Blerim Rrecaj: Prej rrënimit në ringritje

2h më parë

Prej rrënimit në ringritje

Nga Blerim Rrecaj

Libri i Korab Blakajt "Shqiptari përballë rrënimit" (me nëntitullin: Një thirrje për ringritje kombëtare) është një libër që paraqet gjendjen e kombit shqiptar në ditët e sotme, pa dorëza, me vendosnëri e guxim.

Dhe siç dihet kjo gjendje nuk është aspak e mirë, as e lehtë për t'u kapërdirë, përkundrazi është e pakëndshme dhe e rëndë në çdo fushë, aspekt e pore të jetës.

S'ka si të jetë ndryshe derisa shkilet interesi kombëtar, përbuzen e keqpërdoren heronjtë e dëshmorët, nëpërkëmben vlerat e kombit, mungon zhvillimi ekonomik, institucionet mbushen me të paditur, militantë e servilë,  mediat me gazetarë e analistë që çirren, bërtasin, shajnë e i sulen njëri-tjetrit si të marrë, me organizata të ndryshme që nxisin përçarje e urrejtje, me intelektualë që heshtin, me klerikë që nxisin përçarje në vend të harmonisë fetare e kombëtare, me të infiltruar të llojllojshëm nga lloj lloj shërbimesh të huaja nëpër të gjitha këto institucione me  qëllimin e vetëm rrënimin e identitetit shqiptar, duke iu kundërvënë në mbarë vendin tonë nga bijtë e bijat më të mira  që me vetëdije kërkojnë

zhvillim e përparim të njëmendët për të cilin u bënë aq përpjekje, u bënë aq sakrifica, e aq e aq luftëra për liri e bashkim kombëtar.

Libri flet për  gjendjen në terren, për deformimet e mëdha që përjetojmë çdo ditë, për keqfunksionimin e politikës përbërë nga paqartësi qëndrimesh qoftë nga pozita e qoftë nga opozita, (Shqipëri, Kosovë e në të gjitha trojet) duke u lënë anash interesi i përgjithshëm e afatgjatë i gjithë qytetarëve.

Për moskujdes rinisë e  cila mrizon banaliteteve e absurditeteve, bredhërit pa punë, duke bjerr kohën jo nëpër shkolla e fakultete të mirëfillta, jo nëpër shkolla profesionale, jo nëpër fabrika, punëtori e ferma, por nëpër kafene e duke u bërë pjesë e politikës që për t'u marrë me të kërkohet nështrim, servilizëm, cinizëm e kokëfortësi.

Libri flet për shumë plagë, për shumë çështje që nuk trajtohen si duhet, për të na sjellë të zgjidhjet e vërteta ku mbizotëron drejtësia e meritokracia.

Pas gjithë kësaj fotografie të gjendjes, pas këtij

skenimi, pas kësaj diagnoze që paraqitet në këtë libër, ku nuk flitet për se çfarë dëshirojmë e kemi qejf të dëgjojmë por për atë që ngjet në të vërtetë dhe rrugën e vështirë që pret përpara, për t'i bërë ballë kësaj stërkeqeje e këtij rrënimi.

Në këtë libër vërejmë se roli i individit në këtë gjendje është thelbësor e shumë i rëndësishëm siç ka qenë gjithmonë, edhe kur ai është anashkaluar, shpërfillur, sepse janë njerëzit me ideale të larta të cilët nuk janë tërhequr e dorëzuar para askujt e asgjëje që u ka mohuar identitetin e dinjitetin.

Me pak fjalë ky libër është libër që jep kurajë, jep guxim për ringritje kombëtare shqiptare, si rrugë e drejtë dhe e pakompromis...