Xhemaledin Salihu: Është e drejtë legjitime të jemi shqiptarë me besim islam, katolik, ortodoks apo çfarëdo besimi tjetër…

1h më parë


E DREJTA LEGJITIME: TË JEMI SHQIPTARË  ME BESIM ISLAM, KATOLIK APO ORTODOKS, E TJERË DHE TENDENCA E DISA PSEUDOINTELEKTUALËVE DHE DISA HOXHALLARËVE PËR TË NA MOHUAR KËTË TË DREJTË KUSHTETUESE, LIGJORE, MORALE

Nga Xhemaledin Salihu - Kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës

Në librat, punimet e mia shkencore, por edhe në komentet, reagimet trajtoj çështje dhe probleme të natyrave të ndryshme: pedagogji, arsim, kulturë, politikë, histori, trashëgimi kulturore dhe natyrore si dhe trajtoj çështje nga lëmia fetare.

Në këtë trajtim të çështjeve të lëmive të ndryshme jam munduar që të jem objektiv, shkencor, të përdor argumente, fakte, dokumente, të dhëna me fjalë e me fotografi, për të qenë sa më real .

Sidomos në trajtimin e çështjeve fetare kam qenë i vëmendshëm, arsyeshëm dhe objektivisht të shkruaj në librat dhe punimet e mia shkencore, por edhe në komentet dhe reagimet e mia.

Asnjëherë nuk kam shkruajtë me përbuzje, me qëllime të këqija, por gjithmonë duke e pasur objektivin pozitiv të trajtimit të çështjeve, madje edhe fetare.

Po them me plotë të drejt se kam punime të lëmisë fetare, të besimit katolik dhe ortodoks në kuadër të punimeve për trashëgiminë kulturore, ndërsa nga lëmia e fesë islame kam punime: Objektet e fesë islame në Preshevë, Këshilli i Bashkësisë islame në Preshevë, Përhapja e fesë islame në Luginë të Preshevës që i kanë botuar pos revistave dhe portaleve laike edhe ato fetare: Dituria islame, Zëri islam, e tjerë, që merren për literaturë doktoranture, magjistrature, diplomimi.

Andaj bie teza e këtyre pseudointelektualëve dhe disa hoxhallarëve që jam i prirur të shkruaj herë herë edhe në mënyrë negative , sidomos për fenë islame, besimit të të cilit i takoj.

Për çështjet e fesë islame sigurisht që dalloj nga këta pseudoislamë, të cilët mendojnë se mund të jesh islam i mirë vetëm duke i plotësuar 5 kushtet e islamit. Unë mendoj se kontributi i njerëzve në çdo lëmi e bënë njeriun-njeri, tekefundit edhe islam të mirë.

Po ua përkujtoj një thënjie të urtë të filozofit e pejgamberit Muhamed:

Më me vlerë, më me peshë është pajtimi i njerëzve se sa agjerimi, namazi dhe sadekaja. Për mua është urtësi e asaj kohe, shekulli VII kur në Arabi jetonin 7 fise të përçarë, të grindur dhe pajtimi i tyre sjell edhe faljen e namazit, agjërimin dhe dhënien e sadekasë.

Po në shkrimet e mia rregulisht e kam potencuar dijen, arsimimin, shkollën, institucionet arsimore para asaj të ndërtimeve të xhamive.Në këtë drejtim pata kritika në drejtim të Turqisë, e cila në Serbi ndërton fabrika, ndërsa tek ne xhamia.

Apo nuk më erdhi aspak mirë kur lexova se në Zvicër, në xhami shkojnë 500 fëmijë, ndërsa në shkolla dikund 5 fëmijë, kjo për mua është errësirë, ndikim i lindjes e jo e perëndimit.

Me të vetmen arsye se në xhami mësohet alfabeti arab: elifi, ndërsa në shkolla edhe nga mësuesit më të dobët mësohet alfabeti shqip: A,B, C...

Gjuha është simbol i identitetit shqiptar, kërkova që feja islame të predikohet në gjuhën shqipe, jo arabe, jo turke, sepse Zoti i fali të gjitha gjuhët të barabarta, andaj edhe feja islame duhet të predikohet shqip.

Në një emision shkencor televiziv, ku ishin prezent shkencëtar nga vende të ndryshme dhe teologë edhe të fesë islame botërore, bisedohej për raportet: njerëzimi, jashtëtokësorët/alienët/ dhe Perëndia. Pos të tjerave, sëbashku të gjithë këta erdhën në një përfundim se Përëndia të gjitha të mirat ia fali njerëzimit nëpërmjet jashtëtokësorëve, ndërsa gjuhët , pra, edhe gjuhwn shqipe, Perëndia ia fali direkt njerëzimit.

Nëse është kështu, atëherë pse gjuha shqipe mos të jetë e barabartë me gjuhën arabe dhe turke në predikimin e fesë islame.

Kundërshtova disa imamë që predikonin identitetin islam, e jo shqiptar,  pastaj kundërshtova në predikimin e tyre se fëmijët shqiptarë duhet të pagëzohen me emra të vjetër arabë dhe gjatë ramazanit femrat duhet të mbulohen krejtësisht dhe mos t’i shihet cullaku askund.

Në Taxhikistan, ku popullata 85% është myslimane,  lexova se qeveria ka urdhëruar që femijët të mos pagëzohen me emra arabë, por vendas dhe se ndalohet bartja e shamisë në shkolla, institucione publike. Tek e fundit shamia është simbol i veshjes jo vetëm i fesë islame, por edhe i feve të tjera dhe shumë popujve jo myslimanë.

Në një shkrim shaminë e kundërshton kryeimami i Xhamive në Kairo.

Kundërshtova në një video material edhe hoxhë Jakup Hasipin, i cili viteve të mëhershme fol para xhematit se flamuri Kuq e Zi, Pavarësia e Shqipërisë na largoi nga Perandoria osmane dhe Sherijati.

Shkrova për vëllazërinë fetare, e cila e përjashton dhe assesi nuk e pranon nacionalen-kombëtaren. Dhe po deklarohem se fanatiku fetar nuk mund të jetë edhe nacionalist i mirë. Këto përjashtohen.

Shkrova për Shën Gjergjin në baza shkencore, me argumente se është festë e jona tradicionale, festë pagane, parakrishtere dhe para islame. Mbroj tezën se duhet të kremtohen edhe festat tradicionale, pos festave shtetërore, kombëtare dhe fetare. Pra, insistoj në ruajtjen e kujtesës kombëtare, tradicionale, e jo angazhimin e disave për kujtesë fetare arabe.

E kundërshtova, nëse kështu është deklaruar imam Shefqet Krasniqi, kur kërkoi nga kryebashkiaku i posa zgjedhur i Londrës garantimin e të drejtave të myslimanëve e jo të shqiptarëve, sepse ka kush i mbron myslimanët, janë 1.7 miliardë, ndërsa ne jemi të paktë për ta mbrojtur islamin, apo tek e fundit ai vet është mysliman nga Pakistani dhe nuk ka nevoje neve t’i japim mësim për to.

Kundërshtova dy autorë të të librit mbi Tërrnocin, ku shprehen se shqiptarët  në këto treva fal klerikëve të rinjë fetarë islamë i lanë festat tradicionale sikur Shën Gjergji, e tjerë dhe këmi përvetësuar doke dhe zakone islame. Anakronike.

Ndoshta në shkrimet e mia kam prekur edhe çështje të tjera  dikush i quan fetare, por në thelb janë vetëm traditë arabe apo turke, që na lansohen nga ndikimet e Turqisë dhe lindjes.

Pra, këto janë meditimet, opinionet, mendimet, reagimet e mia lidhur me çështje konkrete që po ndodhin ndër ne Shqiptarët, duke mos e anashkalur edhe identitetin e përkatësisë fetare islame, por gjithnjë duke e pasur parasysh se jemi shqiptarë, me besim islam, katolik apo ortodoks.