Isuf B. Bajrami: Demokracia nuk ndalet në kufi
Demokracia nuk ndalet në kufi

Nëse
qytetarët pengohen në ushtrimin e së drejtës së tyre për të lëvizur lirshëm apo
për të marrë pjesë në jetën demokratike për shkak të bindjeve politike, atëherë
nuk cenohet vetëm Kushtetuta dhe e drejta e lëvizjes, por edhe vetë themeli i
shtetit të së drejtës, i demokracisë dhe i angazhimeve ndërkombëtare që
Shqipëria ka marrë për mbrojtjen e lirive themelore.
Ka
ditë kur historia nuk shkruhet në zyrat e keqqeverisjes, por në rrugët që
marrin qytetarët. Ka çaste kur demokracia nuk matet me deklaratat e pushtetit,
por me mënyrën se si keqqeverisja sillet me njerëzit e zakonshëm. Pikërisht aty
kuptohet nëse institucionet i shërbejnë qytetarit apo janë vënë në funksion të
interesit politik.
Liria
e lëvizjes nuk është një favor që e jep keqqeverisja. Ajo nuk është një
privilegj që shpërndahet sipas vullnetit të pushtetit dhe as një e drejtë që
kufizohet kur keqqeverisja ndjehet e kërcënuar.
Është
një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë,
e mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga instrumente
ndërkombëtare që vendosin standardet minimale të lirisë në një shtet
demokratik. Këto nuk janë dokumente simbolike, por kufij juridikë që ndajnë
demokracinë nga arbitrariteti.
Në
çdo sistem demokratik, kufiri ekziston për të garantuar sigurinë dhe rendin, jo
për t'u shndërruar në instrument filtrimi politik. Ai nuk mund të përdoret nga
keqqeverisja për të krijuar ndarje mes qytetarëve apo për të vendosur pengesa
mbi bazë bindjesh, qëndrimesh apo pjesëmarrjeje në jetën publike.
Shqipëria
dhe Kosova nuk janë thjesht dy shtete fqinje. Ato janë dy pjesë të një trungu
historik të përbashkët, të lidhura nga gjuha, kultura dhe sakrificat e
përbashkëta. Për dekada është folur për afrimin e njerëzve dhe heqjen e
barrierave. Prandaj çdo situatë që krijon përshtypjen e pengimit të lëvizjes së
lirë kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale nga
keqqeverisja.
Një
demokraci nuk ka frikë nga qytetarët e saj. Frikë ka keqqeverisja, sepse
qytetarët e lirë janë kufiri moral dhe politik i saj. Ata që lëvizin, flasin,
protestojnë dhe kërkojnë llogari janë prova më e qartë e shëndetit demokratik
të një shoqërie. Kur keqqeverisja fillon ta shohë këtë liri si kërcënim, ajo
nuk po mbron rendin, por po ekspozon dobësinë e vet.
Parimi
i proporcionalitetit dhe ai i barazisë para ligjit janë themel i çdo
demokracie. Çdo kufizim i të drejtave duhet të jetë i domosdoshëm, i arsyetuar
dhe i justifikuar me interes publik. Çdo devijim nga këto parime, kur vjen nga
keqqeverisja, cenon besimin e qytetarëve dhe dobëson legjitimitetin
institucional.
Nëse
vonesat apo kontrollet e shtuara janë rezultat i procedurave normale, fluksit
të lartë apo arsyeve teknike, keqqeverisja ka detyrimin ta sqarojë këtë pa
vonesë dhe me transparencë të plotë. Heshtja ose mungesa e komunikimit publik
ushqen dyshime dhe thellon distancën mes qytetarëve dhe institucioneve.
Demokracia
nuk gërryhet vetëm me vendime të mëdha politike. Ajo dobësohet ngadalë, kur
qytetarët fillojnë të ndiejnë se liritë e tyre varen nga qëndrimi i tyre
politik. Në atë moment, keqqeverisja zëvendëson ligjin me perceptimin dhe të
drejtën me diskrecion politik.
Demokracia
nuk është sundimi i shumicës, por kufizimi i pushtetit përballë të drejtave të
individit. Kushtetuta dhe institucionet ekzistojnë për të vendosur kufij ndaj
keqqeverisjes, jo për t'i shërbyer asaj. Ato janë mburoja e qytetarit, jo
instrumenti i pushtetit.
Prandaj
çdo situatë që prek liritë themelore duhet të trajtohet me seriozitet maksimal,
transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Besimi nuk ndërtohet me kontroll,
por me respektim të ligjit. Demokracia nuk matet me forcën e keqqeverisjes, por
me lirinë e qytetarëve të saj.
Sepse
demokracia nuk fillon në zyrat e keqqeverisjes dhe nuk mbaron në kufi. Ajo
jeton në lirinë e qytetarëve për të lëvizur, për të folur dhe për të jetuar pa
frikë nga pushteti që duhet t'u shërbejë atyre.
Vendi i Lekës,
04.07.2026


