Vlash Prendi: Martiri që rron ndër breza
MARTIRI QË RRON NDËR BREZA
ME
RASTIN E 55 VJETORIT TË PUSHKATIMIT TË MARTIRIT DON SHTJEFËN KURTI

Pas
ceremonisë madhështore organizuar vite më parë në qytetin historik të Shkodrës,
kryeqëndrën e katolicizmit shqiptar për lumturimin e 38 martirëve të kishes
katolike shqiptare qe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes
së sistemit komunist në Shqiperi dhe per konsolidimin e perkatësisë fetare në
këtë vend, mes tyre edhe i lumnueshmi don Shtjefen Kurti, martir i Kishës
katolike, lindi nevoja e pasqyrimit të jetës dhe veprimtarisë së tij atdhetare
dhe fetare përmes dokumentave të hulumtuara për ti pasqyruar ato në disa
vëllime të shkruara me kujdes nga Nikolin Kurti, studiuesi i njohur Nikollë
Loka dhe av. Alfred Duka. Kjo detyrë humane dhe punë kolosale u realizua me
sukses nga autorët, prandaj sot kemi në duar mjaft material të reja dhe dokumenta
me vlera që flasin për jetën dhe veprimtarinë atdhetare dhe fetarë të këtij
misionari të fesë, që sot nuk i dihet, as varri.
Jeta
e vështirë dhe plot përpjekje e don Shtjefën Kurtit ka qënë një luftë e
vërtetë. Në pranverë të vitit 1925, në barakën e vjetër që sherbente si kishë
në fshatin Novosel të Kosovës, do të trokiste 28 vjeçari don Shtjfën Kurti, për
ti sherbyer me devotshmëri atdheut të tij të robëruar. Shpirti i tij i madh nuk
u lodh kurrë, shpresa e tij nuk u venit, por si një patriot i vërtetë dha një
shembull të shkëlqyer se si mund të mbijetojë një njeri, një atdhetar, një
patriot, një misionar, si mund të japë edhe mbi mundësitë që ka për popullin e
tij. Don Shtjefni lindi në Ferizaj të Kosovës me 24 dhjetor 1897, natën e
Krishtlindjeve, në një familje patriotike të njohur kosovare, si fëmija i 6
prej 9 fëmijëve që kishte familja. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ferizaj,
vazhdoi Seminarin Pontifik të Shkodrës. Rreth vitit 1914 mbaron shkollën e
mesme dhe fiton të drejtën e studimit teologjik në Romë,duke i përfunduar me
rezultate mjaft të mira dhe duke zotëruar pesë gjuhë të huaja, mes të cilave
latinishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Pas përfundimit të studimeve
teologjike, megjithëse i propozohet të punojë në Selinë e Shenjtë, ai e refuzoi
këtë ofertë, meqë dëshironte t’i shërbente me devotshmëri popullit të tij
martir. Kështu,pasi shugurohet meshtar në Romë, më 13 maj 1921, kthehet në
vendlindjen e nënë Terezës në Novoselë të Gjakovës, për të vazhduar misionin
fisnik të saj. Por ditë të errëta po vinin për popullin shqiptar të Kosovës.
Presioni, shantazhet dhe mizoritë ishin intensifikuar nga klika shoviniste
serbe, prandaj edhe don Shtjefni bashkë me vëllezërit e tij, Don Luigj Gashin
dhe Don Gjon Bisakun punonin ditë e natë për të mbrojtur poopullin e
shumëvuajtur kosovar nga sulmet shoviniste serbe. Këtu prifti i ri iu përvesh
punës për edukimin e masës me dashurinë për atdhe dhe për fe e veç të tjerash
ndërtoi edhe kishën e re në themelet e një barrake të vjetër. Në Kosovë kaloi
për rreth tetë vjet një jetë të re aktive si patriot, atdhetar, misionar i fesë
dhe shpesh herë vuri edhe jetën në rrezik. Veprimtaria e tij në dobi të fesë
dhe patriotizmit ra shpejt në sy të autoriteteve serbe, prandaj në shumë raste
edhe u kërcënua, por asnjëherë nuk u frikësua.Vrasja e at Shtjefën Gjeçov
Kryeziut, në Zym të Hasit e hidhëroi shumë, por nuk u tërhoq nga rruga e tij.
Siç kujton Ai vetë, një milic i kishte kërcënuar haptazi duke u thënë:
"Edhe ju do ta pësoni si frati i Zymit", e kjo nuk e dobësoi, por me
dashuri punoi për ta ndihmuar popullin e
vendlindjes së tij. Janë pikërisht këto, një mori faktesh dhe dokumentash tepër
të vlefshme që autorët e monografisë në
tre vëllime studiuesi Nikollë Loka, Nikolin Kurti dhe av. Alfred Duka sjellin
para lexuesit duke përshkruar me shumë kujdes dhe seriozitet jetën dhe
veprimtarinë e një prej heronjve më të shquar të shqiptarisë.
Gjatë
viteve që veproi në Kosovë, don Shtjefën Kurti nuk reshti së punuari,veç të
tjerash, edhe për mbledhjen e shumë materialeve dhe dëshmive mbi keqtrajtimet,
Torturat dhe dhunën e ushtruar mbi popullsisë shqiptare të Kosovës nga sistemi
diktatorial serb. Materialet e mbledhura janë sistemuar dhe radhitur në formë
peticione e prej tyre lindi memorandumi i tre klerikëve të shquar, drejtuar
OKB-së, me 5 maj 1930, me seli në Gjenevë të Zvicrës. Ky memorandum ishte
konceptuar në 6 kapituj: Mbrojtja e jetës, mbojtja e lirisë, e drejta e pronës,
e drejta e përdorimit të gjuhës, e drejta e shkollimit dhe e drejta e ushtrimit
të fesë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Prandaj gazeta "Drita", e
Ferizajt, do të theksonte: "...Këta klerikë nuk do të mbesin në histori
vetëm për peticionin drejtuar OKB-së në Gjenevë, por edhe për ankesa të tjera
për çeshtjen kombëtare shqiptare". Megjithatë, duhet theksuar se deri tani
ky memorandum ka mbetur i pari dhe i vetmi që bëri jehonë në arenën
ndërkombëtare për pozitën e rëndë të shqipëtarëve në Jugosllavi, me anë të të
cilit kërkohet ndërhyrja e shpejtë kundër persekutimeve, keqtrajtimeve barbare
dhe torturave që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Për këtë qëllim tre
vëllezërit shkojnë edhe në Beograd për të protestuar për vrasjen në pabesi të
at Shtjfën Gjeçovit, por rezultati ishte minimal, sepse edhe përfaqësuesi i
Selisë së Shenjtë në Beograd ishte i pafuqishëm për të bërë një ndërmarrje të
tillë.

Në
veprën madhore kushtuar këtij kleriku dhe patrioti të shquar, sintetizoget
rruga e mundimshme disavjeçare që përshkoi ky martir, për të realizuar misionin
e tij ndaj atdheut dhe fesë. Prandaj don Shtjefnit iu desh të përballej me
shumë vështirësi, sepse në Gurëz nuk kishte kishë. Në vend të asaj ishte një
barakë e vjetër, prandaj u detyrua që gjithë kulturën e dijen e fituar në
vendet perëndimore t’i vinte në shërbim të popullit, atdheut dhe fesë. Kështu,
megjithëse në Gurëz qëndroi vetëm 5 vjet, arriti të ndërtojë një kishë të re
dhe çelën e saj. Kjo i kushtoi shumë mund dhe djersë, po e ndjente veten të
kënqur dhe krenar për këtë shërbim ndaj atdheut dhe kombit të vet. Këtu qëndroi
deri në vitin 1937, kur kaloi famullitar në Tiranë. Këtu ai punoi me
këmbëngulje në shumë drejtime, pasi edhe këtu gjendja ishte e vështirë, por Don
Shtjefni i kishte vënë vetes detyrë të edukonte një rini të mekuar me
atdhedashuri, që të besonte Zotin, pra të kishte kulturë fetare. Kështu ai, veç
shërbimit fetar, mblidhte rreth vetes shumë të rinj dhe organizonte aktivitete
fetare - kultuore dhe atdhetare për edukimin e të rinjve me ndjenjën e
atdhedashurisë.
Në
Tiranë punoi me ngulm për ngritjen dhe funskionimin e mjaft rretheve kulturore
dhe artistike, letrare, teatrore dhe fetare, të cilat kishin si qëllim edukimin
fetar dhe atdhetar të masës. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe dallgët e
historisë, të gatuara nga sistemi totalitar, do ta përplasnin don Shtjefën
Kurtin në brigjet e dhunës, torturës çnjerëzore e më vonë, në qelitë e burgut
komunist. Kjo ndodhi me 27 tetor 1946, ku pas rrethimit të famullisë, forcat e
Sigurmit e arrestojnë me akuzën e sajuar: "Bashkëpunëtor i organziatës
terroriste të Sami Qeribashit, akuzohet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit
popullor". Akuzë e cila u vertetua katërcipërisht se ishte një farsë
politike. Ky arrestim erdhi si rezultat i mospranimit të një thirrjeje të bërë
nga diktatori E.Hoxha, që don Shtjefni të merrte në dorë drejtimin e fesë
katolike dhe ortodokse në Shqipëri, me kusht që të hiqte dorë nga lidhjet me
Vatikanin. Refuzimi i don Shtjfnit ishte kategorik, ai u tha: "Unë nuk
mundem me tradhtue idealin tim,siç keni tradhtu ju Kosovën, dhe tani doni me i
shit Titos Shqipërinë". Pas kësaj përgjigje, arrestimi nuk do të vononte.
Rrufeja mizore do të binte mbi njeriun e Zotit, por ai nuk do të përkulej, do
ta priste me krenari dhe urrejte. Kështu,në moshën 50 vjeçare detyrohet të
provojë qelitë e ftohta të burgut. Fillimisht për të shfryrë urrejtjen ndaj
tij, pushtetarët komunistë e dënuan me vdekje, por në sallën e gjyqit ai
deklaroi: "Nuk i kam shërbyer askujt, vetëm Zotit dhe idealit tim, që kur
kam veshur veladonin". Sipas të dhënave dokumentare që na japin autorët,
me 17. M04. 1947, dënimi iu kthye në 20 vjet burg. U transferua në burgun e
Burrelit. Hetuesit mizorë i bënin tortura nga më të ndryshmet, vetëm që të
përkulej, por atij i jepte fuqi Zoti, prandaj morali i tij në çdo moment ishte
i lartë.
Pjesë
nga kujtimet e heroit:..."Një natë,mbas mesnate,më morën me makinë dhe më
çuan jashtë Tiranës, më dhanë lopatën dhe më thanë: "Puna jote, pa gjyq mori
fund,tani hape varrin tënd". E hapa. Ata vunë skuadrën e pushkatimit dhe
më thanë: "Prano aktakuzën,ose të vramë". Unë nuk e pranova. Pas kësaj
lufte psikologjike thanë: "Po e lëmë një herë në burg". Kështu provoi
përsëri ftohtësinë e burgut famëkeq të Burrelit. Dr.Lazër Radi kujton:
"Natën e Krishtlindjeve,me dritë të errësuar, don Shtjefni thoshte meshën
në mesnatë. Mbas meshe, kur u ndezën dritat, shohim dyshemenë të lagur nga
lotët e tij". Vuajtjet e këtij martiri të fesë nuk kanë të sosur. Ai e
grishi zërin kur në shoqërinë shqiptare në rend të ditës ishin padrejtësia,
shtypja, dhuna etj. Këto ishin arsyet e largimit nga plumbat e serbëve, këto
qenë arsyet që u deskriminuan totalisht nga kasta diktatoriale në shtetin e
tyre amë.
Në
këtë material voluminoz, nuk mungojnë analizat e thella për gjendjen e vështirë
të familjeve shqiptare, denoncimet ndaj dhunës së terrorit komunist, përshkrimi
i proceseve gjyqësore dhe dënimet, dëshmitë
e bashkëpunëtorëve, miqëve dhe njerëzve të tij të dashur, rreth jetës,
vlerave dhe vuajtjeve të këtij heroi. Pas 17 viteve privim lirie, një ditë të
ftohtë nëntori të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë
përkohësisht i lirë. Fillimisht shkoi në famullinë e Tiranës, ku qëndroi pak
kohë me don Mark Dushin, pastaj u kthye përsëri në kishën e Gurëzit. Punoi për
riparimin,meremetimin dhe pajisjen e kishës me mjetet e duhura me ndihmën e
fshatarëve. Fshatarët e Gurëzit shihnin te don Shtjefni njeriun e drejtë,
njeriun e Zotit, që u falte besim dhe dashuri. Ai u ngrohte zemrat me fjalë të
ëmbla dhe i orientonte drejt së vërtetës. Kur në vitin 1967 u mbyllën kishat
dhe xhamitë dhe vendi ynë u shpall vend ateist, don Shtjefni me zemër të thyer
u detyrua të punojë si punëtor në Kooperativën bujqësore të fshatit ku kishte
shërbyer një jetë të tërë. Megjithëse në moshë të thyer,70 vjeç, qe një
shembull i shkëlqyer në punë dhe në jetë. Njerëzit i besonin dhe shihnin tek ai
njeriun e shpresës. Dhe ai,si engjëll i vërtetë reflektonte dashuri për të
gjithë, por edhe urrejtje për sistemin totalitar që po betonohej gjithnjë e më
tepër. E shihnin kur punonte si punëtor në brigadë ose në magazinat e
kooperativës bujqësore për të siguruar bukën e gojës. Por edhe jeta e re prej
kooperativisti zgjati vetëm 3 vjet. Këtë periudhë e shfrytëzoi për të pagëzuar
fëmijë fshehtas dhe për të bërë propagandë në besimin tek Zoti dhe urrejtjen
ndaj sistemit totalitar. Por sigurimi i shtetit ishte afër, ai e ndiqte dhe e
survejonte në çdo lëvizje.

Ka
kaluar plot një gjysëm shekulli nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e këtij
patrioti, martiri dhe meshtari të madh, por kujtimi i tij mbetet i gjallë në
zemrat e besimtarëve, në zemrat e mbarë popullit, sepse vetë jeta, puna dhe
aktiviteti i tij ishin një shkëndije e pashuar në mes të errësirës. Ai e mundi
errësirën, mundi sistemin dhe tash ndrit ndër breza. Puna plot vetëmohim për
çështjen e lirisë dhe fesë po i
shperblehet sot, sepse Don Shtjefen Kurti kujtohet plot lavdi bashkë me
38 vllezër të tij, qe dhanë jetën në luftë kundër diktaturës komuniste, ata
janë shenjtorët më të rinj. Për nder të tij, u ngrit një përmendore e bukur me
plot 7 vepra, qe kulmojnë më veprat më të reja botuar vitet e fundit, që këtë
figurë të shquar të kombit tonë, këtë shenjt të ri, e bejnë të pavdekshëm.
VLASH PRENDI


