betejë
kalorësiake të mos ishte pengesë për këmbësorinë tjetër, e cila do të hidhej në
sulm apo do të tërhiqej për te të vetët, kur ta kërkonte puna. Në krahun e
djathtë vepronte, po me këtë rnënyrë, Moisiu i Dibrës, kapedan i tij. Edhe ky
vijën e parë e zuri me turmën e kalorësve të legjioneve të veta, me një mënyrë
që këmbësorët ta kishin të lirë daljen nga çdo anë dhe zmbrapsjen të sigurt,
sado që kjo punë për t'i drejtuar në betejë s'kishte shumë rëndësi të bëhej me
ushtarët dibranë. Dhe, me të vërtetë, daç vë kalorës, daç këmbësorë, në vijë të
parë apo të dytë, çdo gjë e ke të siguruar me ta; ata s'i lajthit kurrë fati,
atyre s'u shpëton kurrë fitorja nga duart, ngaqë dinë se ç'bëjnë. Kështu këta
ushtarë kryetrima janë mësuar që edhe rregullin ta mbajnë, edhe fatin, kudo që
të jetë, ta tërheqin pas vetes. Vendin në mes dy krahëve (qendrën), duke i
dhënë rreshtimit një formë si prej harku të përkulur, e mbante Kastrioti bashkë
me fuqitë e tjera. Edhe ky në ballë vuri kalorës, më se 1000, për arsye se,
duke qenë që kundërshtari s'kishte asnjë këmbësor, nuk e gjykoi të parrezikshme
ta hidhte këmbësorinë kundër furisë së parë të stuhisë kalorësiake. Pranë tyre
vuri gati po aq shigjetarë, duke i urdhëruar që të ndiqnin pas kalorësinë me
qëllim që kështu të ishin më të siguruar prapa saj dhe të mos ishin të
ekspozuar kundrejt armikut, ndërsa barbarin, që nuk do të dyshonte aspak për
një gjë të tillë, ta lanin më tepër në gjak. Ndërmjet këtyre dhe atyre ai zuri
vend vetë bashkë me të nipin, Gjergj Stresin, një djalosh trim. Atë e rrethonin
nga të dyja anët ushtria dhe rinia krutane, sepse me qëllim kishte dashur që
njëkohësisht të ishte edhe spektator, edhe nxitës për t'u dhënë zemër
qytetarëve të vet. Pas shigjetave vinin menjëherë fuqia tjetër e kalorësisë dhe
radhët e mburojtarëve e të heshtarëve bashkë me Aidinin (Aidin Muzaka), vëllanë
e Gjinit. Vijën e fundit dhe detyrat e rezervës i mbante Vrana Konti, luftëtar
i urtë dhe trim njëkohësisht, bashkë me kalorësit e tjerë. Megjithëkëtë,
këmbësorët që ishin para tij kishin urdhër që, sapo t'i shikonin të vetët të
dilnin nga pusia dhe armikun të ndrydhur nga prapa dhe të vënë në mes të dy
krahëve, menjëherë, duke hapur rreshtat, t'u lëshonin rrugë kalorësve, të
cilët, duke qenë të freskët e duke i kallur një frikë tjetër kundërshtarit,
ashtu i lodhur siç ishte, ta shpartallonin e të bënin kërdi në të; përkundrazi,
këmbësorët vetë, pasi të grumbulloheshin përsëri në vend, t'i siguronin mirë
radhët, si rezervë dhe ushtarë të vijës së tretë që ishin, dhe të mos lejonin
që të çahej ushtria, gjersa ta shikonin të sigurt shenjën e fitores e të
pandreqshme gjendjen e armikut.
Skënderbeu,
pasi e radhiti kështu ushtrinë, qëndronte pa lëvizur, as kishte mundësi që të
tijtë ta shtynin dikur të jepte shenjën e sulmit kundër armikut, para se të
shikonte se edhe barbari, i rreshtuar sipas zakonit të vet, po lëshohej në
betejë, sepse kishte frikë se mos, po të shpërthenin ushtarët në sulm kundër
armikut të parreshtuar, shkelnin rregullin nga dëshira për të sulmuar dhe
sillnin në rrezik gjendjen e mbarë ushtrisë.
Ali
pasha, duke vënë re formimin e ushtrisë sonë dhe duke përsëritur: «Më të paktë,
gjithmonë më të paktë dhe më në rrezik», tallej me atë rreshtim si ai e me atë
madhëri të një ushtrie të parrahur (të papërvojë, - Ali pasha tallej kështu me
të gjithë ushtritë me të cilat ndeshej), që po marshonte me aq rregull drejt
varrimit të vet.
Një
legjion otoman kishte bërë më me guxim përpara legjioneve të tjera; kundër tij
u turrën me guxim ushtarët e pararojës. Barbarët, pasi e prishën rregullin që
në sulmin e parë, nuk e mbajtën dot veten, po u tërhoqën gjer te çadrat duke
marrë me të vërtetë arratinë dhe me një frikë, që s'e fshihnin dot, nuk pritën
që të provohej fati i gjithë ushtrisë. Por Skënderbeu, duke pasur frikë për
ndonjë dredhi të armikut dhe duke menduar për ndonjë pusi, lëshoi menjëherë një
pjesë të kalorësisë, që të frenonin vrullin e shokëve dhe ta kthenin secilin në
radhët e ushtrisë dhe në vend të vet. Po kjo u bë edhe në krahun e majtë.
Kështu, pasi të dyja palët u kthyen te të vetët, po bëheshin gati përsëri për
përleshje, për një ndeshje më të rregullt të të gjithë ushtrisë. Por barbarëve
u ishte shtuar guximi, sepse një pakicë e tyre kishte vënë gjoja në lojë një
pjesë të madhe të ushtrisë sonë.
Beteja,
pra, filloi rishtazi. Tanushi dhe Moisiu, pasi i ndanë në mes tyre krahët e
armikut, ia nisën ndeshjes me rreptësi. Ashtu edhe Kastrioti, si u dha zemër
aty për aty kalorësve, sulmoi atë pjesë të ushtrisë armike, që kishte marrë
përsipër. Kalorësit në pritë, pa u hedhur ende armiku me të gjitha forcat
kundër tanëve, dolën pa vonesë nga pusia me një potere shumë të madhe dhe, para
se të zbrisnin në fushë të gjithë kuajt, radhët më të shumta dhe të gjithë ata
më të fundit e ushtrisë turke, të tmerruar nga frika e papritur, morën
arratinë, duke lënë betejën dhe kampin. Gjithë ata të vijës së parë, që u
mbyllën ndërmjet të dy krahëve nga tanët, iu dorëzuan legjionit të mesit.
Mbetej një pykë e ushtrisë armike, që Skënderbeu nuk mund ta lëvizte nga vendi
dhe as guxonte t'i binte përmes që ta çante; në atë vend barbari, më i shumtë
në numër, kishte formuar disa si ledhe. Atje Ali pasha, i rrethuar, siç u duk
menjëherë në fund të betejës, nga lulja e gjithë ushtrisë dhe nga armët e më
trimave, po mbante në këmbë fatin e luftës tashmë të lëkundur.
Aidini
gjithashtu në qendër të frontit e kishte larë tani tokën kudo me gjak të barbarëve.
Lufta ziente këtu më e ashpër se kudo, sepse armiku, gati i rrethuar, duke parë
se s'i mbetej asgjë tjetër përveç armëve, po sulmonte sa mundte më rreptë, për
të mos rënë pa u shpaguar. Përveç kësaj, atje kishte tërhequr edhe të tjerë
fati dhe lajthitja ogurzezë e luftës e shumë veta, kur kishin dëgjuar se në
ç'rrezik gjendeshin shokët e vet, u kishin shkuar shpejt në ndihmë. Kështu, sa
më shumë barbarë që grumbulloheshin, aq më tepër zgjatej edhe beteja edhe nuk
dihet se ç'përfundim do të kishte marrë sikur Vrana Konti, duke shpërthyer
menjëherë në sulm me forca dhe me vrull të freskët, të mos ishte përleshur me
armiqtë, që tanimë ishin lodhur dhe po u merreshin këmbët, edhe sikur të mos
kishte përlarë çdo mbeturinë që qëndronte akoma. Megjithëkëtë kalorësia e këtij
e sulmoi barbarin më me vonesë dhe u shkoi në ndihmë të vetve, kur ishin
pothuaj në rrezik, sepse, nga frika se mos ushtria mbetej krejt e zhveshur prej
çdo ndihme rezervë, gjeti, si më të sigurt, kohën për të shpërthyer në sulm,
kur pa se ishin përleshur me të gjitha forcat të dy krahët dhe Garda
Mbretërore. Me këtë mënyrë u grinë të gjithë e s'mbeti këmbë, përveç treqind
vetave, kundër të cilëve, në bazë të së drejtës së luftës, Kastrioti s'e pa të
udhës të shfrynin, gjersa po i ngrinin duart të paarmë dhe gati të mbaruar nga
plagët.
Si
mbaroi, pra, kjo punë dhe mori fund tërë ai mund i luftës, legjionet fitimtare
po drejtoheshin me gëzim të madh e me brohori për te Skënderbeu, ku gjithçka e
gjetën në gaz, sepse ushtria krutane e kishte bërë copë gjithë pykën dhe, pas
një kërdie të tmerrshme, i dha kapedanit të turqve arratinë duke e ndjekur larg
e më larg. Kudo gjak e vrasje, kudo s'dëgjohej tjetër veçse ulërima e atyre që
po jepnin shpirt. Një palë po u hidhnin prangat robërve, një palë të tjerë,
duke e lënë të shëmtuar trupin e armiqve, i merrnin kokën dhe e ruanin si
dhuratë të veçantë për komandantin. Më të shumtët po plaçkitnin kampin, sepse
njerëzit lakmonin më tepër plaçkën. Kështu ushtria, gjithkund fitimtare po
sillte nëpër mend atë fitore aq të shkëlqyer, të cilën mezi e besonte edhe vetë
i munduri, dhe po admironte atë punë aq të madhe, të kryer në një kohë aq të
shkurtër, (se lufta u bë që nga agimi i diellit gjer në orën e tretë të ditës).
Në këtë luftë u vranë nga barbarët afro 22000, 2000 u kapën të gjallë. U zunë
24 flamuj ushtarakë. Nga fitimtarët ranë pak, mezi bëheshin 120, por numri i të
plagosurve ishte shumë më i madh.
Kështu
Epiroti atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korri një fitore me
të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë
mundësi jo vetëm ta ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta
detyrojnë për një gjë të tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i
përsosur në të gjitha veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e
domosdoshme për t'u përleshur. Më në fund për komandantët dhe ushtarët do të
mund të thosha këtë: «Atë ditë luanët kanë komanduar luanë». Pjesa jo më e
vogël e këtyre ishin veteranë, që kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të
atin e Skënderbeut, kështu që ata mund t'i merrje jo për ushtarë, por për
mjeshtër të zgjedhur të ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë
të tillë e po t'ia thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund.
Pasi
u arrit fitorja, Skënderbeu e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me
qetësinë më të madhe. Në mëngjes, plot krenari për fitoren, iu përvesh punëve
të tjera, duke e tërhequr ushtrinë ende të përgjakur në një punë jo më pak të
pëlqyeshme, në plaçkitjen e viseve armike. Grupe-grupe u lëshuan të gjithë pa
dallim pa asnjë rregull, pa njeri në krye, me një përbuzje dhe mospërfillje, të
cilat lindën, siç ndodh, prej suksesit që patën. Por kapedani i matur dhe që
s'dehej kurrë nga sukseset, i frenoi mirë dëshirat e ushtarëve, gjersa
zbuluesit e dërguar njoftuan se s'kishte gjëkundi rrezik nga pritat. Atëherë,
me t'u lënë e lirë plaçkitja, kalorësia u derdh kudo mbi tokën armike e po
shfrynte mbi të mirat e fushës, mbi bagëtinë dhe më në fund mbi vetë pemët. E
fryrë nga fitorja që sapo kishte korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e
asgjë nga ato që mund të prishë shpata dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe
fëmijë. Plaçka po sillej nga çdo anë me një shamatë të atillë, saqë dukej sikur
po ngjante një pështjellim tjetër lufte dhe sikur ziente i gjithë vendi plot me
luftëtarë.. As për plagët s'donte t'ia dinte kush. Dhe me të vërtetë, lakmia në
këtë rast kishte tërhequr edhe shumë nga ata që dolën të plagosur prej betejës.
Asnjëri nuk rëndohej, nuk e ndiente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që
sapo i patën. Të paktën plaçka e begatshme, siç ndodh, askujt nuk i jepte
mërzi. Kështu ushtria iku më tepër e mërzitur për disa gjëra që s'mundi t'i
merrte, sesa e gëzuar për ato që mori.
Si
plaçkitën mjaft e shfrynë sa u ngopën nëpër vendin e armikut, Skënderbeu dha
shenjën e nisjes. Pas tij, e ngarkuar me plaçkë dhe tërë gëzim, po vinte
ushtria që u nis pa vonesë. Kapedanët po shkuleshin së qeshuri nga shakatë që
bënin me ushtarët e vet, duke i quajtur frikamanë, sepse nga luftëtarë kryetrima
ishin kthyer në rrëmbyes bagëtish dhe nga mbrojtës të Arbrit në ruajtës dhensh.
Kështu ushtria, si në festë, me një gëzim që s'kishte të mbaruar e me shaka e
këngë njëra pas tjetrës, po vazhdonin pa e ndier lodhjen e rrugës, gjersa u
përshëndetën nga rojat e kampit që kishin dalë përpara pahisores.
Pasi
e kaluan atë natë në kamp, Skënderbeu të nesërmen, kur sapo kishte aguar drita,
dha urdhër të mblidhnin plaçkat dhe bashkë me ushtrinë fitimtare u nis për në
qytetin mbretëror të Krujës. Populli, që ishte derdhur nëpër gjithë rrugët, po
i priste me brohori, duke i quajtur fitimtarë një për një. Të gjithë çuditeshin
me plaçkën e madhe. Kalorësit e rinja) mezi njiheshin nga njerëzit e vet. Për
shumë ditë me radhë u bënë përgëzime dhe gjithë princërve të Epirit iu dërguan
letra të kurorëzuara me dafina si edhe disa flamuj ushtarakë; një pjesë tjetër
e këtyre u ngulën nëpër faltore.





