Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (11)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (11)
Mobilizimi
i Mërgatës përmes Traktit "Të Gjithë në Mitingun Protestues"

Në
mesin e atyre trakteve të fshehta, të renditura me kujdes brenda zarfit sikur
copëza të një ndërgjegjeje të plagosur kombëtare, gjendej edhe thirrja e
fuqishme me titullin kumbues: “Të gjithë në miting protestues!”. Ai
trakt nuk ishte thjesht një copë letër e shtypur fshehurazi në errësirën e
kohës, ai ishte një britmë kolektive, një dëshmi e zjarrtë e dhembjes dhe
revoltës së popullit shqiptar të Kosovës përballë dhunës së egër të pushtetit
jugosllav.
Në
rreshtat e tij ndihej pesha e rëndë e atyre ditëve dramatike të marsit dhe
prillit të vitit 1981, kur rrugët e Kosovës u mbushën me zërin e studentëve dhe
të rinisë që kërkonin dinjitet, barazi dhe të drejtën për të jetuar të lirë në
tokën e tyre. Trakti përshkruante me tone të forta terrorin shtetëror që kishte
zbritur mbi qytetin universitar e mbi sheshet e mbushura me protestues, ku
forcat policore dhe aparati represiv jugosllav kishin përdorur dhunë të
pamëshirshme për të shtypur kërkesat legjitime të shqiptarëve.
Në
çdo fjali të tij ndjehej jehona e sirenave, troku i çizmeve policore dhe ankthi
i një populli që përballej me arrestime, rrahje, burgosje e ndjekje të
vazhdueshme. Por, njëkohësisht, në të pulsonte edhe një frymë e pathyeshme
qëndrese. Trakti i thërriste njerëzit jo vetëm të merrnin pjesë në protestë,
por të mos e linin të vdiste shpresa për liri. Ai përpiqej të zgjonte
ndërgjegjen kombëtare, të bashkonte zemrat e frikësuara dhe të kthente dhimbjen
kolektive në forcë rezistence.
Kjo
thirrje, e shpërndarë fshehurazi nga duar të guximshme, bartte mbi vete peshën
morale të një kohe kur fjala e lirë konsiderohej krim, ndërsa mendimi ndryshe
dënohej me burg. Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, ajo fitonte një
dimension pothuajse të shenjtë: bëhej simbol i mosnënshtrimit dhe i besimit se
edhe nën terrin më të madh politik, zëri i lirisë arrin të depërtojë.
Prandaj,
ky trakt mbetet jo vetëm dokument i një periudhe të trazuar historike, por edhe
monument shpirtëror i qëndresës shqiptare në Kosovë, ku fjala e shtypur në
fshehtësi kishte fuqinë e një kushtrimi që zgjonte popullin nga heshtja dhe
frika drejt protestës, vetëdijes dhe shpresës për çlirim.
Trakti
që mbante titullin kushtrues “TË GJITHË NË MITING PROTESTUES!” përfaqësonte
shumë më tepër sesa një thirrje të zakonshme politike. Ai ishte një dokument i
mbarsur me frymën e kohës, me ankthin dhe shpresën e një populli të ndarë mes
dhunës së pushtetit dhe ëndrrës së madhe për liri. Brenda tij gjendeshin të
gërshetuara jo vetëm thirrje për protestë e rezistencë, por edhe dëshmi të
çmuara për jetën, organizimin dhe përkushtimin e mërgimtarëve shqiptarë dhe të
gjithë mërgatës shqiptare, e cila në ato vite të vështira ishte bërë një
shtyllë e fuqishme e çështjes kombëtare.
Në
faqet e atij trakti ndihej qartë se mërgata shqiptare nuk jetonte vetëm me
mallin për vendlindjen, por me plagën e saj. Ajo frymonte bashkë me Kosovën,
qante me të dhe revoltohej sa herë që dhuna e regjimit jugosllav binte mbi
studentët, mbi familjet shqiptare dhe mbi çdo zë që kërkonte të drejtë. Përmes
këtij teksti, mërgimtarët paraqiteshin si pjesë e pandarë e trupit kombëtar, si
bij të larguar fizikisht nga atdheu, por shpirtërisht më afër se kurrë me të.
Ata organizonin protesta, tubime, ndihma dhe sensibilizim ndërkombëtar, duke e
bërë zërin e Kosovës të dëgjohej përtej kufijve të hekurt të Jugosllavisë.
Thirrja
që përmbante trakti ishte universale për të gjithë shqiptarët që e donin kombin
dhe lirinë, pa dallim vendi apo rrethane. Ai i ftonte të gjithë të bashkoheshin
në protestë, të ngrinin zërin kundër padrejtësisë dhe të mos pajtoheshin me
robërinë. Por, njëkohësisht, në mënyrë të prerë dhe të ashpër, trakti
përjashtonte tradhtarët — ata që kishin zgjedhur heshtjen, bashkëpunimin apo
nënshtrimin ndaj pushtetit. Në optikën e autorëve të tij, tradhtia nuk ishte
vetëm një veprim politik, ajo shihej si braktisje e ndërgjegjes kombëtare, si
shkëputje morale nga vuajtja e popullit. Për këtë arsye, tradhtarët nuk mund të
kishin vend në mesin e patriotëve, sepse liria kërkonte sakrificë, besnikëri
dhe qëndresë të palëkundur.
Vetë
mënyra se si fillonte trakti — “TË GJITHË NË MITING PROTESTUES!” — kishte
forcën e një kushtrimi që jehonte nëpër qytete, konvikte studentore dhe zemra
të lodhura nga frika. Ajo fjali e shkruar me shkronja të mëdha dukej sikur
dilte përtej letrës dhe shndërrohej në një thirrje të drejtpërdrejtë për
ndërgjegjen kombëtare. Nuk ishte vetëm një ftesë për pjesëmarrje në një tubim,
ishte një kërkesë për zgjuarje shpirtërore, për bashkim dhe për refuzim të
heshtjes që pushteti përpiqej ta impononte me dhunë.
Në
këtë mënyrë, trakti merrte përmasa simbolike. Ai bëhej urë lidhëse ndërmjet
Kosovës së shtypur dhe mërgatës së shpërndarë nëpër botë, ndërmjet dhimbjes dhe
shpresës, ndërmjet kujtesës dhe veprimit. Çdo fjali e tij mbante peshën e një
kohe kur fjala e lirë shkruhej fshehurazi, shpërndahej natën dhe lexohej me
frikë, por edhe me krenari. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet sot një dëshmi e
fuqishme e idealizmit dhe e ndërgjegjes patriotike shqiptare, ku edhe një trakt
i vogël arrinte të mbante brenda vetes madhështinë e një ëndrre kolektive për
liri.
Trakti
hapej me një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të ngrohtë: “Bashkatdhetarë!”,
një fjalë e vetme, por e mbushur me mall, dhimbje dhe ndjenjë bashkimi
kombëtar. Që në rreshtat e parë ndihej sikur autori nuk po u drejtohej vetëm
njerëzve të zakonshëm, por zemrave të plagosura të shqiptarëve, kudo që
ndodheshin. Ishte një zë që vinte nga errësira e një kohe të rëndë, por që
kërkonte të ndizte dritën e vetëdijes dhe të mos lejonte heshtjen të mbulonte
tragjedinë që po përjetonte Kosova.
“ Tani, përafërsisht, po dimë çdo njeri, gati çdo njëri, se
çfarë po ndodhë në Kosovë…” — këto fjalë rridhnin si një pohim i hidhur se e
vërteta tashmë kishte dalë përtej mureve të censurës dhe frikës. Ato shprehnin
bindjen se dhuna, terrori dhe gjaku i derdhur nuk mund të fshiheshin më pas
propagandës së pushtetit. Ishte koha kur populli kishte filluar ta kuptonte
thellësisht plagën që po i hapej Kosovës, dhe kur ndërgjegjja kombëtare po
zgjohej me forcë nga heshtja e imponuar.
Pastaj
vinte ajo metaforë e fuqishme popullore: “Dielli nuk mbulohet me shoshë.”
Në këtë shprehje të thjeshtë popullore fshihej një filozofi e tërë qëndrese.
Ashtu si drita e diellit depërton përmes çdo pengese, po ashtu edhe e vërteta
për krimet, vrasjet dhe shtypjen në Kosovë nuk mund të mbulohej më. Pushteti
mund të ngrinte mure frike, të mbyllte gazeta, të burgoste studentë e
intelektualë, por nuk mund ta ndalte të vërtetën të përhapej nga zemra në
zemër, nga familja në familje, nga Kosova deri te mërgata shqiptare në botë.
Rreshtat
që flisnin për “qindra të vrarë nga plumbi e bajoneta” bartnin një
dhembje të thellë njerëzore dhe kombëtare. Aty nuk përmendeshin vetëm viktima
anonime të represionit; aty përfytyroheshin bij, vëllezër, studentë e të rinj
që kishin rënë në emër të një ideali më të madh se vetja. Trakti i jepte zë
pikërisht atyre që pushteti përpiqej t’i zhdukte edhe nga kujtesa. Ai kujtonte
se të vrarët nuk ishin numra statistikash, por njerëz që kishin familje, ëndrra
dhe emra që thirreshin me lot nga nënat, motrat dhe populli i tyre.
“…ata i kërkojnë familjet e tyre, ata i kërkon populli…” — kjo fjali
tingëllonte si një vaj kolektiv, si një klithmë që vinte nga shtëpitë e
mbuluara me zi dhe nga rrugët ku mungonin hapat e të rinjve të vrarë. Në të shfaqej
drama e mungesës: familjet kërkonin trupat e bijve të tyre, ndërsa populli
kërkonte drejtësi dhe të vërtetën. Ishte një dhimbje që nuk mbetej vetëm
personale, por shndërrohej në dhimbje kombëtare.
Dhe
më pas, trakti ngrihej nga vajtimi drejt madhështisë së sakrificës: “ata
ranë për popullin dhe Atdheun, ata ranë heroikisht…” Në këto fjalë, të
rënët nuk paraqiteshin si viktima të pafuqishme, por si martirë të lirisë.
Rënia e tyre merrte kuptimin e një akti të shenjtë, të një flijimi që do të
ushqente shpresën dhe rezistencën e brezave që vinin. Heroizmi i tyre nuk matej
vetëm me guximin për të dalë në demonstrata, por me faktin se ata kishin
zgjedhur të përballeshin me tanket, plumbat dhe bajonetat vetëm për të mbrojtur
dinjitetin e popullit të tyre.
Fjala
përmbyllëse e traktit kishte një tingull pothuajse elegjiak dhe të pavdekshëm: “ata
s’kanë vdekur: në zemrat tona kanë ngelur!” Këtu teksti kapërcente kufijtë
e një thirrjeje politike dhe shndërrohej në një betim kujtese. Të vrarët nuk
konsideroheshin më të humbur, ata jetonin në kujtesën kolektive, në ndërgjegjen
kombëtare dhe në idealin për liri që vazhdonte të digjej në zemrat e
shqiptarëve.
Kështu,
i tërë ky trakt merrte përmasat e një monumenti shpirtëror të rezistencës
shqiptare. Ai ishte njëkohësisht klithmë dhimbjeje, thirrje për bashkim dhe
himn për të rënët. Nëpërmjet gjuhës së tij të thjeshtë, por të mbushur me
emocion, ai ruante kujtesën e një kohe kur populli shqiptar i Kosovës jetonte
mes terrorit dhe shpresës, mes humbjes dhe besimit të palëkundur se sakrifica e
bijve të tij nuk do të harrohej kurrë.
Trakteshkruesi
vazhdonte me një gjuhë të ndezur nga revolta dhe dhembja, duke e paraqitur
pushtetin jugosllav si një makineri të egër shtypjeje që kishte vërshuar mbi
Kosovën për ta mbytur etjen e popullit shqiptar për liri. Në rreshtat e tij
ndihej qartë se demonstratat e vitit 1981 nuk shiheshin thjesht si trazira
studentore, por si një përballje e madhe historike ndërmjet një populli që
kërkonte të drejtën për të jetuar i lirë dhe një regjimi që kishte vendosur ta
ruante sundimin me dhunë e terror.
“Klika social-shoviniste e Beogradit dërgoi tanksa,
helikopterë, aeroplanë, ushtarë…” — kjo fjali tingëllonte si jehona e një
furtune të hekurt që po zbriste mbi qytetet dhe rrugët e Kosovës. Trakti
përpiqej të krijonte para syve të lexuesit pamjen dramatike të një pushteti të
frikësuar, i cili, përballë kërkesave të studentëve dhe popullit shqiptar, nuk
u përgjigj me dialog, por me tanke, me armë dhe me forcën brutale të ushtrisë.
Nëpërmjet këtyre figurave, Kosova shfaqej si një tokë e rrethuar nga hija e
luftës, ku qielli mbushej me helikopterë e aeroplanë, ndërsa toka dridhej nga
zinxhirët e tankeve.
Për
autorin e traktit, ky mobilizim ushtarak nuk ishte thjesht një operacion
shtetëror; ai ishte dëshmi e frikës së thellë që regjimi kishte ndaj zgjuarsisë
dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Prandaj ai shkruante se të gjitha këto forca
ishin dërguar “për t’ia shuar dëshirën dhe vendosmërinë popullit tonë për
liri dhe pavarësi”. Në këtë fjali ndjehej bindja se pushteti nuk kishte
frikë nga armët e shqiptarëve, por nga ëndrra e tyre për liri. Ishte pikërisht
ajo dëshirë e pashuar për vetëvendosje që trembte Beogradin, sepse ajo nuk mund
të burgosej as me tanke e as me bajoneta.
Më
tej, trakti e zgjeronte panoramën e represionit duke përmendur “tërë
aparatin shtetëror jugosllav”, të cilin e përshkruante me terma të ashpër
ideologjikë si “social-shovinistë, revizionistë, social-fashistë e çetnikë”.
Kjo gjuhë pasqyronte klimën politike dhe emocionale të kohës, ku pushteti
perceptohej si një strukturë e tërë e ngritur mbi mohimin e të drejtave të
shqiptarëve. Në sytë e traktshkruesit, regjimi nuk ishte më vetëm një
administratë politike, por një mekanizëm i organizuar shtypjeje që kishte
bashkuar të gjitha forcat e tij kundër Kosovës.
Pastaj
teksti merrte një dimension pothuajse dramatik dhe alegorik: “Gjumi s’i
merr… buka s’u hahet…” Këto fjalë bartnin idenë se udhëheqësit e Beogradit
jetonin të përfshirë nga ankthi dhe frika. Ata nuk gjenin qetësi, sepse ndjenin
se themelet e sundimit të tyre po lëkundeshin. Në mënyrë figurative, trakti i
paraqiste si njerëz të përndjekur nga hija e humbjes së Kosovës, nga frika se
mos populli shqiptar arrinte ta çante rrethimin e hekurt të robërisë.
Kur
përmendej termi “Stara Serbia”, me të cilin qarqet nacionaliste serbe e
quanin Kosovën, teksti merrte tone edhe më të fuqishme emocionale. Për autorin,
kjo ishte dëshmi e lakmisë historike dhe e pretendimeve pushtuese ndaj tokës
shqiptare. Duke e quajtur Kosovën “Kosova jonë”, ai e kthente traktin në
një deklaratë të hapur të përkatësisë kombëtare dhe të lidhjes shpirtërore të
shqiptarëve me vendin e tyre. Në këto rreshta ndihej qartë përplasja ndërmjet
dy botëve: njëra që e shihte Kosovën si trofe pushteti dhe tjetra që e ndiente
si truall të shenjtë të identitetit dhe historisë së vet.
Kulmi
emocional i traktit arrihej në metaforën e errët dhe tronditëse: “Lubive
buka s’u hahet — duan mish dhe gjak të fëmijëve shqiptarë!” Kjo figurë e
rëndë poetike e demonizonte pushtetin, duke e paraqitur si një forcë të
pangopur dhune që ushqehej me vuajtjen dhe gjakun e pafajshëm. Në këtë
përshkrim nuk kishte vetëm zemërim politik, kishte dhimbjen e thellë të një
populli që ndiente se bijtë e tij po përndiqeshin, burgoseshin e vriteshin
vetëm pse kërkonin liri. Fjala “fëmijë” përdorej me qëllim për të zgjuar
ndjenjën më të thellë njerëzore — mbrojtjen e jetës së pafajshme — dhe për ta
bërë edhe më të rëndë pamjen e represionit.
Në
tërësi, ky fragment i traktit nuk ishte thjesht një tekst politik. Ai ishte një
rrëfim i mbushur me ankth, revoltë dhe ndjenjë kombëtare, ku gjuha e ashpër dhe
metaforat dramatike shërbenin për të zgjuar ndërgjegjen e popullit dhe për ta
bindur atë se përballë terrorit nuk duhej zgjedhur heshtja, por qëndresa.
Nëpërmjet këtyre fjalëve, traktshkruesi përpiqej ta kthente dhimbjen në forcë
dhe frikën në vendosmëri, duke e bërë çdo lexues të ndiente se beteja për
Kosovën nuk ishte vetëm politike, por edhe shpirtërore e historike.
E
tmerrshme dhe thellësisht trishtuese paraqitet tabloja që traktshkruesi ndërton
për dhunën dhe mizoritë e ushtruara ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë atyre
ditëve të errëta të vitit 1981. Në rreshtat e tij, dhuna e regjimit jugosllav
nuk përshkruhet më vetëm si represion politik, por si një egërsi që prek
kufijtë më të errët të çnjerëzores. Fjalët marrin peshën e një dëshmie të
dhimbshme, ku terrori shtetëror shfaqet si një furtunë barbarie e lëshuar mbi
trupin dhe dinjitetin e popullit shqiptar.
Traktshkruesi
përshkruan me tone të rënda masakrat që, sipas tij, u kryen nga policia
social-fashiste serbe, nga ushtria jugosllave dhe nga grupet çetnike, duke e
paraqitur Kosovën si një vend ku brutaliteti kishte humbur çdo kufi njerëzor.
Përmendja e fëmijëve të therur, e studenteve shqiptare të dhunuara dhe të
poshtëruara, nuk është vetëm një akuzë politike; ajo është një klithmë morale
që synon të tronditë ndërgjegjen e lexuesit. Nëpërmjet këtyre përshkrimeve,
traktshkruesi përpiqet të tregojë se dhuna nuk drejtohej vetëm kundër
protestuesve, por kundër vetë qenies shqiptare, kundër nderit, rinisë dhe së
ardhmes së Kosovës.
Pamja
e vajzave shqiptare të nxjerra lakuriq në rrugë shfaqet në tekst si simbol i
poshtërimit kolektiv. Nuk është vetëm dhunë mbi individin, por përpjekje për ta
përkulur shpirtin e një populli të tërë. Dhe pikërisht këtu, fjala e traktit
merr trajtën e një elegjie të rëndë kombëtare, ku çdo fjali bart dhimbjen e një
kohe kur njeriu ndiente se barbaria po mbizotëronte mbi njerëzoren.
Në
kontrast me këtë realitet tragjik, traktshkruesi shpërthen në revoltë ndaj
gazetës “Rilindja”, të cilën e quan zëdhënëse të pushtetit dhe të qarqeve
antishqiptare. Për të, heshtja ose minimizimi i dhunës përbënte një tradhti
morale po aq të rëndë sa vetë represioni. Kur gazeta shkruante se gjendja ishte
“normalizuar”, traktshkruesi e përjetonte këtë si një përpjekje për të mbuluar
gjakun dhe lotët e Kosovës me një perde propagande. Fjala “normalizim”
tingëllonte ironike dhe e ftohtë përballë rrugëve të mbushura me tanke,
familjeve në zi dhe studentëve të vrarë.
Ai
pyet me zemërim: “çka s’lexojmë këto ditë në të?!” — një pyetje retorike
që bart zhgënjimin e madh ndaj atyre shqiptarëve që, sipas tij, ishin bërë
vegla të pushtetit. Në tekst, emrat e funksionarëve politikë shqiptarë të kohës
përmenden me tone të ashpra dhe akuzuese, si njerëz që kishin humbur lidhjen me
popullin e tyre dhe që, në vend se të mbronin shqiptarët, po shërbenin si zëdhënës
të politikës represive të Beogradit.
Traktshkruesi
përdor figura të forta metaforike kur thotë se ata “pinë gjakun” dhe “hanë
mishin” e vëllezërve dhe motrave të tyre. Kjo gjuhë, e mbushur me zemërim
dhe simbolikë dramatike, nuk duhet parë vetëm si fjalor politik, por si
shprehje e ndjenjës së tradhtisë së thellë që përjetonte populli shqiptar ndaj
elitës që konsiderohej e nënshtruar ndaj pushtetit jugosllav. Për autorin,
tradhtia ishte më e rëndë se vetë dhuna e armikut, sepse vinte nga ata që duhej
të ishin mbrojtës të popullit të tyre.
Edhe
përmendja e Stane Dollancit dhe e figurave të tjera politike bëhet në mënyrë
ironike dhe sarkastike, duke i paraqitur si njerëz që përpiqeshin ta zvogëlonin
numrin e viktimave shqiptare, sikur e vërteta të mund të fshihej duke
manipuluar shifrat. Në këtë pjesë, traktshkruesi e shpreh revoltën ndaj
propagandës shtetërore që, sipas tij, jo vetëm ushtronte dhunë, por edhe
përpiqej ta mohonte atë.
Kulmi
i zemërimit arrin kur ai thotë se “i shituri tradhtar ia kalon gospodarit”,
duke nënkuptuar se tradhtari bëhet edhe më i egër se vetë sunduesi. Për
traktshkruesin, tradhtari humb çdo ndjenjë njerëzore dhe shndërrohet në një
vegël të verbër të pushtetit. Kjo ide shfaq një nga plagët më të mëdha morale
të asaj kohe: ndjenjën se jo vetëm armiku i jashtëm, por edhe bashkëkombës të
caktuar po kontribuonin në shtypjen e popullit të tyre.
Në
tërësi, ky fragment i traktit është një shpërthim emocionesh të forta —
dhimbje, zemërim, revoltë dhe dëshpërim — i shkruar në një gjuhë të ngarkuar me
metafora dramatike dhe me ton elegjiak. Ai nuk synon vetëm të informojë, por të
tronditë, të zgjojë ndërgjegjen dhe të krijojë ndjesinë se Kosova e atyre
viteve ishte kthyer në një hapësirë ku përballeshin barbaria dhe dinjiteti
njerëzor. Në këtë mënyrë, trakti mbetet një dëshmi e fuqishme e gjendjes
emocionale dhe politike të shqiptarëve të Kosovës në një nga periudhat më të
rënda të historisë së tyre moderne.
Më
tej, në trakt shpërthente një frymë e fuqishme krenarie dhe qëndrese, sikur nga
hiri i dhimbjes të ngrihej një himn për trimërinë shqiptare. Pas përshkrimeve
të errëta të dhunës dhe terrorit, fjala e traktshkruesit merrte tonin e një
epike popullore, ku populli shqiptar nuk paraqitej më si viktimë e pafuqishme,
por si një trup i gjallë që, edhe përballë armëve dhe tankeve, nuk pranonte të
nënshtrohej.
“Përkundër fushatës fashiste, përkundër vrasjeve në masë…” — këto fjalë
hapnin një pamje dramatike të kohës, ku pushteti jugosllav përshkruhej si një
makineri represive që kishte vënë në lëvizje gjithë arsenalin e tij kundër një
populli të paarmatosur. Në njërën anë qëndronin helmetat, bajonetat, tanket dhe
ushtarët; në anën tjetër një popull me duar bosh, por me zemër të mbushur me
etje për liri. Kontrasti ishte i dhimbshëm, por pikërisht në këtë pabarazi
traktshkruesi shihte madhështinë morale të rezistencës shqiptare.
Vijon









