Nexhmije Mehmetaj: Shqipja në mërgim - midis familjes dhe shkollës

Familja
– shkolla e parë e gjuhës shqipe në mërgim
Shqipja në mërgim: midis familjes dhe shkollës
Roli
i familjes shqiptare në Zvicër në ruajtjen e gjuhës amtare

Në
realitetin e sotëm të migrimit, ruajtja e gjuhës amtare përbën një nga sfidat
më të ndjeshme dhe njëkohësisht më të rëndësishme për komunitetet shqiptare në
diasporë. Në Zvicër, ku brezat e rinj rriten në një mjedis shumë gjuhësor dhe
ndërkulturor, shqipja shpesh mbetet e kufizuar në hapësirën familjare, duke
qenë nën ndikimin e vazhdueshëm të gjuhëve dominuese të shkollës dhe jetës
publike. Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore: a do të arrijë familja
shqiptare ta ruajë dhe ta transmetojë shqipen si një pasuri të gjallë tek brezi
i ri?
Pikërisht
këtu qëndron roli vendimtar i familjes si institucioni i parë i zhvillimit
gjuhësor, por edhe nevoja e domosdoshme për ta mbështetur këtë rol përmes një
sistemi të organizuar të mësimit plotësues. Marrëdhënia ndërmjet familjes dhe
shkollës shndërrohet kështu në një faktor kyç për mbijetesën dhe zhvillimin e
gjuhës shqipe në diasporë, si dhe për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar
të fëmijëve shqiptarë në Zvicër.
Familja
shqiptare në mërgim përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme sociale
për ruajtjen, kultivimin dhe transmetimin ndër brezor të gjuhës shqipe. Në
kushtet e një mjedisi shumë gjuhësor, siç është ai i Zvicrës, roli i familjes
bëhet i pazëvendësueshëm në ndërtimin e kompetencave të para gjuhësore dhe në
formësimin e identitetit kulturor të fëmijëve. Megjithatë, ndonëse funksioni i
saj është themelor, familja nuk mund të zëvendësojë plotësisht rolin e mësimit
të organizuar dhe sistematik që ofron shkolla.
Përvoja
disa dekadëshe e mërgatës shqiptare në Zvicër dëshmon se familja ka ushtruar
një ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e zotërimit ose të humbjes së gjuhës
shqipe te brezat e rinj. Pavarësisht shtrirjes së shkollave të mësimit
plotësues në shumë kantone, pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në këto
institucione mbetet relativisht e ulët. Ky fenomen përbën një shqetësim serioz,
pasi në një periudhë relativisht të shkurtër vërehet dobësim i ndjeshëm i kompetencës
në shqipen e folur, madje në disa raste edhe humbje funksionale e saj.
Një
ndër faktorët kryesorë që ndikon në këtë prirje është praktika gjuhësore brenda
familjes. Në shumë raste, prindërit zgjedhin të komunikojnë me fëmijët e tyre
në gjuhën e vendit pritës (frëngjisht, gjermanisht apo italisht), edhe kur të
dy prindërit janë shqipfolës. Kjo zgjedhje, e paarsyetuar nga nevoja reale e
komunikimit, ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e transmetimit natyror të gjuhës
amtare.
Nga
perspektiva sociolinguistike, familja përbën hapësirën e njohurive të para
gjuhësore, ku fëmijët përvetësojnë strukturat bazë të komunikimit. Në këtë
kuadër, familjet emigrante mbajnë një përgjegjësi të veçantë në ruajtjen dhe
zhvillimin e gjuhës amtare përmes praktikave të qëndrueshme dhe të vetëdijshme
gjuhësore. Kjo përgjegjësi konkretizohet në disa dimensione kryesore:
Së
pari, përdorimi sistematik i gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm familjar
është kusht themelor për zhvillimin e kompetencës gjuhësore. Bisedat e përditshme,
rrëfimet familjare, leximi i tregimeve dhe diskutimet mbi përvojat e përditshme
krijojnë një mjedis të pasur gjuhësor, i cili ndihmon në zhvillimin natyror të
shqipes.
Së
dyti, përfshirja e fëmijëve në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe
është një komponent i domosdoshëm për plotësimin e asaj që familja nuk mund ta
ofrojë në mënyrë të strukturuar. Në këto shkolla zhvillohen në mënyrë të
integruar katër aftësitë themelore gjuhësore: të dëgjuarit, të folurit, të
lexuarit dhe të shkruarit. Veçanërisht e rëndësishme është përvetësimi i gjuhës
së shkruar, e cila mundëson zgjerimin e fjalorit, përmirësimin e shprehjes dhe
zhvillimin e mendimit kritik. Njëkohësisht, këto institucione ndihmojnë në
orientimin e nxënësve ndërmjet variantit standard dhe varieteteve dialektore,
si dhe në kufizimin e ndikimit të tepruar të huazimeve nga gjuhët e vendit
pritës.
Së
treti, praktikat kulturore familjare, si kremtimi i festave tradicionale dhe
ruajtja e zakoneve, përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm për lidhjen e gjuhës
me kulturën. Në këto kontekste, gjuha përdoret në mënyrë funksionale dhe
simbolike, duke forcuar përkatësinë kulturore të fëmijëve.
Së
katërti, ekspozimi ndaj materialeve në gjuhën shqipe, përfshirë libra, revista,
filma dhe muzikë, kontribuon në zhvillimin e kompetencave receptive dhe
produktive. Këto burime i ndihmojnë fëmijët të njohin regjistra të ndryshëm
gjuhësorë dhe të pasurojnë përvojën e tyre gjuhësore.
Së
pesti, përdorimi i teknologjisë dhe mediave digjitale ofron mundësi të reja të
praktikës gjuhësore në mënyrë të vazhdueshme. Komunikimi me të afërmit në
vendlindje dhe me bashkëmoshatarët përmes platformave digjitale krijon situata
autentike të përdorimit të shqipes.
Së
fundi, përkrahja emocionale dhe motivimi nga ana e prindërve janë faktorë
vendimtarë në qëndrimin e fëmijëve ndaj gjuhës amtare. Vlerësimi i përpjekjeve
të tyre dhe krijimi i një klime pozitive ndaj shqipes ndikon drejtpërdrejt në
suksesin e tyre gjuhësor.
Në
përfundim, familja shqiptare në mërgim mbetet institucioni themelor në ruajtjen
e gjuhës amtare, duke krijuar bazën e parë të zhvillimit gjuhësor dhe kulturor.
Megjithatë, vetëm përmes një ndërveprimi të qëndrueshëm ndërmjet familjes dhe
shkollës mund të sigurohet transmetimi i plotë dhe i qëndrueshëm i shqipes te brezat
e rinj. Ky bashkëpunim përbën një parakusht të domosdoshëm për ruajtjen e
identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar në diasporë.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 05.05. 2026





