Prend Buzhala: Gazetaria nën fishkëllimën e plumbave e minahedhësve, kur ra dëshmor Muhamet Haxhaj

1h më parë

FLETËZA LUFTE

GAZETARIA NËN FISHKËLLIMËN E PLUMBAVE E MINAHEDHËSVE, KUR RA DËSHMOR MUHAMET HAXHAJ

Nga Prend Buzhala

Gjatë luftës në Kosovë isha gazetar në zonat e luftës. Raportoja për gazetën "Rilindja"/"Bujku", ndërsa shumë informacione ua përcillja edhe agjencive e mediave të tjera. Çdo lajm shkruhej mes rrezikut, nën breshërinë e plumbave dhe granatimeve, me bindjen se e vërteta duhej të arrinte deri te lexuesi.

Në luftë, edhe fjala vihet në shënjestër.

Ajo duhet të kalojë të njëjtat prita si luftëtari: plumbat, granatat, rrugët e bllokuara, dezinformimin dhe kohën që vrapon më shpejt se njeriu. Nëse luftëtari mbron një vijë fronti, gazetari përpiqet të mbrojë vijën e së vërtetës. Të dy e dinë se humbja e njërës e dobëson edhe tjetrën.

Kështu ishte edhe më 3 korrik 1998.

1.

E, po, lufta nuk bëhej vetëm në vijën e zjarrit. Ajo zhvillohej edhe në betejën për të vërtetën. Çdo lajm duhej fituar njësoj si një pozicion në front: mes plumbave, granatimeve, rrugëve të bllokuara dhe lidhjeve telefonike që këputeshin në çastin më të papërshtatshëm. Ose duheshin të gjendeshin edhe forma tjera të dërgimit të shkrimeve e informacioneve...

Nga ajo kohë kam shumë kujtime. Disa janë shndërruar në kronika, të tjera kanë mbetur plagë të pashlyera në kujtesë. Njëra prej tyre lidhet me 3 korrikun e vitit 1998.

Këtë herë po veçoj një nga raportimet më të vështira që kam dërguar ndonjëherë. E shkrova dhe e transmetova nga Zabergja e Klinës, nën fishkëllimën e plumbave dhe goditjet e minahedhësve, gjatë betejës së 3 korrikut 1998, kur luftimet përfshinë gjithë vijën e frontit nga Dollci e deri në Kijevë e më tej. Përleshje të ashpra zhvilloheshin në Dollc, Gllarevë, Rigjevë, Sllapanicë dhe në zonën përreth Kijevës, drejt Bubavecit. Luftëtarët mbronin me çdo kusht rrugën drejt Kijevës.

Në vendin e njohur si "Kulla e Qëndresës" u zhvillua një nga betejat më të rënda ndërmjet njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.  Po atë ditë ra heroikisht komandanti "Naimi", Muhamet Haxhaj. Për mua ai nuk ishte vetëm një komandant i UÇK-së. Dikur kishte qenë nxënës i imi në Gjimnazin "Luigj Gurakuqi" në Kijevë. Ishte një nga ata të rinj që historia i thërret në çastet vendimtare dhe që përgjigjen me jetën e tyre. Lajmi për rënien e tij e rëndonte edhe më shumë peshën e çdo fjale që duhej ta dërgoja drejt redaksisë.

Së bashku me bashkëluftëtarët e tij, ai luftoi me vendosmëri për të ndalur depërtimin e forcave armike drejt Kijevës. Operacionit luftarak i printe Mujë Krasniqi. Disa ditë para betejës e pata takuar në këtë fshat.

Ndërkohë, larg frontit, në Prishtinën që atë ditë dukej pothuajse "e qetë", qarkullonin dezinformata se "UÇK-ja kishte kapitulluar". Këtë ma përcolli në telefon daktilografistja e palodhshme e "Rilindjes". e shqetësuar nga ato që dëgjonte. Ishte një bisedë e shkurtër, me ndërprerje të vazhdueshme. Nuk kishte kohë për shpjegime të gjata. Mjaftonte një titull që ta përmbyste gënjeshtrën. Aty për aty i diktova edhe titullin e ri të raportit tim: "LLAPUSHA SHËNOI EPOPENË E UÇK-SË". Ato fjalë si  titull gazete, ishin përgjigjja e frontit ndaj propagandës. Ishin dëshmia se luftëtarët jo vetëm që nuk ishin thyer, por po zhvillonin një qëndresë heroike. Me sa kam mundur ta ndjek më pas shtypin dhe botimet për luftën, ky ishte përdorimi i parë i fjalës "epope" për të emërtuar heroizmin dhe qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më vonë, ky nocion do të bëhej pjesë e ligjërimit historik, publicistik e letrar për luftën çlirimtare.

Për historinë, Muhamet Haxhaj mbeti dëshmor i kombit; për mua, ai mbeti edhe ish-nxënësi im në Gjimnazin "Luigj Gurakuqi" në Kijevë. Lufta, nganjëherë, ta ndryshon edhe kuptimin e kujtesës: emrat që dikur i thërrisje në ditarin e klasës, një ditë i shkruan në kronikën e rënies heroike. E tillë ishte edhe historia e Muhametit. Vite më vonë, ndjeva se kronika e një dite nuk mjaftonte për ta përmbledhur jetën dhe flijimin e tij. Prandaj, në faqet e kësaj gazete, i kushtova një jetëshkrim të plotë, si një detyrim njerëzor, moral dhe historik ndaj ish-nxënësit tim, luftëtarit dhe dëshmorit të kombit.

Raporti u dërgua me shumë mundim. Nuk ishte e lehtë të sigurohej një lidhje telefonike nga zona e luftës, e aq më pak të transmetohej një tekst i plotë nën krismat që nuk pushonin. Megjithatë, ai mbërriti në redaksi. Të nesërmen, më 4 korrik 1998, u botua në ballinën e "Rilindjes"/"Bujkut". Më pas, për dy ditë rresht, u lexua edhe nga Radio Televizioni Shqiptar (Tiranë), duke sjellë para opinionit një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që përpiqeshin të impononin dezinformatat.

2.

Sot, pas kaq vitesh, ai shkrim nuk është vetëm një raport gazetaresk, por është dokument i një kohe kur fjala duhej ta përballonte po aq rrezikun sa edhe arma. Është dëshmi se gazetaria e luftës nuk kishte të bënte vetëm me informimin, por edhe me përgjegjësinë për ta mbrojtur të vërtetën në çastet kur ajo rrezikohej më shumë.

Në vijim po e ribotoj atë raport të botuar në "Rilindje"/"Bujku" më 4 korrik 1998, si një dëshmi të asaj dite, të asaj beteje dhe të atyre njerëzve që e shkruan historinë me jetën e tyre.

(Prend BUZALA, 3 korrik 1998, 3 korrik 2026)