Anton Marku: Demokristianët e mërgatës mbështesin kandidatët e LDK-së për deputetë

Demokristianët e mërgatës mbështesin kandidatët e LDK-së për deputetë
Demokristianët
e mërgatës, sidomos ata në Zvicër, Gjermani dhe Austri kanë vendosur që në
zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 7
qershor 2026, të mbështesin kandidatët e LDK-së. Në mënyrë të veçantë do të
votohen ata që edhe vetë jetojnë në këto shtete dhe njohin, më mirë së kushdo
tjetër, nevojat dhe interesat e mërgatës sonë në vendet gjermanofolëse. Një
ndër ta është edhe aktivisti Niq Krasniqi me prejardhje nga Peja dhe me
vendbanim tash e 30 vite në Austri. Pas tij vijnë edhe Hysen (Sali) Çekaj nga
Gjermania, Robert Ukaj nga Zvicra dhe Albana Tomori nga Suedia.

Partia
Shqiptare Demokristiane e Kosovës gjithmonë ka qenë një parti e vogël por që
përherë ka pasur autoritet dhe peshë të madhe në zhvillimet politike dhe
shoqërore në Kosovën e pas pluralizmit. Mbase, nga partitë, kushtimisht të
vogla, ka qenë subjekti politik më i njohuri, më i respektuari dhe më i
përfaqësuari në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar. Sot ajo është katandisur në
një derë pa shtëpi të cilën era e rrahë sa herë të dojë dhe atë në atë krah në
të cilën këtë e duan një grusht i vogël sharlatanësh pa ideale të cilët e kanë
shtrydhur deri në djersët e frymës së fundit. Në anën tjetër të historisë janë
pozicionuar demokristianët e vërtetë, ata të cilët i kanë qëndruar dhe
vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik parimeve të vendosura nga kolosi i kombit,
Akademik Mark Krasniqi, i cili, bashkë me Presidentin Historik Dr. Ibrahim
Rugova, ndërtuan një frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe mirëbesimi, të cilat
vazhdojnë të jenë të gjalla sikur atëherë, tash e 36 vite.
PSHDK
është partia e parë e regjistruar në Kosovën e pas rënies së komunizmit. Ajo u
themelua me 4 dhjetor 1990 në Gjakovë. Programi i saj është properëndimor i
bazuar në sundimin e ligjit, mbrojtjes së vlerave kombëtare shqiptare dhe
integrimit euroatlantik. Ajo në parim është dashur të bashkëpunoj me partitë
politike me orientim të djathtë demokratik, e veçmas me ato që kanë për synim integrimin në BE dhe në NATO. Këto
parime ka kohë që anashkalohen nga ana e udhëheqjes së saj aktuale e cila është
lëshuar në pazare matrapazësh duke u përpjekur të akomodojë disa nga figurat më
kontroverse të saj, shkaktare dhe fajtore për uljen e imazhit të partisë dhe
rënien e numrit të votuesve në nivelin më të ulët historik.
Në
të njëjtën kohë demokristianët e mërgatës, sidomos ata në Austri, kanë qenë
mjaft aktiv për sa i përket vendosjes së urave të miqësisë me politikanët
vendas. Në këtë kontekst veçohet Niq Krasniqi i cili, për vite me radhë, ka
punuar në qeverinë e Vjenës në programe të ndryshme integrimi. Ai, edhe pse jo
anëtar i saj, ka qenë koordinator i projekteve të degës së PSHDK-së në Vjenë,
detyrë të cilën e ka kryer me përkushtim dhe ndërgjegje të plotë. Falë
angazhimit të tij komuniteti ynë u vizitua disa herë nga politikanë austriakë
të të gjitha niveleve, filluar nga Lukas Mandl, eurodeputet nga Austria,
Andreas Minnich, deputet i parlamentit të Austrisë, Hannes Taborsky, deputet në
parlamentit të landit të Vjenës e shumë të tjerë. Andaj demokristianët në
mërgatë do ta mbështesin fuqishëm kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e
Republikës së Kosovës me bindjen se ai do të jetë përfaqësues i denjë i tyre në
këtë shtëpi të demokracisë.
PSHDK
- dega në Vjenë, ashtu si dhe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025,
prapë kundërshton me vendosmëri koalicionin joparimor të lidhur mes PSHDK-së
dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo konstaton se PSHDK-ja është marrë peng nga
disa individë karrieristë, të cilët, për interesa klanore dhe grupore, janë
duke e dobësuar, tash e disa vite, pozitën e këtij subjekti në skenën politike
të Kosovës duke sjellë vendime të gabueshme në emër të saj. Për më tepër ajo
vlerëson se edhe kësaj radhe vendimi për lidhjen e koalicionit me një parti
ideologjikisht të kundërt, të majtë dhe populliste është bërë pa konsultim me
anëtarësinë, degët, bashkësitë e degëve, këshillin qendror dhe kryesinë. Andaj si
i tillë është i papranueshëm dhe rrjedhimisht i pazbatueshëm. Në lidhje me këtë
ajo i bën thirrje elektoratit demokristian në Kosovë dhe mërgatë që të
distancohet nga ky koalicion i dëmshëm dhe të votoj kandidatët e partive të
djathta të cilat janë më të afërta me vizionin origjinal të PSHDK-së.



