Xhelal Zejneli: Statusi politik dhe juridik i shqiptarëve në Maqedoni
STATUSI POLITIK DHE JURIDIK I SHQIPTARËVE NË MAQEDONI
Shqiptarët
në Maqedoni janë shumë, për t’u quajtur pakicë, nuk janë aq të organizuar, për
t’u quajtur shtetformues

Në komunat në të cilat shqiptarët janë shumicë,
d.m.th. prej Struge deri në Likovë, nxënësit sllavo-maqedonas duhet ta mësojnë
shqipen nëpër shkolla, duke filluar nga klasa e tretë fillore.
Një popull për të fituar
liri, i nevojite dy gjëra:
- dituri, dhe
- idealizëm.
Një
kastë politike që e ka mendjen në kolltukë, me qëllim pasurimi personal apo të
grupit dhe të koniunkturës, e lë popullin e vet larg lirisë. Një popull që e
voton partinë, qoftë edhe atë që vjedh, vetëm për një vend pune, ai popull
është larg lirisë.
Sot
e kësaj dite shumë shqiptarë nuk e dinë në janë shqiptarët në Maqedoni, popull
shtetformues apo pakicë. Marrëveshja e Ohrit nuk është marrë me përcaktimin e
statusit politik të shqiptarëve. Me të është bërë avancimi i të drejtave të
caktuara të shqiptarëve, në krahasim me të drejtat e deriatëhershme.
Në
konferencën e përbashkët për shtyp me Kryetaren e Maqedonisë së Veriut, Gordana
Siljanoska Davkova, të mbajtur në Shkup më 27 shkurt 2026, Kryetari i
Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi: “Shqiptarët që jetojnë në RMV janë
një faktor i rëndësishëm dhe shtetformues”. Kohë pas kohe e vizitojnë
Maqedoninë edhe ministra të qeverive të Shqipërisë. Disa prej tyre parapëlqejnë
të deklarojnë: “Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues”.
Këta
të ashtuquajtur ministra të Shqipërisë, as e kanë parë Marrëveshjen e Ohrit, as
e kanë lexuar, as e kanë kuptuar.
Me
rastin e shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, BDI-ja ka organizuar
edhe do konferenca shkencore. Asnjë nga kuazi-dijetarët që kanë marrë pjesë në
ato farë konferenca “shkencore”, nuk e ka sqaruar drejt dhe saktë faktin
në janë shqiptarët sipas Marrëveshjes së Ohrit, popull shtetformues apo janë qytetarë
që përfshihen në grupin e pakicave, siç janë: turqit, romët, boshnjakët,
vllehtë, serbët.
Askush
s’e di saktë numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Shifrave që publikohen nga
regjistrimi i popullsisë, shqiptarët nuk u besojnë. Shpesh është thënë se në
Maqedoni jetojnë rreth 700 mijë shqiptarë. Për dallim nga pakicat e tjera në Maqedoni,
shqiptarët në këtë vend paraqesin faktor demografik, social, ekonomik,
mbrojtës, prodhues, riprodhues, arsimor, krijues, kreativ etj. Si të tillë,
askush nuk mund t’i rendit ata në grupin e pakicave.
Këtu
kemi një kontradiktë: me kushtetutën e këtij vendi, shqiptarët nuk e kanë
statusin e popullit shtetformues, kurse në jetën praktike, nuk mund të
konsiderohen minoritet. Atëherë rezulton që shqiptarët në Maqedoni të jenë
diçka midis popullit shtetformues dhe pakicës.
* * *
Po
të ishin shqiptarët me kushtetutë popull shtetformues, atëherë shqipja nuk do
të përkufizohej si gjuhë që e flasin mbi 20% e popullsisë. Në qytetin rrëzë
Sharrit me shumicë absolute shqiptare, organet komunale, që nga viti 1991 deri
më sot, nuk janë në gjendje të ndërrojnë emërtimin e një shkolle, të një rruge
apo të një institucioni me emrin e ndonjë personaliteti të historisë së
popullit shqiptar. Prej shtatë shkollave të mesme në Tetovë, vetëm njëra sosh
quhet “7 Marsi”, kurse të tjerat mbajnë emërtime të figurave sllave për të
cilët nxënësit shqiptarë s’kanë dëgjuar fare. Një shkollë e mesme mban emërtimi
“Mosha Pijade”. Ky ka qenë bashkëpunëtor i Josip Brozit. Në Mbretërinë
Jugosllave, Mosha Pijade ishte në burg, i dënuar si marksist. Gjatë
vuajtjes së dënimit, e përktheu kapitalin e Marksit nga gjermanishtja në
serbisht. Ka shkolla ku 100% e nxënësve janë shqiptarë. Një numër i vogël i
nxënësve maqedonas mësojnë në ndërtesë tjetër.
Ismail Kadarenë me bashkëshorten e
tij, Elenën i prita në oborrin e gjimnazit. Dolën prej veture. Sakaq,
shkrimtari gjigant, princi i kombit i hodhi sytë në ballinën e ndërtesës
shkollore. Aty lexoi emërtimin e shkollës. Shkolla mbante emrin e një figure
sllave, për të cilin nxënësit shqiptarë kurrë s’kishin dëgjuar. Kadareja më
tha: “Profesor, drejtori i Festivalit ‘Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu më
tha se do vizitojë një shkollë shqipe. Ç’është ky emërtim sllav?!”
Para
se të ndahej në dy pjesë, kjo shkollë numëronte rreth 3.000 nxënës. Rreth 90% e
nxënësve ishin shqiptarë, shkolla ndërkaq mbante emërtim sllav. Ky emërtim
trashëgohet nga periudha e komunizmit.
Ka
qytetarë që thonë se me Kushtetutën e viti 1974 shqiptarët në Maqedoni dëftesat
shkollore i kanë marrë në gjuhën shqipe. Sot, në komunat me shumicë absolute
shqiptare, dokumentet lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase. Me fjalë të tjera,
institucionet e pushtetit vendor, si dhe institucionet e njësive rajonale që i
përkasin pushtetit qendror, me ndonjë përjashtim të rrallë, dokumentet i lëshojnë
vetëm në gjuhën maqedonase.
Faktori
politik shqiptar fare nuk çanë kokën për këtë. Për këtë s’brengosen fare as
pseudo-intelektualët shqiptarë, shumica dërmuese e të cilëve nuk e flasin asnjë
gjuhë të huaj. S’çajnë kokën as analistët mercenarë – shërbëtorë të partive
politike, në pushtet dhe jashtë tij. Në këtë dance macabre bëjnë pjesë edhe
mediumet e shitura dhe të blera katërcipërisht.
Një popull e fiton lirinë atëherë kur mëson ta
shkruajë drejt gjuhën amtare.
Në
Kosovë, 4% serbë gëzojnë të drejta sipas standardeve më të larta të Bashkimit
Evropian dhe përsëri nuk janë të kënaqur, kurse në Maqedoninë e Veriut,
shqiptarët që përbëjnë rreth 30% të popullsisë së këtij vendi, nëpërkëmben nga
një popull me identitet të diskutueshëm.
Janë
ose jo shqiptarët në Maqedoni popull shtetformues, këtë le ta studiojnë mirë
ministrat e qeverive të Shqipërisë.









