Ag Apolloni: Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!

1h më parë

Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!

Nga Ag Apolloni

Fjala kryesore në Kosovë duhet të jetë kjo: deradikalizim! Deri tash e kemi lejuar radikalizimin, prandaj gjithçka ka shkuar mbrapshtë. Tash e tutje duhet të kthehemi mbarë, duke nisur procesin deradikalizues.

Njeriu mund të jetë besimtar, por mund edhe të mos jetë i tillë; mund të jetë musliman, por mund edhe të mos jetë i tillë. Është zgjedhja e tij. Besimi është çështje private dhe do të ishte absurde të përpiqesha ta bindja tjetrin të bëhej si unë. Mirëpo, nëse një besimtar bëhet radikalist, siç janë radikalistët islamikë që janë bërë aq shumë në Kosovë, atëherë nuk jemi duke folur për besim, por për manipulim social dhe për krime reale dhe potenciale. Ne kemi aq shumë radikalistë, saqë vetëm para një dekade mbi 400 shtetas të Kosovës i kemi eksportuar në luftërat e Sirisë dhe Irakut, ndër ta edhe Lavdrim Muhaxherin, një nga komandantët më të njohur të ISIS-it. Se sa radikalistë islamikë aktivë janë sot në vendin tonë askush nuk e di, por supozohet se shifra ka përparuar me hapa gjigantë. Sot secili mund ta shohë se manipulimi radikalizues ka lëshuar rrënjë rrugëve, restoranteve zinxhirore fetare, berberhaneve, taksive, por edhe në nivele administrative, akademike deri te politikat vendimmarrëse. Pra, pothuajse gjithkund.

Ky është rrezik gjithëkombëtar, por nëse e shohim vetëm brenda Kosovës, atëherë mund ta quajmë rrezik shtetëror. Shteti duhet të krijojë sa më shpejt mekanizma për demanipulimin e shoqërisë dhe promovimin e laicitetit në institucionet jofetare. Askush s’po thotë: çojeni një filozof në xhami ditën e xhuma, le t’i tregojë xhematit se Zoti ka vdekë! Kjo është diçka që diskutohet në fakultete ku mësohet filozofia, jo në objekte fetare ku lutet njerëzia.

Manipulimi fetar ka prodhuar radikalistë dhe terroristë që kanë dhënë jetën në vende arabe dhe kanë marrë jetë në vendin tonë. Manipulimi është instrumentalizim i fesë dhe financim i pakontrolluar; ai flet për ndikim të huaj dhe dështim të shtetit për ta kontrolluar hapësirën e vet institucionale.

Sigurisht që shteti duhet të jetë neutral, por jo indiferent. Radikalizmi është problem politik e social, prandaj është përgjegjësi e secilit prej nesh të kontribuojë në deradikalizim, një proces që kërkon mobilizim intelektual dhe institucional.

Shteti duhet të hedhë hapin e parë drejt deradikalizimit, në mënyrë që pastaj të kërkojë ndihmë nga Perëndimi. Ne jemi pjesë natyrale e Evropës dhe pretendojmë të hyjmë edhe në Bashkimin Evropian. Pa e luftuar radikalizmin fetar, nuk duhet as të trokasim në derën e BE-së. Ata nuk janë aq budallenj sa të na e hapin derën e ne t’u rrasemi brenda si kamikazë.

Le ta lëmë Prokurorinë të merret me ‘dokumentin’, ne duhet të merremi me realitetin! Duhet të na shqetësojë, por jo të na frikësojë, realiteti. Fanatikët, fundamentalistët, radikalistët, terroristët islamikë do të provojnë të na ndalin duke ia mbrapavënë islamit fjalën greke ‘fobia’, por ne që s’jemi as islamofobë, as islamofilë, s’duhet t’ua vëmë veshin, por t’ua ngremë veshin. Ata përdorin shpesh edhe gjuhë kërcënuese, por, nëse ne, neutralët joindiferentë, bëhemi bashkë dhe nëse, gjithashtu, shteti nuk hesht, s’kemi pse të frikësohemi nga stuhia e sulmeve të tyre. Misioni i tyre do të jetë i pashpresë, i pa të ardhme, i pajetë. Do të kalojmë para atyre që duan të na e bëjnë jetën ferr, si dy udhëtarët e famshëm të ferrit, dhe, nëse dikush ka frikë, le t’i kujtojë fjalët që Virgjili ia thotë Dantes: Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!

https://www.facebook.com/profile.php?id=100094275043325