Adil Fetahu: Sa shqiptarë duhej të shpërnguleshin sipas Çubriloviqit?
SA SHQIPTARË DUHEJ TË SHPËRNGULESHIN SIPAS ÇUBRILLOVIQIT?

Pas
Luftës së Parë Botërore, me rastin e themelimit të Mbretërisë
Slloveno-Kroato-Serbe (gabimisht përdoret
renditja Serbo-Kroato-Sllovene), në popullsinë e asaj krijese tri pakica
(Shqiptarët, Gjermanët dhe Hungarezët) ishin numerikisht më të mëdha se populli Malazez dhe ai Maqedon, të cilët në
Jugosllavinë e (n)Dytë u formuan si
kombe dhe republika, me të drejtë vetëvendosje deri në shkëputje.
Sipas
regjistrimit të vitit 1921 të popullsisë , në bazë të gjuhës amtare dhe besimit
fetar, pasi që edhe Vojvodina e
Autrohungarisë i ishte bashkuar Serbisë (Jugosllavisë), popullsia kishte
arritur në 12.055.715 banorë, me këtë përbërje:
Serbë 4.704.876 (39%), Kroatë 2.889.102 (23,9%), Sllovenë 1.023.588
(8,5%), Muslimanë 759.656 (6,3%), Maqedonë 630.000(?) (3,3%), Gjermanë 512.207
(4,3%), Shqiptarë 483.871 (4%), Hungarezë 472.079 (3,9%), Rumunë 183.563
(1,6%), Turqë (143.453 (1,2%), Italianë 11.630 (0,1%), pakica sllave 198.857
(1,6%), të Tjerë 42.756 (0,3%). Malazezët nuk figurojnë si popullsi e veçantë.
Të dhënat absolute dhe relative për popullsinë Maqedone janë kontradiktore,
prandaj është e qartë se popullsia maqedone ishte 3,3% e popullsisë së përgjithshme të atij
shteti të sapoformuar, do të thotë përqindja më e vogël se e minoritetit
gjerman, shqiptar dhe hungarez.
Sipas
regjistrimit të popullsisë (31 mars 1931), në Kosovë e Metohi (‘’Stara
Srbija’’), Maqedoni dhe Mal të Zi, kishte gjithsejt 474.771 Shqiptarë (‘’), do
të thotë 9100 banorë Shqiptarë më pak se në vitin 1921 !
Për
ironi, me Kushtetutën e vitit 1921 dhe atë të vitit 1931, në parim
dhe me norma ishin proklamuar të drejtat e barabarta qytetare, por midis
normave dhe praktikës ishte dallimi i madh në realizimin e atyre lirive dhe të
drejtave, veçmas për popullsinë Shqiptare dhe atë Boshnjake (Muslimane). Kur i
krahason të dhënat e popullsisë Shqiptare nga regjistrimi i vitit 1921
(483.871) dhe të vitit 1931 (474.771), mund të nxirret konkludimi se çfarë
ishin të drejtat e Shqiptarëve në atë shtet; në vend se të shtohej, në periudhën prej dhjetë vjetëve popullsia
shqiptare ishte pakësuar për 9100 banorë, përkundër natalitetit të lartë që ka
ekzistuar atëherë.
Elaborati
i Qubrilloviqit: ‘’Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re’’
Për
atë elaborat është shkruar dhe është folur shumë. Kanë shkruar dhe kanë folur
njerëz, të cilët kurrë nuk e kanë parë as lexuar tekstin autentik të atij
elaborati, por kanë lexuar diçka fragmentare ose vetëm kanë dëgjuar prej
dikujt. Madje, as emërtimin e vërtetë nuk ia dijnë: herë e quajnë
‘’memorandum’’, herë ‘’elaborat’’, kurse vet autori, në tekstin autentik, tri
herë e ka quajtur ‘’raport’’. Por, përkah natyra karakteri, destinimi dhe
metodologjia e përpunimit të tekstit, më së miri i përgjigjet emërtimi elaborat,
sepse e ka analizuar problemin në hollësi, ka përdorë të dhëna satistikore, ka
nxjerrë përfundime dhe ka bërë propozime si të zgjidhet problemi i shtruar.
Elaborati është shkruar nga historiani Vaso Çubrilloviq, më 3
nëntor 1944, vetëm dy javë pas çlirimit të Beogradit, dhe ia ka destinuar
Komandës Supreme të Ushtrisë dhe Këshillave Nacional-Çlirimtare dhe Qeverisë së ardhëshme Federative për ta zbatuar.
Elaborati është ruajtur i fshehtë, në Arkivin e Serbisë (AS,G-16, f.1, br.1) .Tekstin
e ‘’elaboratit’’, për herë të parë e ka botuar ‘’Mlladina’’ e Lublanës, nr.49,
dt.18.XI.1988, ndërsa një analizë, në formë recensioni për atë elaborat e ka
botuar historiani malazez, prof.dr.Sherbo Rastoder, në Akademia.edu: ‘’Jedan
manje poznati elaborat Vase Çubriloviqa o rjesavanju manjinskog problema u
novoj Jugoslaviji, od 3 nov.1944’’.
Tekstin
autentik të elaboratit nuk e ka as libri (shqip) ‘’Elaboratet serbe për
shpërnguljen e shqiptarëve’’, botim i ShB ‘’Jakup Ceraja, Prishtinë,2024.
Ky libër nuk e ka as pjesën tabelare të elaboratit autentik.
Përse
dhe si e mendonte Çubrilloviqi shpërnguljen e pakicat kombëtare?
Racisti
e nacisti serb i Bosnjës, i ‘’rahatuar’’ në Beograd, profesor i historisë,
dekan i Fakultetit Filozofik, në qeverinë federative ishte ministër i dy
ministrive: Bujqësisë dhe Pylltarisë, ishte
anëtar i Akademisë së ShA të Serbisë. Para lufte, më 7 mars 1937, e kishte
hartuar Memorandumin për shpërnguljen e ‘’Arnautëve’’.
Për
mendimin e atij racisti, pakicat kombëtare janë ‘’iriq në barkun e huaj’’, janë
të pabesushme dhe jo lojale ndaj shtetit, kanë zënë vendet më strategjike dhe
më të mira, në Vojvodinë dhe në Kosovë e Metohi, dhe i kanë shkaktuar dëme të
mëdha popullit serb. Si të tilla duhet eliminuar, me shpërngulje ose me
asimilim. Procesi i kolonizimit që u zbatua në periudhën 1918-1941 nuk dha
rezultatet e pritura për dominimin mbi pakicat në Vojvodinë dhe në Kosovë e
Metohi, për shkak të gabimeve dhe të
korrupsionit në zbatimin e atij procesi dhe për shkak të natalitetit të lartë
të Shqiptarëve. Prandaj, e vetmja mënyrë e zgjidhjes për gjithmonë e problemit
të pakicave është që ato të shpërngulën me dhunë. Dhe koha më e mirë për të
zbatuar shpërnguljen e minoriteteve është stuhia e luftës, kur ushtria mund ta
zbatojë me lehtësi tërë procesin. Merr shembuj të shpërnguljes së popullsive në
Bashkimin Sovjetik dhe shpreson se
ushtra vëllazërore ruse, me përvojën dhe metodën e saj do ta ndihmojë në këtë
proces.A jo që në kohë paqeje nuk mund të arrihet me dekada a me shekuj, në
kohë luftë mund të arrihet për ndonjë muaj, ose për ndonjë vit.
Pakicat
më të rrezikshme, sipas Çubrillovqit, janë ato të krijuara në blloqe të mëdha, siç
janë gjermanët, hungarezët, ‘arnautët’ dhe italianët. Këto blloqe duhet thyer e
shpërngulë me dhunë dhe në vendet e tyre duhet vendosur kolonistë të popullit
tonë. Sidomos janë të rrezikshme minoritetet të cilat kufizohen me shtetet amë,
siç janë ‘’arnautët’’, hungarezët dhe italianët. Ato dhe gjermanët duhet
shpërngulë me dhunë, ndërsa për pakicën rumune mund të merremi vesh me shtetin rumun për këmbim
të popullsisë, siç kanë bërë Greqia e Turqia me Marrëveshen e Lllozanës, në
vitin 1923.
Tre
minoritetet: Gjermanët, Hungarezët dhe ‘’Arnautët’’, duke vepruar armiqësisht
kundër shtetit, vet ‘’kanë hequr dorë’’ dhe e kanë humbur të drejtën të
quhen qytetarë tanë. Ata duhet eliminuar
pamëshirshëm nga shteti ynë, se këtë e kanë merituar. Për shpërnguljen e pakicave
tona duhet të kërkojmë edhe lejen nga
aleatët tanë dhe besoj se ata do na kuptojnë. Shpresë të madhe kemi në
Bashkimin Sovjetik vëllazëror, se do të na ndihmojë ta zgjidhin problemin e
pakicave në mënyrën dhe me metodën siç e kanë zgjidhur ata. Masat tona
popullore janë të mllefosur dhe kanë urrejtje ndaj pakicave, dhe kjo ka krijuar
disponimin psikologjik për dëbimin e tyre dhe ne kurrë nuk kemi pasur kushte më
të volitshme se tash për ta zgjidhur problemin e pakicave.
Kosova
e Metohia gjithnjë janë konsideruar si qendër strategjike e Ballkanit. Duke e
mbajtur ‘Arnautët’ në dorë këtë pjesë strategjike, e kanë shkëputur
lidhjen etnike të Serbisë me Malin e Zi dhe lidhjen e Malit të Zi me Maqedoninë. Edhe nga
aspekti ekonomik për ne janë me rëndësi luginat pjellore të Kosovë-Metohisë dhe
Pollogut. Rreth tyre gjenden krahinat më të varfëra, Mali Zi dhe Sanxhaku. Në
Kosovë e Metohi duhet krejtësisht ndryshuar përbërjen etnike. Para së gjithash,
duhet të spastrohet Metohia, si krahinë që kufizohet me Malin e Zi, e që është
vendi më i përshtatshëm për kolonizim me malazezë.
Kjo
luftë është më e përshtatshmja për zgjidhjen e këtij problemi. Nëse duam ta
zgjidhim problemin me pakicat, këtë mund ta bëjmë vetëm derisa zgjatë lufta.
Gjatë operacioneve luftarake, ushtria duhet në mënyrë të planifikuar dhe pamëshirshëm
të spastrojë vendin nga pakicat kombëtare nga ato krahina të cilat duam t’i
popullojmë me elementin tonë nacional. Jam në dispozicion të Komandës Supreme
të UNÇ, që me dijen dhe përvojën time të ndihmoj në hartimin e planit detal për
këtë çështje.
Për
pastrimin e Kosovë-Metohisë dhe Pollogut, krahas metodës së propozuar të
përndjekjes me forcën ushtarake, duhet zbatuar edhe metoda tjera: gjykata e
luftës t’i gjykojë përfaqësuesit e pakicës, sidomos inteligjencën, beglerët e
pasanikët; t’iu merren të gjitha të
drejtat qytetare, t’iu konfiskohet pasuria, ndërsa familjet e tyre të dërgohen
në kampe përqendrimi e pastaj të transportohen në shtetet e tyre amë.
Çubrilloviq
potencon rëndësinë e posaçme të kolonizimit të fshatrave dhe qyteteve prej nga
do të shpërngulen pakicat. Pronat mbi tokat, shtëpitë, fabrikat dhe punëtoritë,
duhet menjëherë të barten dhe regjistrohen në emër të kolonistëve. Hollësisht e përpunon mënyrën e kolonizimit,
joshjen e kolonëve sllavë nga Mali Zi, Bosnje-Hercegovina, Dalmacia, Lika,
Banija, Kroacia dhe Serbia. Kolonizimi i shpejtë i atyre viseve do ta shpiente
Europën para aktit të kryer.
Pastrimi
nga pakicat kombëtare është me rëndësi të dorës së parë në operacionet
luftarake. Në këtë proces ushtria është më e rëndësishme, prandaj do ishte më
së miri që pranë Shtabit Suprem të UNÇ të formohet një seksion i veçantë, me
detyrë për pastrimin e pakicave kombëtare. Është shumë e dobishme nëse Mareshali Tito, si komandant suprem, sa më
parë t’i jep udhëzime ushtrisë dhe këshillave nacional-çlirimtare se si duhet
të veprojnë. Çështja është shumë
urgjente. Edhe këshillat nacional-çlirimtare mund të ndihmojnë në zbatimin e
këtij procesi. Duhet sa më parë të formohet edhe ministria e veçantë për këtë
çështje.
Në
përfundimin e elaborimit të kësaj çështje, autori thotë: ‘Ndoshta kurrë më nuk
do të kemi rast të tillë, që shtetin tonë ta bëjmë etnikisht të pastër.
Zgjidhja e të gjitha problemeve tjera në shtetin tonë, qofshin ato nacionale,
politike, ekonomike, sociale, mund të presin për një kohë, por problemin me pakicat nëse nuk e zgjidhim tash – nuk do
ta zgjidhim kurrë. Shpresoj se njerëzit të cilët e udhëheqin Lëvizjen
Nacional-Çlirimtare, do të dijnë sikur
unë ta vlerësojnë rëndësinë e këtij problemi dhe do t’i çasen zgjidhjes së tij me tërë energjinë dhe
vetësakrificën siç vepruan me fillimin e
luftës (1941) për çlirimin dhe formimin e Jugosllavisë Federative Demokratike.
Tekstit
të dendur në 11 faqe të shtypura në makinë, e diku të korrigjuar me dorë,
autori ia ka bashkangjitur katër tabela me të dhëna statistikore të popullsive
të pakicave kombëtare të krahinave dhe vendeve të ndryshme të Jugosllavisë, numrin
absolut dhe relativ të tyre, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1931.
Këtu do të paraqesim vetëm tabelën për numrin e ‘’Arnautëve’’, siç i quan
Shqiptarët autori i Elaboratit famëkeq.
BROJ
ARNAUTA u Staroj Srbiji, Makedoniji i Crnoj Gori, po srezovima, prema popisu od
31.marta 1931.god.
Srezovi Broj stanovnika Arnauta %
Lab 34.797 26.926 77,3
Vucitrn 32,247 20.565 63,7
Andrijevica 27.221 373
1,4
Bar 32.926 12.507 38,0
Bitolj 65.164 5.108 78,5
(?)*
Donji
Polog 70.983 37.645 53,0
Drenica 25.811 21.347 82,6
Galicnik 12.051 1.902 15,9
Gnjilane 91.037 53.083 58,3
Djakovica 45.378 36.399 80,2
Istog 25.918 12.872 49,7
Krusevo 23.370 1.335
5,7
Gornji
Debar 16.296 4.181 25,7
Gornji
Polog 32.658 14.845 45,4
Gracanica 57.858 23.845 41,2
Jablanica 58.322 3.195 5,5
Kacanik 12.466 11.824 93,4
Kicevo 32.101 10.064 31,4
Ohrid 33.066 841 2,6
Kos.Mitrovica 30.788 5.788 18,8
Podgora 16.220 13.588 83,6
Porec 18.740 1.581 8,4
Prespa 21.631 1.841 8,5
Presevo 44.405 17.305 39,0
Prilep 54.480 1.114 2,0
Skoplje
128.052 25.132 19,6
Struga 28.055 8.219 29,3
Sar
Planina 46.154 19.500 42,3
Pec 44.688 27.259 61,1
Podgorica 42.904 5.005 11,7
Podrina 36.191 27.768 76,7
Pigavica 16.602 410
2,5
Veles 42.236 1.664 3,9
Vekligovo 66.501 1.485 29,3
Vorsin 14.127
6.608 46,9
Ukupno: 1.381.655 474.771
*)
Të numri relativ (përqindja) e numrit të Shqiptarëve në Bitol, shifra është
dhënë gabimisht, për shkak se presa është vu pas numrit 78, ndërsa është dashur
të vehet pas shifrës së parë (7), dmth. 7,85.
Kështu,
profesori i historisë, akademiku, ministri i dy ministrive, e kishte
planifikuar shpërnguljen me dhunë të pakicave kombëtare nga trojet e veta, për
ta bërë shtetin e pastër të Serbisë,
respektivisht të Jugosllavisë.
Ka
mendime të ndryshme, nëse Çubrilloviqi e kishte hartuar këtë elaborat me
vetinisiativë, apo ishte i porositur prej dikujt, dhe për kë e kishte
përgatitur elaboratin.
Nga
leximi i kujdesshëm i tekstit autentik, kam fituar bindjen se këtë e ka bërë me
vetinisiativë, si një autoritet shkencor dhe si një nacionalist, shovinist e
racist. Aq më tepër, që një plan për shpërnguljen e Shqiptarëve e kishte bërë
në vitin 1937. Elaboratin për pastrimin e pakicave kombëtare ia ka destinuar në
rend të parë Komandës Supreme të UNÇ, por edhe Qeverisë së ardhshme të
Jugosllavisë.
Edhepse
Elaborati nuk ka marrë formën zyrtare, zbatimi i tij është bërë për aq sa ka
mundur. Kështu, pakica kombëtare gjermane është spastruar krejtësisht, pakica
hungareze, shqiptare, italiane dhe rumune pjesërisht. Elaboratet e shumta
famëkeqe serbe kundër popujve joserbë, janë alfa dhe omega e politikës së
shtetit dhe kishës së Serbisë, qysh prej Krizës së Lindjes (1876-1878) dhe
vazhdojnë të jenë orientim i përhershëm.


