Basri Beka: Spiunazhi, propaganda dhe Islami politik - shpërfaqja e agjendës së Serbisë në Kosovë

2h më parë

Spiunazhi, propaganda dhe Islami politik: shpërfaqja e agjendës së Serbisë në Kosovë

Nga Basri Beka

Pas gjetjeve të Prokurorisë Speciale dhe hetimeve të gjata për spiunin serb Fatmir Sheholli, propaganda e islamistëve dhe e hoxhallarëve radikalë po përpiqet me çdo mjet ta relativizojë këtë të vërtetë të tmerrshme.

Në gjithë këtë ngjarje, mekanizmat e Serbisë dhe veglat e saj në Kosovë – Islami politik – po shpërfaqen si kurrë më parë. Kjo shpërfaqje po bëhet përmes njerëzve dhe subjekteve mediale e institucionale, të cilët prej kohësh ishin të dyshuar. Tani, ata po e konfirmojnë vetveten përmes kontestimit të hapur të gjetjeve të Prokurorisë Speciale.

Të kontestosh faktet mbi të cilat është ngritur akuza nuk është thjesht lajthitje. Është mision.

Tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për një fenomen. Është një dukuri e vërtetuar. Serbia është prapa investimit në islamizimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. Këtë e dëshmojnë rastet e gjykuara dhe të vërtetuara të spiunazhit me BIA-n serbe: Hyzri Selimi, Bedri Shabani, Muharrem Qerimi dhe tani Fatmir Sheholli. Të gjithë kishin detyra operative për islamizimin e shtetit dhe të shoqërisë kosovare.

Shtrohet pyetja: si është e mundur që, përballë këtyre fakteve, të jenë kaq të verbër portalet dhe mediumet islamike si RTI, “Shenjëstra” dhe dhjetëra të tjera? Si mund të jenë kaq të verbër eksponentët e Islamit politik – pseudo-intelektualët, pseudo-profesorët, klerikët e njohur, por edhe disa publicistë, gazetarë, opinionistë dhe zëra nga shoqëria civile – që po përpiqen ta relativizojnë këtë çështje, kur faktet janë aq kokëforta sa nuk lënë vend për asnjë dyshim?

E mira në këtë rast është se u shpërfaqën të gjithë. Me sjelljen e tyre, ata po i faktojnë vetë gjetjet e Prokurorisë. U pa qartë se plani i Serbisë për islamizimin e Kosovës është implementuar. Këta njerëz janë infiltruar në çdo institucion: në arsim, kulturë, art, administratë, biznes dhe në çdo sferë tjetër të jetës publike.

Bukuria tani qëndron pikërisht te kjo shpërfaqje. Institucionet e sigurisë – AKI-ja, hetuesit dhe prokurorët – kanë tashmë pista të panumërta për identifikim dhe gjurmim. Nga ky ekspozim u plotësua mozaiku i agjenturës antinacionale.

Mjafton pak punë dhe kurajo që kjo e keqe të ndalet përfundimisht. Agjenda e Serbisë do të dështojë, por me pasoja të rënda. Sepse peizazhi i Kosovës tashmë ka ndryshuar nga ndërtimi i objekteve fetare (xhamive) vend e pa vend – rezultat i drejtpërdrejtë i agjenturës serbe në aleancë me Islamin politik.