Xhelal Zejneli: Interesi meskin dhe idealizmi kombëtar
INTERESI MESKIN DHE IDEALIZMI KOMBËTAR

Shumë krijues bashkëkohorë kanë shkruar për historinë shqiptare të
dhimbshme dhe të përsëritur. Kanë shpalosur mungesën e substancës së formuar të
qenies. Në këtë kuadër, në vizionin e tyre, as e ardhmja nuk është shpresëdhënëse.
Ky vizion i tyre tingëllon aktual edhe
sot, në sistemin pluralist të hapësirave shqiptare, si dhe në Kosovën e lirë,
demokratike dhe të pavarur. Në këto tridhjetë vitet e pluralizmit
në botën shqiptare, sistemi i ndërtuar nuk është as socialist dhe as
kapitalist, por gjysmë-barbar. Në botën shqiptare kemi një thellim frikësues të
pabarazive shoqërore dhe ekonomike. Pabarazitë sociale shndërrohen edhe në
pabarazi politike. Në hapësirat shqiptare s’dihet dot se kush e ka në dorë
shtetin: oligarkët apo politikanët?!
Kapitalizmi në Evropë ka filluar të
ndërtohet në Itali, para tetëqind vjetësh. Borgjezia shqiptare ndërkaq synon të
krijohet brenda natës. Askush në histori nuk ka mundur të krijojë pasuri
marramendëse, pa e shfrytëzuar djersën dhe mundin e tjetrit. Askush në
rruzullin tokësor nuk është pasuruar shpejt, pa bërë abuzime në dëm të
shoqërisë. Askush në botë nuk është pasuruar sakaq, pa kryer veprime të
paligjshme, në dëm të interesit të përgjithshëm.
Në rrethana të tilla, në hapësirat
shqiptare nuk bëhet politikë politike, por politikë e kapjes së shtetit, e
grabitjes dhe e zhvatjes. Midis oligarkëve dhe politikanëve kemi një aleancë të
ngushtë. Madje oligarkët e financojnë politikën saqë ajo shndërrohet në
instrument të oligarkisë. Në rrethana të tilla edhe organi ligjvënës i shtetit
është në duart e oligarkisë. Si i tillë, kuvendi i shtetit figuron dhe
funksionon vetëm formalisht.
Në shtetin me pabarazi sociale të thellë,
shteti ligjor dhe demokracia nuk janë veçse fasadë. Në një shtet të tillë, i
pasuri e blen lirinë e të varfrit, ndërsa i varfëri, për të mbijetuar,
detyrohet ta shesë lirinë e vet. Punëtori s’ka guxim të shprehë pakënaqësinë e
vet për arsye se sa çel e mbyll sytë, e humb vendin e punës. Gjendja e këtillë
cenon edhe dinjitetin dhe integritetin e njeriut. Në shtetin as socialist, as
kapitalist s’ka as organizim sindikalist.
Në këtë dance macabre hedhin valle institucionet arsimore dhe shkencore,
inteligjencia, kleri fetar, mediumet, studiot televizive, moderatorët, kryeredaktorët,
analistët politikë, ndërtuesit e mendimit publik. Këta nuk janë veçse
instrumente të verbëta të faktorit parapolitik. Në skenë ndodhen mercenarët dhe
kalemxhinjtë.
Për ta sunduar më lehtë popullin,
sundimtarët e të gjitha ideologjive qëllimisht e kanë mbajtur atë në varfëri.
Satiriku romak Juvenali (Decim
Junije Juvenalis, rreth 60 – rreth 130) thotë se parullë e qarqeve sunduese të
Romës perandorake ka qenë panem et circenses (bukë dhe argëtim). Me fjalë të tjera,
në do ta sundosh popullin pafundësisht, jepi bukë dhe zbavitje.
Parapolitika fare nuk çanë kokën për
dyndjen masive të rinisë dhe për ikjen e trurit drejt asimilimit. Kombi mbetet
pa pjesën vitale të tij. Dobësohet forca prodhuese dhe riprodhuese e kombit.
Kapaciteti krijues dhe mbrojtës atrofizohet, ndërsa potenciali biologjik
ndrydhet.
Sistemi ekonomik, sistemi i arsimit,
sistemi i shëndetësisë dhe sistemi infrastrukturor nuk shënojnë zhvillim të
duhur. Investime nuk ka apo ka fare pak. Papunësia rritet, me të edhe varfëria dhe
skamja. Të ardhurat mujore të fuqisë punëtore janë si ato të Evropës së
shekullit XIX. Me industri kaçavidash, me tregti qesesh najloni dhe me sistem
arsimor të vjetruar, nuk shkohet në hap me kohën.
Shqiptarët duhet të pushojnë që për
ngecjen e vet t’i fajësojnë të huajt dhe vetëm të huajt. Ka kohë që shqiptarët
janë çliruar nga sundimi i huaj. Që atëherë kanë kaluar mbi njëqind vjet. Fajin
për ngecjen e vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Në asnjë vend të
rajonit nuk kemi një polarizim aq të ashpër midis faktorëve politikë si te
shqiptarët. Të rralla janë vendet e botës ku politikanët përdorin ndaj
njëri-tjetrit gjuhë degutante,
denigruese dhe denoncuese.
Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi
shtetformuese, të heqin dorë nga mikrovlerat dhe mikrosistemet, të pushojnë së
vepruari në mikroplan. Duhet t’u kthehen makrovlerave dhe makrosistemeve për të
vepruar në makroplan.
S’është kohë e patriotizmit folklorik, por e punës së ndershme dhe e të
udhëhequrit me idealizëm. Shqiptarët sot, nuk ballafaqohen vetëm me pandemi
virusale, por edhe me pandemi politike. Të mbërthyer nga parapolitika,
shqiptarët do të vazhdojnë të përplasen nga scila në haribdë,
tranzicioni ndërkaq do të zgjatë pafundësisht.
Në rrethana të sipërthëna dobësohet
substanca e kombit, zbehet idealizmit, goditet rëndë ideali kombëtar, ndërsa
ëndrra për një të nesërme më të mirë – shuhet.
Shqiptarët e pritën me entuziazëm
pluralizmin politik, ndërsa për çlirimin e Kosovës prej pushtuesve serbë e
dhanë edhe jetën, por jo për t’u ndjerë të huaj, të nënshtruar, të nëpërkëmbur,
të shfrytëzuar dhe të shpërfillur në gjirin e tokës mëmë.
Shteti ku ka punëtor me 150 euro pagë
mujore, ndërsa oligarkët, politikanët dhe bijtë e tyre, fundjavën dhe pushimet
i kalojnë nëpër ishujt ezoterikë të rruzullit – nuk mund të quhet shtet.
Lumturia nuk është individuale. Ajo është e përgjithshme. Janë të turpshme
skenat migjeniane në shtetin evropian
të shekullit XXI. Në shtetin e pabarazive sociale të thella shkelen parimet
themelore të demokracisë. Aty demokracia diskreditohet.
Varfëri, në tokat e pasura shqiptare! Ç’paradoks!
Kush e ka në dorë atë pasuri, ato brigje me diell?!






