Lekë Mrijaj: Nëse qyteti i Klinës është bërë me ujë të pijshëm, a është vërtet i sigurt për konsum?
Nëse qyteti i Klinës është bërë me ujë të pijshëm, a është vërtet i sigurt për konsum uji që arrin sot në rubinetat e qytetarëve?

Prej
më shumë se një viti, institucionet tona lokale përgjegjëse kanë deklaruar se
Klina është bërë me ujë të pijshëm, ndërsa për sistemin e furnizimit sipas tyre
është përuruar edhe fundërruesi, i paraqitur si një nga investimet më të
rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ujit për qytetarët.
Megjithatë,
përtej deklaratave zyrtare dhe ceremonive të përurimit, shqetësimi i qytetarëve
për cilësinë e ujit që vjen nëpër rubinete vazhdon të mbetet një çështje
serioze.
Në
shumë raste, qytetarët e Klinës kanë ngritur dyshime për pamjen, ngjyrën, erën
dhe cilësinë e ujit, duke kërkuar sqarime të drejtpërdrejta nga institucionet
përgjegjëse. Edhe unë, në një opinion timin të publikuar rreth një muaj e
gjysmë më parë, e kam ngritur pikërisht këtë çështje, duke kërkuar përgjigje se
çfarë uji po u ofrohet qytetarëve të Klinës dhe sa përputhet ai me standardet e
ujit të pijshëm.
Nëse
një sistem është përuruar si zgjidhje përfundimtare dhe nëse qytetarëve u është
thënë se uji është i sigurt për konsum, atëherë është e arsyeshme që rezultatet
të shihen edhe në jetën e përditshme. Për qytetarin, matësi më i drejtpërdrejtë
nuk është komunikata institucionale, por uji që mbush gotën në shtëpinë e tij.
Kjo
çështje nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e KRU "Hidrodrini" apo e
Komunës së Klinës, por edhe e asamblistëve komunalë, pozitë e opozitë, të cilët
nuk duhet të heshtin për një problem kaq të ndjeshëm dhe jetik. Ata kanë për
detyrë ta ngrenë këtë çështje, ta sensibilizojnë opinionin dhe të kërkojnë
llogari institucionale për cilësinë e ujit të pijshëm.
Përgjegjësia
duhet të shtrihet edhe te Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht nëse
investimet janë bashkëfinancuar, mbështetur apo përuruar edhe nga niveli
qendror.
Qeveria,
si autoritet shtetëror, duhet të kërkojë një raport të plotë për funksionimin e
sistemit, cilësinë e ujit, analizat laboratorike, mirëmbajtjen e
infrastrukturës dhe rastet eventuale kur uji nuk i plotëson parametrat e
kërkuar.
Qytetarët
kanë të drejtë të dinë se sa shpesh analizohen mostrat, ku merren ato, cilat janë
rezultatet mikrobiologjike dhe fiziko-kimike dhe nëse cilësia është e njëjtë
nga impianti deri te rubineti i konsumatorit.
Në
një çështje kaq të ndjeshme sa uji i pijshëm, transparenca nuk duhet të jetë
zgjedhje, por detyrim. Nuk mjafton të thuhet se projekti është përfunduar;
duhet të dëshmohet se ai funksionon. Po ashtu, nuk mjafton të thuhet se uji
është i pijshëm; duhet të provohet vazhdimisht se është i sigurt për konsum.
Dhe
nuk mjafton të bëhen analiza vetëm atëherë kur lind një reagim publik, sikurse
ky i sotmi. Kontrolli duhet të jetë i rregullt, profesional, i pavarur dhe
rezultatet duhet t'u bëhen të njohura qytetarëve.
Prandaj,
çështja e ujit në Klinë kërkon një përgjigje të përbashkët institucionale: nga
KRU "Hidrodrini", Komuna e Klinës, asamblistët komunalë,
institucionet shëndetësore kompetente dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Nëse
qyteti i Klinës është bërë me ujë të pijshëm, a është vërtet i sigurt për
konsum uji që arrin sot në rubinetat e qytetarëve
Këtë
përgjigje qytetarët nuk duhet ta kërkojnë në fjalime e përurime, por në
rezultate të dokumentuara, analiza publike dhe, mbi të gjitha, në një gotë me
ujë të pastër.
Klinë, më 25 gusht 2026


