Dorian Koçi: Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
(96
vjetori i vdekjes së poetit)

Nuk
ka dyshim se ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis lëvrimit të një gjuhe
dhe letërsisë së kultivuar. Në këtë drejtim, letërsia shqipe, e bazuar mbi një
gjuhë që ende nuk kish standardizuar alfabetin e vet, me një trashëgimi të
paktë me autorë dhe tekste, nuk mund të arrinte kulme të barasvlefshme me ato
të letërsive të zhvilluara. Kjo është arsyeja që kur i lexojmë sot poetët dhe
shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare, vargjet e tyre na tingëllojnë herë-herë
fëminore dhe për fat të keq i anashkalojmë apo dhe nuk i rekomandojmë për të lexuar.
Sigurisht që kjo mospërfillje vjen ngaqë nuk kemi dhe shkrimtarë, kritikë
autoritarë që të rrëfejnë udhëtimet e tyre shpirtërore në krijimtarinë e
shkrimtarëve më të hershëm dhe rrënjët e letërsisë shqipe. Në hierarkinë e
letrave shqipe kemi vetëm një rast, kur Kadareja shkroi esenë e gjatë “Ardhja e
Migjenit në letërsinë shqipe”, e cila mund të quhet një udhëtim shpirtëror në
hapësirë dhe kohë në monopatet e letërsisë shqipe.
Gjithsesi,
pavarësisht kësaj situate, në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga
përfaqësuesit e një alteregoje të brendshme të lexuesve të vet, ku gjen jo
vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike,
sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë, meriton një vëmendje të
veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një
epoke. Në duelin midis vetëdijes romantike dhe vetëdijes kritike te Çajupi po
fitonte kjo e fundit dhe kjo fitore i hapte udhën realizmit në letërsinë
shqiptare të shekullit të kaluar. T’i shtrosh udhën një drejtimi të ri dhe një
stili të ri, kjo nuk është një meritë e vogël për një krijues dhe ky fakt nuk
përbën një episod të zakonshëm në rrjedhën normale të një letërsie, por një
pikë kthese në zhvillimin e saj. (J. Bulo, Parathënie e veprave të Çajupit,
Toena: 2008, fq. 24)
Si
tekst, vepra e Çajupit është një dëshmi leksikore, gjë që e ka vërejtur dhe
Konica, kritiku i parë i tij kur shkruan se gjuha e autorit – i cili duket se
është lab (thom duket, se nuk e kam nderin ta njoh), është e fortë e hijshme,
pa lule të tepërta e të panevojshme.(Faik Konica. Baba Tomorri, Vepra 1, fq.
238) Skenat e komedisë “14 vjeç dhëndër”, vërtet të paqëlluara dhe lidhura mirë
artistikisht, por të rijetëzuara përmes filmit me të njëjtin titull nuk
shërbejnë vetëm për të ilustruar nervin satirik, fshikëllues dhe kritik të
tekstit të Çajupit, por lehtësojnë lexuesin e ri për të pasur një kalim gradual
midis një bote që ka perënduar dhe realitetit të sotëm urban. Sot ka një
boshllëk të madh në gjykim për të kuptuar atë që ka arritur të transformohet
shoqëria shqiptare e këtij fillimshekulli dhe shoqërisë shqiptare të
strukturave sociale të ngurta, fisnore e patriarkale që mbijetuan deri në mesin
e shekullit të kaluar. Në këtë drejtim, vepra e Çajupit është emancipuese dhe
paralajmëruese për standardet në të cilat duhet të arrijë shoqëria.

Çajupi,
në veprën e vet, demonstron kurajë civile dhe përgjegjshmëri intelektuale. Ai
nuk mënon të hyjë në konflikte me autorë të tjerë shqiptarë, siç është
konflikti me Mithat Frashërin, të cilin e portretizon me nota satirike te
pamfleti “Klubi i Selanikut”, por që sigurisht brenda kësaj satire duhet
kuptuar dhe një shqetësim intelektual për fatin politik të elitave që do të
qeverisnin Shqipërinë kur do të ishte e lirë. Një debat i tillë ka qenë dhe
midis Konicës e Asdrenit, ku ky i fundit shkruante se “Nëse Shqipëria ishte
duke fituar pavarësinë e saj … ajo mundet dhe të mos e fitonte këtë, në qoftë
se të gjithë shqiptarët nuk kanë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre; dhe
nëse duam të ndjekim idetë e mëdha: barazi, vëllazëri, liri – atëherë ç’nevojë
ka kombi të ndahet në shkallë, me zotërinj dhe skllevër? Shqiptarët duhet të
jenë të barabartë midis ligjit. Titujt duhen të hiqen … Apo mos vallë besoni se
aristokracia duhet të urdhërojë dhe atëherë siç bën tani?” (Skëndi S., Zgjimi
Kombëtar i shqiptarëve (1878-1912) 2000: fq., 175).
Si
një nga përfaqësuesit e elitës shqiptare që jetoi në kapërcyellin e Rilindjes
Kombëtare dhe periudhës së Pavarësisë, Çajupi është shumë i rëndësishëm si një
nga afirmuesit dhe arkitektët e ndërgjegjes kombëtare që bëri të mundur
ngjizjen e kombit shqiptar. Vargjet e tij janë gjithë patriotizëm dhe nxisin
një ndjenjë të sinqertë atdhedashurie, edhe pse në mënyrë të kuptueshme në
kundërvënien me osmanët si në poezinë “Sulltani”, kur i portretizon këta të
fundit përmes klisheve të pasqyrimit të tjetrit në Orientalizëm.
Patriotizmi
i predikuar dhe i mishëruar në vargjet e Çajupit është në fakt një patriotizëm
model që mund të rimerret në formën e krenarisë kombëtare, sidomos në kohët e
sotme, kur identiteti shqiptar ka pësuar lëkundje të ndryshme tektonike për
vlerat dhe për principet ku mbështetet. Rilindësit dhe bashkë me ta dhe Çajupi,
morën përsipër dhe ia arritën qëllimit ta kthenin ideologjinë kombëtare nga një
ideologji të një pakice intelektualësh në ideologji të shqiptarëve. (J. Bulo,
Parathënie e veprave të Çajupit, Toena: 2008, fq. 24) Pikërisht kjo ndërthurje
midis kënaqësisë estetike që duhet të dhuronin veprat e tij dhe misionit për të
realizuar zgjimin kombëtar, bën që një pjesë e poezisë së tij të tingëllojë propagandistike.
Por, gjithsesi, duke e parë Çajupin sa si poet po aq dhe sa intelektual të
angazhuar për të realizuar lirinë politike të vendit të vet, pra në tërësi si
një personalitet të formuar të kulturës shqiptare, prapë se prapë mund të
pohojmë se poetika e vargjeve të tij si kur krijon vetë apo kur shqipëron,
ndjell ende lexues dhe dëshirën ndaj së bukurës. Në një tokë djerrë siç ishte
shqipja e lëvruar, e fundit të shekullit XIX, dhe pa ndonjë traditë të madhe në
autorë dhe tekste, nuk mund të paragjykohet as Çajupi apo dhe ndonjë tjetër për
mungesë të artit poetik, por të vlerësohen që hapën rrugët dhe konsoliduan një
traditë letrare që vite më vonë do të sillte në skenë dhe shkrimtarë të
mëdhenj.


