Xhelal Zejneli: Defensiva e faktorit politik shqiptar në Maqedoni
DEFENSIVA E FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI

Strategjia e Gruevskit është të
shkaktojë defensivën e politikës shqiptare. Pra, në një anë i kemi kërkesat e
faktorit politik shqiptar, në anën tjetër i kemi vendimet nacionaliste
maqedonase, me përmbajtje antishqiptare. Faktori politik shqiptar, i
ballafaquar me vendimet nacionaliste të VMRO-së, tanimë ndodhet në dy fronte:
- E para, të realizojë kërkesat politike
të shqiptarëve;
- E dyta, të mbrohet prej vendimeve
nacionaliste maqedonase.
I dobët për të luftuar në dy fronte,
faktori politik shqiptar, tërhiqet nga njëri front – ai i realizimit të
kërkesave të shqiptarëve dhe kalon në defensivë, për t’u mbrojtur nga vendimet
nacionaliste, unitare dhe monoetnike maqedonase. VMRO-ja, jo vetëm që nuk
realizon asnjë kërkesë të shqiptarëve, por imponon vendime antishqiptare.
Shqiptarët sot, nuk janë në situatë të kërkojnë apo të realizojnë të drejta,
por ndodhen në një situatë kur duhet të mbrohen nga politika nacionaliste
antishqiptare e VMRO-së. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar, ndodhet
në defensivë, përkatësisht në mbrojtje. Por, kjo nuk përfundon me kaq. Faktori
politik shqiptar, është i dobët, jo vetëm për luftë në dy fronte. Ai tregohet i
dobët për të luftuar, madje edhe në një front të vetëm – në atë të mbrojtjes.
Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar sot, nuk është as në sulm, e as në
mbrojtje. Ai qëndron pezull, pa peshë, pa ndikim dhe pa rol politik.
Në frontin e parë, faktori politik
shqiptar nuk ia del t’i realizojë kërkesat e shqiptarëve. Në të dytin – nuk ia
del t’i refuzojë vendimet nacionaliste maqedonase. Nga kjo del se, faktori
politik shqiptar sot, është i papërfillur. Relativizmi i peshës së faktorit
politik shqiptar shkaktohet në shumë mënyra, si për shembull:
- Duke shkaktuar ndër partitë politike
shqiptare zënka të ashpra – jo për ideologji, por për pushtet, pa pushtet;
- Duke dobësuar opozitën shqiptare, në
të gjitha mënyrat;
- Duke përfshirë në qeveri edhe partinë
shqiptare – humbëse të zgjedhjeve;
- Cilësdo parti shqiptare, që hyn në
qeveri, të mos i realizohet asnjë kërkesë politike;
- Për ta amortizuar dhe për ta
asnjanësuar reagimin eventual të faktorit politik shqiptar, të pranohen - në
mënyrë fiktive - vetëm ca kërkesa të tij, edhe atë vetëm në rrafshin kulturor;
- Personat, ndaj të cilëve janë duke u
zhvilluar procese “gjyqësore”, të dënohen me dënime drakonike;
- Duke marrë vendime antishqiptare dhe
duke i imponuar ato, pa e përfillur faktorin politik shqiptar.
Në këtë mënyrë:
- Faktori politik shqiptar, do të
diskreditohet, do të komprometohet dhe do të degradohet;
- Do të zhvlerësohen arritjet e luftës
së 2001-shit; dhe
- Do të rikthehet koha e para 2001-shit.
Qëllimi i VMRO-së është: Të diskreditojë
luftën e 2001-shit, ta komprometojë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe ta
zhvlerësojë Marrëveshjen e Ohrit. Me këtë strategji të VMRO-së, faktori politik
shqiptar në Maqedoni, jo vetëm që s’është në ofensivë, por s’është as në
defansivë. VMRO-ja synon PPD-izimin e faktorit politik shqiptar. Faktori
politik shqiptar ndodhet në krizë të thellë. Si rrjedhojë, në mbrojtje të interesave
jetike të shqiptarëve vihen: organizmat e shoqërisë civile, mediumet,
gazetarët, analistët politikë dhe inteligjencia shqiptare. Ndodh njëfarë
homogjenizimi i shoqërisë shqiptare. Politikat e Gruevskit dhe të VMRO-së janë
irracionale. Energjitë e shqiptarëve sot, nuk harxhohen për të realizuar
kërkesa kombëtare, por për t’i refuzuar vendimet nacionaliste dhe arbitrare të
VMRO-së. Shqiptarët janë vënë në pozicion mbrojtës. Politika e VMRO-së
diskrediton edhe faktorin ndërkombëtar. Të huajt nuk duhet të rijnë duarkryq
para këtij irracionalizmi dhe nacional-romantizmi të VMRO-së. Politika e
VMRO-së prek edhe në ndërgjegjen e qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës. Edhe politika konstruktive e tyre në rajon, e ka një
kufij, përtej të cilit nuk mund të shkohet.
Gjatë zbatimit të politikës
nacionaliste, retrograde dhe anakronike, VMRO-ja shfrytëzon:
- Dobësinë e faktorit politik shqiptar
në Maqedoni;
- Tolerancën e faktorit ndërkombëtar;
dhe
- Politikën konstruktive të qendrave
politike shqiptare – Tiranës dhe Prishtinës.
Për ta defokusuar vëmendjen e
shqiptarëve prej kërkesave politike të tyre primordiale
(kryesore; të dorës së parë) dhe historikisht të justifikueshme, VMRO-ja
trillon probleme të paqena:
Njëherë lanson gënjeshtrën për
prejardhjen etnike të Nënë Terezës
dhe i shtyn shqiptarët që muaj të tërë të merren me këtë çështje. Pra të
harxhojnë kohë dhe energji për çështje të trilluara.
Pas kësaj, nacionalistët maqedonas,
lansojnë një gënjeshtër tjetër – atë për prejardhjen etnike te nënës së Gjergj Kastriotit. Shqiptarët përsëri
detyrohen të lënë mënjanë kërkesat e veta politike dhe me muaj të tërë do të
merren me këtë gënjeshtër të radhës.
Pasi të përfundojë efekti i këtij
trillimi, pushtetarët e VMRO-së do t’i sulmojnë viset shqiptare, siç ishte
rasti i Brodecit. Natyrshëm, përsëri
shqiptarët do të duhet të merren një kohë të caktuar me çështjen e sipërthënë.
Pasi të përfundojë ky sulm, do të pasojë
procesi politik ndaj të arrestuarve, proces ky që do të përfundojë me dënime
drakonike.
Pasi të shqiptohen rreth 200 vjet burg,
për shqiptarët do të riaktualizohet një çështje tjetër – ajo e Sopotit. Natyrshëm, shqiptarët do të
merren edhe me tragjedinë e sopotasve të dënuar.
Pasi të bjerrë vala e reagimeve për
çështjet e lartpërmendura, prej qarqeve ksenofobike maqedonase, shqiptarëve do
t’u imponohen preokupime të reja – preokupimet rreth enciklopedisë. Muaj të
tërë, rreth këtij projekti antishqiptar, do të angazhohet, pothuajse i tërë
populli shqiptar në Maqedoni.
Kësisoj arrihen disa objektiva të
VMRO-së:
- Vëmendja e shqiptarëve shpërqendrohet
prej kërkesave politike, për t’u përqendruar në çështje të paqena apo të
trilluara;
- Gjatë kësaj loje, faktori politik
shqiptar, me qëllim që të PPD-izohet, vihet jashtë loje, shpërfillet dhe
diskreditohet para popullit të vet.
Pasi mbaron vala e reagimeve rreth
enciklopedisë, VMRO-ja dhe Gruevski, të mbështetur edhe nga kuajt e Trojës – të
inkorporuar në gjirin e faktorit politik shqiptar - lansojnë një vendim të
tmerrshëm - mësimin e maqedonishtes nga nxënësit shqiptarë që në klasë të parë
fillore. Edhe një herë, një popull i tërë, çohet në këmbë.
Partia shqiptare, që është pjesë “e
bashkëqeverisjes”, nuk ka asnjë ndikim për ta ndaluar të keqen, aty ku edhe
buron – në organin ekzekutiv.
Akoma pa u ulur tensionet rreth
maqedonishtes, pason një tmerr, një terr dhe një ferr tjetër dantesk – Shkupi 2014. Kemi të bëjmë me sllavizimin e kryeqytetit, me mjetet
financiare të përbashkëta – të shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve.
Pas këtij projekti sllavo-bizantin, do
të pasojë një tjetër vendim provokues. Tashmë, askush s’ka kohë të flasë për
kërkesa politike. Politika shqiptare nuk është, as në ofensivë, as në defensivë.
Ajo është jashtë loje. Në rolin e mbrojtësit janë vënë organizmat e shoqërisë
civile. Sipas teorisë politike, dihet qartë se organizmat e shoqërisë civile
dhe mediumet, kurrë nuk mund të paraqesin zëvendësim përkatës për faktorin
politik. Por, zëvendësim akoma më i mirë është protesta e qetë mbarëpopullore,
siç ishte ajo e studentëve rreth enciklopedisë.
VMRO-ja është e vetëdijshme se
nacionalizmi i saj i prish marrëdhëniet ndëretnike. Megjithatë, s’i bëhet vonë.
Atëherë shtrohet pyetja: Ç’perspektivë ka ky vend me marrëdhënie ndëretnike të
çrregulluara?! VMRO-ja zbaton edhe një strategji tjetër antishqiptare: I largon
shqiptarët nga hapësira e interesit në shkallë qendrore, aty ku ballafaqohen
interesat ndëretnikë dhe detyron ata të kacafyten në hapësirën brendashqiptare.
Me këtë strategji arrihen shumë objektivë, si më poshtë: - e para, interesat
maqedonase, në nivel shteti, mbeten të pacenuar; - e dyta, shqiptarët të
kacafyten në hapësirën etnike të vet, duke rrezikuar interesat e njëri-tjetrit,
gjë që i acaron marrëdhëniet brendashqiptare. Rrjedhimisht, konflikti
ndëretnik, zëvendësohet me atë brendashqiptar.









