Frank Shkreli: Ribotimi i veprës madhore “Lahuta e Malësisë” në Detroit të Shteteve të Bashkuara…
Ribotimi i veprës madhore “Lahuta e Malësisë” në Detroit të Shteteve të Bashkuara
Një detyrë ndaj
trashëgimisë tonë në mërgim

Dhjetorin e vitit të kaluar në
Nju Jork u mbajtë për herë të parë ekspozita, “Albanian Bookfest” — një festë e
jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Shtetet e
Bashkuara. Aty pata nderin të takoja bashkvendasin Dr Gjekë Gjelaj, i
cili me atë rast më njoftoi për planin për të ribotuar Lahutën e Malësisë të At
Gjergj Fishtës – version i botuar me 1958 në Romë. Ky plan është në
realizim e sipër, pothuajse – i përfunduar, sipas grupit organizues.
Është një realizim që lidhet me një nismë të rëndësishme për trashëgiminë
kulturore shqiptare në mërgim, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në
trojet tona të origjinës. Dr Gjekë Gjelaj, kryetar i “Aleancës së miqëve
të At Gjergj Fishtës në diasporë” ka njoftuar, fillimisht, ribotimin
e 5000 kopjeve të kryeveprës së At Gjergj Fishtës, Lahuta e
Malcisë, autentike dhe bashkohore. Me këtë ndërmarrje të rëndësishme, Dr Gjelaj
me grupin e tij, me banim në Detroit të Shteteve të Bashkuara, është shprehur
se me ribotimin e Lahutës së Malësisë autentike të vitit 1958 në Romë, synojnë
të forcojnë mëtej identitetin kombëtar të shqiptarëve jashtë atdheut, por jo
vetëm. Duke bërë të mundur që ky “Thesar i paçmuar” i letërsisë dhe historisë
së shqiptarëve të jetë i pranishëm, për ata që e duan, në çdo familje
shqiptare, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe përtej. Si një nismë e
rëndësishme për rikthim tek rrënjët, për të nxitur brezin e ri të shqiptaro
–amerikanëve për t’u lidhur — në një vend siç është Amerika — me kulturën dhe vlerat
kombëtare përmes kësaj vepre bashkohore monumentale të At Gjergj Fishtës. https://telegraf.al/opinion/nga-frank-shkreli-lahuta-e-malesise-zeri-qe-nuk-shuhet-si
mban-gjalle-identitetin-shqiptar-ne-shekullin-e-xxi/. Siç dihet, Lahuta e Malësisë ishte e ndaluar nga hordhitë
sllavo-komuniste aziatike të pa besë, pa fe e pa atdhe, për pothuaj gjysëm
shekulli në trojet iliro-arbërore, si për shqiptarët e Shqipërisë komuniste të
Enver Hoxhës ashtu edhe për ne shqiptarët e lindur e rritur nën regjimin
komunist të ish-Jugosllavisë së Titos. Unë për vete,në fëmijëri kisha dëgjuar
ndonjë prej këngëve të Fishtës, kënduar nga lahutarët e asaj kohe në vatrat
tona. Por, vepra e plotë e At Gjergj Fishtës më ka rënë në dorë, për herë të
parë në moshën 20-vjeçare në Romë në vitin 1970, pas arratisjes time nga
ish-Jugosllavia komuniste. Ka qenë Dom Prenk Ndrevashaj ai që më ka njohur,
fillimisht, me veprën e madhe Lahuta e Malësisë të At Gjergj Fishtës, pikërisht
me kopjen në foto më poshtë, të cilën gjithnjë e ruaj edhe sot e kësaj dite–
botim i dytë – 1958 në Romë. Por të cilën Dr Gjekë Gjelaj me “Aleancën e
miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë” kanë vendosur t’ua paraqesin lexuesve
shqiptarë një ribotim të ri luksoz, autentik dhe bashkohor të botimit të dytë
të vitit 1958.

Kopja ime personale Lahuta e Malcis–
botim i dytë, 1958 në Romë — dhuratë autorit nga Dom Prenk Ndrevashaj, Romë,
1970. Siç mund të shihet, e zbehtë dhe e vjetëruar. Është, pra, ribotimi luksoz
autentik e bashkohor i këtij versioni origjinal që do të jetë së shpejti në
dispozicion të lexuesve, nepërmjet portaleve si amazon.com.
“Bashkatdhetar: Lexoje me dashuni
Lahutën…Rueje Lahutën, që ashtë ma fort e jotja se e Fishtës, e ban që
kjo të njifet ndër të huej e të ndiqet ndër bashkatdhetarë në mërgim, e ke për
të pa se edhe për këtë, anmiku ka për të shqiptue nji ditë, fjalët e
Austro-Hungarezëve para Burgjeve të mija, të Silvio Pellico se, “ma dam na bani
vepra e shkrimtarit se sa arma e ushtarit”. (Pater Danjel Gjeçaj në parathënien
e botimit të Lahutës së Malcis tvitit 1958).

Të nderuar dashamirës të kulturës,
gjuhës, studiues, institucione dhe bashkatdhetarë në Shtetet e Bashkuara dhe më
gjërë. Vepra monumentale Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishta përbën një nga
shtyllat themelore të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Me një gjuhë
të pasur, një narrativë epike dhe një vlerë të jashtëzakonshme historike e
letrare, kjo vepër meriton të jetë sa më e pranishmne por edhe e pranueshme për
brezat e sotëm dhe të ardhëm. Në një kohë kur trashëgimia kulturore përballet
me sfida të shumta, këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, një
nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe kërkon vëmendjen dhe
përkushtimin tonë të përbashkët. Lahuta e Malësisë, kryevepra e At Gjergj
Fishtës, duhet të mbetet një monument i gjallë i historisë, gjuhës dhe shpirtit
kombëtar.

Besoj se rëndësia e këtij projekti
shkon përtej një botimi të zakonshëm. Ai përfaqëson një përpjekje për të
ruajtur dhe përçuar një pjesë thelbësore të identitetit kombëtar, për të
edukuar brezat e rinjë, siç thashë më lartë, por edhe për të nderuar figurën e
autorit, At Gjergj Fishtës që me Lahutën e Malcisë i dha zë historisë,
identitetit kombëtar dhe kulturës shqiptare në një mënyrë të papërsëritshme,
sidomos këtu në diasporë, megjithse ka patur edhe ribotime të tjera gjatë
viteve. Jam i bindur se ky ribotim nuk ka për qëllim të nënvlersojë ribotime e
tjera të Lahutës pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri.
Ndërkaq, organizatorët e kësaj nisme
u bëjnë thirrje institucioneve kulturore, studiuesve, shtëpive botuese dhe çdo
dashamirësi të librit që të kontribuojnë në realizimin e këtij projekti.
Mbështetja mund të jetë financiare, profesionale apo promovuese, duke u bërë
kështu pjesë e një misioni që synon të rikthejë një kryevepër shqiptare të
gjitha kohërave, në qendër të jetës kulturore shqiptare edhe sot. Sepse
në fund të fundit, ribotimi i Lahutës së Malësisë” nuk është vetëm një projekt
botues, por një akt i rëndësishëm kulturo dhe kombltar. Është një ftesë për të
ruajtur rrënjët tona dhe për t’i dhënë zë një trashëgimie që meriton të jetojë
në çdo kohë, duke kujtuar dhe duke nderuar, njëkohsisht, edhe figurën e
autorit, At Gjergj Fishtën.










