Gjekë Gjonaj: Katedrale e mendimit dhe e vlerësimit të thellë
Katedrale e mendimit dhe e vlerësimit të thellë
(Mbi
vëllimin “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës – 20 autorë
për Studimet letrare të zgjedhura në dhjetë vëllime”)

Dëshmi e dijes dhe e përkushtimit krijues
Në kohën kur bota jonë shqiptare po përballet gjithnjë e
më shumë me krizën e leximit, me relativizimin e vlerave kulturore dhe me
mungesën e vëmendjes ndaj punës serioze studimore e shkencore, botimi i librave
që dëshmojnë përkushtimin afatgjatë ndaj dijes dhe kulturës kombëtare merr një
rëndësi të veçantë. Një ndër këto botime me vlerë të rrallë është edhe vëllimi “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton
Nikë Berishës – 20 autorë për Studimet
letrare të zgjedhura në dhjetë vëllime”.
Ky botim, i përgatitur dhe i zgjedhur nga Labinot Berisha
dhe i botuar nga Shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë më 2026, paraqet
një vepër të veçantë dokumentuese, studimore dhe vlerësuese për njërin nga
emrat më të rëndësishëm të mendimit kritik dhe të studimeve letrare shqiptare
tëkohës sonë.
Libri nuk është vetëm një përmbledhje tekstesh dhe
kumtesash për studimet letrare të zgjedhura të një autori të njohur, po
njëherësh është një dëshmi e gjallë e ndikimit të madh që ka pasur dhe vazhdon
të ketë puna shumë dekadash e Anton Nikë Berishës në kulturën tonë, në studimet
albanologjike, në interpretimin e veprave dhe të dukurive të letërsisë shqipe
dhe në ruajtjen e kujtesës shpirtërore të kombit.
Vetë titulli i këtij vëllimi është tejet domethënës dhe
simbolik. Fjala “katedrale” nuk është përdorur rastësisht. Ajo nënkupton një
ndërtim madhështor, të ngritur me durim, me dije, me përkushtim dhe me vizion
afatgjatë. Pikërisht i tillë është edhe opusi prej dhjetë vëllimesh me studime
letrare të zgjedhura të Anton Nikë Berishës, të cilit i qasën dhe e vështrojnë
20 autorë.
Për dekada të tëra Berisha ka ndërtuar, gur pas guri, një
univers të pasur studimor mbi letërsinë shqipe, mbi traditën gojore, mbi
kulturën arbëreshe, mbi poetikën e veprave të autorëve shqiptarë dhe mbi vlerat
estetike e shpirtërore të artit letrar, po dhe rreth disa veprave të letërsive
të tjera.
Në këtë kuptim, kompleti me studime të zgjedhura
përfaqëson një “katedrale” të vërtetë të dijes, një monument të dijes e të
përkushtimit të ngritur nga dashuria për fjalën artistike dhe për pasurimin e
kulturës kombëtare.
Prof.dr. Anton Nikë Berisha është një nga personalitetet
më të njohura të kulturës shqiptare. Veprimtaria e tij shumëvjeçare shtrihet në
fusha të ndryshme: studime letrare, poezi, romane për të rritur e për fëmijë,
përkthime letrare etj.
Në qendër të interesimeve të tij ka qenë gjithmonë fjala artistike shqipe dhe përpjekja për të depërtuar në thelbin poetik dhe estetik të veprës letrare e të ndikimit të saj.Ai nuk i ka parë tekstet letrare vetëm si produkte artistike, por si shprehje të thella të botës shpirtërore të njeriut dhe të kujtesës historike e kulturore të popullit tonë.Për këtë arsye, studimet e tij dallohen për qasjen analitike, për thellësinë interpretuese dhe për përkushtimin ndaj vlerave autentike të letërsisë.
Një galeri studiuesish dhe shkrimtarësh të njohur

Secili prej tyre vështron një aspekt të caktuar të
studimeve letrare të Anton Nikë Berishës: dikush e vështron letërsinë e
arbëreshëve të Italisë, dikush metodën studimore, dikush interpretimin modern
të poetikës së veprave, ndërsa të tjerë ndriçojnë ndihmesën e tij në studimin e
letërsisë traditës, letërsisë gojore apo të autorëve të veçantë shqiptarë ose
të huaj.Kjo larmi qasjesh e bën vëllimin jo vetëm të pasur në përmbajtje, por
edhe një dokument të rëndësishëm për historinë e kritikës dhe të mendimit
letrar shqiptar.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të punës së Anton Nikë
Berishës është përkushtimi i tij i vazhdueshëm për letërsinë shqipe në tërësinë
e saj.Ai është marrë me autorë klasikë dhe modernë, me letërsinë e traditës dhe
atë bashkëkohore, me autorët e Shqipërisë, të Kosovës dhe me veprat e
shkrimtarëve arbëreshë të Italisë.Në studimet e tij gjejnë vend autorë si Gjon
Buzuku, PjetërBudi, ErnestKoliqi, MartinCamaj, Azem Shkreli, Nasi Lera, Rifat
Kukaj, Ramadan Musliu dhe shumë krijues të tjerë të rëndësishëm të letërsisë
sonë.
Për Anton Nikë Berishën, letërsia nuk është vetëm një
fushë studimi akademik, një formë e kujtesës shpirtërore të kombit, po një
dëshmi e identitetit mendor dhe kulturor dhe një mënyrë për ta kuptuar njeriun
shqiptar në përmasat e tij historike dhe jetësore.
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e tij zënë edhe studimet për letërsinë arbëreshe.Nëpërmjet punës së tij studimore, Anton Nikë Berisha ka ndriçuar dhe afirmuar vlerat e trashëgimisë letrare të arbëreshe dhe lidhjet shpirtërore e kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe arbëreshëve të Italisë.Pikërisht për këtë arsye, edhe studiuesi i njohur arbëresh,prof. Matteo Mandalà, i e përmend rëndësinë e veçantë të veprës së tij, duke e cilësuar Antonin si një studiues të shquar në botën albanologjike.
Një monument i dijes shqiptare
“Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë
Berishës” nuk është vetëm një vëllim homazh për një studiues të madh, po edhe
një dokument i rëndësishëm për historinë e kulturës shqiptare bashkëkohore.Ai
dëshmon se puna serioze shkencore, përkushtimi ndaj dijes dhe nderimi për
vlerat autentike letrare e kulturore vazhdojnë të mbeten themeli mbi të cilin
ndërtohet identitetii një kombi.
Në një kohë kur gjithçka thuasjse matet me përfitime të
menjëhershme dhe me jehonë kalimtare, vepra e Anton Nikë Berishës në fushën e
studimit të letërsisë përfaqëson të kundërtën: punën e heshtur, këmbëngulëse
dhe afatgjatë, e cila ndërton themele të qëndrueshme në kulturë dhe në shkencë.
Dhjetë vëllimet e “Studimeve letrare të zgjedhura” dhe
libri kushtuar atyre përbëjnë një monument të mirëfilltë të mendimit kritik
shqiptar, përmes të cilave dëshmohet se Anton Nikë Berisha është një nga emrat
që kanë ndikuar fuqishëm në zhvillimin e studimeve letrare shqiptare dhe në
interpretimin bashkëkohor të veprave e të dukurive të letërsisë sonë, po dhe më
gjerë.
Këtë e dëshmon më së miri ky botim, nga i cili lexuesi e kupton se kemi të bëjmë me një studiues që i ka shërbyer për dekada me radhë jo vetëm letërsisë, por edhe vetë kulturës kombëtare shqiptare. Për këtë arsye “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës” mbetet një botim me vlera të mëdha — një libër që e nderon autorin, por njëkohësisht e pasuron edhe mendimin shqiptar.


