Paulin Zefi: Danja (Dagnum) - Historia dhe arkitektura

Danja (Dagnum): Historia dhe arkitektura
Nga
Paulin Zefi
Qyteti
i fortifikuar i Danjës, i përmendur në burimet historike me emra të ndryshëm,
si: “Dain, Dajin, Dajino, Dagnum, Danum, Dainum, Dagno, Dagne, Dano, Danj apo
Dai etj." (1)", ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme tregtare të
kohës dhe, falë pozitës së saj tejet të favorshme strategjike, ka luajtur një
rol të rëndësishëm ushtarak, politik dhe ekonomik gjatë gjithë periudhës së
Mesjetës. Pozicioni dominues i qytetit të Danjës siguronte një kontroll të
plotë vizual mbi korridorin e poshtëm të Drinit dhe rrugët që lidhnin Lezhën me
Shkodrën dhe Sardën etj. Nga kjo kështjellë hapet një fushëpamje e gjerë, që
përfshin hapësirën nga Lezha deri në rrethinat e kështjellës së Rozafës, me
sfondin verior të dominuar nga shpatet e thepisura të Alpeve Shqiptare. Pikërisht
ky kontroll i gjerë territorial shpjegon pse Danja u shndërrua në një nga nyjet
ushtarako-strategjike më të rëndësishme të Arbërisë Veriore gjatë Mesjetës.
Këtu kalonte “Rruga e Zetës", e cila lidhte qytetet dhe tregjet e Arbërisë
Perëndimore me qytetet dhe tregjet e Dardanisë (Novobërda/Artana, Trepça,
Janjeva) dhe në Danjë karvanet paguanin taksa doganore për mallrat e tyre (2).
Pra, në Danjë bashkoheshin rrugët e mëdha që vinin nga veriperëndimi e nga jugu
(3), përkatësisht nga Shkodra e Lezha dhe si një rrugë e vetme vazhdonte më pas
drejt lindjes, kah Prizreni (4). Duke gjykuar nga qeramika dhe monedhat e
zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në vitet 1984-1989 nga Gjergj
Saraçi, rezulton se shtresa kulturore më e hershme e identifikuar në Kështjellën
e Danjës i përket periudhës së perandorit bizantin, Johani I Tzimiskes
(969–976), dhe pikërisht në këtë periudhë datohet edhe ndërtimi i parë i murit
rrethues të qytetit (5). Nga ana tjetër, një pjesë e historianëve e
identifikojnë këtë qytet të vogël me kështjellën «
(Dionaa)», e cila,
sipas njoftimit të Prokopit të Çezaresë, iu nënshtrua punimeve të rinovimit
gjatë programit të gjerë fortifikues të ndërmarrë nga perandori ilir i
Perandorisë Romake të Lindjes, Justiniani i Madh (6). Mirëpo, në burimet e
shkruara, “Danja” përmendet për herë të parë në vitin 1189, menjëherë pas
pushtimit të saj nga mbreti serb i Rashës, Stefan Nemanja (7). Në burimet e
kohës, rezulton se në fillim të shek. XIV, Danja ishte pjesë e zotërimeve të
fisnikut arbër, Vladislav Jonima (lat. Bladislao Gonome – P.Z.), i cili, gjatë
viteve 1303-1306, e zotëroi Danjën së bashku me territoret e tjera si vasal i
mbretit serb, Stefan Uroshi II Milutin (1253-1321) dhe më 1306 mori titullin
“zhupan”. Kurse në vitin 1319, u shkëput nga ndikimi serb, duke u afruar krejt
natyrshëm me Mbretërinë e Arbërisë (Regnum Albaniae: 1272-1368) si vasal i
monarkut të saj, Filipi I i Tarantos (1294-1332). Asokohe, Vladislav Jonima
përmendet në dekretin e Papës me titullin “Dioclee et Maritime Albanie comiti
(kont i Dioklesë dhe i Arbërisë Bregdetare – P.Z.)." Pas vdekjes së
Vladislav Jonimës, po në vitin 1319, Danja ra nën pushtimin serb. Më 1326,
Stefan Uroshi III u lëshoi raguzanëve një privilegj tregtie në Danjë (9) dhe
rreth vitit 1348, car Stefan Dushani ia fali kishën e Shën Marisë së bashku me
njerëzit, manastirit të tij (Manastiri i Kryeëngjëllit) në Prizren (10). Pas
vdekjes së car Stefan Dushanit, më 1355, Danja kaloi nën zotërimin e Balshajve.
Mirëpo, duke filluar nga vitet 1372-1373, Zahariajt shfaqen në burimet
historike jo vetëm si zotërues të Danjës, por edhe si familja së cilës tradita
historiografike i atribuon themelimin e qytetit (11). Sidoqoftë, gjatë çerekut
të fundit të shek. XIV, Danja gjendej kryesisht nën kontrollin e Balshajve, të
cilët, në kuadrin e zgjerimit të zotërimeve të tyre në Arbërinë Veriore,
ushtronin autoritet politik dhe ushtarak mbi këtë qendër të rëndësishme
strategjike. Nga pamundësia për t’i mbrojtur nga sulmet e turqve osmanë, më 14
prill 1396, Gjergji II Strazimiri Balsha, bashkë me qytetin e Shkodrës,
Drishtit, Shatit dhe pikës doganore të Shirqit, ua lëshoi venecianëve edhe
kështjellën e Danjës (12), por para se të hynin ata, Danja u mor nga
kështjellari i Sapës (Nënshat), Kojë Zaharia (13). Koja u vendos aty si vasal i
Perandorisë Osmane. Gjithashtu, ndonëse i përkiste besimit ortodoks, ai ia
kishte besuar drejtimin e marrëdhënieve diplomatike ipeshkvit katolik të
Dioqezës së Sapës (14), duke dëshmuar qartë një praktikë pragmatike të
administrimit politik dhe ndërveprimit ndërfetar në kontekstin e kohës.
Pragmatizmi i Kojë Zaharisë shfaqet gjithashtu edhe në veprimtarinë e tij
ushtarake, ku ai bashkëpunoi me turqit osmanë në dëm të Balshajve. Për të
shtënë në dorë Drishtin dhe Shkodrën, osmanëve u kishte ardhur në ndihmë edhe
ky fisnik, zot i Danjës dhe i Shatit, i cili jo vetëm që u kishte lejuar
kalimin nëpër territoret e tij, ku gjendeshin shtigjet strategjike drejt
qyteteve të sipërpërmendura, por kishte marrë pjesë aktivisht edhe në
inkursionet e tyre ushtarake (15). Gjatë këtyre fushatave, ai shoqërohej edhe
nga vasali i tij, Dhimitër Jonima, që ishte zot i Shufadasë (16). Asokohe, Koja
ishte një ndër përfaqësuesit më të pasur e më të rëndësishëm të aristokracisë
feudale arbëre. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Republikën Veneciane
nga Kojë Zaharia dhe vasali i tij, Dhimitër Jonima, më 7 tetor 1400, mësojmë se
Koja ishte në gjendje të mobilizonte një forcë ushtarake prej 500 deri në 2.000
burrash të armatosur (17). Midis viteve 1400 (18) dhe 1403 (19), Kojë Zaharia
ndërmerr një proces të plotë rindërtimi të sistemit fortifikues të Danjës, duke
krijuar një kështjellë të mirëfilltë. Ndërkohë, më 28 korrik 1402, Kojë Zaharia
përmendet në burimet historike së bashku me Gjon Kastriotin dhe Dhimitër
Jonimën, duke marrë pjesë si vasalë të sulltan Bajazitit I në Betejën e
Ankarasë, ku luftuan kundër perandorit turko-mongol, Timurit ose Tamerlanit.
Kjo betejë përfundoi me një disfatë shkatërrimtare të ushtrisë osmane, e cila
pati pasoja të thella politike dhe ushtarake për Perandorinë Osmane dhe për
zotërimet e saj në Ballkan. Lufta për fron ndërmjet bijve të sulltan Bajazitit
I, i cili pas disfatës në Betejën e Ankarasë u zu rob nga Timuri dhe vdiq në
robëri, krijoi rrethana tejet të favorshme për feudalët arbër që të
shkëputeshin nga varësia osmane. Megjithatë, me përjashtim të Gjon Kastriotit,
i cili arriti ta shfrytëzonte me zgjuarsi këtë krizë politike për të forcuar
pozitat e tij, shumica e feudalëve të tjerë arbër u treguan të paaftë ose
hezitues për të përfituar nga kjo mundësi historike. Në vitin 1411, Kojë
Zaharia, i gjendur nën trysninë e njëkohshme të rivalitetit veneto-osman, nga
njëra anë, dhe të presionit të feudalëve të fuqishëm vendas, nga ana tjetër, u
detyrua të braktiste Danjën dhe të vendosej në Budva (20). Kjo tërheqje dëshmon
se fuqia ushtarake e tij, sado e konsiderueshme, nuk ishte e mjaftueshme për
t’i bërë ballë rrethanave të ndërlikuara politike dhe ushtarake që
karakterizonin rajonin në fillim të shek. XV. Në një letër të Papa Gregorit
XII, me datë 14 korrik 1414, e cila nis me fjalët: “Dilecto filio, nobili viro,
Domino Sabatensi et Dagnensi (Birit tonë të dashur, burrit fisnik, Zotit të
Sapës dhe të Danjës)", dëshmohet se Kojë Zaharia e kishte rimarrë në
zotërim Danjën (21). Nga e njëjta letër rezulton gjithashtu se ai kishte
përqafuar besimin katolik, duke hequr dorë nga ortodoksia dhe, si rrjedhojë,
ishte shkëputur përfundimisht nga ndikimi i Kishës Lindore. Pavarësisht
manovrave politike të Kojë Zaharisë dhe fuqisë së tij ushtarake, në vitin 1426,
Danja ra në duart e turqve osmanë dhe, pas një pushtimi të përkohshëm, u rimor
dhe kaloi në zotërimin e Nikollë Dukagjinit (22). Më 1431, rezulton se Danja u
pushtua sërish nga turqit osmanë dhe ipeshkvi i saj u detyrua të shpërngulej së
bashku me këshillin e vet për t’u vendosur në famullinë e afërme të Shën Sofisë
(23). Qytetin me rrethina e kishte pushtuar Isak Beu, i cili e lidhi këtë
territor me krahinën e kontrolluar prej Ali Beut, dhe gjatë kësaj kohe, kur në
Danjë figuron një qeveritar turk (qefali), Kojë Zaharia duhet të jetë burgosur
ose dëbuar nga zotërimet e tij (24). Në vitin 1432, Andrea Topia (25) ndezi
zjarrin e kryengritjes antiosmane të viteve 1432-1436, e cila, duke nisur nga
viti 1433 u zhvillua nën udhëheqjen e Gjergj Arianitit (26). Kryengritjes iu
bashkua edhe Nikollë Dukagjini, i cili në verën e vitin 1433 sulmoi dhe
shpartalloi trupën mbrojtëse osmane në Danjë (27), duke dëbuar qeveritarin
turk, Hasan Beun, dhe mori në zotërim disa fshatra të Zadrimës, që kishin qenë
pronat feudale të familjes së tij. Por, nga pamundësia për ta mbrojtur, Danjën
ia lëshoi me konçesion Republikës Veneciane. Në vitin 1435, kur Republika po
ndihej e kërcënuar nga sulltan Murati II dhe me qëllim për të mos provokuar një
luftë me Perandorinë Osmane, vendosi që Danja të transferohej në duart e turqve
(28), duke krijuar kështu një konflikt të hapur me Dukagjinët, të cilët kishin
derdhur tri herë gjak për çlirimin dhe mbrojtjen e kësaj kështjelle. Më 1438,
pasi kryengritja antiosmane e viteve 1432-1436 u shtyp prej Muratit II,
pasardhësi i Kojë Zaharisë dhe nipi i Tanush Dukagjinit, Lekë Zaharia, mori në
zotërim qytetin e Danjës, të cilin ia kthyen turqit osmanë (29). Pra Lekë
Zaharia, u caktua ta qeverisë Danjën si vasal osman (30) dhe ndërsa i ati,
Koja, rezulton të ketë ndërruar jetë në vitin 1442 (31). Pjesëmarrja e Lekë
Zaharisë në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës më 2 mars 1444 (32), shënon
bashkimin e Danjës dhe të gjithë Principatës së rëndësishme të Zahariajve me
Shtetin e Lidhjes së Lezhës. Pas vrasjes së Lekë Zaharisë në vitin 1445 nga
Nikollë Dukagjini (33) ose Leka III Dukagjini (34), e ëma e tij, Boksa ose Bosa
(bijë e Dukagjinëve), ua dorëzoi qytetin e Danjës venecianëve (35). Mirëpo, siç
del nga burimet historike, pas Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës, ndërmjet
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të ndjerit Lekë Zaharia, që ishin si vëllezër
me njëri-tjetrin, ekzistonte një kontratë personale në bazë të së cilës
"Ai që do të vdiste i pari, zotërimet e tij do t’i kalonin tjetrit që do
të ishte gjallë (36).” Kjo është arsyeja, që, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u fye
rëndë prej një veprimi të tillë nga ana e nënës së Lekë Zaharisë dhe pasi
venecianët nuk pranuan kërkesat e përsëritura për t'ia kthyer Danjën, në fund
të muajit nëntor ai i shpalli luftë Republikës Veneciane, mobilizoi ushtrinë
dhe rrethoi Danjën për ta marrë atë nëpërmjet forcës (37). Pra, aq i
rëndësishëm ishte ky qytet saqë zotërimi i tij shkaktoi Luftën Arbëro-Veneciane
(1447-1448). Megjithatë, pavarësisht veprimeve të përgjakshme luftarake në
zotëtimet e tjera veneciane në Arbëri, rrethimi i Danjës nga Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu u karakterizua vetëm nga një izolim hermetik, duke i
privuar qytetarët e saj nga mundësia për t’u furnizuar me ushqim, por nga ana
tjetër, ai nuk i shkretoi rrethinat e qytetit, nuk dëmtoi të mbjellat dhe as
nuk i lejoi ushtarët që të bënin plaçkë. Pra, ai planifikoi të zhvillonte vetëm
një luftë psikologjike, duke i kërcënuar me urinë, sepse nuk donte të nxiste
urrejtjen e tyre me shpresën se do t'i nënshtronte pa shkaktuar hidhërim dhe as
gjakderdhje të panevojshme te bashkëkombësit e vet. Mirëpo, pavarësisht një
burimi dokumentar që daton më 23 qershor 1448, ku thuhet se Senati Venecian
shkarkoi rektorin e Danjës, Augustino de Reniero, nga të gjitha funksionet,
duke u bazuar nga informacionet që vijnë nga Arbëria se Danja është marrë (38),
në fakt, ushtarët e garnizonit dhe qytetarët e Danjës rezistuan me vendosmëri
deri më 4 tetor 1448, kur pranë qytetit të Lezhës u nënshkrua traktati i paqes
midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe aleatëve të tij me Republikën Veneciane
(39). Midis dispozitave të traktatit të paqes së Lezhës, vendin kryesor e zë
neni 1, i cili përcakton përfundimin e gjendjes së luftës dhe vendosjen e paqes
dhe të fqinjësisë së mirë, ku shkruhet se Republika Veneciane merr dhe pranon
të lartpërmendurit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjinin, së
bashku me të gjithë zotërinjtë e tjerë të Arbërisë si miq e fqinj të mirë, të
vërtetë e të dashur, duke u falur të gjithëve çdo dhunë e fyerje, që në çdo
mënyrë mund të kenë bërë kundër zotërimeve veneciane (40). Së dyti, u vendos që
Danja të kompensohej duke i dhënë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Nikollë
Dukagjinit një pjesë të konsiderueshme të Zadrimës. Kufiri midis Shtetit të
Lidhjes së Lezhës dhe Republikës Veneciane u vendos pranë rrjedhës së poshtme
të lumit Drin, ku Gjergj Kastriotit-Skënderbeut i jepej një territor i
konsiderueshëm pranë këtij lumi dhe një vend i quajtur “Busegiarpeni
[Buzëgjarpëni] (41)." 3 vite më vonë, më 1451, besohet se ceremonia e
kurorëzimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Donika Arianitin është bërë në
kishën katolike të Shën Marisë së Dejës (42). Për këtë kishë A.Degrand shkruan
se është ndërtuar nga vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (Il aurait été élevé par
Iskender Bey ou Scanderbeg), si kujtim për fitoret e tij në luftën kundër
ushtrisë veneciane (43) dhe ndërsa ipeshkvi i Sapës, Simon Suma, më 4 nëntor të
vitit 1659 shkruan se kisha është ndërtuar në kohët e lashta nga Lekë Zaharia (fabricata
anticam.te da Leca Zaccaria), princ i atij vendi (44). Mirëpo, pavarësisht
lidhjes së veçantë të Kishës së Shën Marisë me Kryeheroin dhe me
bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Lekë Zaharinë, rezulton se ky objekt
religjioz ka një vertikale më të thellë historike, që shkon deri në shek. XIII
(45). Mjerisht, nga kjo kishë e tipit bazilikë njënefshe dhe e stilit
romano-gotik sot ekzistojnë vetëm themelet, pasi ky objekt nuk është kursyer
nga histeria komuniste, që vazhdoi edhe pas Revolucionit Kulturor Ateist të
vitit 1967, kur u hodh në erë me eksploziv më 30 maj të vitit 1969, me urdhër
të kryeministrit të R.P.S.SH., Mehmet Shehut. “Pra, atë që nuk e bëri sulltan
Mehmeti turk, e bëri Mehmeti shqiptar (46)", duke shkatërruar këtë aset
kaq të çmuar të Trashëgimisë sonë Kulturore Kombëtare, me vlera historike dhe
arkitekturore të jashtëzakonshme. Në vitin 1452 kështjella e Danjës goditet nga
rrufeja dhe pëson dëmtimeve mjaft të rënda (47). Më 28 nëntor 1456, Duka i
Milanos njoftohet nga ambasadori i vet në Venecia në lidhje me disa letra të
dërguara nga qyteti i Shkodrës, prej të cilave mësohet se “kështjella shumë e
fortë e Danjës (Dagno, castel fortissimo)” është pushtuar më 4 nëntor 1456 nga
njerëzit e Lekë Dukagjinit (Lecha Duchagin), duke vrarë rektorin (venecian) e
duke mbajtur rob gruan dhe fëmijët e tij dhe se ky pushtim është bërë i mundur
me ndihmën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (48). Nga disa burime të tjera
mësohet se kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur më herët, që më 29 tetor të vitit
1456 (49). Fillimisht, Leka III Dukagjini kishte vendosur lidhje të fshehta me
njerëz brenda në kështjellë, duke arritur të blejë edhe një oficer venecian,
por komploti u zbulua nga mëkëmbësi, Antonio Dolfin, i cili arrestoi tetë
persona të dyshuar (50). Po ashtu, A.Dolfin, duke njohur mirë natyrën e Lekës
III, shtoi masat e sigurisë së kështjellës. Mirëpo, pavarësisht masave që u
morën për të armatosur trupën mbrojtëse, në një natë të errët vjeshte, Leka III
me njerëzit e tij u ngjitën mbi muret e kështjellës së Danjës nëpërmjet
shkallëve të gjata dhe depërtuan brenda në qytet. Ata hynë menjëherë në
ndërtesën ku qëndronte mëkëmbësi venecian, i cili u kap në befasi ndërsa ishte
duke fjetur (51). Leka III urdhëroi që Antonio Dolfin t’i pritej koka dhe më
pas përdhunoi vajzën e tij të re e të bukur dhe i dëboi të shoqen me gjithë
fëmijët e tjerë në drejtim të Shkodrës, gjysmë lakuriq dhe në një gjendje të
mjeruar (52). Nëse kapiteni i Shkodrës nuk do t'u kishte dalë rrugës për t'i
ndihmuar me ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme, ata me siguri do të kishin
mbaruar nga të ftohtët dhe uria (53). Gjatë këtij aksioni luftarak që u
zhvillua në Danjë, pasi e kishte zënë rob, Leka III i preu dorën e djathtë
fisnikut, Vasilio Hungaros, të cilit i ishin vrarë babai dhe vëllai në shërbim
të Republikës Veneciane (54). Ndër të tjerë, ra viktimë edhe djali tashmë i
rritur i komestablit të kështjellës, Baldesar de Forluxijs (55). Pavarësisht
brutalitetit me të cilin e finalizoi këtë aksion luftarak, duhet të theksoj se
atë çfarë arriti të bëjë Leka III Dukagjini brenda një nate të vetme, Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu nuk kishte mundur ta bënte gjatë 10 muajve të rrethimit
hermetik të këtij qyteti të fortifikuar (dhjetor 1447 – 04.10.1448). Mendohet
se marrjen e Danjës, ai e realizoi me përkrahjen e Spanëve, zotërve të Pultit
(56). Lajmi për marrjen e kështjellës së Danjës prej tij mbërriti në Venecia më
20 nëntor 1456 dhe shkaktoi llahtari, tmerr e zemëratë publike (57). Pas kësaj
ngjarjeje, Leka III Dukagjini ishte bërë për Republikën Veneciane po aq
problematik sa vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1448 (58). Ai u shpall
armiku publik numër një! Në fillim, Sinjoria vendosi të veproi me Lekën III
njësoj siç ishte munduar të eliminonte fizikisht Gjergj Kastriotin-Skënderbeun
8 vite më herët, më 4 maj 1448 (59). Autoritetet shtetërore veneciane përhapën
nëpër të gjitha zotërimet veneciane në Arbëri, njoftimin se do të jepnin si
shpërblim 1.000 dukatë ari për trupin e Lekës dhe 1.500 dukatë ari nëse atë e
kapte dhe e dorëzonte ndokush të gjallë (60). Mirëpo, njësoj si me Gjergj
Kastriotin-Skënderbeun, venecianët nuk nxorën asgjë në dritë, as në përpjekjet
e tyre të kota për të eliminuar Lekën III. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre
metodave makiaveliste, Leka III nuk u tërhoq aspak, por mbajti një qëndrim të
papajtueshëm, duke vijuar konfliktin e armatosur me ta. Pavarësisht disfatës që
pësoi pranë Drishtit, ai kishte korrur një fitore shumë të vlefshme në Danjë,
duke i shkëputur Republikës së Shën Markut njërin nga qytetet më të rëndësishëm
në Arbërinë Veneciane. Megjithatë, Lekë Dukagjini nuk mundi ta mbajë Danjën për
një kohë të gjatë, sepse në muajin qershor të vitit 1457 Republika e Shën
Markut, edhe pse me shumë kosto, e mori përsëri këtë kështjellë (61). Këtë e
mësojmë nga një letër që mban datën 6 shtator 1457, të cilën Sinjoria i
dërgonte kontkapitenit të Shkodrës (62). Në sulmin e zhvilluar nga Leka III
kundër garnizonit venecian të Danjës më 1456, supozohej se kishte dorë edhe
Alfonsi V i Aragonës, por duke qenë se në Venecia ishin përhapur fjalë se
pushtimi i Danjës ishte bërë i mundur kryesisht falë ndihmës së Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, në zotërimet e tij filluan provokimet ushtarake të
organizuara nga qeveritarët venecianë të qyteteve arbëre, që kontrolloheshin
nga Sinjoria. Situata u tensionua aq shumë sa rrezikoi të shpërthente një
tjetër konflikt ushtarak, duke përsëritur Luftën Arbëro-Veneciane, që u
zhvillua në vitet 1447-1448. Ky konflikt do të vijojë deri në verën e vitit
pasardhës, sepse Kastrioti, të cilit i humbi durimi, u detyrua t’i dërgojë
Senatit Venecian një ultimatum nëpërmjet ambasadorit dhe njeriut të vet të
besuar, abatit Gjergj Pelini. Senati, që u vu në një pozitë shumë të vështirë,
me qëllim për të shmangur luftën u detyrua që t'i kthejë përgjigje më 8 korrik
të vitit 1457, ku i premtoi rivendosjen e marrëdhënieve miqësore që kishin
patur më parë, duke i shprehur edhe gatishmërinë e plotë për ta ndihmuar me aq
sa mundej në luftën e tij të shenjtë kundër Perandorisë Osmane (63). Më 7
dhjetor 1458, Senati Venecian lëshon një urdhër të posaçëm për kryerjen e
punimeve fortifikuese në Shkodër e në Danjë dhe ndërhyrjet u realizuan gjatë
vitit 1459 (64). Në fillim të fushatës së madhe sulltanore të vitit 1466, më 23
mars 1466, një pjesë e armatës perandorake osmane rrethoi edhe kështjellën e
Danjës dhe nga aty u lëshuan, duke plaçkitur e rrënuar rrethinat e qytetit të
Shkodrës (65). Megjithatë, ata nuk mundën të marrin asnjë kështjellë të
rëndësishme, siç ishin Sarda (Shurdhahu) (66), asokohe qendra politike dhe administrative
e Dukagjinëve (67), apo Shkodra, Lezha, Drishti dhe Danja, që mbroheshin falë
aleancës ushtarake, e cila ishte nënshkruar midis Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, Republikës Veneciane, Lekë III Dukagjinit dhe Ivan
Cernojeviçit. Më 12 dhjetor 1466, pikërisht në ditën kur Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu mbërrin në qytetin e Romës, Feriz Aga sulmoi kështjellën e
Danjës dhe më pas qytetin e Shkodrës, duke pasuar inkursionin e mëparshëm, të
udhëhequr nga Ballaban Pashë Badera kundër Danjës, më 24 tetor 1466, i cili
komandonte një ushtri të përzier me turq-osmanë, serbë të krishterë dhe
dezertorë arbër (68). Më 17 korrik 1467, gjatë fushatës së dytë sulltanore të
udhëhequr nga vetë Mehmeti II Fatih kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
Veziri i Madh i Perandorisë Osmane, Mahmud Pasha Angeloviç, u largua nga qyteti
i Shkodrës dhe ushtria e tij, pasi kaloi lumin Drin, u shfaq pranë Danjës (69).
Nga aty, Mahmud Pasha Angeloviç marshoi në malet e Lekës III Dukagjinit (70).
Asokohe, ky i fundit, ndodhej në pozita mjaft të vështira, sepse e kishin
tradhtuar Nikolla dhe Progon Dukagjini, që tashmë ishin bashkuar me turqit
osmanë (71). Megjithatë, pavarësisht tradhtisë në gjirin familjar, Leka III, i
bëri ballë me shumë sukses ushtrisë armike, duke i shkaktuar humbje të mëdha
(72). I gjendur në këto rrethana, Mahmud Pashë Angeloviç nuk vazhdoi më tej,
por u detyrua të tërhiqet dhe u nis drejt qytetit të Krujës për t'u bashkuar me
forcat kryesore të sulltan Mehmetit II Fatih. Pavarësisht tërheqjses së
palavdishme përballë Lekës III, Veziri i Madh e mbylli fushatën e tij
plaçkitëse, duke i kthyer rrethinat e Shkodrës dhe trevën e Zadrimës në një
tokë të djegur. Përveç vrasjeve, plaçkitjeve, shkatërrimeve masive dhe mizorive
të tjera, ai mori me vete edhe shumë robër nga këto vise të Arbërisë. Më pas,
plot 10.000 njerëz u vranë para syve të sulltan Mehmetit II Fatih (73), i cili
tha me gojën e vet: “Ol dijara tevexhyk olunmaja ihtijaç kalmamisti”, që e
përkthyer në shqip do të thotë se: “Nuk është më nevoja që të drejtohemi nga
ato krahina (74)." Pavarësisht se e gjithë zona përreth u plaçkit dhe
shkatërrua pa mëshirë, garnizoni dhe banorët e strehuar brenda mureve të
Danjës, arritën ta mbrojnë qytetin me shumë sukses. Mirëpo, pas vdekjes së
Gjergj Kastriotit–Skënderbeut në vitin 1468 dhe dobësimit të qëndresës së
popullsisë arbëre, qyteti filloi të braktisej gradualisht si pasojë e shtimit
të presionit osman. Ky proces u përmbyll me braktisjen e plotë të tij, pasi një
pjesë e banorëve u shpërngulën në Venecia, ndërsa pjesa tjetër gjeti strehë në
malësitë e Dukagjinit të Vjetër (Pukë–Mirditë) dhe në Alpet Shqiptare. Në vitin
1474, Danja u braktis përfundimisht dhe u shkatërrua në dy etapa: fillimisht në
muajin mars, me urdhër të rektorit venecian, Pietro Salmone, dhe më pas, më 17
gusht, nga ushtria osmane e bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman Pashës (75). Ky i
fundit e shkatërroi kështjellën në shenjë hakmarrjeje për humbjet e pësuara
gjatë rrethimit të Shkodrës, duke djegur dhe rrënuar kështjellën tashmë të
braktisur të Danjës, e cila nuk u rindërtua më kurrë (76). Që prej kësaj kohe,
Danja përmendet në dokumentacionin historik vetëm si një vend i rrënuar (77).
Gjurmët materiale të këtyre dy shkatërrimeve vijojnë të jenë të dukshme edhe në
ditët e sotme.
Qyteti
i fortifikuar i Danjës është ngritur mbi një kodër shkëmbore në formë kambane
(78), me lartësi maksimale 204 m mbi nivelin e detit, në grykën e poshtme të
lumit Drin, në një pozicion me vlera të jashtëzakonshme strategjike (79). Në
shënimet e udhëtimit të vitit 1863, Johann Georg von Hahn, duke përshkruar
vizitën e tij në “Bergfeste von Dáino (Kështjellën malore të Danjës), vëren se:
“Kodra shkëmbore, mbi të cilën ajo ngrihet, është formuar nga natyra për të
dominuar zonën përreth (80)." Ky vlerësim i i J.G.Hahn rezulton të jetë
plotësisht i saktë, pasi pasqyron me saktësi të veçantë realitetin topografik
të fortifikimit dhe pozitën e tij dominuese mbi territorin përreth. Shpatet e
kodrës ku ngrihet fortifikimi janë të thepisura, sidomos në veriperëndim, ku
humnerat bien pothuajse pingul mbi luginën e Drinit, duke krijuar një mbrojtje
natyrore shumë të fuqishme. Muret rrethuese ndjekin në mënyrë organike
konfiguracionin e terrenit, duke shfrytëzuar shkëmbinjtë si pjesë përbërëse të
sistemit mbrojtës. Në sektorët lindorë, ku terreni është më pak i mbrojtur
natyrshëm, fortifikimi u përforcua me mure më të fuqishme dhe kulla mbrojtëse,
ndërsa në anët e tjera mbrojtja mbështetej kryesisht në relievin e thyer
shkëmbor. Pozita tejet e favorshme strategjike në rrjedhën e poshtme të lumit
Drin, vendosja e fortifikimit mbi një kodër të lartë shkëmbore me shpate, në
disa sektorë, pothuajse të pakalueshme, kurtinat e holla të ndërtuara me llaç
gëlqereje, të cilat ndjekin me përpikëri konfiguracionin natyror të terrenit
dhe përforcohen në mënyrë selektive në pikat më të ekspozuara, ku trashësia e
tyre rritet për t’u bërë ballë edhe goditjeve të mundshme të artilerisë, prania
e skarpatit në faqen e jashtme të mureve, numri i kufizuar i kullave të
shpërndara në mënyrë jo uniforme, me tipologji ende pak të zhvilluar dhe, në
disa raste, të tërhequra drejt brendësisë së kurtinave, si edhe hyrjet e
projektuara për t’u mbrojtur nga zjarri i artilerisë dhe të pajisura me frëngji
për armë zjarri, përbëjnë elemente karakteristike që dëshmojnë qartë fizionominë
mesjetare të sistemit fortifikues të Dejës (81). Në aspektin tipologjik dhe
ndërtimor, sistemi fortifikues i Dejës shfaq afri të dukshme me fortifikimet e
tjera të Arbërisë Veriore, veçanërisht me Kështjellat e Shurdhahut, Shkodrës
dhe Lezhës, por edhe me fortifikime të një areali më të gjerë
adriatiko-ballkanik, si Kështjella e Ulqinit, e Budvës, Krujës dhe ajo e
Petrelës (82). Këto ngjashmëri dëshmojnë për përkatësinë e saj në traditën e
fortifikimeve mesjetare të rajonit, të karakterizuara nga përshtatja optimale
me relievin, ekonomia ndërtimore dhe përshtatja graduale ndaj zhvillimit të
teknikës së artilerisë. Sistemi fortifikues i Danjës paraqet një planimetri të
çrregullt dhe ndërsa strukturat mbi kreshtën e kodrës (pjesa më e mbrojtur) kanë
një formë të zgjatur fusiforme (amigdaloide), të zhvilluar përgjatë boshtit
veriperëndim–juglindje dhe të përshtatur organikisht me morfologjinë e kreshtës
shkëmbore. Aksesi kryesor drejt qytetit të fortifikuar realizohej vetëm nga ana
lindore, nëpërmjet qafës së njohur si "Lugu i Sh'Markut", e cila
përbënte hyrjen e vetme natyrore të kështjellës. Mbi izoipsin 160 m, pjerrësia
e terrenit zvogëlohet ndjeshëm dhe krijon një platformë relativisht të
rrafshët, ku u zhvillua qyteti mesjetar i Danjës. Fillimisht, ky sistem
fortifikues, i cili është ndërtuar kryesisht gjatë tri fazave ndërtimore,
përbëhej nga një mur i vetëm rrethues dhe brendësia e këtij fortifikimi
komunikonte me zonat përreth nëpërmjet hyrjes së dytë. Ekziston mendimi se
prania e këtij muri lidhet me harkun kohor të shekujve VI–XII, pasi ai, në
fillim të traktit “C”, është vendosur mbi një depozitim ndërtimor që përmban
tjegulla të datueshme në shek. IV–VI dhe, në vitin 1198, duhet të ketë rrethuar
“qytetin” e Danjës (83). Sistemi fortifikues përbëhet nga dy breza të
njëpasnjëshëm muresh rrethuese, që ndjekin konfiguracionin natyror të terrenit,
duke krijuar një perimetër të ngushtuar në të dy skajet dhe më të gjerë në
pjesën qendrore, ku shtrihej oborri kryesor i fortifikimit. Muri i parë rrethues,
me gjatësi 387 m, ndërpritet në shpatet veriore dhe perëndimore të Malit të
Shën Markut, ku mbrojtja natyrore e terrenit e bënte të panevojshëm vazhdimin e
tij, pasi në disa segmente mali zbret thuajse pingul mbi lumin Drin (84). Së
bashku me këto barriera natyrore, ai përfshin një sipërfaqe prej rreth 2.5 ha.
Në anën lindore, ky mur është përforcuar me dy kulla me planimetri në formë të
shkronjës "U." Pranë murit të jashtëm, nga i cili ka mbijetuar vetëm
një trakt 90 m i gjatë, si dhe një hyrje e thjeshtë, ndodhet Kisha e Shën
Markut (85). E mbështetur pjesërisht mbi një sterë të ndërtuar pas mbylljes së
hyrjes së dytë, kjo kishë, e cila datohet në shek. XIII-XIV (86), përmendet për
herë të parë në dokumentacionin histirik më 10 maj 1400 (87), ndërsa mbi
arkitraun e saj është shënuar viti 1465 (88). Muri i dytë rrethues, me gjatësi
353 m, rrethon një sipërfaqe prej rreth 0,2 ha (89). Edhe ky brez mbrojtës
është i pajisur me kulla, në këtë rast katër, të cilat paraqesin forma të
ndryshme planimetrike. Sistemi i brendshëm fortifikues organizohet në lidhje të
drejtpërdrejtë me katër hyrjet e kompleksit, duke siguruar komunikimin dhe
funksionimin mbrojtës të tij. E gjithë hapësira e brendshme ka qenë e banuar
intensivisht, çka vërtetohet nga gjurmët e shumta të banesave dhe strukturave
të tjera që ruhen ende deri në ditët tona (90). Pikërisht në pjesën më të lartë
të kompleksit, ndodhet akropoli mesjetar, i identifikuar si rezidenca feudale e
familjes Zaharia dhe përbënte bërthamën administrative e ushtarake të qytetit
(91). Në fakt, pjesa më e madhe e mureve të sistemit fortifikues të Danjës,
duke krijuar një kështjellë të mirëfilltë, siç e kam përmendur më lart, janë
ndërtuar në vitin 1400 (92) ose 1403 (93) nga princi arbër, Kojë Zaharia.
Elementi arkitektonik mbizotërues i kompleksit fortifikues është kryekulla
(donzhoni), e cila paraqiste një planimetri drejtkëndëshe (94). Rreth saj janë
organizuar një numër ndërtesash ndihmëse, ndërsa vetë kryekulla vendoset në
pjesën më të mbrojtur të kështjellës, pas dy oborreve të fortifikuara të
njëpasnjëshme (95). Ajo paraqet ngjashmëri tipologjike me kullat e
fortifikimeve mesjetare të Petrelës dhe të Mashkjezës. Përmasat e brinjëve të
saj, duke filluar nga ajo veriperëndimore e në vijim juglindore, verilindore e
jugperëndimore, janë përkatësisht: 7.15 m, 6.65 m, 7.10 m dhe 6.80 m (96).
Mbrojtja e saj ishte konceptuar me kujdes të veçantë. Kryekulla ndahet nga
oborri i parë me anë të një muri të ndërmjetëm, i cili në njërin skaj lidhej me
murin rrethues të oborrit, ndërsa në skajin tjetër bashkohej me muraturën e
kullës, duke krijuar një pengesë shtesë mbrojtëse. Hyrja në oborrin e
fortifikuar realizohej nëpërmjet një parafortifikimi, të pajisur me një portë
anësore të fortifikuar mirë, e cila forconte kontrollin e hyrjes dhe rritej
ndjeshëm aftësia mbrojtëse e kompleksit (97). Ndërhyrjet e realizuara rreth
vitit 1459, menjëherë pas urdhrit të Senatit Venecian të datës 7 dhjetor 1458
për kryerjen e punimeve fortifikuese në Shkodër dhe në Danjë, përfaqësojnë
fazën e tretë dhe të fundit ndërtimore të sistemit fortifikues të Danjës (98).
Ndërhyrjet në fjalë u ndërmorën si pasojë e dëmtimeve të rënda që kishte pësuar
kështjella nga një goditje rrufeje në vitin 1452 (99). Aktualisht, Kështjella e
Danjës mban statusin "Monument Kulture i Kategorisë së Parë (100)"
dhe ajo përfaqëson një nga qendrat fortifikuese më të rëndësishme të Arbërisë
mesjetare, ku ndërthuren në mënyrë organike vlerat historike,
ushtarako-strategjike, urbanistike dhe arkitektonike. Pozita e saj dominuese
mbi korridorin e poshtëm të Drinit, roli në kontrollin e rrugëve kryesore
tregtare dhe ushtarake, si edhe zhvillimi i vazhdueshëm i sistemit të saj
fortifikues, e shndërruan këtë qytet në një nyje me rëndësi të veçantë në
historinë politike dhe ushtarake të Shqipërisë mesjetare. Edhe pse u shkatërrua
përfundimisht në vitin 1474 dhe nuk u rindërtua më, mbetjet monumentale të
Danjës vijojnë të ruajnë dëshmi të çmuara mbi organizimin urban, arkitekturën
ushtarake dhe jetën politike të një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare
të vendit tonë. Për këtë arsye, Danja mbetet një monument me vlera të
jashtëzakonshme historike, arkeologjike dhe arkitekturore. Studimi, mbrojtja
dhe promovimi i saj përbëjnë një detyrim shkencor, institucional, por edhe
moral, në funksion të ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore
kombëtare.
BIBLIOGRAFIA:
1-
M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 53;
K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë mesjetare, f. 56;
E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1, Shkodër,
janar-qershor 2017, f. 123-124; E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh
mesjetare të Arbërisë Veriore, f. 100.
2-
L.Malltezi, Lufta e Skënderbeut kundër Venedikut (1447-1448), në: Poeta Nascitur,
Historicus fit - Ad honorem Zef Mirdita, (Red. Albert Ramaj; Bashkeditorë /
Suurednici/ Mitherausgeber: Gordan Ravan?i?, Zef Ahmeti, Aleksandar Stip?evi?,
Nuri Bexheti), Albanisches Institut St. Gallen & Hrvatski institut za
povijest Zagreb, St. Gallen - Zagreb: 2013, f. 191.
3-
N.Selimi, Kultura e Kománit dhe kománasit, f. 25.
4-
K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë mesjetare, f. 56.
5-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 252.
6-
M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 53;
Shih edhe E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë
Veriore, f. 99.
7-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri: qytete,
kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
8-
M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 158.
9-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
101.
10-
K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë mesjetare, f. 56-57; Shih
edhe E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1,
Shkodër, janar-qershor 2017, f. 125.
11-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 254.
12-
K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë mesjetare, f. 57;
M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 62; E.Malaj, Historia dhe fizionomia e një
qyteti mesjetar shqiptar: Drishti, f. 52.
13-
N.Selimi, Kultura e Kománit dhe kománasit, f. 25.
14-
M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit
ortodoks në “digën” katolike, f. 72.
15-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
102.
16-
E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1, Shkodër,
janar-qershor 2017, f. 126.
17-
E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1, Shkodër,
janar-qershor 2017, f. 126.
18-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
19-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 288.
20-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 254.
21-
Zgjerimisht për Danjën në kohën e princit Kojë Zaharia, shih: Ivan Boži?.
Nemirno Pomorje XV veka, Beograd, Srpska književna zadruga, 1979, f. 206-217;
G.Gurakuqi, Dieçezi i Sapës, f. 33; M.Antonovi?. Town and district in littoral
of Zeta and Northiern Albania in XIV-th and XV-th century, Belgrade, 2003, f.
64-65; M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit
ortodoks në “digën” katolike, f. 41; P.Bartl, Über den Ritusstreit in den
italo-albanischen Gemeinden Kalabriens im 18. Jahrhundert, në: Studia Albanica
Monacensia, In Memoriam "Georgii Castriotae Scanderbegi (1468-1968)",
... , VIII, München: Dr. Dr. Rudolf Trofenik, 1969, f. 35.
22-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
23-
M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 132; M.Shuflaj, Situata të Kishës në
Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, f. 41.
24-
E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1, Shkodër,
janar-qershor 2017, f. 127.
25-
G.L.Kurbatov, Skanderbeg, narodnyj geroj Albanij: populjarnyj ocherk, f. 37.
26-
A.Buda, Studime për Skënderbeun, f. 156.
27-
O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 287.
28-
J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late
Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 535.
29-
A.Gegaj, L'Albanie et l'invasion turque au XVe siècle, f. 23.
30-
O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 287.
31-
E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Vjeti XXXVII, Nr. 1, Shkodër,
janar-qershor 2017, f. 127-128.
32-
D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi
dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 15;
M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 96-99; A.Thevet, Les vrais pourtraits et
vies des hommes illustres grecz, latins et payens, recueilliz de leur tableaux,
livres, médailles antiques et modernes, A Paris: Vefue J. Kervert et Guillaume
Chaudiere, 1584, f. 306; J.Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé
Scanderbeg, Roy d'Albanie, f. 43-45; J.N.Duponcet, Exploits héroiques de
Scanderbeg, roi d'Albanie, f. 51-52; G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto,
detto Scander-Begh, f. 30; F.Sansovino, Historia Universale dell'origine, et
imperio de'Turchi, f. 250-251; J.C.L. Simonde De Sismondi,Storia delle
Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Tom. X, f. 178-179; G.Hammer, Storia
dell'Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso
autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca
prima: Dal 1300 al 1453, Tomo IV, Venezia,1829, f. 464-466; C.Paganel, Histoire
de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 45-48.
33-
C.Marinescu, La politique orientale d'Alfonse V d'Aragon, roi de Naples
(1416-1458), f. 155; A.Buda, Studime për Skënderbeun, f.132; A.Plasari,
Skënderbeu – Një histori politike, f. 395.
34-
M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 143.
35-
D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi
dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f.
51-52.
36-
A.K.Brackob, Scanderbeg: A History of George Castriota and the Albanian
Resistance to Islamic Expansion in Fifteenth Century Europe, f. 79; Z.I.Jubani,
Historia e jets e veprave t’Gjergj Kastriotit, f. 177.
37-
D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi
dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f.
51-52.
38-
Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh: Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë
shqiptare të viteve 1379-1479, f. 140; L.Malltezi, Lufta e Skënderbeut kundër
Venedikut (1447-1448), në: Poeta Nascitur, Historicus fit - Ad honorem Zef
Mirdita, (Red. Albert Ramaj; Bashkeditorë / Suurednici/ Mitherausgeber: Gordan
Ravan?i?,Zef Ahmeti, Aleksandar Stip?evi?, Nuri Bexheti), Albanisches Institut
St. Gallen & Hrvatski institut za povijest Zagreb, St. Gallen - Zagreb:
2013, f. 194.
39-
Š.Ljubi?, Listine: O odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mleta?ke Republike,
Knjiga IX, Od godine 1423 do 1452, u Zagrebu, 1890, f. 282-283; R.Predelli, I
libri commemoriali della Republica di Venezia: Regestri, Vol. V, f. 16, Doc.
Nr. 31; Jovan Radoni?, ?ura? Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku,
(istoriska gra?a), Spomenik XCV, Drugi razered, 74, Beograd: Srpska kraljevska
akademija, 1942, f. 15, Doc. Nr. 22; J.Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, f. 152; S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në:
Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH.
(Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 173; A.Cutolo, Scanderbeg, f. 81.
40-
P.Xhufi, Skënderbeu. Ideja dhe ndërtimi i shtetit, f. 183.
41-
D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi
dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 64;
M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 173; Shih edhe J.Lavardin, Histoire de
Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d'Albanie, f. 122; A.Teissier, Abrégé
de la vie de divers princes illustres avec des reflexions historiques sur leur
conduite et sur leurs actions, Amsterdam: M.D.C.C.X. (1710), f. 157; G.Biemmi,
Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 142; M.Sirdani, Për çfarë
fajsohet Skënderbeu, Tiranë, Geer, 2001, f. 44.
42-
M.W.E.Peters, Geschichte der Katholischen Kirche in Albanien 1919-1993,
Wiesbaden: Otto Harrassowitz Verlag, 2003, f. 203; D.Gjergji, Dioqeza e Sapës,
në: 300-vjetori i Kuvendit te Arbnit, (Boton: Konferenca Ipeshkvnore e
Shqiperisë), (Simpozium, Tiranë, 24-25 tetor 2004), Shkodër: Arqipeshkvia
Shkodër-Pult, 2009, f. 220; E.Malaj, Dêja në Mesjetë, në: Hylli i Dritës, Nr.
I, Shkodër, 2017, f. 137; N.Selimi, Kultura e Kománit dhe kománasit, f. 27;
N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 136-138.
43-
A.Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, f. 106; Shih edhe Dh.Dhamo, Piktura e
kishave në Shqipëri në shekujt V-XV, f. 133.
44-
P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 3: Diözese
Sappa, f. 166.
45-
Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 146; Më gjerësisht, shih Dh.Dhamo, Kisha e
Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në: Studime Historike, 3, Tiranë: 1964, f. 47-70;
A.Meksi, Kishat mesjetare të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në: Monumentet,
2, Tiranë: 1983, f. 86-88.
46-
N.Selimi, Kultura e Kománit dhe kománasit, f. 28.
47-
M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 53.
48-
Jovan Radoni?, ?ura? Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku, (istoriska
gra?a), Spomenik XCV, Drugi razered, 74, Beograd: Srpska kraljevska akademija,
1942, f. 73-74, Doc. Nr. 128.
49-
A.Plasari, Skënderbeu - Një histori politike, f. 556; V.Kule, Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu, Kryqtari i fundit, f. 270; O.J.Schmitt, Skënderbeu, f.
206; E.Malaj, Dukagjinët gjatë Mesjetës. Shtrirja gjeografike e trojeve dhe
disa karakteristika, në: Studime Historike, 1-2/2017, VITI LXXI (LXV), Tiranë,
2017, f. 20.
50-
O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 206.
51-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
109.
52-
O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 206.
53-
E.Malaj, Dukagjinët gjatë Mesjetës. Shtrirja gjeografike e trojeve dhe disa
karakteristika, në: Studime Historike, 1-2/2017, VITI LXXI (LXV), Tiranë, 2017,
f. 20.
54-
Ibidem, f. 20.
55-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
110.
56-
M.Sirdani, Në shka fajiset Skanderbegu, në: Gjergj Kastrioti "Athleta
Christi", f. 179.
57-
O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 206-207.
58-
V.Kule, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kryqtari i fundit, f. 273.
59-
Š.Ljubi?, Listine: O odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mleta?ke Republike,
Knjiga IX, Od godine 1423 do 1452, u Zagrebu, 1890, f. 268-269; C.Marinescu, La
politique orientale d'Alfonse V d'Aragon, roi de Naples (1416-1458), f. 158.
60-
E.Malaj, Dukagjinët gjatë Mesjetës. Shtrirja gjeografike e trojeve dhe disa
karakteristika, në: Studime Historike, 1-2/2017, VITI LXXI (LXV), Tiranë, 2017,
f. 21.
61-
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
111.
62-
Ibidem, f. 111.
63-
K.Frashëri, Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek.XV, Vëll. I, Burime
dokumentare shqiptare (në origjinal dhe në përkthim shqip), f.78-82; P.Xhufi,
Skënderbeu. Ideja dhe ndërtimi i shtetit, f. 203.
64-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 254.
65-
O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 371.
66-
Për historinë e Sardës, më gjerësisht, shih: H.Spahiu, Shurdhahu – Një qytet
mesjetar i hershëm shqiptar (Sarda), në: Studime Historike, 1, Tiranë: 1973, f.
163-168; H.Spahiu & D.Komata, Shurdhahu - Sarda qytet i fortifikuar
mesjetar shqiptar (Rezultatet e gërmimeve të viteve 1967-1970), në: Iliria,
III, 1974, f. 257-328.
67-
Gj.Varfi, Heraldika shqiptare, f. 45.
68-
O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 382.
69-
Ibidem, f. 405.
70-
Ibidem, f. 405.
71-
O.J.Schmitt, Vitet e fundit të Skënderbeut: 1464-1468, në: Skënderbeu dhe
Evropa (përmbledhje kumtesash), Akademia e Shkencave, Tiranë 2006, f. 59.
72-
P.Zefi, Leka III Dukagjini dhe roli i tij në luftën kundër Perandorisë Osmane,
në: Fjala e Lirë; Zemra Shqiptare, 2 Nëntor 2025; Drini.us, 3 Nëntor 2025;
Dielli / The Sun, November 3, 2025.
73-
B.Bilmez, Skënderbeu në historiografinë turke: Sprovë për një vlerësim kritik,
në: “Përpjekja (Revistë kulturore)”, Viti XIX, nr. 28-29, Skënderbeu i kërkimit
shkencor, Tiranë: 2012, f. 265.
74-
S.Tansel, Mehmeti II dhe pushtimi i Shqipërisë (E përktheu: Vasfi Samimi), në:
Buletin shkencor i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës, Viti III, 1966,
Nr. 6, Kushtue 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, Shkodër: Shtypshkronja “Migjeni”, 1967, f. 178.
75-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 286.
76-
F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. II. f. 58.
77-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 286.
78-
M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 53;
K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë mesjetare, f. 56;
E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore, f.
100.
79-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 285; Gj.Saraçi,
Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në: ILIRIA, Vol. 30,
2001, f. 237.
80-
J.G.Hahn, Reise durch die Gebiete von Drin und Wardar: im Auftrage der K.
Akademie der Wissenschaften unternommen im Jahre 1863, Wien: Aus der
Kaiserlich-Königlichen Hof- und Staatsdruckerei, 1867, f. 36.
81-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 251-252.
82-
Ibidem, f. 252.
83-
Ibidem, f. 252.
84-
Ibidem, f. 240.
85-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 123.
86-
A.Meksi, Kishat mesjetare të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në: Monumentet,
2, Tiranë: 1983, f. 88-89.
87-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 254.
88-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 123.
89-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 240.
90-
H.Sokoli, Fortifikime mesjetare në rajonin e Shkodrës, në: Gegnia, Nr. 6, Vjeti
III i botimit, Shkodër: 2018, f. 44-45.
91-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 285-292.
92-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
93-
Gj.Saraçi, Rezidenca e familjes feudale të Zahariajve në Danjë, Vështrim
historiko-urbanistik, në: ILIRIA, I-II, Tiranë, 1993, f. 288.
94-
Ibidem, f. 288-289.
95-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
96-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 248.
97-
Gj.Karaiskaj, Fortifikimet e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës në Shqipëri:
qytete, kala, fortesa dhe kështjella, f. 124.
98-
Gj.Saraçi, Sistemi fortifikues i Dejës / The Fortifications of Deja, në:
ILIRIA, Vol. 30, 2001, f. 254.
99-
M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 53.
100-
1. Vendim i Institutit të Shkencave, botuar në Gazeta Zyrtare, nr. 95, 16 tetor
1948; 2. Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, shkresa nr. 6, 15
janar 1963; 3. Ministria e Arsimit dhe Kulturës, shkresa nr. 1886, 10 qershor
1973.
Paulin
Zefi
Lezhë:
03.07.2026.





