Bashkim Saliasi: Emigranti

1h më parë

Emigranti

Tregim nga Bashkim Saliasi

Në orën shtatë pasdite mbërritëm në Janica. Aty po na priste Nashua, i cili e dinte që do të shkonim atë natë. U përqafuam me mall. Vajtëm në shtëpinë e tij dhe kaluam një darkë të këndshme. Pa diskutim që humori im ishte në nivel të lartë. Nashua më vuri të flija në krevatin e tij, te ruloti, që Panajoti e kishte vendosur përsëri poshtë shtëpisë së tij, në pronat e kushërinjve. Nashos i kishin ardhur edhe dy vëllezërit e tij më të vegjël, që ishin në Kallamatë.

Të nesërmen në mëngjes, u çuam me nge dhe vendosëm të shkonim në Qitries, ku punonin kunati i Nashos dhe nipërit e mi, Andrea dhe Jorgji. Ky kishte tetë muaj që  punonte me ta. Aty ishin shtuar dhe disa persona të tjerë, miq dhe të afërm të njëri-tjetrit. Kaluam një ditë të bukur me ta. Në darkë u shtruam dhe pimë së bashku. Pas darke vajtëm të gjithë si ç'ishim, te taverna e Vasos, ku një vit më parë kisha punuar për ndërtimin e saj. Pronarja e tavernës na priti me kënaqësi. Ajo na njihte shume mirë që të gjithëve, përjashto inxhinierin, që e shihte për herë të parë. Për nderin tim, ajo na dha nga një birrë secilit. Pimë e kërcyem tërë natën. Pija na zuri, pothuaj të tërëve, bile edhe e tepruam pak.

Të nesërmen në mëngjes, së bashku me Andrean, vajta për të pirë kafe në tavernë. I kërkuam ndjesë pronares për rrëmujën, që bëmë një natë më parë. Por ajo më tha:

-    Jo, mor Dhimitri, ç'thua. Ne mbrëmë u kënaqëm shumë  me ju.

Dita e 1 Majit, qëlloi ditë e diel. Ishte vërtet kohë e bukur. Qielli ishte kristal i pastër dhe dielli kishte një ndriçim të bukur. Mbaj mend se na ishte krijuar mendimi, që në fëmijëri, që në këtë ditë feste ka gjithnjë kohë të bukur. Por kësaj here ende nuk kishte filluar vapa, pra ishte pak freskët. Brodhëm tërë paraditen, bëmë një shëtitje së bashku, pasi edhe atje ishte ditë pushimi.

Pasdite, së bashku me inxhinierin, u kthyem në Janicë dhe vajtëm drejt e te Jani Guzo. Ai, sa më pa, u gëzua shumë. Erdhi  drejt meje dhe më përqafoi me mall. Pasi shkëmbyem fjalët, që thuhen në të tilla raste, më tha:

-    Dhimitri, nesër në mëngjes, në orën shtatë, eja të fillosh punë.

U ndava me Janin dhe, bashkë me inxhinierin, dolëm për të kërkuar punë për të. Nuk gjetëm gjë. Sigurisht u dëshpëruam pak. Pastaj u kthyem në «kampin» tonë. Ndërkaq, erdhi Andrea dhe na tha se në darkë Nashos do t'i vinin, kushëriri i tij me dy shokë të tjerë. Pra, numri u shtua shumë. Një gjë e tillë nuk shihej mirë nga fqinjët e Panajotit, pasi na llogarisnin si burim të këqijash dhe zhurme. Ata nuk kishin faj, sepse aty u krijua një komunitet i vogël, që shkonin mirë me njëri- tjetrin dhe ardhja e të huajve sillte vetëm shqetësim te banorët.

U bëmë tetë veta dhe sajoheshim keq e keq për të fjetur.

Të nesërmen fillova punë tek e ëma e Janit, te zonja Vula. Ajo jetonte në një shtëpi të vjetër shumëvjeçare. Ata kishin menduar që ta prishnin shtëpinë e vjetër dhe të ndërtonin një shtëpi të re, po mbi ato themele. Puna ishte e rëndë, por nuk më kërkonin llogari për atë që bëja. Unë punoja me ndërgjegje dhe nuk doja që të abuzoja me mirësinë e tyre.

Pas një jave, më thotë Vula:

-    Dhaskale, merre edhe atë inxhinierin dhe ejani nesër,  të dielën, se dua të kosis barin e kopshtit.

Kështu, të nesërmen bashkë me inxhinierin vajtëm të punonim në kositje bari. Gjatë drekës, Vula më jep pesëmijë dhrahmi dhe më thotë:

Dhimitri, jepja këto inxhinierit për punën e sotme. Por ai nuk është për këtë punë. Thuaji që të gjejë ndonjë punë tjetër.

Inxhinieri u surrollat nja pesëmbëdhjetë ditë vërdallë, pa gjetur asnjë punë dhe, më në fund, vendosi që të shkonte te i vëllai, në Athinë.

Te familja e Janit Guzos, ndihesha si te njerëzit e mi. Ata më respektonin shumë, por edhe unë nuk u lija gjë mangët. Punoja shumë, tërë ditën. Kur shkoja në mëngjes, Vula menjëherë më bënte gati kafenë. Gjatë tërë ditës, ajo gjithmonë më sillte lëngje ose fruta, për të lagur gojën.

Ishte njëlloj si nëna ime, në huqe dhe zakone. Ajo jetonte vetëm, pasi i kishte vdekur i shoqi. E pinte shumë atë të shkretë  duhan dhe, në të shumtën e rasteve, mbetej pa cigare. Unë e dija këtë dhe e lija paketën mbi tavolinë. Gjatë punës nuk pija shumë duhan. Ajo çdo dy orë më thërriste për kafe ose për ndonjë gotë limonatë. Ky ishte një çast për t'u çlodhur, pasi uleshim dhe pinim nga një duhan, kurse ajo fliste e fliste.....

Unë dhe përse nuk e kuptoja, nuk e ofendoja, rrija duke e dëgjuar me vëmendje dhe ia miratoi mendimin. Të gjithë jemi kureshtarë të dimë, nëse na dëgjojnë, kur flasim dhe me sa vëmendje na dëgjojnë. Ajo, që duhet bërë, kur dikush flet, është që tjetrin ta shikosh në sy dhe me vëmendje të plotë. Që t'u duan dhe t'u dëgjojnë të gjithë, është mirë që bisedën ta nisim me shprehjen: "Nuk ju vë faj aspak, nëse mendoni në këtë mënyrë. Po të isha në vendin tuaj, ka mundësi që të mendoja dhe unë kështu". Këto fjalë e qetësojnë si me magji dhe njeriun më grindavec, qoftë. Të ngjallësh simpatinë te njerëzit e tjerë, do të thotë që ke fituar besim dhe je i mirëpritur, në çdo rrethanë. Njeriu e kërkon dhe e dëshiron me zjarr simpatinë, kur i përkrah mendimin e çfarëdo lloji, qoftë ai.

Me Janin  takoheshim rrallë. Ai, bashkë me një shokun e tij, kishin marrë një lokal, "bar nate" me qira dhe, kur nuk kishte punë në ndërtim, punonte te bari. Aty shërbenin tre-katër femra, të cilat joshnin klientët me kërcimet e tyre ose dhe jetonin çaste intime, nën shoqërinë e klientit.

Jani  punonte natën dhe barin e mbyllte në pesë të mëngjesit. Kështuqë, deri në drekë flinte gjumë, për të qenë i gatshëm për në darkë. Vulës nuk i pëlqenin  vajzat, që kishte marrë Jani, për të punuar në bar. Ajo i quante ato "kurva". Por ai ishte shumë i kënaqur me punën e tyre.

Pas  një muaji, puna aty mbaroi. Jani më pagoi në dorë, me pesëmijë dhrahmi ditën, për gjysmën e punës. Ai m'u drejtua:

-Të më falësh, Miço, por do më presësh disa kohë për pjesën tjetër.

-Nuk ka problem, - i thashë Janit dhe u largova në drejtim të vilës sonë. Ne rulotin, ku flinim të tërë, ishte bërë e pamundur të qëndroje më gjatë. Aty flinim tetë veta në një dhomë, që ishte vetëm pesë metra katrore. Me kujtohej, kur ishim në zbor dhe flinim dhjetë veta bashkë, në ato çadrat e vogla të ushtrisë; e njëjta gjë ishte edhe aty.

Miçua kishte shkuar në Kallamatë, disa kohë para meje. Në muajt e parë kishte fjetur te Nashua keq e keq.

- Kur vinte ora për të fjetur, - më tregonte, - unë merrja një batanije dhe shtrihesha nëpër vende disi "të sigurta". Streha ime, për disa muaj, qenë ullinjtë. Për punë, e pata të vështirë. Më në fund, u punësova në Qitries, te një pllakaxhi, së bashku me Aristirin.

Ditët e para të punës i bëja vajtje-ardhje dhe për pak kohë fjeta, bashkë me ta, në Qitries. Por, më në fund,  bashkë me Aristirin morëm një shtëpi me qira. Blerjet në Kallamatë i bënte Aristiri, i cili shkonte e vinte me taksi. Ai e njihte shumë mirë gjuhën greke.

Kur shkoja në Qitries, në ditët e pushimit për plazh dhe uleshim për të pirë kafe, Miçua shpesh nuk porosiste gjë.

E, dajë, - më thoshin të pranishmit në tavolinë, - Miçua nuk e prish lekun dhe e shtrëngon fort atë.

Shumë mirë bën, - u thosha, - se për atë punë ka ardhur, deri këtu.

Kur uleshim bashkë me nipin, nuk më linte të paguaja asnjëherë. Një ditë e pyeta:

-Ç'kanë shokët, që ankohen, se ti nuk paguan asnjëherë kafet ose birrat, që pini?

-E kanë në terezi ata o xhaje, se marrin nga dhjetë a pesëmbëdhjetë mijë dhrahmi në ditë, kurse unë tre mijë dhrahmi marr.

Miçua kishte vuajtur shumë herë gjatë rrugëtimeve, që kishte bërë për në Greqi. Nuk më kujtohet viti, por një natë vonë, nga ora dhjetë e natës, erdhi Miçua tek unë, pasi ishte vonë për në shtëpinë e tij. Rrobat e trupit i kishte copë-copë dhe dorën ia kishte kafshuar qeni i kufirit. I  kishin kapur ushtarët grekë, të gjithë si grup,  në Qafë të Botit dhe i kishin masakruar, duke i rrahur në të gjitha pjesët e trupit. Ua kishin ndërsyer  dhe qentë e kufirit pa hundje dhe ata nuk kishin të drejtë ta gjuanin ose ta largonin qenin e kufirit nga trupi i tyre.

-Na vunë në rreth, - tregonte Miçua, - kur tre ushtarë qëndronin në mes, bashkë me qentë e tyre të kufirit, të cilëve ua kishin hequr hundjet. Prandaj ata, me dhëmbët e tyre, na kafshonin, ku të na zinin. Ndërsa më tej vazhdonte:

Nga rrethi, ku na kishin vendosur ushtarët, nxirrnin atë që u tekej dhe e çonin në mes të tij.

Largoheshin disa hapa dhe na ndërsenin qentë. Shumë nga pjesëtarët e grupit, mbetën me këmbë e duar të thyera, të kafshuar dhe të gjakosur...Midis tyre, më erdhi radha edhe mua. E shikon, ku më ka kafshuar qeni?-  dhe tregoi dorën, ku i dukej shenja, që i kishte lënë dhëmbi i qenit.

- Eh!... - tregonte më tej, - unë ruaja vetëm fytyrën, se mos më nxirrte sytë qeni, se për plagët e tjera nuk po pyesja, në ato çaste...

Qëndroi disa ditë te unë, sa mori veten dhe më pas u largua për në shtëpinë e tij. Gjatë atyre netëve, fliste përçartë dhe shpesh  bërtiste, pasi kishte dhimbje të padurueshme. Kur e mori veten, u nis përsëri për në Greqi nga mali, por këtë herë nga një drejtim tjetër. Miçua nuk i harronte lehtë vuajtjet, që kishte hequr për të arritur në Greqi.

Të njëjtin fat kishte pasur dhe Aristiri, por ai nuk pyeste shumë, i prishte paratë, sikur i gjente në rrugë.

Miçua, vite më vonë, shkoi në Athinë te  vëllai i tij, i cili ishte stabilizuar në një fshat, që quhej Qyrkos. Pas disa vitesh emigrimi, u kthye në Shqipëri dhe nuk shkoi më në kurbet, por dërgoi vëllezërit e tij atje, dy prej të cilëve punojnë dhe sot e kësaj dite.

Një ditë, kur kthehesha nga puna, takova djalin nga qyteti, ku unë banoja. Në Kallamatë, ai njihej me emrin Jani dhe kishte kohë, që punonte atje. Bashkë kishim punuar disa herë, para një viti, te i njëjti pronar. Prandaj i thashë atij, që të bisedonte me pronarin e tij, Niko Dadis, që të  flija atje, ku ishte Jani, pasi në fjetinën tonë ishim shumë ngushtë. Jani  e bisedoi këtë me Nikon dhe  të nesërmen erdhi e më tha se ai pranoi. Ai më kishte paraqitur te Niko Dadis, si xhaxhanë e tij. Të nesërmen vajta te efendiko Nikua.

-    Ku fle Jani? - e pyeta atë.

-    Ja, atje, - më tha ai dhe më tregoi një kasolle, të ndarë në dy kthina.

Hyra brenda dhe nuk pash asnjë krevat, por në një cep të dhomës së madhe ishin shtruar një karton i madh, amballazh i një frigoriferi, nja dy batanije dhe një jastëk, të mbledhura shuk. Në mes të kasolles ishte një sënduk i madh, i mbushur me bar të thatë. Aty po flinte një mace, me kotelet e saj. Në kasolle ndodheshin edhe qengjat e Nikos. Në krah të derës, ishte një frigorifer i madh dhe, në anën tjetër, një tjetër frigorifer, njëlloj si i pari. Me pakë fjalë, ajo ishte një "stallë" dhe jo një vend për të fjetur një njeri. Nejse, mendova! Me pak punë, kjo kthinë mund të kthehet në një vend normal për të jetuar.

U ktheva dhe i tregova Nashos, se do të largohesha për të banuar te Nikua dhe t'i liroja pak ata.

- Mirë e ke menduar, - më tha ai, - se  aty, si jemi bërë ne, nuk flihet. Por s'kemi se ç'farë të bëjmë!

Pasi përfundova prishjen e shtëpisë së vjetër, te nëna e Janit Guzos, mora rrobat e mia dhe shkova te kasollja e Nikos.

Puna e parë, që bëra, ishte pastrimi i saj nga mbeturinat dhe rraqet, që kishin mbuluar tërë vendin, si jashtë dhe brenda saj. Mbusha nja dhjetë thasë me mbeturina, si letra, plastmase, gjethe etj. dhe i thashë djalit, që ndërmjetësoi vajtjen time aty, t'i hidhte mbeturinat te plehrat. Largova barin dhe e vendosa jashtë në një kthinë, ku Nikua mbante një cjap, sa një gomar. Ky qëndronte i lidhur me një litar të fortë dhe Nikua e përdorte për të mbarsur dhitë e tij. Cjapin ai e kishte lidhur pranë dritares, ku flinte Jani.

Nxora arkën jashtë, me qëllim që macja me kotelet e saj të largohej vetë, jo ta nxirrja unë. E fshiva të tërë kasollen nga brenda, pastrova të gjitha cergat dhe i lava të gjitha muret, tavanin dhe dyshemenë, me zorrë me ujë të rrjedhshëm. Jashtë, kasollja ishte e rrethuar me një gardh të ndërtuar nga susta të vjetra...

Isha gati në të pëfunduar pastrimin, kur erdhi Nikua, i cili më përshëndeti dhe fërkoi sytë, duke më thënë:

-Të lumshin duart, Dhimitri!

-Faleminderit! - ia ktheva unë.

-A mund t'i marr nja dy susta, për ca ditë, që i ke lënë te gardhi, sa të blej krevatin dhe pajisjet e tjera? Do t'i përdor për të fjetur mbi to, - e pyeta, pasi u ulëm.

-Pa diskutim, - më tha, - merri, kur të duash dhe mos më pyet më. - Unë u çova dhe vazhdova punën. Nikua kishte ardhur në qejf dhe ndihej i gëzuar, kur shikonte se mjedisi, në të cilin ai kalonte pjesën më të madhe të ditës, kishte ndërruar pamje. Ai rrinte ulur dhe ndiqte veprimet e mia. Vajta te gardhi  e  mora sustat, i pastrova dhe i vendosa në dhomë. Hodha sipër dyshekun  dhe batanijet, që kisha sjellë me vete.

-    Bravo, të lumshin duart!, - m'u drejtua Nikua, i kënaqur.

Ora shënonte tetë e mbrëmjes. Vërtet isha lodhur, por edhe unë ndjeja kënaqësi për punën, që kisha bërë. Sistemova enët e kuzhinës, që i kisha marrë me vete dhe hoqa mënjanë xhezvenë e pakon e kafes.

-    A do të pish një kafe, se më ke ardhur në shtëpi? - e pyeta Nikon, me shaka.

-    Me gjithë qejf, dhaskale, - u përgjigj ai me një kënaqësi, që e tregonte në fytyrë.

Bëra kafetë dhe u ulëm së bashku me Nikon dhe Janin, për t'i pirë ato. Ndezëm edhe nga një cigare. Më uroi përsëri dhe, më pas, shtoi:

-    Shiko, ku flinte Jani, pikërisht si ushtarët në shërbim, që nuk e vrasin mendjen, por mbulojnë kokën dhe flenë gjumë. Ashtu si flinte Jani, o Miço, kam fjetur dhe unë, kur kam qenë ushtar. Por nuk kishim se çfarë të bënim, se ishim të detyruar.

"Njerëz, si Jani, ka kudo, - mendova, - por dinjiteti i njeriut varet edhe nga edukata e kultura familjare që merr".  Këtë gjë nuk ia  shpreha Nikos, se më duhej që t'i thosha pastaj edhe atij, se ky pastrim, ishte edhe detyrë e tij; se, në fund të fundit, kjo ishte pronë e tij. Prandaj heshta dhe vazhdova të pija kafenë me nge. Mendova se edhe Nikua ishte në të njëjtin nivel me Janin, për sa i përket rregullit dhe pastërtisë.

?       Në dhomën tjetër, ke dy frigoriferë dhe stufën e gatimit,  si dhe të gjitha enët e kuzhinës, që të nevojiten. Merri dhe përdori dhe, po të kesh nevojë për sende të tjera, më thuaj, - shtoi pas pak Nikua.

Gjeta rastin dhe i them Nikos se, në qoftë se ishte e mundur, ta përdorja biçikletën e tij, që e mbante stok. Më pa me habi dhe më pyeti:

-Pse, di ta përdorësh, Dhimitri?

?       Po,-  ia ktheva, tërë krenari.

?       Ja tek e ke, as mos më pyet më, por përdore sa herë të kesh nevojë . Dhe bëj kujdes për vete, kur të ecësh në rrugë, se trafiku nuk është si në Shqipëri.

E falënderova atë, që kërkesën time e vlerësoi dhe në çast më pyeti:

?       A di të gatuash?

-    Po, - iu përgjigja, - bile gatuaj shumë mirë. Nesër je i ftuar për darkë, - bëra shaka me të.

-    Faleminderit, do të vij me kënaqësi.

Doja që t'i tregoja Nikos Dadis, se edhe ne shqiptarët jemi njerëz të kulturuar dhe qytetarë, bile më shumë se ai, i cili nuk dinte të bënte asgjë, përveç punës me ullinjtë dhe bagëtitë, që mbante në pronën e tij. Me shtëpinë nuk merrej fare, bile edhe arsimin e kishte të cunguar. Në bisedat tona, me shumë dija unë për historinë e Greqisë, se ai.

Vazhdova të punoja te Jani Guzo. Nami i tij i keq, kishte mbushur dhenë në atë zonë.

-    Kujdes, - më porositi Nikua, - se Jani është mashtrues. Ai nuk t'i jep paratë...

Të njëjtën gjë më kishte thënë edhe Panajoti, një vit më parë. Por nuk më kishin dalë fjalët e tij, Jani Guzo me mua ishte treguar shumë korrekt. Ja thashë këtë gjë Nikos. Në fillim ai u habit, por pastaj tha një "bravo" dhe nuk foli më.

Jani Guzo, gjatë ditës flinte gjumë. Ai zgjohej rreth orës 11, sepse punonte gjatë natës në një bar, që e kishte marrë me qira, për të cilin shkrova më lart. Kishte tre fëmijë shumë të vegjël. Djalin, që ia quanin Jorgji, vajzën Marie dhe vajzën e vogël, të cilën e kishte lënë pa emër dhe pse ajo kishte mbushur tre vjet. Shpesh herë Janin e vizitonin në shtëpi tri femra, që hanin drekë me të e të shoqen dhe luanin letra, nën hijen e një kumbulle të madhe, në mes të oborrit. Aty Jani kishte vendosur një tavolinë të gjerë dhe katër karrigke plastike.

Ditët kalonin dhe unë u miqësova shumë me fëmijët e tij...

Vazhdon...