Xhelal Zejneli: Lufta hibride

Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Lufta hibride ose lufta speciale është një strategji ushtarake që mund të
përfshijë elementë të luftës
konvencionale, kërcënimin e forcës
ushtarake, terrorizmin, aktivitetet paraushtarake, operacionet informative, luftën ekonomike dhe luftën kibernetike. Edhe pse metodat e luftës hibride, të tilla si propaganda, mashtrimi, sabotimi dhe
veprimet e tjera jo-ushtarake, janë përdorur prej kohësh për të destabilizuar
kundërshtarët, teknologjia moderne dhe shkalla e lidhjes ndërkombëtare, kohët e
fundit kanë ndikuar në rritjen e shpejtësisë, si dhe në shkallën dhe në
intensitetin e operacioneve hibride. Si rrjedhojë, janë intensifikuar edhe
veprimtaritë e shteteve dhe të aleancave ndërkombëtare për parandalimin e
kërcënimeve të tilla.
Vite me radhë, Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë
hibride, d.m.th. luftë speciale apo luftë psikologjike. Në shenjë kanosjeje,
pranë kufijve të Kosovës Serbia ka përqendruar forca të mëdha ushtarake. Çdo
fjali e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Viçiqit ngërthen në vete kërcënim
ushtarak.
Sulmi në Banjskë ishte një sulm i armatosur i
terroristëve serbë ndaj Republikës së Kosovës që ndodhi në fshatin Banjskë në
veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Sipas institucioneve kosovare të sigurisë,
plani fillestar i sulmit ishte aneksimi i veriut të Kosovës. Në këtë sulm mbeti
i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim
Bunjaku* dhe disa terroristë serbë. Kosova, Shqipëria dhe BE-ja, sulmin
ndaj Policisë së Kosovës e cilësuan si sulm terrorist. Sulmi u dënua edhe nga
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shënim: Afrim Bunjaku (15
prill 1973 - 24
shtator 2023) ishte rreshter i Policisë
së Kosovës. U
vra në orët e hershme të datës 24 shtator 2023 nga një grup terrorist serb në Sulmin
e Banjskës afër
fshatit Banjskë të Komunës
së Zveçanit ku u
sulmua veriu
i Kosovës. Pas vdekjes,
kryetarja Vjosa Osmani e nderoi me urdhrin "Hero i Kosovës".
*
* *
Sulmi në kanalin ujor Ibër – Lepenc në Zubin Potok - Në mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2024, një mjet shpërthyes shpërtheu në kanalin ujor Ibër - Lepenc në Zubin Potok, në veri të Kosovës. U dëmtua rëndë infrastruktura
kritike që furnizon me
ujë shumë komuna dhe e mbështet termocentralin e Obiliqit. Qeveria
e Kosovës e përshkroi aktin
si sulm terrorist të mbështetur nga Serbia, si pjesë e
strategjisë së saj për ta destabilizuar Kosovën. Faktori
ndërkombëtar dënoi aktin, ndërsa Shqipëria, Bashkimi Evropian, Franca bënë thirrje për hetim të plotë.
* * *
Për fenomenin e mbuluar nga lufta hibride, ekspertët e
sigurisë kombëtare shpesh e përdorin termin "luftë
speciale". Në skenën ndërkombëtare përdoret termi i vjetër "subversion".
Prej vitit 2005 janë përdorur termat "luftë
hibride" dhe "kërcënime
hibride" të cilat kohët e fundit kanë hyrë në dokumente zyrtare dhe
kanë filluar të përdoren si terma zyrtarë. Më 23 nëntor 2016, Parlamenti
Evropian miratoi rezolutën INI (2016/2030) që i analizon rreziqet e luftës
hibride që zhvillohet kundër Bashkimit Evropian nga Rusia dhe nga ISIS-i.
Ata thuhet se manipulimet propagandistike të mediumeve
ruse janë veçanërisht të fuqishme në vendet e pjesës lindore të Bashkimit
Evropian, mediumet kombëtare të të cilave
janë tejet të dobëta për t'u përballur me këtë sfidë.
Teknologjitë e luftës së informacionit dhe të
komunikimit janë përdorur gjithashtu për t’i legjitimuar kërcënimet ndaj
sovranitetit dhe pavarësisë së disa shteteve anëtare të BE-së dhe se ISIS-i,
Al-Kaeda dhe grupet e tjera xhihadiste të dhunshme përdorin sistematikisht
strategji komunikimi për t’i justifikuar veprimet e tyre kundër BE-së dhe
anëtarëve të saj dhe kundër vlerave evropiane dhe për të inkurajuar rekrutimin
e tyre midis evropianëve të rinj.
Në prill të vitit 2018, Bashkimi Evropian miratoi Kornizën
e përbashkët për kundërshtimin e kërcënimeve hibride dhe për rritjen e
rezistencës së BE-së, e cila specifikon se veprimet hibride kundër BE-së
përfshijnë "një përzierje të
aktiviteteve konvencionale dhe jokonvencionale, ushtarake dhe jo-ushtarake, të
hapura dhe të fshehta që mund të përdoren në mënyrë të bashkërenduar nga aktorë
shtetërorë ose jo-shtetërorë për të arritur objektiva specifike, duke mbetur
nën pragun e një lufte të shpallur zyrtarisht, të cilat veprimtari synojnë
dobësitë kritike dhe kërkojnë të krijojnë konfuzion, për të penguar
vendimmarrjen e shpejtë dhe efektive dhe të cilat mund të përfshijnë një gamë
të gjerë masash - nga sulmet kibernetike në sistemet kryesore të informacionit,
nëpërmjet ndërprerjeve në funksionimin e infrastrukturave kryesore siç janë
energjia ose financat, deri te minimi i besimit publik në institucionet
shtetërore ose abuzimi me vështirësitë sociale".
Në kohët moderne, veprimet hibride dhe veçanërisht
veprimet psikologjike dhe informative që zakonisht nuk kanë kosto tejet të
larta dhe nuk ngërthejnë rreziqe të larta,
dëshmohen të jenë forma më e zakonshme e agresionit ndërkombëtar. Duke
vepruar kështu, veprimet e shtetit agresor që synojnë destabilizimin,
dobësimin, madje edhe shkatërrimin e sistemeve politike të vendeve të tjera,
mbeten kryesisht të fshehta. Në thelb, atyre nuk duhet kundërpërgjigjur me sulm ushtarak.









