Hamza Halabaku: Prof. Dr. Ismet Salihu rrëfen detaje nga hartimi i Kushtetutës së parë të Kosovës

2h më parë


Prof. Dr. Ismet Salihu dhe Hamza Halabaku

Në 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës Prof. Dr. Ismet Salihu flet për disa detaje të hartimit të saj

Punohej pa dozën më të vogël të frikës edhe pse pushteti okupues serb dënonte e ndëshkonte

Për tërë ecurinë e punës deri në përfundimin e tekstit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka qenë i informuar Ibrahim Rugova që në atë kohë ishte kryetar i partisë më të madhe të Kosovës – Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e ka përkrahur punën tonë, thotë Prof. Dr. Ismet Salihu

Nga Hamza HALABAKU

Tani, në shtatorin e këtij viti, bëhen tridhjetë e gjashtë vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës. Kjo kushtetutë atë botë ishte punuar në konspiracion të thellë gjatë muajve korrik e gusht të vitit 1990, me që Kosova, nga data 5 korrik 1990 ishte e okupuar nga njësitë policore dhe ushtarake të Republikës së Serbisë. Nga anëtarët e Komisionit Kushtetues, që kishin punuar në hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut, në jetë është vetëm Prof. Dr. Ismet Salihu, i cili i takon plejadës së brezit më të fuqishëm të studiuesve tanë elitarë në fushën e shkencës së të drejtës penale dhe emri i tij radhitet ndër studiuesit e pedagogët më eminentë ndër shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Kureshtja ime ishte që nga ai të dëgjoj për punën dhe peripecitë që kishin anëtarët shqiptarë të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese gjatë punës për hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës.

Për përvjetorin e dymbëdhjetë të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar në Kaçanik me 7 shtator 1990, që në popull njihet si Kushtetuta e Kaçanikut, jam përpjekur që të gjitha ato që i kisha dëgjuar nga prof. Dr. Kutesh Saliu, ti hedh në letër. Pasi e kisha përgatitur tekstin e shkruar ia kam dorëzuar profesor Kurteshit që ai vetë ta shikojë. Ai ishte pajtuar me përmbajtjen e atij teksti në tërësi, të cilin e kam vendosur në librin tim “Një ditë midis dy epokash” në faqen 114 me titullin “Hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut”. Takimin me Prof. Dr. Kurtesh Saliun e kisha zhvilluar në verën e vitit 2012, në Parkun e qytetit në Prishtinë.

Profesor Dr. Kurtesh Saliu më kishte njoftuar për shumë detaje të punës së anëtarëve të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese, nga radha e punëtorëve shkencorë, gjatë hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar më 7 shtator 1990.

Ai më kishte thënë, se të gjithë anëtarët e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese, që kishin punuar në hartimin e “Kushtetutës së Kaçanikut”, fjala është për ata të përkatësisë shqiptare, kishin autoritet shkencor e profesional. Anëtarët e komisionit të përmendur që në korrik e në gusht të vitit 1990 kishin punuar në hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut, nga radha e punëtorëve shkencorë e profesional ishin: Prof. Dr. Kurtesh Saliu, Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof. Dr. Ismet Salihu, mr. Fatmir Fehmiu dhe Prof. Dr. Riza Smaka. Me ta ishte edhe Halit Muharremi, sekretar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kësaj vere, sa isha në Prishtinë, jam takuar disa herë me Prof. Dr. Ismet Salihun, për të cilin theksova më lart se është i vetmi në jetë nga anëtarët e Komisionit Kushtetues, që kishin punuar në hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Në çdo takim ishte e pashmangshme biseda për kohen kur Komisioni Kushtetues, anëtar i të cilit ishte edhe ai, kishte punuar në hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës. Ai fliste me një respekt të veçantë për anëtarët e komisionit të përmendur dhe nënvizonte se asnjëri nga ata gjatë punës që megjithatë bëhej në konspiracion të thellë nuk kishte shprehur as dozën më të vogël të frikës edhe pse masat që shqiptonte pushteti okupues serb ishin shumë të rënda. Profesor Dr. Ismet Salihu tregonte sa ata ishim anëtarë legal të Komisionit Kushtetues, të cilët ishin zgjedhur nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës. Ata ishin emëruar nga Kuvendi i Kosovës dhe pos profesorëve shqiptarë që u përmendën më lart ishin edhe disa persona të nacionalitetit serb, të njohur për qëndrimet e tyre nacional-shoviniste dhe antishqiptare. Sipas Kushtetutës së atëhershme të Kosovës, kryetar i Komisionit kushtetues, sipas pozitës, ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe, ai, Gjorgje Bozhoviqi e kryesonte Komisionin Kushtetues. Dy mbledhjet e para të Komisionit Kushtetues u mbajtën në lokalet e Kuvendit të Kosovës dhe kryesuesi Gjorgje Bozhoviq bashkë me anëtarët serbë insistonin që Komisioni Kushtetues të përgatisë draftin e STATUTIT TË K0SOVËS, ndërsa pala shqiptare e Komisionit kushtetues nuk pranonte kurrsesi që Kosova të ketë statut si aktin më të lartë juridik politik të Kosovës, por insistonte që Komisioni kushtetues ta draftojë KUSHTETUTËN E KOSOVËS si akt më të lartë juridik politik. Fjala është për periudhën para 2 korrikut 1990.

Pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 me dakordimin e udhëheqjes më të lartë të Kosovës dhe të Alternativës së Kosovës, Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese vazhdoi punën jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës  për përgatitjen e tekstit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas profesor Ismet Salihut është punuar në konspiracion të thellë gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit 1990. Është punuar vetëm natën. Katër apo pesë mbledhje të Komisionit Kushtetues janë mbajtur në banesën e tij në rrugën “Ramiz Sadiku” tani “Agim Ramadani” në Prishtinë, ndërsa gjatë muajit gusht puna është vazhduar në shtëpinë e tij në lagjen “Velania”.

Prof. Dr. Ismet Salihu tregon se në mbledhjen e parë të Komisionit Kushtetues jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës u vendos që të përgatitet drafti i Kushtetutës së Republikës. U arrit marrëveshja që preambulën e Kushtetutës ta shkruajë profesori Ejup Statovci, pastaj janë caktuar hartuesit e kapitujve të Kushtetutës. Gjithashtu është vendosur që tekstet e hartuara të diskutohen, analizohen dhe miratohen në një mbledhje të veçantë të Komisionit.

“Pasi është përfunduar tërë teksti i Kushtetutës dhe u miratua nga të gjithë anëtarët e Komisionit Kushtetues, që ishte edhe mbledhja e fundit e përbashkët e të gjithë anëtarëve të Komisionit Kushtetues, Prof. Dr. Kurtesh Saliu, që formalisht ishte në krye të Komisionit Kushtetues, pat kërkuar nga ne që në rast se regjimi i Serbisë na merr në pyetje, ne të mos fshehim asgjë, por të tregojmë ashtu siç kemi punuar.

Ne të gjithë anëtarët e Komisionit Kushtetues u dakorduam me propozimin e profesor Kurtesh Saliut. Teksti përfundimtar i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i përgatitur nga Komisioni Kushtetues i është dorëzuar Halit Muharremit, i cili ishte sekretar i Komisionit Kushtetues.

Materialet e tekstit në dorëshkrim, meqë pjesa më e madhe e punës është kryer në shtëpinë time e kam fshehur mirë, nën dërrasa të kulmit të shtëpisë sime në Velani.

Tekstin komplet të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Halit Muharremi, ia ka dorëzuar profesor Fehmi Aganit, i cili në shtëpinë e tij bashkë me Ali Aliun edhe Ilaz Kurteshin, e kanë lexuar dhe analizuar dhe janë dakorduar me tekstin e Kushtetutës. Për tërë ecurinë e punës deri në përfundimin e tekstit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka qenë i informuar Ibrahim Rugova që në atë kohë ishte kryetar i partisë më të madhe të Kosovës – Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e ka përkrahur punën tonë”, thotë Prof. Dr. Ismet Salihu.

Sipas tij, në mënyrë konspirative janë njoftuar të gjithë delegatët e Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës në Kaçanik. Mbledhjen e ka udhëhequr nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Iljaz Ramajli dhe me votat e të gjithë delegatëve të pranishëm, më 7 shtator të vitit 1990 është miratuar KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, përfundon rrëfimin Prof. Dr. Ismet Salihu.

Prishtinë, 1. shtator 2026.