Hamdi Hysuka: Aty ku bashkohen historia, kultura dhe shpirti shqiptar

2h më parë


Aty ku bashkohen historia, kultura dhe shpirti shqiptar

Homazh letrar për 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit

Nga Hamdi Hysuka

Naim Frashëri është figura më përfaqësuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. U lind në 25 Maj të vitit 1846 në fshatin Frashër dhe ndërroi jetë më 20 tetor 1900. Jetoi në Frashër deri në moshën 19-vjeç. Më pas, i detyruar, emigroi jashtë atdheut. Zjarrin e mallit dhe të dashurisë për Atdhe e përjetësoi nëpërmjet vargjeve, që edhe sot tingëllojnë aktuale:

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë,
fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë
ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar,
do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
o vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni...

---

Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi
nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik si plumbi
e të vija në gjit' tuaj, nj' ujë të ftohtë të pinja
edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja
gazë, që paçë njëherë, prap' aty ndër ju ta gjenja...

Frashëri nuk është vetëm vendlindje poetike, por një tempull kujtese, ku ende tingëllojnë vargjet: "Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar..."

Prandaj në çdo përvjetor të tij, Naim Frashëri rikthehet mes shqiptarëve si zëri i përhershëm i dashurisë për atdheun, gjuhën dhe kulturën kombëtare.

Më 24 dhe 25 maj 2026 Përmeti jetoi dy ditë në festë, të cilat nuk mbeten vetëm në kalendar, por hyjnë në kujtesën shpirtërore të kulturës shqiptare. Atmosfera kulturore dhe shpirtërore në Frashër ishte një homazh i denjë për poetin që mbetet "yll i pashuar" i letërsisë shqipe.

U mblodhëm në vendlindjen e poetit kombëtar, në qytetin e bekuar të trëndafilave, të këngës dhe kujtesës kombëtare, në nderim të 180-vjetorit të lindjes së Naimit, aty ku fjala e tij mori frymën e parë dhe u kthye në dritë për kombin shqiptar.

Poetë, studiues, artistë dhe dashamirës të kulturës shqiptare nga trojet mbarëshqiptare dhe diaspora u mblodhëm në veprimtarinë "Ditët Naimiane 2026", ku nderuam figurën e pavdekshme të Naimit, poetit që i dha shpirt gjuhës shqipe dhe zemër Rilindjes sonë Kombëtare.

Fjala përshëndetëse, e mirëseardhjes, nga Tomorr Kotorri, drejtues i Shoqatës Kulturore Atdhetare Mbarëkombëtare "Vëllezërit Frashëri", erdhi e ngrohtë, fisnike, thellësisht atdhetare, që i dha shpirt dhe madhështi aktivitetit. Me emocion, kulturë dhe respekt për figurat e ndritura të kombit, ai solli para të pranishmëve jo vetëm historinë e shenjtë të Vëllezërve Frashëri, por dhe frymën e pavdekshme të shqiptarizmës. Fjala e tij ishte urë mes traditës, kulturës dhe dashurisë për atdheun, duke e kthyer këtë takim në një festë të vërtetë kombëtare.

-Naimi është poet, edukator, sinonimi i Shqipërisë, mësues i popullit, -tha ai dhe falenderoi poetët kombëtarë e ndërkombëtarë, të cilët u bënë pjesë e antologjisë "180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit".

E vërteta është se në kohën e lulëzimit të tij, me atë zhvillim që kishte, Frashëri e bënte Përmetin, ndërsa sot Përmeti nuk e bën dot Frashërin. Se në atë kohë Frashëri kishte 350 shtëpi, afërsisht 1800 banorë, 22 lagje, 4 shkolla, 4 faltore, një mulli, një han. Ishte qyteti më i zhvilluar. Në Frashër bëhej tregëtia më e madhe në Jug, midis 48 fshatrave dhe qyteteve përreth. Me atë zhvillim që kishte, numëroheshin 5 dyqane me xhama, të cilët në atë kohë nuk njiheshin. Prandaj sot Shqipëria duhet ta bëjë Frashërin, sepse Frashëri është Meka e shqiptarëve. Ky vend i shenjtë nuk duhet të braktiset, pavarësisht se njerëzit zgjedhin pozicionin e tyre më të mirë.

-Siç e shikoni, -vazhdoi z. Kotorri, -këtu mungon infrastruktura rrugore, mungon shkolla, shëndtësia. Gjendja ekonomike është vështirësuar. Investimi për ta bërë rrugën e Frashërit me asfalt është domosdoshmëri.

* * *

-Tre vëllezërit Frashëri, -ka shkruar poeti Xhevahir Spahiu, -ishin lindur me pishtar në dorë. Ata i dhanë frymë Shqipërisë, kur Shqipëria po jepte frymën e fundit. Abdyli, Naimi, Samiu farkëtuan zgiimin e madh. Të tre vëllezërit Frashëri janë tre profetë. Vendlindja e tyre ishte dhe mbetet Meka dhe Jeruzalemi ynë. Ardhmëria do të ketë fytyrën e ëndrrës së tyre.

-Në Frashër u takuam, shkëmbyem eksperienca dhe dashurinë për njeri-tjetrin, -u shpreh kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i Urdhërit Bektashi, (i njohur si Baba Mondi), -Naimi e shkriu jetën e vet për njerëzimin, për Perëndinë, për atdheun. Gjurmët që ai ka lënë në kulturën, gjuhën shqipe dhe më gjerë, kanë qenë, janë e do të jenë mësim i vyer për brezat. Përmasat e personalitetit naimian si intelektual i pa përsëritshëm, fetar e atdhetar, kanë krijuar njohës, dashamirës, admirues të shumtë në Shqipëri e jashtë saj nëpër botë dhe na bën besimplotë e krenarë si shqiptarë.

Xhevat Limani, aktor dhe regjisor shqiptar nga Struga, Maqedonia e Veriut, tha se erdhi në Përmet për hirë të shpirtit të madh të Naim Frashërit.

-Që 50 e ca vjet, përmes vargjeve të tij, unë e mbart me vete, kudo nëpër botë, -theksoi mes emocionesh të forta. Ky takim në dhomën e frshërllinjve i mëson secilit se Frashëri është një nga tempujt e shenjtë të shqiptarisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë nevojë të shkojnë e të kërkojnë Mekën nëpër vende të tjera, kur tepujt e shenjtë të lidhjes së Zotit e të gjakut të Kastriotit janë vendet tona.

-Prandaj, -tha zëlartë, -duhet të lajmë borxhin tonë ndaj gjeneratave që vijnë, që ata mos të qajnë apo të vajtojnë: s'kemi rrugë, s'kemi këtë apo atë...

Prof. Emrah Bilalli, në cilësinë e sekretarit të Klubit të Shkrimtarëve "Jehona e Karadakut", nga qyteti i Kumanovës, tha se në Frashër provuam një ndjenjë të jashtëzakonshme, sepse ne shqiptarët jetojmë larg atdheut, larg Shqipërisë. Gjithmonë e kemi ndjerë nevojën për ta vizituar këtë vend, sidomos sot në një datë shumë të rëndësishme, 25 maj ivitit jubilar, 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, vendi ku është lindur e rritur, ku ka mësuar e ka shkruar vargje.

Sipas tij, vepra e Naimit është nga më të mëdhatë që kanë parë shqiptarët dhe historia e njerëzimit.

-Jo vetëm udhëtim fizik drejt Përmetit, -u shpreh Emrie Krosi, studiuese, gazetare, mësuese, poete dhe romanciere, -por edhe udhëtim shpirtëror mes kujtimeve, poezisë dhe dashurisë për njerëzit e letrave. Përmeti shfaqet si një qytet që merr frymë me trëndafila, libra dhe poezi, ndërsa Vjosa, Trebeshina dhe rrugët e Jugut krijojnë një tablo thuajse pikturale. Natyra, njerëzit dhe poezia ecin bashkë në të njëjtën rrugë.

* * *

Në letërsinë shqiptare figura e Naim Frashëri mbetet një nga zërat më të fuqishëm të dashurisë për atdheun. Malli i tij për Shqipërinë nuk ishte vetëm ndjenjë poetike, por edhe dhembje e një mërgimtari që jetoi larg vendlindjes. Në vargjet e poezisë "Atdheu", ai e shenjtëron vendin e tij, duke e krahasuar me nënën, motrën e vëllanë, pra me gjithçka më të dashur për njeriun.

-

O Atdhe, më je i dashur sa më s'ka
më je nënë, më je motër e vëlla
nga ç'ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
-

Në këto vargje, atdheu nuk paraqitet thjesht si tokë, por si kujtesë, gjak, histori dhe përjetësi. Dashuria për mëmëdhenë lidhet me varret e të parëve, me nënën që "tek ti lindi, tek ti vdiq", me jetën dhe me shpirtin e kombit. Edhe larg Shqipërisë, Naimi e mbajti të ndezur mallin për vendin e tij dhe këtë mall e ktheu në frymëzim për gjithë shqiptarët. Mesazhi i tij mbetet i pavdekshëm: dashuria për kombin dhe gjuhën duhet të jetë mbi çdo interes vetjak. Përmes fjalëve: "Ta duan shqipëtarët dhe shqipen si perëndinë", Naimi u thërret brezave të ruajnë identitetin kombëtar, gjuhën dhe unitetin.

Kjo është arsyeja pse poezia e tij edhe sot tingëllon e gjallë, e ngrohtë dhe aktuale, sepse dashuria për atdheun nuk vjetërohet kurrë.

Festat, si ajo e Frashërit, nuk janë vetëm përkujtim datash, apo nderim figurash të mëdha. Ato janë rikthim i shpirtit kombëtar në burimin e vet. Në vendlindjen e Naim Frashëri, fjala shqipe duket sikur merr frymë ndryshe, më e pastër, më e ngrohtë, më atdhetare. Aty ku dikur lindi ëndrra e Rilindjes Kombëtare, sot mblidhen shqiptarë nga të gjitha trojet, si degë të një peme të lashtë që ushqehet ende nga rrënjët e Frashërit. Kënga, poezia, recitimi dhe kujtesa historike bëhen një flamur i padukshëm që bashkon zemrat shqiptare përtej kufijve. Në Frashër, çdo 25 maj, duket sikur ringjallet vetë Rilindja: bilbilat këndojnë me vargjet e Naimit, malet marrin pamjen e tribunave të historisë dhe gurët e shtëpisë muze flasin me zërin e brezave. Kjo festë është dëshmi se kombet nuk jetojnë vetëm me ekonomi e politikë, por mbi të gjitha me kujtesë, kulturë dhe shpirt. Ndaj Frashëri mbetet një vatër e shenjtë ku shqiptarizmi ndizet çdo vit si një pishtar që nuk shuhet.

* * *

Nderimi që iu bë Naimit nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Përmetit është vazhdim i një amaneti shpirtëror: ta mbajmë të gjallë figurën e Naimit në kulturë, në art dhe në zemrat shqiptare. Dhe sa herë përmendet emri i tij, duket sikur nga Frashëri ngrihet përsëri zëri i poetit që na thërret: "Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar."

Festivali Mbarëkombëtar i Poezisë Lirike "Në gjurmët Naimiane 2026", organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve "Naim Frashëri" Përmet, u shndërrua në një homazh të denjë për Naim Frashërin, në 180-vjetorin e lindjes së tij.

Ishte një mbrëmje ku fjala poetike mori frymë si dikur në odat e Rilindjes, ku vargu u bë urë mes trojeve shqiptare dhe ku arti dëshmoi se kombi ynë vazhdon të mbetet i bashkuar përmes gjuhës, kulturës dhe kujtesës shpirtërore. Poetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe treva të ndryshme shqiptare sollën në qytetin e trëndafilave, jo vetëm krijimet e tyre, por dhe dashurinë për identitetin kombëtar.

Ky festival dëshmoi se emri i Naimit nuk është vetëm histori, por dritë që vazhdon të udhëheqë brezat. Përfshirja e të rinjve në interpretimin e poezisë naimiane ishte një nga vlerat më të bukura të kësaj feste, sepse aty shihej vazhdimësia e frymës rilindëse: fjala e poetit që kalon nga një brez te tjetri si amanet kulture dhe atdhedashurie.

Në këtë 180-vjetor të lindjes së Naim Frashëri, fjala e prof. dr. Shyqri Galicës, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, erdhi si një përkulje e denjë para figurës më të ndritur të mendimit dhe shpirtit shqiptar. Ajo na kujtoi se Naimi nuk ishte vetëm poet, por një dritë udhërrëfyese e kombit, një zemër që rrahu gjithë jetën për Shqipërinë dhe për gjuhën shqipe. Me të drejtë, emri i tij mbetet i gdhendur në themelet e ndërgjegjes kombëtare, sepse ai i dha atdheut jo vetëm vargje të pavdekshme, por edhe besim, frymëzim dhe dashuri të shenjtë për lirinë.

Vlerësimet për poetët fitues, për interpretuesit e rinj dhe nderimi me titullin "Qytetar Nderi" i Përmetit për Përparim Kabon dhe Flora Brovinëna, i dhanë festivalit madhështi morale dhe kombëtare. Ishte një çast ku arti, mendimi dhe historia u bashkuan në një duartrokitje të vetme.

Përmeti tregoi edhe një herë se mbetet vatër e gjallë kulture, qytet ku poezia nuk lexohet vetëm në libra, por jeton në shpirtin e njerëzve. Dhe në atë mbrëmje të majit, dukej sikur vetë hija e Naimit ecte mes sallës, duke buzëqeshur qetë përballë dashurisë që shqiptarët vazhdojnë të kenë për emrin dhe veprën e tij.

Sipas poetit Agim Bajrami, kryetar i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, udhëtimet në Përmet karakterizohen nga emocioni i veçantë dhe entuziazmi i brendshëm, aq më shumë kur je krijues. Këtu jo vetëm që festojmë ditëlindjen e liderit të atdhetarisë shqiptare, Naim Frashërit dhe vëllezërve të tij, por promovojmë dhe kujtesën tonë historike ndaj veprës së tyre të jashtëzakonshme. Përmeti vazhdon ta ruajë mirë traditën historike të banorëve e të të parëve të vet. Në këtë qytet historik, trevë e atdhetarisë shqiptare, promovojmë vlerat e poezisë bashkëkohore.

* * *

Në qytetin e bekuar të trëndafilave, këngës dhe kujtesës kombëtare, jetuam dy ditë festive që nuk mbeten vetëm në kalendar, por hyjnë në kujtesën shpirtërore të kulturës shqiptare. Festivali Mbarëkombëtar i Poezisë Lirike "Në gjurmët Naimiane 2026", organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve "Naim Frashëri" Përmet, u shndërrua në një homazh të denjë për Naim Frashëri, në 180-vjetorin e lindjes së tij.

Atmosfera festive në Frashër, këngët mbi vargjet e Naimit, recitimet, prania e shqiptarëve nga të gjitha trojet, vizita në Shtëpinë Muze dhe në Teqenë e Frashërit, janë dëshmi e gjallë, se figura e Naimit vazhdon të bashkojë shqiptarët përtej kufijve. Emri i Naimit nuk është vetëm histori, por një dritë që vazhdon të udhëheqë ndërgjegjen shqiptare drejt kulturës, dijes dhe qytetërimit

Qoftë fjala poetike gjithmonë urë bashkimi mes njerëzve, brezave dhe trojeve tona, ashtu siç e ëndërronte Naim Frashëri!

Hamdi Hysuka,

Klubi letrar "Pjetër Budi", Mat