Ndue Dedaj: “Shkrim e këndim” në shekullin XXI
“SHKRIM E KËNDIM” NË SHEKULLIN XXI

NGA
NDUE DEDAJ
Analfabetizmi
i quajtur funksional është një term i didaktikës moderne, për të na thënë se ky
është ndryshe nga ai analfabetizmi i së kaluarës i gjyshërve tanë, që për ta
luftuar u hapën kurse e shkolla verore e dimërore, për të gjitha moshat, u bë
një revolucion i vërtetë, jo vetëm në vendin tonë, por dhe në Europë. Shekulli
XX nuk e pranonte analfabetizmin, thënë ndryshe mos me ditë njeriu me shkrue e me
lexue, por ja që e pranon shekulli XXI!?
Sot
jo vetëm që nuk mungojnë shkollat, nxënësit dhe mësuesit për ta luftuar
analfabetizmin, por duan të thonë se janë ata që e krijokan këtë analfabetizmin
funksional, çka nuk është e vërtetë. Se shoqëria jonë vuan nga kjo gangrenë nuk
ka nevojë të na e thotë PISA me raportet e saj të përvitshme, mjafton të
shohësh se si shkruajnë njerëzit në rrjetet sociale, me mangësi të theksuara
formimi, se si flasin nxënësit në klasë, folësit në tubime, deputetët në
parlament, të ftuarit në media.
Por
edhe pse “analfabetizmi funksional”, po të shprehemi në mënyrë të figurshme,
kalon përmes oborrit të shkollës, ai është rrjedhojë e lënies së shkollës në
periferi të zhvillimeve. Nuk ka një politikë racionale ndaj shkollës, mendohet
vetëm për formën (fasadën), natyrisht dhe muret dhe aspak për përmbajtjen. Ku i
kemi laboratoret, kabinetet mësimore, bibliotekat, terrenet sportive? Si ranë
këto bedena të patjerësueshme të shkollës? E vetmja praktikë mësimore që bën
shkolla sot është një ditë në vit “gatime tradicionale”!? Por shkollës nuk
është e nevojshme t’i vijë era qofte!...
A
ka një shpjegim të thjeshtë të këtij termi të ftohtë – analfabetizëm
funksional, që sikur të ngec në gojë kur e shqipton? Dhe nuk është i vetmi në
ligjërimin e sotëm. Ka kohë që njeriu i zakonshëm mbetet i befasuar nga termat
e huaj që hyjnë në përdorim kohë pas kohe, krejt pa nevojë, qoftë ky vetting
apo incenerator. Por le të merremi me shpjegimin e këtij analfabetizmit modern,
ku “analfabet” është dhe një njeri që përdor telefonin e fundit celular,
internetin, hipën në avion e shkon në një shtet tjetër etj.
Ekspertët
e arsimit në Tiranë do të na thonë se janë përmirësuar kurrikulat / programet
mësimore, tekstet shkollore janë të Kembrixhit e Oksfordit, shkolla jonë synon
standardet europiane, metodat mësimore janë aktive e krijuese etj. S’duam t’i
biem mohit asgjëje të mirë që ka ndodhur në sferën e arsimit, por, për t’u
ndalur vetëm në një aspekt, atë kombëtar, si t’ia bëjmë që kemi nxënës që dalin
nga bangat e shkollës dhe nuk arrijnë të shkruajnë e lexojnë mirë në gjuhën
amtare, nuk njohin bazat e historisë e gjeografisë të vendit të tyre, trevat
shqiptare, migrimet e shqiptarëve etj. Kemi mbetur prapë tek ai vëzhgimi një
shekulli më parë: “Shqiptarë jemi, por Shqipërinë nuk e njohim”! Ky është analfabetizëm fuknsional! Pa
folur për tabelën e shumëzimit, çelësin e solit, njohuritë elementare nga bota
natyrore etj.
Nuk
mundet vetëm shkolla ta zhdukë atë. Shoqëria është shumë me madhe se klasa e
mësimit. Mësuesit përballën me sfida të shumta, thuajse të vetëm, pasi dhe
prindërit janë “dorëzuar” para adoleshencës së vështirë të fëmijëve të tyre.
Interneti të informon, por nuk të formon. Ky është problemi. Me të dhënat e
internetit mbetesh gjithmonë i sipërfaqshëm.
Mund
ta modernizosh procesin mësimor, ta forcosh sigurinë në shkolla me kamera
inteligjente, të bësh mrekullira përmes inteligjencës artificale, po me
njeriun, që ai të bëhet inteligjent përmes diturisë, si do t’i bëhet!? Se kemi
ardhur në këtë ditë, që të bëjmë thirrje edhe njëherë si para një shekulli:
“Shkrim e këndim!” E nëse të tjerët mund të këshillojnë shumëçka, ne do të
nënvizonim vetëm një gjë: “Pa lexim të letërsisë artistike dhe të librit në
tërësi, kurrë nuk kemi për të shpëtuar nga analfabetizmi, paçka se si do ta
quajmë, funksional apo... global!
1 shtator 2026


