Gjon Keka: Gjergj Kastrioti ishte ithtar i filozofisë skolastike dhe model i mençurisë së thellë politike dhe patriotizmit
Gjergj Kastrioti ishte ithtar i filozofisë skolastike dhe model i mençurisë së thellë politike dhe patrotizmit

Çështjet
e atdheut të përbashkët iliro-arbëror, Gjergj Kastriotin nuk e kishin lënë
aspak indiferent as më parë sa ishte në oborrin e sulltanit si peng; ai
mendonte se si t'i dilte zot atdheut të tij dhe ta bënte atë jo vetëm të lirë,
por edhe flamurtare të popujve, principatave dhe mbretërive të kontinentit
europian të asaj kohe.
Cilësitë
e shkëlqyera të Gjergj Kastriotit si burrë shteti shpejt fituan njohje të
gjerë, kjo u demonstrua në nëntorin e vitit 1443, dhe atë të 2 marsit 1444, pra
me rikthimin e tij në atdhe dhe me kuvendin e Lezhës. Me aftësinë e një burri
shteti me përvojë, ai menaxhoi çështjet shpesh të vështira dhe të mprehta të
vendit, për kohën në të cilën ai ishte dhe rrezikut të vazhdueshëm nga
pushtuesi otoman si dhe nga kurthet e armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm. Ai
ishte mjaftueshëm diplomatik sa të përdorte rrugët e ndryshme të miqësisë dhe
dialogut e alenacave për të çuar përpara qëllimet e tij politike dhe ushtarake.
Më i përshtatshëm se shumë të tjerë princa e mbretër të Europës së asaj kohe,
ai ishte në gjendje të ndërmjetësonte interesat e ndryshme të principatave
arbërore dhe më gjerë dhe të bashkonte forcat e tyre të fragmentuara.
Patriotizmi i tij i vërtetë, elokuenca e tij e madhe, autoriteti që ai gëzonte
në gjithë Gadishullin Ilirik dhe Europë dhe besimi i përhapur i mundësuan atë
ta bënte këtë. Duhet nënvizuar se në atë kohë, në moshën e tij, ishte padyshim
ndër burrat e shtetit më të shquar të Gadishullit Ilirik dhe Europës.
Përvoja
të shumta e kishin çuar Gjergj Kastriotin(Skënderbeun) në kuptimin se nuk mund
t'i çonte arbërorët e tij në rrugën e iluminizmit pa ndihmën e klerit të
krishterë dhe humanistët e kohës.Prandaj ai i kishte afër vetes Pal Engjëllin,
Dhimitër Frangun, Gjon Gazullin si dhe personalitet tjera arbërore të kohës.
Gjergj
Kastrioti zotëronte një aftësi dhe shkathtësi të pazakontë gjersa qëndronte në
krye të shetit të Arbërit, deti në të cilin ai duhej të drejtonte anijen
arbërore të shtetit nuk ishte aspak e qetë dhe e sigurtë, për shkak të armiqëve
të jashtëm dhe të brendshëm që donin që anija arbërore që i qëndronte të gjitha
baticave e zbaticave të fundosej. Në fakt Gjergj Kastrioti, ishte njeriu
fisnik, i bekuar e i veçantë i popullit të tij, ai nuk ishte vetëm njohës i
thellë i artit të luftës, gjeneral, udhëheqës, diplomat e strateg, por edhe një
ithtarë i filozofisë skolastike sepse sikur dihet princi e mbreti ynë arbëror
ishte shumë i ditur. Gjergj Kastrioti në fakt ishte unik,Natyra apo Zoti e
kishte pajisur me një mori talentesh të larmishme, sepse ishte një komandant
ushtarak, burrë shteti dhe udhëhqës i shkëlqyer e vizionar; ai jo vetëm që
ishte strateg i madh, por edhe mendonte filozofikisht, sa që këtë e demonstroi
edhe në veprimet e tij politike, ushtarake dhe diplomatike.
Rikthimi
i tij në atdhe më 28 nëntorë 1443 për të çliruar Arbërinë e tij dhe për ta bërë
Shtetin Arbëror shembull të kohës që mbronte themelet e qytetërimit të
përbashkët europian do t'i siguronte atij vendin në analet e historisë
europiane dhe arbërore. Luftërat dhe përpjekjet e papërshkrueshme, por edhe
sukseset e shkëlqyera të tij dhe të mbretërimit të tij të cilat u falën vetëm
forcës së tij, mbetën të freskëta në mendjet e popullit të tij deri në ditët
tona nëpërmjet shkrimeve e fakteve dhe dëshmive që u ruajtën sidomos nga
bashkëkohësit e tij, Në fakt ato mbetën një monument i qëndrueshëm për heroizmin
e kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) dhe arbërorëve të tij besnik
deri në ditët e sotme, dhe qëndrojnë në analet e Arbërisë si një model i
mençurisë së thellë politike, trimërisë e qëndrueshmërisë së pashoq, vizionit
të qartë dhe vetëmohimit të rrallë.
Gjenerali
arbëror ishte një njeri i ndershëm dhe një qytetar i mirë, sepse pa këto
cilësi, aftësia në artin e luftës është më shumë e dëmshme sesa e dobishme. Një
gjeneral duhet të dijë të jetë i natyrshëm, i butë dhe i ashpër, herë dyshues
dhe herë i qetë. Gjergj Kastrioti vazhdimisht donte që të kursente gjakun e
ushtarëve të tij iliro-arbëror; ai punonte me mendjen e tij, duke vepruar
personalisht, diskret, i thellë, i informuar mirë për gjithçka, duke mos
harruar asgjë në favor të shtetit arbëror dhe të mirës së përgjithshme të tij
si dhe duke mos lënë pas dore asgjë, sepse ato shpesh janë shumë të lidhura me
çështjet më të rëndësishme. Ai si një gjeneral i madh i Europës dhe Arbërisë
ishte roja e ushtrisë së tij. Gjergj Kastrioti tregoi dashuri atërore ndaj të
gjitha trojeve të tij iliro-arbërore dhe jo vetëm ndaj principatës së babait të
tij Gjonit që i kishte lënë trashëgimi,i lidhur fortë me qytetarët e tij dhe me
dashuri të madhe ndaj Arbërisë e shtetit të tij, ai luftoi vetëm për lirinë,
pavarësinë, unitetin dhe forcën e atdheut të tij.
Ai
qëndroi, i fuqishëm, në krye të kombit të tij, i rrethuar nga dashuria e të
gjitha zemrave arbërore të asaj kohe, dhe gjuha iliro-arbërore të cilën ai e
fliste me ushtarët dhe popullin e tij. Të gjithë armiqtë e autoritetit e
pushtetit të tij dhe unitetit iliro-arbëror tërhiqeshin para tij me frikë.
Vështirë se ndonjëherë më parë një udhëheqës e princ ishte ngritur kaq lart nga
dora e Natyrës, e Fatit apo e Zotit në një pushtet kaq europian të kohës vendimtare
për kontinentin dhe civilizimin e saj, i vendosur fortë dhe i mbrojtur në
mënyrë të sigurt nga dora e bekuar e Zotit. Asnjëherë më parë një princi nuk i
ishte dhënë një dashuri kaq universale, që mbushte zemrat e të gjithë popullit
të tij, si princi e kryeheroi ynë arbëror Gjergj Kastrioti(Skënderbeu). Ng kjo
shihet se Gjergj Kastrioti ishte kryeheroi ynë i veprimit dhe idesë. Princi i
madh arbëror, i njohur si një model i shquar për mbretërit dhe princat e
Europës dhe Botës, u bë objekt admirimi jo vetëm arbëror e europian por edhe
universal.
"Nga
një trung, kaq shumë degë; nga një prush, kaq shumë flakë." Ky ishte në
kohën e tij, por, ky në fakt është atdheu iliro-arbëror dhe imazhi i tij në
kontinentin europian. Gjergj Kastrioti(Skënderbeu), me vizionin e tij të mençur
dhe komandues, parashikoi të ardhmen dhe nuk i besoi forcës së birit të tij për
shkak se ai ishte ende i vogël dhe i pafuqishëm, por as nuk i besoj në plotëni
as vendeve tjera se do të mund ta shpëtonin Arbërinë nga dora gjakatare e
sulltanit dhe Perandorisë së tij, prandaj ai e dinte se sapo të dëgjonin
armiqtë se ai kishte vdekur dhe ishte varrosur ata do të vërsuleshin si hienat
kundër atdheut të tij dhe kjo në fakt ndodhi, Arbëria u pushtua menjeherë pas
vdekjes së tij dhe varri i tij u hap për të mos i lejuar që as eshtrat e tij të
qëndronin të qeta në mëmdheun e tij të dashur që e deshti deri në rrahjet e
fundit të zemrës së tij. Pas vdekjes së tij, Arbëria u zhyt në dobësi të
brendshme, pushtuesi otoman e gllabëroi sapo e mori lajmin e vdekjes së tij, sepse
e dinte se sa të ishte gjallë ai as Arbëria e as Europa nuk do të mund të
pushtoheshin aq lehtë ngase vetë ai, arbërorët e tij dhe Arbëria e tij ishin
bërë mburoja e gjithë kontinentit dhe civilizimit të saj europian. Që Europa i
shpëtoi tmerrit të pushtuesit otoman dhe që u kursye nga një mjerim i pamasë
dhe shkatërrim civilizimit të saj, i detyrohet Princit apo Mbretit arbëror,
mbrojtësit të papërsëritshëm të civilizimit të përbashkët europian Gjergj
Kastriotit (Skënderbeut) dhe Arbërisë së tij heroike.
Megjithkëtë,
nuk mund të kthehemi prapa, as ta rikthejmë kohën e bekuar të kryeheroit tonë
iliro-arbëror Gjergj Kastriotit kur Arbëria ishte në kulmin e saj dhe mbrojtëse
e civilizimit të përbashkët europian, por ajo që mund të bëjmë në këtë kohë
është të tregohemi të denjë se i takojmë rrënjëve të bekuara iliro-arbërore, i
takojmë gjakut të Gjergj Kastriotit dhe të ecim në udhën e tij, të kemi në gjak
patriotizmin dhe lirinë e tij, të jemi vizionar, të urtë, trima e bujar si ai, idealist
e realist dhe ndërtues e jo shkatërrues, as mohues të rrënjëve, sikur e kam
thënë shpesh e nënvizuar shopesh në librat e mi se ai gjersa ishte në oborrin e
sulltanit në venat e tij rridhte gjak ilirë-arbëror, e dinte prej nga vinte dhe
kujt i takonte, dhe për atë e nxorri nga zemra e fryma idenë e lirisë dhe
rikthimit në atdheun ë tij për ta çliruar sëbashku me arbërorët e tij besnik;
prandaj, përpara me Gjergj Kastriotin Llambën ndriçuese të kombit tonë, Yllin
tregues të së ardhmes sonë dhe Qëllimit drejt rikthimit në familjen europian.
Është
e habitshme që tek ne, në mesin e popullit tonë ka individ, grupe që nuk duan
qëllimisht ta njohin gjenialitetin, trimërinë, urtësinë, veprën dhe jetën që
jetoi, veproi e la gjurmë të përjetshme në themelet e kombit tonë Gjergj
Kastrioti(Skënderbeu) i cili edhe sot, në shekullin XXI hap krahët e shqiponjës
për të na çuar lart në mbretërinë e tij të ideali të unitetit iliro-arbëror dhe
në familjen europiane që ai e mbrojti dhe ia siguroi vendin kombit tonë përgjithmonë
në mesin e kësaj familje.










