Sylejman Morina: Shkëputja e lidhjeve të arbëneshit me vendlindjen
SHKËPUTJA E LIDHJEVE TË ARBËNESHIT ME VENDLINDJEN
Me
rastin e 300 vjetorit të
Arbëneshëve të Zarës

Arbëneshi i Zarës (it. Borgo Erizzo; kr. Arbanasi) ishte
i formuar nga të shpërngulurit shqiptarë të fshatrave buzë Liqenit të Shkodrës(1726-1727-1733).
Të shkëputur nga komunikimi me vendlindjen e dikurshme, me kontaktet tepër të
rralla me trojet shqiptare të cilat kufizoheshin kryesisht në disa lidhje
individuale. Sikur këto kontakte të kishin qenë më të shpeshta e më të shumta, kohezioni i tyre do të
kishte qenë më i madh dhe, identiteti etnik do të ishte më
i fuqishëm. Ndërkaq, frymëzimi me kulturën shpirtërore të krijuar në
trojet shqiptare, do të bartej te ata dhe do të ruhej e pasurohej vijimësia kulturore.
Fillimisht, veprimtaria kryesore
e arbëneshëve ishte bujqësia, zejtaria dikur tregtia e më vonë
dhe profesione tjera, pasi që ishin afër qytetit. Me kalimin e kohës ata
filluan të luanin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe
shoqërore të Zarës. Një kthesë të rëndësishme shënoi edhe hapja e
Shkollës Normale (Preparandia) në Arbënesh (1864) nga ana e Austro-
Hungarisë që ishte përpjekje për të zvogëluar ndikimin italian të komunës të
Zarës që zhvillohej nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore. Në
institucion arsimor të normales, mësimi zhvillohej në gjuhën
kroate dhe në frymën kroate. Si e tillë ishte e vetmja në
Dalmaci cila u mundësoi një numri të madh të arbëneshëve të
arsimoheshin në vendlindjen e tyre. Kjo do të thotë se
brenda komunitetit arbënesh u krijua një shtresë intelektuale, e cila luajti
një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të kohës.
Megjithatë, për shkak të identitetit të tyre të veçantë, arbëneshët u gjendën
nën ndikimin e rrymave të ndryshme politike e kombëtare, gjë që edhe u kushtoi
shumë arbëneshëve.
Arbëneshët e ndarë
politikisht
Kohëra të vështira ishin për arbëneshët sepse u
gjenden, mes dy rrymave politike e kombëtare kundërshtare: asaj
pro italiane dhe tjetrës pro kroate. Në vitin 1896,
me nismën e Pietro Marushiqit, kryeplakut të Arbëneshit, u themelua në Borgo
Erizzo shoqëria "Bersaglieri". Sipas gazetave italiane, ajo u krijua
për të mbështetur komunën italiane të Zarës dhe për t'iu kundërvënë procesit të
kroatizimit të Arbëneshit.
Ishte shoqëri sportive,
muzikore, politike, ndërsa kroatët për
kundërvënie më vonë e themeluan klubin kulturor “Hrvatski
Sokol” (1910) në të cilën u shkri ish leximorja që ekzistonte më parë. Të dyja
palët synonin të fitonin mbështetjen e arbëneshëve dhe t'i përdornin
ata për realizimin e objektivave të tyre politike. Paulo Muner, ushtarak
i marinës italiane njohës i historisë dhe kulturës shqiptare, shkruan: “Në
shekullin e 19-të, këta emigrantë shqiptarë e gjetën veten të përfshirë në luftën
kombëtare që zhvillohej në Dalmaci midis italianëve dhe kroatëve, por mund
të thuhet se shumica e tyre u bënë italisht folës ....”[1] Si rrjedhojë, e
kësaj ndarje, jo vetëm që kishin mospajtime politike ndërmjet tyre arbëneshët ,
por shpeshherë përfshiheshin edhe në konflikte të hapura. Këto përplasje shpesh
çonin në larje hesapesh dhe lëndime fizike, ndërsa ata bëheshin viktima të
politikave të tjerëve, të cilët i joshnin me premtime të ndryshme. Hapja e
shkollës në gjuhën italiane në Arbënesh, më 1897 kishte hasur në kundërshti te
pala pro kroate. Reagim të ashpër kishte pasur edhe gazeta “Narodni List”
Zhvilloheshin polemika mes gazetave italiane edhe atyre kroate të kohës, për
arbëneshët se a ishin pro italian apo pro kroat më tepër. Arbëneshët në një anë
i takonin komunës italiane dhe vareshin nga pushteti lokal. Italia vepronte (
përmjet, Italianëve që e kishin pushtetin në Zarë) përpiqeshin t’i mbanin arbëneshët
në sferën e ndikimit të tyre. Italianët e mbështesnin këtë pretendim, bazuar
edhe në rolin historik që kishte pasur Republika e Venedikut në vendosjen e
arbëneshëve në këtë trevë, si dhe lidhjet historike me këta banorë që nuk ishin
me origjinë sllave. Në të njëjtën kohë, edhe qarqet kroate nuk pushonin së
vepruari me synimin t’i përfshinin arbëneshët në hapësirën e tyre kombëtare dhe
kulturore.
Gjuha shqipe lëndë
mësimore në shkollë në shkollën e mësuesisë
Austro-Hungaria, pas vitit 1900, nxënësve
arbëneshë ua kishte mundësua edhe lëndën e gjuhës shqipe, ndërsa mësues të saj ishin figura të njohura, si: Pashko Bardhi,
Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, tj. Ndërsa nga arbëneshët Pavle Gjergja.
Supozojmë sikur të kishte vazhduar edhe më vonë mësimi i gjuhës shqipes në
shkolla, gjendja e arbëneshëve do ishte ndryshe, nga ajo që është sot.
Veprimi austriak ishte i
bërë për interesa të saja, por megjithatë edhe arbëneshët patën dobinë e tyre.
Disa nga ish nxënësit, i kishte angazhua të shërbenin si mësues në viset
shqiptare të cilat kontrolloheshin nga Austro-Hungaria. Ndër ta ishin: Josip
V.Rela, Tomë Moroviq, Kërsto Peroviqi,
Zef Duka, Pal Gjergji, Nikollë Peroviqi etj.
Arbëneshët gjithashtu kanë pasur një numër të konsiderueshëm priftërinjsh të arsimuar, por, për fat të keq, atyre nuk iu dha mundësia të shërbenin në kishën e fshatit dhe në gjuhën e tyre. Sipas priftit arbënesh Don Mijo Qurkoviq, vetëm katër priftërinj arbëneshë patën mundësinë të shërbenin në kishën e tyre gjatë një periudhe prej 200 vjetësh.Arbëneshët po ashtu shkolloheshin në Seminarin e njohur Glagolik të Zarës, ku herët (sh: XII) liturgjia fetare kishte nisur të braktiste gjuhën latine, duke e zëvendësuar me sllavishten –kroatishten, kjo kishte bërë presion për kroatizimin e arbëneshëve. Këtë e pohon edhe prof.Sergjo Dokoza Nikpali.”Shkollimi i një pjese të rinjve për klerik në seminarin glagolik i cili i ka arsimuar në frymën e pastër kroate..Klerikët e tillë pastaj në vendlindjet e tyre e kanë përhapur ndikimin kroat”[2]. “Njëri nga mjetet kishtare që ka ndihmuar kroatizimin e arbëneshëve, ka qenë edhe liturgjia kishtare, e cila gjithmonë është mbajtur kroatisht...Një pjesë e priftërinjve arbëneshë, me orientim pro kroat, në shkrimet e tyre, krenohen me vendasit arbëneshë, se të gjitha shërbimet kishtare, i bëjnë në gjuhen kroate” [3] Mësuesit dhe priftërinjtë arbënesh që shërbenin në vendbanimet kroate jo vetëm që arsimonin popullsinë fshatare, por edhe përhapnin vetëdijen kombëtare kroate. Disa më të njohur ishin: Don Mitar Stipçeviq, Don Mate Vukiq dhe Jozo Kërstiq etj.. Disa ishin mbështetës të zjarrtë të bashkimit të Dalmacisë me Banovinën Kroate. Në punimin e tij, .M.Dikliq shkruan, “Tre priftërinj arbënesh –patriotë dhe rilindës të mëdhenj kroatë, luftëtarë të vërtetë. Këta për kroatizimin e komunave, për gjuhën kroate dhe bashkimin e Dalmacisë me Banovinën -Kroate–hodhën themelet për ringjalljen kombëtare kroate në Arbanasi, Zarë dhe Dalmacinë veriore”[4].
Prandaj nuk
është e rastit që partia Popullore e të Drejtës
e Starçeviqit, në Arbënesh 1873 e kishte mbajtur
tubimin e parë në
Dalmaci. Idetë e djathta i kishin gjetur mbështetje te një pjesë e madhe
arbëneshëve për parimet politike të Starçeviqit. Rolin kryesor e kishte luajtur
Pal Luçi Rela, ai po ashtu ishte edhe donator, botues i disa gazetave pro
kroate. Në vitin 1910, me nismën e Jak Vukajt (Giacomo Vukxanit),u themelua “Shoqëria Italo-Shqiptare e Borgo Erizzo-s”. Vuksani
ishte një intelektual i shquar arbënesh i cili kishte mbajtur
lidhje me personalitete të shquara shqiptare:
z Faik Konicën, Fan Nolin, Ernest Koliqin, Shtjefën Gjeçovin.
Po
ky, së bashku me një delegacion nga Arbëneshi, mori pjesë në Kongresin
Shqiptar të Trieshtes, të mbajtur nga 1 deri më 4 mars 1913, i cili u kryesua
nga Faik Bej Konica. Si
sekretar i shoqatës, Vuksani vuri lidhje bashkëpunimi me diasporën arbëreshe në
Itali, duke u fokusuar në bashkëpunimin me revistën ”La Nazione Albanese”
Revistën në fjalë e drejtonte intelektuali i shquar, arbëresh nga Kalabria, Anselmo
Lorecchio i cili, njëherazi, kishte qenë pjesëmarrës në Kongresin Shqiptarë
të Trieshtes.
Përmes shkrimeve të tij të shumta,
Anselmo Lorecchio kishte mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë.
Rilindja kombëtare shqiptare nuk kishte
pasur ndonjë ndikim në Arbënesh,,për shkak të lidhjeve të shkëputura me
arbëneshët. Mos komunikimi kishte ndikuar thotë: prof..Dokoza,se arbëneshët asnjëherë nuk ishin deklaruar shqiptar,
por asnjëherë nuk e kishin harruar origjinën dhe gjuhën.n
”Derisa në gjysmën e dytë të sh XIX në Dalmaci, kishte ndodhur një zgjim i
vetëdijes nacionale te popujt e këtushëm: italianët, kroatët, serbët. Ndërsa arbëneshët,
si bashkësi e veçantë etnike, ata zgjedhin opsionin kroat ose italian, dhe e
identifikojnë veten kryesisht si kroatë, në një masë më të vogël si italian”[5]
Mendoj
se arbëneshët nuk ishin të vetëmjaftueshëm; ata përballeshin me presione dhe
joshje të vazhdueshme, që vinin nga komuna italiane dhe periferia kroate. Ata
nuk e drejtonin administratën, gjë që do t’u mundësonte të regjistroheshin si
shqiptarë. Askush nuk i mbështeti që ta zhvillonin identitetin e tyre;
përkundrazi, ata u penguan në këtë drejtim. Por kjo nuk do të thotë se emërtimi
“shqiptar” ishte krejt i panjohur për ta në shekujt e fundit. Në vitin 1890,
Arbëneshi kishte 2 136 banorë, ndërsa në vitin 1900 kishte 2 588 banorë. Kur në
vitin 1897 u përpoqën të nxirrnin një gazetë në gjuhën e tyre, të cilën e emërtuan
“Zani i Š?yptarit”. Pra, nocioni «shqiptar» nuk kishte qenë i panjohur për ata.
Tubimi
në përkrahje të vëllezërve të gjakut
Tubimi
i mbajtur më 18 shtator 1912 në sheshin e fshatit, ishte një manifestim i
përbashkët, pa ndarje politike, në mbështetje të popullit shqiptar. Tubimin e drejtoi
Pal Luçi Rela në gjuhën shqipe. Diskutuesit dëshmuan se kishin njohuri të
thella për gjendjen e popullit shqiptar, historinë e tij, vuajtjet shekullore
dhe figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Isa Boletinit.
Ndër
të parët që mori fjalën ishte studenti universitar Giacomo Vuksani. Në fjalimin
e tij ai “theksoi se populli fatkeq shqiptar, kjo fortesë e qytetërimit
evropian, ishte braktisur padrejtësisht nga diplomacia evropiane, e cila
lejonte që ai të mbetej nën zgjedhën e sunduesit aziatik, pa i ofruar as ndihmë
morale, as materiale. Në përfundim ai u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të
frymëzoheshin nga shembulli i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut”.[6]
Maestro
Paolo Gjergja, në diskutimin e tij, dëshmoi se kishte njohuri të thella për historinë e popullit
shqiptar. Në fund të fjalës së tij propozoi që luftëtarëve të lirisë t'u
dërgohej një telegram përgëzimi dhe inkurajimi, me urimin që të vazhdonin
luftën e tyre të vështirë deri në arritjen e idealit kombëtar. Në fjalimin e
tij ai kritikoi gjithashtu diplomacinë evropiane, e cila po lejonte të shkelen
të drejtat dhe interesat e popullit shqiptar, duke bërë njëkohësisht thirrje
për mbështetje dhe ndërhyrje në favor të çështjes shqiptare.
Emilio Kërstiqi “ propozoi dhe rekomandoi me këmbëngulje që famullia e Borgo Erizzos (Arbëneshi)
të kishte një prift me kombësi shqiptare, në mënyrë që fjala e Zotit të
predikohej në gjuhën shqipe dhe jo në një gjuhë të huaj. Sipas tij, kjo do të
ndihmonte në pengimin e procesit të de kombëtarizimit dhe në ruajtjen e gjuhës
amtare.[7]Të gjitha diskutimet kishin qenë të përcjellë me duartrokitje të gjata, Ndërsa tubimi kishte
përfunduar me brohoritjet:
"Rroftë Skënderbeu! Rroftë pavarësia e Shqipërisë!". Shpallja e Pavarësisë Shqipërisë më (1912) në Arbënesh (Arbanas) kishte
krijua shpërthim emocional nga gëzimi, manifestime, tubime në shenjë
të përkrahjes, mbledhja
e ndihmave humanitare për vëllezërit. Kjo i
kishte habitur policinë austriake dhe gazetat ndryshme kroate,
që kishin menduar se procesi i asimilimit të arbëneshëve ishte punë e
mbaruar.
Një
luftë propagandistike zhvillohej ndërmjet gazetave italiane dhe atyre kroate
lidhur me orientimin kombëtar e politik të arbëneshëve. Në lidhje me tubimet
festive dhe përshëndetëse të organizuara me rastin e shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë, gazeta e përditshme nacionaliste zagrebase Obzor, në numrin e 18 dhjetorit
1912, pohonte se aktivitetet e arbëneshëve dhe telegramet e dërguara Qeverisë
së Përkohshme Shqiptare ishin përgatitur nga italianët. Sipas autorit të
shkrimit, shumica dërrmuese e arbëneshëve fliste kroatisht, ndërsa arbnishten e
përdornin vetëm si një mjet komunikimi për të mos u kuptuar nga të tjerët gjatë
veprimtarive tregtare. Ai gjithashtu pretendonte se italianët, nëpërmjet
shkollës, synonin t'i italianizonin arbëneshët.
Këtij
shkrimi iu përgjigj gazeta italiane Il
Popolo, duke theksuar se tubimet për çështjen shqiptare kishin
qenë publike dhe se kushdo kishte pasur mundësi të vëzhgonte reagimin e
pjesëmarrësve. Sipas saj, telegramet e dërguara në mbështetje të pavarësisë së
Shqipërisë nuk ishin hartuar nga italianët, por shprehnin vullnetin e lirë të
vetë banorëve arbëneshë të Arbneshit.
Porosia e Faik
Konicës
Arbëneshin e kishin
vizituar edhe personalitetet më të shquara kombëtare: diplomati dhe
intelektuali Faik Konica, i cili e kishte vizituar disa herë. Pastaj, Fan Noli,
Gjergj Fishta, Nikollë Ivanaj dhe Simon Ferizi i cili është varrosur në
varrezat arbëneshe etj. Vizitat e tyre ishin me interes kombëtar e patriotik.
Konica e Noli i kishin lënë edhe nga një porosi për komunitetin arbënesh.
Faik Konica i këshilloi të botonin një gazetë me karakter
mbarëkombëtar. Përgatitjet për botimin e saj kishin filluar menjëherë,
gazeta duhej të dilte dy herë në muaj. Financimi ishte parashikuar të
sigurohej nga Pal Luçi Rela dhe nga
abonimet e lexuesve. Përgatitjet për botimin e saj kishin filluar, këshilli
botues përbëhej nga katër anëtarë: Kristoforo
Stipçeviq dhe Pietro Marushiq, të orientimit pro italian, ndërsa Don Mijo
Çurkoviq dhe Pal Luçi Rela, të orientimit pro kroat. Fatmirësisht, interesi i
përbashkët i kishte bashkuar të gjithë, por
kjo iniciativë nuk kishte mbështetje politike nga askush. Pra të punohej për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare
të arbëneshëve ishte e papranueshme për disa qarqe.,
Prandaj, gazeta nuk arriti të botohej as
edhe në një numër të vetëm.. Arsyetimi
kishte qenë, mungesa e mjeteve financiare. Megjithatë, ky shpjegim duket
jo bindës, pasi Pal Luçi Rela kishte financuar më
parë disa gazeta në gjuhën kroate.
Mund të supozohet se, përveç vështirësive
financiare, në mos botimin e gazetës kanë ndikuar edhe faktorë
politikë dhe ideologjikë. Këtë e përforcojnë edhe kritikat e drejtuara ndaj Pal
Luçi Reles, nga një pjesë e shtypit kroat. Megjithëse ai njihej si një
veprimtar me orientim të theksuar pro kroat. Megjithatë, ajo që u
konsiderua si "mëkati" i tij ishte gatishmëria për të vepruar në
interes të komunitetit arbënesh. Pjesëmarrja e tij në manifestime dhe
veprimtari të ndryshme, në të cilat shprehej hapur përkrahja ndaj shtetit
shqiptar të sapoformuar, dëshmon se, pavarësisht orientimit të tij politik,
vetëdija për prejardhjen arbëneshe dhe lidhja shpirtërore me
origjinën nuk ishin shuar fare.
Porosia e Nolit
Edhe Fan Noli, në kuadër
të udhëtimit të tij në Evropë për zhvillimin e aktiviteteve
patriotike për mbrojtjen e çështjes shqiptare, e
kishte vizituar koloninë shqiptare të Arbëneshit të Zarës (Arbanasin).
Ai u kishte propozuar arbëneshëve të dërgonin një
delegacion në Shqipëri e cila sapo kishte shpallur pavarësinë, më
1912 Arbëneshët me entuziazëm të madh e kishin
mirëpritur pavarësinë e Shqipërisë, e me kënaqësi e pranuan
këtë ide të Nolit.
Vizita e një delegacioni të arbëneshëve në Shqipëri
Në vitin 1913 u zgjodh një delegacion
prej pesë anëtarësh, megjithëse rrethanat e sigurisë nuk ishin aspak t ë
favorshme, pasi në Shqipëri vazhdonin ende luftimet. ”Delegacioni përbëhej
nga kryetari i fshatit, Joko Marushiq,
Giacomo Vuxani, Pera Marushiq,Kovi Kërstiq, Pavle Gjergja. Me përjashtim të
këtij të fundit, të gjithë të tjerët ishin anëtarë të Partisë Autonomiste
Italiane”[8]. Kur delegacioni kishte arritur në
Durrës ishte i mirëpritur
ngrohtësisht nga Esad Pashë Toptani, ministër
i mbrojtjes dhe i brendshëm i cili e kishte shoqërua delegacionin arbëneshë
deri në Shkodër. Vëllezërve nga Borgo Erizzo, (Arbëneshi) iu ishte bërë një
pritje madhështore, pos popullatës
lokale në pritje kishin dalë edhe
prijësit fetar, katolik, mysliman dhe ortodoks.
Për
vizitën, kishte shkruar gjerësisht gazeta” Il Dalmato” e
Zarës. Ata, mysafirët i kishin nderua edhe me dhurata të shumta. Ndërkaq,
largimi i tyre ishte bërë nëpërmjet Malit të Zi, ku edhe i kishin vizituar
fshatrat e të parëve të tyre: Briskun dhe Shestanin. Në përcjellje pos
popullatës lokale kishte qenë edhe përfaqësuesi i qeverisë. Pas kthimit të
delegacionit arbneshët i kishin pritur në mënyrë madhështore nga vendasit e
tyre.
Kjo vizitë shënoi kontaktin e parë të organizuar të
arbëneshëve të Zarës me trojet e tyre të origjinës. Pas një ndërprerjeje të
gjatë historike të lidhjeve me atdheun, në dekadat e fundit janë intensifikuar
kontaktet institucionale dhe kulturore ndërmjet Arbëneshit, Shqipërisë, Kosovës
dhe shqiptarëve të Malit të Zi. Janë organizuar vizita reciproke të
delegacioneve, veprimtarëve kulturorë dhe përfaqësuesve të institucioneve, me
synim forcimin e bashkëpunimit dhe ripërtëritjen e lidhjeve historike.
Në kuadër të këtyre kontakteve,
Arbëneshin e kanë vizituar personalitete të ndryshme politike shqiptare, ndër
ta: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në vitet nëntëdhjetë, Presidenti i
Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, në nëntor 2018, dhe Presidenti Bajram
Begaj, në prill 2023. Gjatë vizitave të tyre, ata u takuan me personalitete
arbëneshe dhe me banorë që ende flisnin arbënisht.
Pas Luftës së Dytë Botërore, disa intelektualë
arbëneshë, të cilët shkruanin në gjuhën shqipe dhe në variantin arbënisht të
saj, si Josip Rela, Shime Deshpali dhe Budimir Peroviq, u përpoqën të
ringjallnin frymën dhe identitetin arbënesh. Ata kërkuan që gjuha shqipe të
mësohej në shkolla për fëmijët arbëneshë dhe, në vitin 1953, themeluan
Shoqërinë Kulturo-Artistike, e cila e filloi veprimtarinë e saj me mjaft
sukses.
Mirëpo, pushteti komunist nuk lejoi fuqizimin e
identitetit arbënesh dhe kufizoi zhvillimin e mëtejshëm të iniciativave të
tilla. Vetëm pas pavarësimit të Kroacisë u krijuan kushte më të favorshme për
ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbënesh. Edhe pse janë bërë hapa
pozitivë, mbetet ende shumë për t'u bërë, sepse arbëneshët e meritojnë këtë
vëmendje, duke pasur parasysh kontributin e tyre të shumanshëm në zhvillimin e
qytetit të Zarës dhe të Kroacisë në përgjithësi.
Fati gjatë
kohëve
Arbëneshët, gjatë historisë, luftuan
dhe sakrifikuan jetën për kauza të të tjerëve, ashtu siç kishte ndodhur edhe me
popullin shqiptar. Ata luftuan si ushtarë të Austro-Hungarisë në Luftën e Parë
Botërore, duke marrë pjesë në luftimet kundër Serbisë më 1914. Më pas luftuan
edhe si ushtarë të Italisë, si partizanë kundër forcave gjermane gjatë Luftës
së Dytë Botërore, si dhe në Luftën për Pavarësinë e Kroacisë, ku dhanë dëshmorë
dhe nxorën udhëheqës ushtarakë të shquar (Danijel Kotlar,Ivica Mateshiq). Po ashtu kontribuuan shumë për
Kroacinë në shumë fusha duke dhënë
personalitete të shquara që vlera e tyre tejkalonte qytetin e Zarës dhe kufijtë
e Kroacisë, kësaj radhe nuk do ti
përmendi veç e veç.
Disa hapa të vegjël
Një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore të arbëneshëve ka dhënë në fillim; “Shoqata e Arbëneshëve të Zarës”,(2010) me prof. Antonela Shtefuliq,inxh. Dorian Peroviq dhe prof. Suzana Peroviq. Procesin patriotik të mësuarit të arbënishtes e ka vazhduar prof. dr. Maksimiliana Barançiq. e cila nivelin organizimit të kurseve për mësimin e dialektit arbënesh e ka ngritur lartë. Ndërsa për vijuesit e kursit ka hartuar tekste mësimore, fjalorët kroatisht–arbënisht dhe arbnisht -kroatisht. Ajo ka shkruar punime shkencore, dhe ka krijuar një bazë të rëndësishme për ruajtjen dhe hulumtimin e kësaj të folmeje. Gazetarja e “Zadarski List-it” , Gjurgja Balak e ka quajtur: “Maximilana Barançiq është një roje e palodhur e të folmes arbëneshe.”
Megjithatë, përkundër këtyre përpjekjeve, interesimi i
brezave të rinj për mësimin dhe përdorimin e dialektit arbënesh mbetet i
kufizuar. Sipas dëshmive të vetë pjesëtarëve të komunitetit, procesi i
asimilimit gjuhësor ka përparuar në atë masë sa shumë prej tyre shprehin
bindjen se për rikthimin e dialektit në përdorim të përditshëm mund të jetë
tashmë tepër vonë. Ky vlerësim pasqyron gjendjen aktuale të një komuniteti që,
megjithëse ka ruajtur kujtesën e prejardhjes së tij, përballet me sfida serioze
në ruajtjen e identitetit të tij gjuhësor.

Njoftimi publik i banorëve të
Arbëneshit për gazetën “Zani i
Shqyptarit”

Formulari i abonimit për gazetën “Zani i Shqyptarit”
[1] Borgo Erizzo nei giornali italiani di Zara dal 1867 al 1941, ATTI E MEMORIE della Società Dalmata di Storia Patria, faqe 287
[2]. Don Ndue Ballabani editor, Arbreshët e Zarës, 280
vjet pararojë e fesë dhe kombit, kumtesa e Prof.Dr. Sergjo Dokoza Nikpali, në
simpoziumin ndërkombëtar i mbajtur në Zagreb me 25.03. 2006.faqe,87
[3]. Zeçirja Neziri&Aleksander Stipçeviçi,
Historia dhe Bibliografia e Arbëreshëve të Zarës, EkoRitmi, Shkup. faqe 37-38
[4] M. DIKLI?, Pojava i razvoj pravaštva u Arbanasima kod Zadra, Rad. Zavoda povij. znan. HAZU Zadru, sv. 48/2006., str. 655–665.
[5] Don
Ndue Ballabani editor, Arbreshët e Zarës, 280
vjet pararojë e fesë dhe kombit, kumtesa
e Prof.Dr. Sergjo Dokoza Nikpali, në simpoziumin
ndërkombëtar i mbajtur në Zagreb me 25.03. 2006.faqe,87
[6] Borgo Erizzo nei giornali italiani di Zara dal 1867 al 1941, ATTI E MEMORIE della Società Dalmata di Storia Patria, faqe 107
[7] Borgo
Erizzo nei giornali italiani di Zara dal
1867 al 1941, ATTI E MEMORIE della Società Dalmata di Storia Patria, faqe
109.
[8] Borgo Erizzo nei giornali italiani di Zara dal 1867 al 1941, ATTI E MEMORIE della Società Dalmata di Storia Patria, pp. 1-320


