Paulin Zefi: Kisha e Shën Mëhillit dhe Qela e Priftit në Kashnjet të Lezhës
Kisha e Shën Mëhillit dhe Qela e Priftit në Kashnjet të Lezhës (Mirdita Etnografike)
Nga
Paulin Zefi
Kisha
e Shën Mëhillit ndodhet në pjesën jugore të fshatit historik të Kashnjetit (1),
Njësia Administrative Ungrej, në një lokalitet të njohur nga banorët vendas si
“Kodra e Qelës”. Ky toponim përfaqëson një rrafshinë të ngritur kodrinore, që
arrin deri në një lartësi prej 457 m mbi nivelin e detit, duke krijuar kësisoj
një pikë dominuese natyrore me pamje panoramike mbresëlënëse mbi të gjithë territorin
përreth. Ky konfigurim gjeografik i veçantë i ka dhënë kishës një rëndësi të
dyfishtë, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe nga ajo estetike dhe
vizuale. Vendosja e saj në një nga pikat më të larta të zonës ka mundësuar një
horizont të hapur dhe të thelluar vëzhgimi në drejtim të veriperëndimit,
konkretisht përmes grykës së lumit Gjadër, që shtrihet në mënyrë lineare drejt
Fushës së Nënshkodrës. Nga ky pozicion është e mundur të shihet me sy të lirë
edhe Kështjella e Rozafës në qytetin e Shkodrës, një nga monumentet më të
rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike Shqiptare, njëkohësisht
pjesë e Trashëgimisë së përbashkët Europiane. Për më tepër, Kisha e Shën
Mëhillit gjendet në afërsi të disa arterieve të lashta rrugore, të cilat, që në
periudha të hershme historike, kanë shërbyer si lidhje natyrore dhe funksionale
ndërmjet zonave bregdetare dhe fushore të Shqipërisë veriperëndimore me
Malësitë e Dukagjinit të Vjetër, përkatësisht territoret e sotme të Pukës dhe
Mirditës, dhe më tej me Rrafshin e Dukagjinit në Kosovë. Kjo ndërthurje e
rrjeteve të vjetra rrugore me vendndodhjen e kishës i shton më tej vlerat e saj
historike, duke e pozicionuar atë si një nyje të rëndësishme brenda sistemit të
qarkullimit dhe komunikimit rajonal. Njëkohësisht, ky pozicion e ka kthyer
kishën së bashku me rezidencën e priftit në një stacion të njohur për
udhëtarët, studiuesit dhe albanologët e huaj, të cilët, ndër shekuj, e kanë
përshkruar dhe dokumentuar si një nga pikat më të rëndësishme referuese në
itineraret e tyre kërkimore dhe eksploruese. Kësisoj, Kisha e Shën Mëhillit
përfaqëson një ndërthurje të rrallë të vlerave të Trashëgimisë kulturore,
natyrore, strategjike dhe komunikuese, duke e bërë atë jo vetëm një objekt
adhurimi fetar, por edhe një simbol të vijimësisë historike dhe identitetit
kulturor të zonës. Për herë të parë në burimet historike, "Kisha e Shën
Mëhillit në Kashnjet (Sancti Michaelie in Castineto)” përmendet nga Papa
Gregori XII në letrën e tij drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit (Archiepiscopo
Antibarensi) më 23 maj 1407 (2), duke hedhur poshtë mendimin se kjo kishë ka
qenë ndërtuar së pari në atmosferën e kohës së paspushtimit turk (3). Plot 222
vite më vonë, Kisha e Shën Mëhillit të Kashnjetit (S.Michiele di Casctignietti)
përmendet në relacionin e ipeshkvit të Lezhës, Benedikt Orsini, në vitin 1629
(4). Ndër të tjera, ai shkruan se: "Në dioqezën që nuk i është nënshtruar
Turkut, që quhet Dibri (Nella Diocesi non soggeta al Turcho chiamata Dibri),
gjeta kishat famullitare të Shën Marisë së Shpërdhazës, Shën Gjergjin e
Gjunalit, Shën Mëhillin e Kashnjetit, Shën Ilinë e Gazullit dhe Shën Demetrin
në Fanin e Madh, por të gjitha të rrënuara prej turqve dhe të pa kumbonë, për
të cilat thonë se, nga shkaku i turqve, kanë qenë futur nën dhè; të pa dyer,
altar, kelq, veshje dhe pa asnjë prift. Këtu, përveç se me krezmue e me
predikue, qe e nevojshme të mësonin uratët e së dielës; ... ... Pasi i mlodha
pastaj nja 400 burra, i shtyva ta meremetonin Kishën e Shën Marisë së
Shpërdhazës ... ... dhe, së fundi, e ndërtova që nga themeli Kishën e Shën
Mëhillit, por ende nuk është mbuluar, për shkak se ata njerëz janë të varfër
(5)." Më 24 prill dhe 20 dhjetor të vitit 1638, Kisha e Shën Mëhillit e
Kashnjetit (Sanctus Michael de Castagneti) përmendet në dy letra të
Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide, ku bëhet fjalë për përcaktimin e
kufijve të Dioqezës së Lezhës (6). Në vijimësinë e dokumentacionit historik
gjatë shek. XVII, kjo kishë shfaqet edhe në relacione të tjera kishtare, duke
nisur nga ato të vizitatorit apostolik, Stefano Gaspari, në vitet 1671-1672, i
cili e shënon se Kisha e Shën Mëhillit (Chiesa di S.Michele) në fshatin
Kashnjet (nella villa di Castaneti), është e ndërtuar me gurë dhe në gjendje të
mirë (7). Kisha e Shën Mëhillit e Kashnjetit (S.Micael de Castegnetti)
përmendet më 10 gusht 1672 nga ipeshkvi i Lezhës, Gjergj Vladanji dhe në vitin
1694, Nikollë Vladanji shkruan se në Kashnjet (Castigneti) ndodhet Kapela e
titulluar Shën Mëhilli (Capella titolata S.Michele), që është e pajisur me dy
altarë, një brenda dhe një jashtë, pranë së cilës varrosen të krishterët e
fshatit, me vetëm 12 shtëpi. Në relacionet e tij të viteve 1702-1703,
arqipeshkvi i Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç, jep një përshkrim shumë të
hollësishëm të kësaj kishe, flet mbi devocionin e paktë të banorëve, për
mangësitë e dy famullitarëve, Dom Pal Gazulli dhe Dom Andrea Bushati, por edhe
për vështirësitë me të cilat ata përballen (shqetësime e shpenzime), duke
përbujtur vazhdimisht udhëtarë të ndryshëm, sepse shtëpia e tyre ndodhej në
rrugë kalimi për Shkodër, Lezhë dhe Malësi etj. Mbi gjendjen e kishës ai
shkruan se: "Në Kashnjet është Kisha e Shën Mëhillit (In Castagneti è la
Chiesa di S. Michele), me ndërtim të mirë dhe gjendje shumë të mirë, me një
këmbanë të thyer prej 250 libresh. Nuk ka orendi të shugurueshme, por ka ara me
sasi të mirë (të bollshme), të cilat i mban (i posedon) famullitari i Dibrit
(9)." Gjatë shek. XVIII-XIX, Kisha famullitare e Shën Mëhillit Kryeëngjëll
në Kashnjet përmendet mjaft dendur në relacionet kishtare të ipeshkvinjve të
Dioqezës së Lezhës. Në vitin 1735 nga Gjon Gallata; më 1743 dhe 1747 nga Simon
Negri; më 1753 nga Anton Kryeziu; më 1785 nga Giorgio Junchi; më 1789 dhe 1792
nga Mikel Kryeziu; më 1801, 1807, 1810 dhe 1821 nga Nikollë Malçi; më 1844,
1846 dhe 1853 nga Ivan Topich dhe më 1864/1865 nga Pal Dodmasej (10). Në vitin
1869, është akademiku anglez, shkrimtari, udhëtari dhe gjeografi, Rev. Henry
Fanshawe Tozer, i cili e përmend “shtëpinë e priftit në fshatin e Kashnjetit
(priest's house in the village of Castagneti)” si një pikë ndalesë të
rëndësishme për udhëtarët që përshkojnë rrugën nga Shkodra për në Orosh të
Mirditës (11). Në vitin 1896, vetë Kisha e Shën Mëhillit në Kashnjet përmendet
nga Abati i Mirditës, Prend Doçi (12). Në vitin 1902, pikërisht pranë Kishës së
Shën Mëhillit dhe poshtë Qelës së Vjetër në Kashnjet, me udhëzimet e Abat Prend
Doçit dhe nën kujdesin e veçantë të Dom Prend Sulit, hapet shkolla e parë
shqipe në këtë zonë (13). Ndërsa, 3 vite më vonë, Mary Edith Durham, në veprën
e saj “The Burden of the Balkans (1905)”, rrëfen mbi ndalesën që ka kryer në
këtë vend, mikpritjen e veçantë të ofruar nga famullitari i Kashnjetit,
përshkruan Kashnjetin me rrethina, duke e paraqitur pamjen panoramike të zonës
me ngjyrime idilike dhe po ashtu, flet për shkollën e ndërtuar rishtas afër
banesës së priftit, me mësues dhe 8-9 nxënës, që janë të zgjuar dhe që mësojnë
shpejt (14). Kisha e Shën Mëhillit ka funksionuar në mënyrë të pandërprerë deri
në vitin 1967, kur u mbyll si pasojë e valës së Revolucionit Kulturor Ateist
dhe për 11 vite me rradhë ka shërbyer si magazinë për mbajtjen e shkemit.
Mjerisht ajo u shkatërrua në vitin 1978, ku gurët dhe qoshet e mureve janë
përdorur për të mbushur themelet e Shkollës 8-Vjeçare të Kashnjetit dhe lënda
drusore është përdorur për shkollën e re (15). Në vitet 1990, mbi themelet e
objektit të dikurshëm u ndërtua një kishë krejtësisht e re, duke respektuar në
mënyrë të përpiktë formën planimetrike të mëparshme. Kisha është e tipit
njënefësh, me hyrjen kryesore të vendosur në perëndim dhe absidën në lindje, në
përputhje me kanonet liturgjike të kishave katolike. Ajo ka këto përmasa: 19.41
gjatësi dhe 9.89 m gjerësi (matur më: 25.05.2026), ndërsa absida është mjaft e
gjerë, me një diametër prej 5.45 m (16). Kisha është e pajisur vetëm me një
hyrje, ndërsa hapësira e brendshme ndriçohet nga 9 dritare: 4 në murin verior,
4 në atë jugor dhe një dritare rrethore në fasadën kryesore, mbi hyrjen e
kishës. Rreth 60 metra në verilindje të kishës ndodhet “Qela e Priftit” ose
“Qela e Re”, e ndërtuar në vitin 1933 nga mjeshtri vendas, Prend Zef Pjetri nga
Vrêthi (Vrrithi) i Kashnjetit dhe Ndue Dedë Zefi, si mjeshtër i ri, nga Katundi
i Epër i Kashnjetit (17). “Qela e Priftit” ngrihet mbi një planimetri katrore me
përmasa 13.21 × 10.25 m dhe përfshin dy kate të plota. Në anën lindore të
Qelës, e bashkëngjitur me trupin kryesor të saj, gjendet një strukturë ndihmëse
prej guri me përmasa 5.11 m gjatësi dhe 4.33 m gjerësi. E ndërtuar me të
njëjtën teknikë dhe me të njëjtin material ndërtimi si pjesa kryesore e
objektit, kjo njësi funksionale ka shërbyer kryesisht si magazinë dhe nyje
sanitare. Qela është e pajisur me tri hyrje: hyrjen kryesore në fasadën
perëndimore dhe dy hyrje të tjera në fasadat anësore, veriore dhe jugore.
Gjithashtu, në segmentin lindor të murit verior dallohen qartë gjurmët e një
hyrjeje të katërt, tashmë të murosur. Hapësira e brendshme e Qelës ndriçohet
nga një numër i konsiderueshëm dritaresh, gjithsej 21: 15 dritare të mëdha, të
mbuluara me qemerë guri, të vendosura në trupin kryesor të objektit, si dhe 6
dritare me përmasa dhe forma të ndryshme, që ndodhen në strukturën ndihmëse.
Nga elementët arkitekturorë origjinalë të ruajtur, vihet re se shumë qartë se
objekti i përket fillimit të shek. XX, gjë që dëshmohet nga harqet e gurta si
dhe trajtimi i dyerve dhe dritareve, të cilat paraqesin ngjashmëri të qarta me
arkitekturën qytetare të kohës, nën ndikimin e stilit të piktorit dhe
arkitektit të njohur Kolë Idromeno (18). Gjatë periudhës së regjimit
diktatorial kjo ndërtesë u përshtat për funksione të ndryshme, si zyra të
administratës lokale, stacion policie për zonën, zyra e gjendjes civile apo
dhomë për mjekun dhe veterinarin etj. Pasi u braktis për një periudhë
relativisht të gjatë, duke e lënë në mëshirë të fatit, muret e “Qelës së
Priftit” janë restauruar në vitin 2024 nga vetë banorët e zonës dhe duhet
theksuar se është realizuar një punë shumë cilësore. Pranë Kishës së Shën
Mëhillit dhe Qelës së Priftit janë ende të dukshme disa themele të vjetra që
përfaqësojnë të vetmen dëshmi të ekzistencës së “Qelës së Vjetër” në këtë
lokalitet. Në hapësirën ndërmjet kishës dhe Qelës së Priftit ndodhet
kambanorja, me një strukturë të thjeshtë dhe minimaliste, tipike për zonat
rurale të Shqipërisë, e ndërtuar mbi një platfomë prej betoni në bazë, me dy
shtylla vertikale betoni që bashkohen në majë nga një arkitra po prej betoni, i
cili mbulohet me një çati të vogël me tjegulla, që e mbronte kambanën nga
reshjet atmosferike. Lartësia e kambanores është 5.20 m dhe gjerësia e saj, e
matur në dy pjesët anësore të shtyllave, është 2.24 m. Në krye të strukturës,
poshtë arkitraut dhe çatisë, e fiksuar në dy shtyllat vertikale, ndodhet një
tra horizontal metalik, që shërben për të mbajtur kambanën. Deri vonë, në këtë
kambanore, e cila plotëson funksionalisht dhe vizualisht kompleksin kishtar, ka
qenë ruajtur një kambanë me mbishkrimin: “Fisit kreshnik të Kashnjetit
(19)", një relike me vlerë të veçantë simbolike për të gjithë krahinën.
Kambana prej bronzi, me peshë 370 kg, dhuratë e shenjtëruar nga Selia e Shenjtë
për Kishën e Shën Mëhillit në vitin 1925, i shërbeu besimtarëve për gati një
shekull. Fatkeqësisht, në vitin 2019 ajo u vodh dhe që atëherë nuk është gjetur
më, duke lënë pas një zbrazëti të ndjeshme në trashëgiminë shpirtërore dhe
kulturore të zonës. Në qendër të hapësirës së oborrit, të krijuar midis Kishës
së Shën Mëhillit, Qelës së Priftit dhe Kambanores, ndodhet një pus i vjetër, i
restauruar në kohët e fundit dhe që është ende funksional. Ndërsa, në anën
jugore të Kishës së Shën Mëhillit shtrihet varreza, e cila është e rrethuar
pjesërisht me mure guri të lidhur në të thatë, me një lartësi deri në 1 m. Kjo
varrezë vazhdon të jetë funksionale, por ndër elementet më tërheqëse dhe të
veçanta janë disa gurë varresh të vjetër me forma antropomorfe të skalitura, të
cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike (20). Kisha e
Shën Mëhillit në Kashnjet, por edhe Qela e Priftit, nuk janë thjesht ndërtesa
fetare, por dy monumente të gjallë të kujtesës kolektive. Ato përfaqësojnë një
dëshmi të vazhdueshme të shpirtit dhe qëndresës mirditore e shqiptare përballë
sfidave të kohës. Të vendosura në një nyje kyçe të rrugëve të vjetra historike,
këta dy monumente vijojnë të shërbejnë si pika referimi në gjeografinë
kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë së Veriut.
BIBLIOGRAFIA:
1-
Më gjerësisht shih K.Shtjefni, Mirdita Etnike: 5 Bajrakët, Monografi (ribotim),
f. 161-165; M.Gj.Zefi, Vendlindja na fton: studime, ese, reportazhe
përshëndetje, intervista etj., Lezhë: Jaku, 2024.
2-
A.Meksi, Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me
peshkopatën e Lezhës, në: ResPublica, 27 shtator 2018.
3-
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 120.
4-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 87; Shih edhe I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e
Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell'Albania
(1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga - Trascritti e tradotti da Injac
Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga - riedizione elaborata da Jozef Zamputti),
St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 332.
5-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 87; I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë
(1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell'Albania (1610-1650),
(Transkriptuar e perkthyer nga - Trascritti e tradotti da Injac Zamputti),
(Ribotim i perpunuar nga - riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen:
Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 332.
6-
D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia
Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis,
Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII
(1817), f. 204, 286.
7-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 109.
8-
Ibidem, f. 125, 153.
9-
V.Zmajevich: P.Bartl / I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë /
Relazione dello stato d'Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij
botimi: Albert Ramaj, Zef (Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 102,
258.
10-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 187, 193, 197, 219, 233, 258, 269, 296, 308, 316, 323, 330, 355,
365, 377-378.
11-
H.Fanshawe Tozer, Researches in the Highlands of Turkey: Including Visits to Mounts
Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirdite Albanians, and Other Remote
Tribes, Volume I, (With map and illustrations), London: John Murray, Albemarle
Street, 1869, f. 291-298.
12-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese
Alessio, f. 436.
13-
M.Gj.Zefi, Vendlindja na fton: studime, ese, reportazhe, përshëndetje,
intervista etj., f. 5, 103.
14-
E.Durham, Brenga e Ballkanit, f. 338-341.
15-
M.Gj.Zefi, Vendlindja na fton: studime, ese, reportazhe, përshëndetje,
intervista etj., f. 102-103.
16-
G. Hoxha, L. Përzhita, F. Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë
në Dioqezën e Lezhës / Monumenti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di
Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 118.
17-
M.Gj.Zefi, Vendlindja na fton: studime, ese, reportazhe, përshëndetje,
intervista etj., f. 103.
18-
G. Hoxha, L. Përzhita, F. Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë
në Dioqezën e Lezhës / Monumenti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di
Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 120.
19-
N.Dedaj, Toka e Katedraleve: Rava e Krishtërimit në Mirditë e më gjerë, (Botim
i dytë i ripunuar), f. 192.
20-
G.Hoxha, L. Përzhita, F. Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë
në Dioqezën e Lezhës / Monumenti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di
Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 120.
Paulin Zefi.
Lezhë: 25.05.2026.


















