Xheladin Mjeku: Asimetria koherente e vargut të konsoliduar
ASIMETRIA KOHERENTE E VARGUT TË KONSOLIDUAR
Mexhid
Mehmeti: “SIMETRI E THYER”, poezi, botoi Lena – Prishtinë, 2025

Përsiatje, dhe pak më shumë
Mexhid Mehmeti, njihet prej dekadash
për mjeshtrinë e vargut, mendimin e thellë dhe konstruktiv të fjalës dhe
përçueshmërinë e mesazhit për dashurinë, jetën, lirinë dhe madhështinë e artit
që i buron nga shpirti. Këta xhevahirë shpirtëror i takojmë në mbi dyzet veprat
e tij letrare, studimore dhe publicistike. E veçanta e tij është se vështirë
mund të përcaktohesh për ndonjërin, që të provokon me titullin apo zhanrin e
trajtuar. Megjithatë, nga kolana e veprave të tij shkëputa njërin nga titujt,
që rastisi të jetë libri i botuar kohëve të fundit, Simetria e thyer, i cili më bëri kureshtar për pagëzorin,
prandaj u nisa këtij rrugëtimi të pandalur deri në fundin e tij, ku takova,
përveç tjerash një asimetri koherente të vargut, përplot ngjarje e kujtime të
jetës, që në realitet sjellin shumë pika biografike:
Në xhepa mbaj dheun e fëmijërisë,
një grusht pluhur
nga rrugicat ku i lashë hapat e parë.
Era e mbrëmjeve më ndjek pas,
si zë i largët që më thërret në ëndrra.
(,,Atdheu i munguar”, fq. 45)
Meqë ajo kohë ka lënë vrragë të thella
kujtimesh, që pareshtur do t’i sillen në kujtesë autorit, edhe tashmë kur po
përmushë obligimet e tij ndaj atdheut, sepse “Atdheu im është fotografi e vjetër/ që nuk plaket asnjëherë në kujtesë/
por gërryhet pak nga pak në duart e kohës (po aty, fq. 45). Ai do të
vazhdoi edhe më tutje me prekjen e të kaluarës së tij në vendlindje, ku
detyrohet ta braktisë fizikisht, por asnjëherë ta ndaj nga zemra, si dashuri,
dhimbje dhe ëndërr që nuk mbaron kurrë.
Një plumb e goditi fëmijërinë time,
dhe ajo s’u kthye më.
Në rrugët ku dikur loznim pa frikë,
tani heshtja rri e ulur mbi pragjet e
shtëpive.
(,,Lufta që nuk mbaroi”, fq. 47)
Kësaj Udhe të pambarim nuk do t’i ndahet as atëherë kur mbetet i vetmuar
nën Qiellthyerje, as kur prek Plagë dheu, gjithnjë duke shprehur
mendimet e tij me Gjuhën e gurtë dhe
në përftim nëpër Pluhur kujtimesh, siç
do të shprehet: Kam trokitur/ në derën e
mendimeve t’mia/ por askush s’ma hapi, për ta përmbushur mendimin e tij: Ndoshta isha unë, ndoshta një unë tjetër/
hije e harruar në qoshen e një kohe/ që nuk e njoha kurrë (,,Njeri i
përhumbur”, fq. 21).
Në përgjithësi, në këtë vëllim ndërtimi i poezisë përmes figuracionit
simbolik dhe gjuhës metaforike, krijon lidhje të vazhdueshme mes subjektit
lirik dhe botës së brendshme refleksive.
Ashkla kujtimesh të shkapërderdhura nëpër kohë

Poezia e Mexhid Mehmetit në rrugëtimin
e saj tashmë ka dëshmuar pjekuri artistike. Kjo venerohet dukshëm edhe në Simetria e thyer, e cila shënon momente të veçanta me ndjeshmëri të thella të
një zëri autentik, që i jep poezisë kuptim shumëdimensional dhe të
transmetueshëm lehtë te recepienti.
Ndonjëherë krijohet dyshimi se
Asgjë s’është
e vërtetë/ as unë/ as ti/ as koha që na mba pezull/ si pëllumba të ngrirë mbi
tela (,,Unë, Ti, Askush”, fq. 27), që autori i parashtron në formë dilemash,
aq sa edhe enigmash të pazgjidhura, për të kapërcyer shtigjeve të një
abstraksioni, si trajtim apo ndjeshmëri, që në parim nuk janë veçse
këndvështrim i universit, ku Ata që
përsërisin/ të njëjtën ëndërr?/ Apo jemi veç një jehonë/ që e gënjen veten/ se
e ka një trup (,,Të gjitha këto gjëra”, fq. 32). Brenda kësaj kornize të shtjellimit nënkuptohet se vetëm Universi ka kujtesë, ne jo, ku sipas
këtij konkludimi poetik ne/ vijmë e ikim/
harrojmë gjithçka/ rikrijojmë gjithçka/ dhe e quajmë të re, apo edhe më
shkoqitur ndoshta jemi veç një
përsëritje/ e një historie të lodhur/ që nuk di si të ndalojë (po aty, fq.
41).
Mexhid Mehmeti nuk rresht së kërkuari
brenda kornizës së vetvetes në gjetjen e një përkufizimi bindës: Jemi hije të dritës që nuk e shohim/ zëra që
heshtja i vret/
jemi frymëmarrje në rrugëtimin e pafund/ gjurmë mbi rërë/ që era nuk e
pyet para se ta fshijë. (,,Kush jemi”, fq. 53), për ta rikthyer
besimin se pavarësisht situatave, Vrapojmë
drejt së ardhmes/ me kujtimet varur mbi supe/ pa kuptuar se e nesërmja/ është
një ëndërr që shndërrohet në pluhur/ para se ta prekim, për ta përmbledhur
mendimin e tij në një rreth vicioz: Dhe
kur më në fund ndalemi/ jeta na sheh me
ironi/ sepse s’ka rëndësi sa larg kemi shkuar/ fundja gjithmonë
mbërrijmë te vetja (po aty, fq. 54). Në këtë Udhëtim brenda vetes, poeti do ta kuptoj se Në çdo ndalesë/ takonte një version tjetër të vetes:/ djaloshin që
ëndërronte/ burrin që luftonte/ plakun që buzëqeshte me lodhje, për ta
kuptuar pastaj se ai nuk kishte shkuar askund/ veçse kishte ecur brenda
vetes (po aty, fq. 72), në udhën më të gjatë dhe plot sprova gjatë gjithë
Shekullit të jetës së tij.
Asgjë nuk mund ta
ndaloj poetin të shpërfaq atë që nuk e ka thënë deri tash. Ky është edhe misioni i tij,
që të gjurmoj e shpalos thënie e karaktere të reja në vazhdimësi. Ai guxon të
mos thotë Asgjë dhe gjithçka, qoftë
edhe kur mbyllet në veten e tij mes hapësirave brenda dhe jashtë, siç do të shprehet te poezia Njeriu që kërkoi veten, duke insistuar
ta masë fjalën e pathënë me Peshën e
kujtimit si një balansim mes kujtimit, dritares dhe botës së panjohur: Një fjalë që s’e thash/ Një kujtim që s’e
preka/ Një dritare që nuk e hapa/ Një botë që s’e jetova/ Dhe megjithatë/ ndjej
peshën e gjithçkaje mbi supe (po aty, fq. 81).
Vëllimi poetik Simetria e thyer vjen i ndërtuar mbi një koherencë tematike me
strukturë të unifikuar, që funksionojnë si një tërësi në gjithë diskursin poetik. Në parim poezitë e këtij vëllimi nuk trajtojnë tema në frymën e
rrëfimeve lineare, por synojnë të ruajnë një proces bashkëveprimi ku
artikulohen marrëdhëniet e subjektit lirik përmes gjendjeve emocionale,
kujtimeve, imazheve, etj.
Unë dhe tjetri unë sjell mundësi të ndryshme interpretimi deri në Fillimfund-in emblematik
Kundrimi i fenomeneve, ngjarjeve, situatave, motiveve, në rrafshin tematik
te cikli Unë dhe tjetri unë, edhepse duken
të thjeshta në ndërtim, ato reflektojnë përmes niveleve të kuptimit dhe mënyrës
së leximit. Poeti, në këtë cikël poezish nga më të veçantin, do të
eksperimentoj me strukturën e vargut, me ritmin, me mënyrën e leximit, duke i
krijuar lexuesit mundësi të pafundme të kuptimeve. Poashtu, poezi të shumta
vijnë me një strukturë ndërtimore mes numrave, simboleve, metaforave, duke e bërë gjuhën matematikore të
tingëllojë poetikisht (fq. 110). Kjo strukturë e ndërtimit lehtësisht
hetohet edhe në poezinë Transformim:
Unë jam si një oqean i thellë,
i mbushur me dyshime dhe rëra.
Unë jam një det pa breg,
i mbushur me mundësi
që s’janë ende zbrazur.
Unë jam shuar si një llambë,
po s’ndriçoj më asgjë, as unë.
Përgjigja fshihet në mes të valëve,
dhe të gjitha valët janë të fshehura në mua.
(Po aty, fq. 137)

Këto motive nuk
shfaqen të izoluara, por ndërthuren në mënyrë organike, duke krijuar një tekst
poetik që funksionon si rrjedhë associative me kontraste të forta. Unë ec/
hija ime ndalet/ Unë ndalem/ hija vazhdon, për të reflektuar edhe më tutje
mes kontrasteve që mëtojnë baraspeshim me mendimin se aty gjithëçka e ka
rrugëtimin e vetë, edhe përtej përsosmërisë së vargut, si përceptim i situatave
që krijohen: Unë qesh/ pasqyrimi im qan/
Unë qaj/ pasqyrimi hesht, gjithnjë në
kërkim të zgjidhjes së enigmës: Pra, cili
jam unë? (,,Unë dhe tjetri unë”, fq.
98).
Të kësaj fryme janë
edhe shumë poezi të tjera, që krijojnë mundësi të pafund interpretimi dhe kuptimi, ndër të cilat edhe: Era që ngjitet lart, Pasqyrë në pasqyrë, Përsëritje e
pambaruar, Formula e mungesës, Dera që nuk hapet, rruga që nuk mbyllet, Bota në
copëza, Dita që shihja, Ndryshe-ndryshe, etj.
Edhe në ciklin poetik Fillimfund do të ballafaqohemi me përplasje
kohore, me situata të dhimbshme, me sprova dashurie, etj. Në fakt, këtu nuk takojmë thjeshtë zbukurime
stilistike me pasqyrime të ngjarjeve nëpër kohë, por
rrugëtohet në rrafshin e një diskursi refleksiv, ku përshkohet nga fryma
emotive, si bartëse e ndërtimit semantik, në plotëkuptimin e ndjeshmërisë. Kështu, Pas çdo hapësire të ndritshme/ mbetet hija
që na ndjek duke kërkuar rrugë të reja për të dalur nga terri që e kaplon
përtej dyshimit se mund të gjendet ndonjë vend ku ndjehemi të sigurt/ apo jemi të humbur hapash? (,,Hija që na
ndjek”, fq. 165). Kjo hije del herë
si Përplasje valësh, herë si Iluzion, prej nga përshkohet një Hapësirë e pambyllur edhe atëherë kur
ngushtohet, ndonëse kurrë nuk është çark i mbyllur, derisa e shohim si hapje (po aty, fq. 168). Eksperimentime të këtilla ku përshkohen me ndjenjë frike,
pasigurie, deri në përplasje me vetveten, për të shpërthyer si ndjenja të reja
në raste tjera do të takojmë në shumë poezi, që për rrjedhojë kanë pasqyrime të
ndryshme mendimesh, fenomenesh e pikëpamjesh që autori i ndërlidhë me
zhvillimet e jetës dhe relacionet mes të kaluarës dhe të ardhmes (,,Shenjë e humbur”, ,,Jetëvdekje”, ,,Hap i humbur”,
,,Trishtim e shpresë”, ,,Terrdritë”, ,,Rilindje”, ,,Dritë që nuk fiket”,
,,Kërkim lirie”, etj.).
Për Mexhid Mehmetin dashuria është temë
që asnjëherë nuk mund të kuptohet plotësisht. Ajo ndodh të jetë udhëtim që nuk ka fund/ kërkim që nuk mund
të ndalet/ Është pasion që rritet e ndryshon/ dhe gjithmonë kërkon të jetë e
plotë. Poashtu, ajo ndonjëherë kuptohet si një humbellë e pafund, si një gropë e thellë, apo hapësirë e mbushur
me frikë. Megjithatë, siç e përkufizon poeti, Ajo është dëshirë/ që nuk mund të mbushet/ dhe
ndoshta është/ vetëm iluzion që jeton në zemra (,,Dashuria është...”, fq. 182). Kjo
zbraztësirë kërkon të gjej shumë më shumë elemente që do ta plotësojnë kuptimin
e dashurisë për njeriun, për të dashurit, për jetën, si veprime që prekin
ndjeshëm në çfarëdo situate të ndodhemi. Në raste të këtilla një Rikthim i dytë do të ndodh gjithësesi. E
mira dhe e keqja kanë kuptimet e tyre, poaq sa edhe Takimi i papritur dhe Dëshprimi,
që akcila prej tyre përmushin boshllëkun e krijuar në kohëra e hapësira të
ndryshme, varësisht ku ndodhin, sepse Rrugët
janë të panumërta/ dhe hapat mundësi për të humbur, poaq sa Rruga është e pafund/ dhe çdo hap udhëtim i
ri (,,Udhë”, fq. 198).
Në një vëllim kaq të veçantë shumëçka
del të jetë pjesë e ndërtimit të plotnisë krijuese, e të gjitha s’bashku synojnë arritjen e qëllimit
të autorit, vizionet e të cilit kërkojnë të jenë sa më largpamëse, me shumë kordinata
veprimi, e mbi të gjitha, të përshkuara me lëndë përmbajtësore nga bota që e
rrethon, për të pasqyruar sa më bindshëm qëllimet e projektit të tij krijues.
Ai, herëpasherë do t’iu kthehet temave e ngjarjeve për t’i sforcuar me gjak të
ri poetik, me shkoqitje mendimesh a përkrahje qëndrimesh. Të këtillë i takojmë
shumë tituj në ciklin Poezi për...,
ku Vetmia, Ndotja e ndjenjave, Lidhja e
dashurisë, Çlirimi, Hapat që lëmë, Mbrëmjen e qetë, Kthimin, Çastin e bukur,
i përshon Rrjedha e jetës, derisa Gjërat kalojnë/ ne vazhdojmë të ecim,
qoftë edhe në situatat kur Rrugët janë të paqarta, por për poetin
gjithmonë çdo hap është një fillim
(po aty, fq. 212).
Kjo Metaforë e
paprekshme që
e takojmë çdokund
Kodi i thyer
personifikon simetrinë e vargut në tërësinë e lëndës poetike, ku vetë Fjalët janë dritare/ të thyera/ Të mbyllura
në alfabetin e harresës. Këto fjalë kryejnë misionin e tyre në relacionet e
dëshiruara përmes një asimetrie veprimesh, sepse Nëse një germë mungon/ kuptimi rrëshqet në terr (po aty, fq. 219).
Thyerjeve që u cekën edhe në tekstin më lartë, poeti ua ka besueshmërinë e
plotë edhe atëherë kur Ngjitet pas një
fjalie të lëkundur dhe ndodh që ajo
bie, ndihet i sigurtë që ai do të vazhdoi përsëri aty ku lind enigma e re (,,Metaforë e paprekshme”, fq. 221).
Këtë poezi në vazhdimësi e përshkojnë
situata të shumta Ndërmjet asgjësë dhe
gjithçkafes, qoftë edhe nga
një varg i vetëm pa fjalë, apo fjalët
pa zë/ zëri pa trup, që ndodhen në raste të këtilla mes abstraktes, enigmave
dhe ëndërrimeve të pafund, ku poezia po përpiqet të ndodhë (po aty,
fq. 228), si ndjenjë shpirtërore e poetit, i cili ka zgjedhur ta sjell një
model vetanak të komunikimit me kohën, ngjarjet, situatat dhe veprimet, si
asnjëherë tjetër, duke vënë në përdorim thyerje mendimesh, idesh, vargjesh, që
afishojnë një predikim ndryshe të gjetjeve të reja poetike.
Kjo metaforë e bollshme që e takojmë
çdokund në poezinë e kësaj përmbledhje nga ana strukturore, karakterizohet përmes organizimit
të lirë, ku lidhjet tematiko-motivore, sjellja e ideve, ndërtimi i vargut dhe konsolidimi i fjalës i japin tekstit një karakter meditativ dhe e motivon lexuesin të marrë pjesë aktive në procesin e
interpretimit.
Përfundimisht, kjo
vepër e dëshmuar për ndërtimin e
konsoliduar estetik dhe bashkëveprimin e vazhdueshëm me subjektin lirik
konsiderohet një kontribut i pranueshëm në poezinë bashkëkohore.


