Mahir Mustafa: Në kujtim të Basil Schader-it
Në kujtim të Basil Schader-it
(19.10.1951 – 10.05.2026)
Nga Mahir Mustafa
Me pikëllim të thellë morëm
lajmin për ndarjen nga jeta të Basil Schader-it, mikut të madh të
shqiptarëve, studiuesit, autorit, përkthyesit, albanologut dhe veprimtarit të
palodhur të arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.

aq i madh interesimi
për ne,
nuk e dimë,
por që ti u bëre
zëri, fjala dhe përkrahja
jonë më e madhe
kur ne kishim nevojë
për ty,
këtë e dimë,
andaj faleminderit
miku ynë.
Prehu në përjetësi!
Interesimi i tij i hershëm
për gjuhët, kulturat, sociologjinë, historinë, filozofinë, etnologjinë dhe pikëpamjet
e njrëzve u thellua përmes studimeve në fushën e edukimit dhe të arsimimit.
Këtë interesim ai e shndërroi në profesion dhe mision jetësor, të cilit iu
përkushtua me pasion, përgjegjësi dhe përkushtim të rrallë. Me punën e tij
shumëvjeçare, Basil Schader u bë njëri ndër përfaqësuesit më të denjë të fushës
së edukimit dhe arsimimit, veçanërisht në fushën e diversitetit gjuhësor, të
didaktikës së gjuhëve dhe të përkrahjes së fëmijëve dhe të rinjve me prejardhje
shumëkulturore e gjuhësore.
Në këtë kontekst, ai u bë
njëri ndër zërat më të fuqishëm bashkëkohorë në Zvicër dhe më gjerë për gjuhën
dhe kulturën shqiptare. Ndonëse ky zë pushoi së dëgjuari të dielën, më 10 maj
2026, ditën kur pushoi së rrahuri zemra e tij, fjala, vepra dhe kujtimi i tij
do të vazhdojnë të jetojnë. Ato do të mbeten të pranishme në klasat, në sallat
e ligjërimit e të formimit profesional, në mësojtoret ku mësohet gjuha shqipe,
në tekstet mësimore, në studimet shkencore, në takimet arsimore e kulturore, në
simpoziume, në katedrat universitare dhe në kujtesën e të gjithë atyre që patën
fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.
Përmes veprave të tij
edukativo-arsimore, shkencore dhe letrare, teksteve mësimore, studimeve
gjuhësore, tregimeve, përkthimeve dhe botimeve të shumta, Basil Schader la një
trashëgimi të çmuar për arsimin shqip në diasporë dhe për ndërlidhjen kulturore
ndërmjet botës shqiptare dhe asaj gjermanofolëse:
- Die Wörterbrücke.
Zweisprachige Schulwörterbücher für die Sprachen Albanisch, Türkisch,
Portugiesisch, Kroatisch/Serbisch/Bosnisch. Lehrmittelverlag des Kantons Zürich, Zürich
1996.
- Hilfe! Help! Aiuto! (Ill. Jürg Obrist)
Orell Füssli, Zürich 1999 (Erstleseheft für die mehrsprachige Klasse,
illustriert von Jürg Obrist). Dazu didaktisches Begleitheft.
- Shqyrtime gjuhësore
rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër. Kristallina K_H,
Tirana 2005
- mit Andrea Haenni
Hoti: Albanischsprachige Kinder und Jugendliche in der Schweiz.
Hintergründe, sprach- und schulbezogene Untersuchungen. Verlag
Pestalozzianum, Zürich 2006.
- Sprachenvielfalt als
Chance. Das Handbuch. Hintergründe und 101 praktische Vorschläge für den
Unterricht in mehrsprachigen Klassen. 2., erweiterte Auflage. Orell
Füssli/Bildungsverlag EINS, Zürich/Troisdorf 2013.
- I dashur mik! …
Përzemërsisht. Kujtime nga letërkembimi elektronik mes Arif Demollit dhe
Bazil Shaderit 2006–2017. Botime Artini, Prishtina 2017.
- Wo man sich noch Gevatter
sagt. Bukolische Gedichte. Verlag Zocher&Peter, Zürich 2021
- Schweiz, sonderbare
Schweiz. Fakten, Fakes und fast Vergessenes. Edition Königstuhl, Zürich 2023
- Der Autor sucht, der
Autor flucht. Kopfgeburten, Texthappen, Geflunker. Edition Königstuhl,
Zürich 2024
- Lebens Läufe.
Experimentelle Kurzbiografik. Edition Königstuhl, Zürich 2025,
Si botues dhe bashkautor:
- Reihe Didaktische
Materialien für den Herkunftssprachlichen Unterricht. Orell Füssli,
Zürich 2016, etc.
- Zur Dynamik des Aufwachsens in und zwischen
verschiedenen Norm- und Bezugssystemen. (= Dokumentationsreihe DOK des IPE,
vol. 1 und 2) 2 Bände in deutscher und albanischer Sprache, Printing
press, Prishtina 2016/17.
- Deine Sprache – meine Sprache. Handbuch zu 19
Migrationssprachen und zu Deutsch. Erweiterte und aktualisierte Neuausgabe,
Lehrmittelverlag Zürich, Zürich 2020.
Me tekstet dhe materialet e
tij mësimore për fëmijët shqiptarë në Zvicër, Basil Schader hapi shtigje të
reja didaktike dhe dha një kontribut të pazëvendësueshëm për mësimin plotësues
të gjuhës shqipe. Ndërkaq, përmes përkthimeve të autorëve shqiptarë në gjuhën
gjermane, ndër ta Elena Kadare, Arif Demollin, Mahir Mustafa, Fatos Kongolli,
Eni Vasili e të tjerë, ai solli para lexuesit gjermanofon aspekte të
rëndësishme dhe të veçanta të letërsisë, kulturës dhe botës shqiptare.
Siç
kuptohet nga përshkrimet e mësipërme, përveç veprimtarisë së tij profesionale
si ligjërues, didakt i gjuhëve dhe studiues, Basil Schader u shqua edhe si
autor, përkthyes, albanolog dhe mbështetës i palodhur i arsimit në hapësirën
gjuhësore e kulturore shqiptare, veçanërisht në Shqipëri. Për më shumë se tri
dekada, ai u angazhua me përkushtim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për
shqiptarët. Në Shqipërinë e Veriut, së bashku me bashkëshorten e tij, Erica Bauhofer
Schader, mbështeti shkolla fillore dhe projekte arsimore, ndërsa në Zvicër iu
përkushtua integrimit, përkrahjes dhe zhvillimit arsimor të nxënësve shqiptarë.
Së bashku me bashkëshorten
e tij, Erica Bauhofer Schader, ai u angazhua që nga viti 1996 për zhvillimin e
arsimit në komunën e gjerë të Balldrenit, sot pjesë e Bashkisë së Lezhës, në
Shqipërinë e Veriut. Me ndihmën e sponsorëve dhe miqve të arsimit, ai bëri të
mundur mbështetjen e shkollave në Torovicë, Kolajak dhe Shkëmbi i Kuq, duke kontribuar
në zgjerimin, renovimin dhe përmirësimin e ndërtesave shkollore. Këto shkolla
dhe të tjera u mbështetën rregullisht edhe me pajisje infrastrukturore, si
kompjuterë, libra, mjete sportive dhe materiale të tjera të domosdoshme për
procesin mësimor.
Në Zvicër, Basil Schader
ishte anëtar themelues dhe anëtar i kryesisë së shoqatës «Arsimi», e cila e ka
për qëllim mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore shqiptare,
si dhe i institutit «Suisse d’Etudes Albanaises» — ISEAL. Për meritat e tij të
veçanta, në vitin 2002 çifti Schader u nderua me titullin qytetar nderi i
komunës së Balldrenit, ndërsa në vitin 2003 Basil Schader u shpall anëtar nderi
i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri» në Zvicër.
Në shoqatën ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION
(www.arsimi.ch), Basil Schader ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ai nuk ishte
vetëm bashkëpunëtor dhe mbështetës, por edhe mik, këshilltar, frymëzues dhe urë
lidhëse ndërmjet kulturave, gjuhëve dhe njerëzve. Përkushtimi i tij ndaj
arsimit, ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj brezave të rinj do të mbetet pjesë e
kujtesës sonë kolektive.
St. Gallen, qershor 2026
Mahir Mustafa
Bashkëkryetar i Shoqatës
ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION





